Lexoni nga Luka 7:11-17
Hidhërim në gëzim; jetë nga vdekja!
Ai tha: “Djalosh, unë të them, ngrihu!”. (v. 14)
Çfarë do të thotë të humbasim personin tek i cili varemi më së shumti? Ndjenjës së madhe të pikëllimit mund t’ia kalojë vetëm vetmia, dhe vetmia vetëm nga humbja që pësojmë dhe humbja vetëm nga pafuqia jonë për të gjetur një zgjidhje.
Në leximin e sotëm, Jezusi “përplaset” me një kortezh që po dilte nga portat e qytetit të Nainit. I vdekuri ishte djali i vetëm i një të veje, dhe me shumë gjasa mbështetja e saj e vetme. Ligji i Dhjatës së Vjetër dhe profetët kanë shpallur në mënyrë të përsëritur shqetësimin e veçantë të Perëndisë për të vejat (Eks. 22:22-24; Isa. 1:17). Pa mbështetjen e bashkëshortit, një e ve nuk kishte asnjë të ardhur dhe mund të binte pre e atyre që mund ta detyronin atë të hiqte dorë nga shtëpia, toka dhe zotërimet e saj. Një e ve nuk kishte asnjë status përpara një gjykatësi. Ajo kishte shumë pak të drejta. Shpresa e vetme për një të ve ishte të kishte një bir që mbijetonte. Dhe Jezusi pa që kjo shpresë ishte duke u futur në dhe, në kuptimin e plotë të fjalës.
Ligji hebre ndalonte këdo që të prekte trupin e të vdekurit apo arkivolin që e mbartte atë (Num. 19:11, 16), për shkak se kjo do ta bënte personin të papastër. Mirëpo Jezusi nuk heziton. Prekja që Jezusi i bën arkivolit, dhe fjala e tij drejtuar një kufome, i ktheu jetën një të vdekuri. Një funeral u transformua në një festë! Jezusi derdhi mëshirë për këtë të ve, sepse në mbretërinë e Tij nuk do të ketë padrejtësi, dhe padrejtësia e vdekjes do të jetë e syrgjynosur përjetë. Këtu, ai nuk pati mëshirë vetëm për të venë, por edhe mëshirë për ne, duke na treguar një pjesëz të mbretërisë që do të vijë. — Fred Van Dyke
Ndërsa luteni, mendoni për humbjen që përjetoni me vdekjen e një personi të dashur. I kërkoni ndihmë Jezusit.
#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android