Lexoni nga Gjoni 14:1-7
Unë jam Udha
Do të kthehem përsëri dhe do t’ju marr pranë meje. (v. 3)
Jezusi u largua për një qëllim. Dishepujt u tronditën sepse nuk e kuptonin dot se përse po largohej ai. E megjithatë, Jezusi u tha atyre se po largohej për të mirën e tyre (dhe tonën) që të përgatiste një vend në qiell për ta (dhe për ne), dhe shkoi që të ishte rruga për të shkuar atje (v. 1-3).
Është njësoj sikur secili prej nesh të kishte humbur në një pyll të dendur dhe të gjithë po përpiqen të gjejnë rrugën për të dalë nga ky pyll, mirëpo vetëm sa ngatërrohemi më shumë se sa në fillim. Të lodhur e të çjerrë nga drizat, ndjekim shumë kollaj shtigjet e rremë që nuk të çojnë askund. Pastaj, i zoti i shtëpisë në anën e largët të pyllit, vjen dhe çan një udhë mes përmes pyllit, na gjen dhe pastaj drejton rrugën përmes drurëve për tek shtëpia e tij. “Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis një vend, do të kthehem përsëri dhe do t’ju marr pranë meje”, tha Jezusi, “që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (v. 3).
Jo vetëm që Jezusi përgatit shtëpinë për ardhjen tonë, por ai na çon vetë atje. Jezusi shpall duke thënë: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (v. 6). Jezusi hyri në qiell sepse ne nuk mund të shkonim dot vetë atje. Ai çau rrugën përmes pyllit të dendur të botë sonë dhe hapi rrugën për ne që të shkonim në shtëpinë e Atit të tij.
Zemrat tona nuk duhet të tronditen, sepse, edhe pse Jezusi është larguar me të vërtetë, ai ka shkuar përpara nesh për të qenë rruga jonë për në shtëpinë e Atit. — Stephen Shaffer
Ndërsa luteni, falënderoni Jezusin që ka bërë një rrugë për ju drejt shtëpisë së Atit.
#fjalëteshpresës#kishashqiptare#ungjillorëtshqiptare#meditime#app#ios#android#pashke