Lexoni nga Kolosianëve 1:1-8, 4:2-4
Përkushtojeni veten në lutje
Ngulmoni në të lutur, duke ndenjur zgjuar në të me falënderim. (Kol. 4:2)
“Sot lutja është një nga fushat më të neglizhuara në jetën e një besimtari dhe në jetën e Kishës.” Këto janë fjalët e dr. Xhei Vernon MekGi (J. Vernon McGee), një mësues i famshëm i Biblës, pastor dhe teolog, që ka shërbyer në shekullin e kaluar. Fjalë të mençura që sot janë po aq të vërteta sa dhe atëherë kur ai i tha.
Edhe në kohën e Palit, apostulli e kuptoi se besimtarët duhet t’i kujtonte: “Ngulmoni në të lutur.” Padyshim që lutja ishte e rëndësishme për apostullin. Letrën e Kolosianëve ai e nis duke u treguar atyre se ai nuk ka ndaluar kurrë së luturi për ta. (1:9). Dhe në kapitullin e katërt, ndërsa ai e mbyll letrën, ai i udhëzon besimtarët kolosianë që, jo vetëm të ngulojmë në lutje, por edhe që të luteshin për të dhe për shoqëruesit e tij, “që Perëndia të hapë një derë” për Ungjillin (4:3).
Duket ironike që ne kemi nevojë që të na kujtojnë për t’u lutur. A nuk duhet të na vijë natyrshëm? Gjithsesi, të gjithë e dimë se si është. Ne jemi krijesa që preferojmë të veprojmë. Mendojmë se duhet të bëjmë gjëra. Prandaj, përpiqemi me çdo mënyrë që na jepet për të gjetur një zgjidhje për problemin tonë. Pastaj, kur duket sikur asgjë nuk funksionon, më në fund themi: “Epo, mbase duhet të lutemi për këtë.”
Një miku im në krye të faqes së tij në Facebook ka shkruar këto fjalë: “Në fillim lutu!” Kjo është këshillë e mirë. Apostulli Pal do të binte dakord me këtë dhe të gjithë ne bëjmë mirë që “në fillim të lutemi”. – John Koedyker
Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë që t’ju ndihmojë ta bëni lutjen prioritet në jetën tuaj.
#lutja #16gusht #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android