woh-16-mars-web

16 Mars

Lexoni nga Gjoni 14:25-29

Dërgimi i Frymës

Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t’ju mësojë çdo gjë. (v. 26)

Dikur mora pjesë në një garë vrapimi prej 5 kilometrash. U stërvita, por duke mos qenë natyrshëm një person që vrapoj, e urreva gati-gati çdo minutë të asaj gare. Isha i ngadaltë dhe i trishtuar, megjithatë, kur mora kthesën e fundit, drejt vijës së finishit, pashë që kishte njerëz të rreshtuar në rrugë që brohorisnin për vrapuesit. Papritur, në vend të ecjes çalë-çalë, fillova të kapja ritmin dhe ia dola që të vrapoja shumë mirë pjesën e mbetur të garës, disa qindra metra, për shkak të inkurajimit të tyre.

Në lashtësi, këta njerëz që mblidheshin në rrugë dhe brohorisnin për vrapuesit njiheshin si “përkrahës”. Jezusi nuk e mbajti të fshehtë nga ndjekësit e tij që po largohej. Ai do të përlëvdohej (në kryq) dhe do të shkonte tek Ati (duke u ngritur në qiell). Megjithatë, Jezusi premtoi se kur të shkonte tek Ati, Ati do të dërgonte Frymën e Shenjtë, si një Përkrahës në emrin e tij. Fryma e Shenjtë do t’u mësonte dishepujve të gjitha ato që tha Jezusi dhe do t’u kujtonte atyre ato që ai u kishte treguar (v. 26), por gjithashtu do të ishte edhe inkurajuesi i tyre. Fryma do të ecte bashkë me dishepujt (në fakt, do t’i mbushte ata) në mënyrë që të mund të vazhdonin në rrugën e Jezusit.

Të gjithë dishepujt e Jezusit janë në një garë. Të gjithë jemi të thirrur të lëvizim sipas rrugës së Jezusit. Edhe pse Jezusi është larguar nga toka për të shkuar tek Ati, ai nuk na ka lënë vetëm. Ai ka dërguar Frymën e Shenjtë që ne të mund “të rendim me durim në garën që është përpara nesh” (Heb. 12:1). — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’jua fiksojë sytë tek Jezusi dhe t’ju mbushë me Frymën e tij.

#fjalëteshpresës#kishashqiptare#ungjillorëtshqiptare#meditime#app#ios#android#pashke

Tags: No tags