Lexoni nga Mateu 1:1-16
Një familje njerëzore
Mbretit David i lindi Salomoni nga ajo që kishte qenë bashkëshortja e Urias. (v. 6)
Babai im ka filluar të interesohet shumë mbi gjenealogjinë e familjes sonë. Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme duke mbledhur fotografi të vjetra të paraardhësve tanë. Është interesante të vëresh ndonjë “ngjashmëri familjare” tek fotografitë dhe historitë e të afërmve që janë larguar shumë kohë më parë, qoftë shenjtorëve dhe mëkatarëve, të cilët përbëjnë pemën tonë të familjes.
Mateu dëshironte që ne ta dinim se edhe pema familjare e Jezusit ishte e përbërë nga të tillë njerëz. Një nga mënyrat se si e arriti këtë ishte duke përfshirë katër gra të spikatura në gjenealogjinë e Jezusit që gjejmë në ungjillin e tij. Këto lloj dokumentimesh rrallëherë përfshinin gra; në listë, në mënyrë tipike, do të renditeshin vetëm paraardhësit meshkuj. Mirëpo katër gratë në këtë gjenealogji, Tamara, Rahabi, Ruthi dhe Bathsheba, ishin njerëz të jashtëzakonshëm për Mateun që t’i përfshinte në ungjillin e tij. Tamara, Rahabi dhe Ruthi ishin gra të huaja të cilat duhet të ishin përjashtuar nga bekimet e Perëndisë, mirëpo përmes hirit secila prej tyre u bë pjesë e kombit të Izraelit. Bathsheba ishte një kurorëshkelëse që u bë nëna e Salomonit. Përfshirja e tyre e veçantë në gjenealogjinë e Krishtit tregon se deri në çfarë pike shpëtimtari ynë u identifikua me njerëzimin. Ashtu si ne, edhe ai erdhi nga një familje njerëzore me njerëz të mëdhenj e të ulët, me shenjtorë, dhe veçanërisht me mëkatarë.
Me anë të hirit, Bathsheba u përfshi tek të parët e drejtpërdrejtë të Mesias, mirëpo të gjithë besimtarët janë pjesë e familjes së tij njerëzore, pra, vëllezërit dhe motrat e tij të besimit. Hebrenjve 2:11 na thotë se ai “nuk turpërohet t’i quajë vëllezër”. Çfarë vëllai të madh kemi tek Jezusi! — Laura N. Sweet
Ndërsa luteni, falënderoni Perëndinë për hirin që ju ka bërë juve pjesë të familjes së tij të besimit.
#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android