woh-17-mars-web

17 Mars

Lexoni nga Gjoni 15:1-11

Unë jam hardhia

Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë. (v. 5)

Një stuhi e fortë ere rrëzoi shumë degë pemësh që u përhapën në oborrin tim. Çfarë do të ndodhte nëse do ta merrja një nga ato degë të thyera dhe ta mbillja në tokë? A do të rritej? Jo! Dega ishte thyer dhe ishte shkëputur nga pema, pra, nga burimi i saj i jetës dhe nuk mund të jetonte më.

Jezusi u tha dishepujve të tij: “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet” (v. 5). Nëse mund të bëjmë ndonjë gjë, do ta bëjmë vetëm duke qenë të lidhur me Jezu Krishtin, duke qenë të bashkuar me të në një lidhje intime dhe jetëdhënëse. Në Krishtin, pra, në marrëdhënie me Krishtin, ne kemi jetë, por pa atë kemi vetëm vdekje. Ashtu siç është një degë thjesht një shkop i thatë pa hardhinë, edhe ne nuk jemi gjë veçse dru të thatë pa një marrëdhënie me Jezu Krishtin (v. 6). Tek hardhia, pra, në Jezu Krishtin, ka jetë. Të ndarë prej tij, nuk mund të bëjmë asgjë. Ne jetojmë sepse ai jeton. Ne jetojmë të ushqyer nga hardhia.

Perëndia na bashkon me Jezu Krishtin përmes Frymës së tij. Ai krasit zemrën dhe jetën tonë, dhe kjo vetëm e vetëm që të mund të japim fryt për lavdi të Perëndisë (v. 2, 8). Kur i përkasim Jezu Krishtit, kur jemi të bashkuar me të, me hardhinë e vërtetë, atëherë jeta jonë do të fillojë të tregojë prova për këtë. Jo vetëm që nuk do ta duam më mëkatin, por do të fillojmë të duam Perëndinë, drejtësinë e tij dhe do të kërkojmë të jetojmë me falënderim. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, i kërkoni Jezusit t’ju bëjë të qëndroni në të dhe të jepni fryt.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

Tags: No tags