web-woh-17-prill

17 Prill

Lexoni nga Luka 9:23-26

Çfarë është dorëzimi?

Le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë. (v. 23)

Si reagoni kur dëgjoni fjalën “dorëzim”? Zakonisht shoqërohet me disa mendime negative. Imagjinoni flamuj të bardhë që valviten lart dhe ushtri që u nënshtrohen armiqve të tyre. Dorëzimi sugjeron dobësi, heqje dorë dhe një qëndrim të mposhtur. Dorëzimi është për dështakët, pikërisht e kundërta e asaj për të cilën lufton shoqëria jonë. Bota sot na thotë që duhet të krijojmë rrugën tonë, të bëjmë çfarë të jetë e nevojshme për të fituar. Dhe pastaj mund të shijojmë jetën e ëndrrave, pra, të jemi të begatë, të pavarur dhe të lirë. Në kulturën tonë egocentrike askush nuk na inkurajon të mendojmë që t’i nënshtrohemi fuqisë apo pushtetit të dikujt tjetër. As nuk kemi ndërmend të braktisim motivet tona për t’iu dorëzuar diçkaje apo dikujt tjetër. E megjithatë, kjo është pikërisht ajo që Bibla na thërret të bëjmë.

Kur Jezusi flet rreth çmimit të të qenit dishepull i tij, Ai thotë se duhet të “mohojmë vetveten”. Kjo nuk do të thotë që ne thjesht mohojmë disa gjëra, siç është heqja dorë nga ëmbëlsirat. Përkundrazi, të qenit dishepull do të thotë të mohojmë plotësisht kontrollin që kemi mbi jetën tonë. Me fjalë të tjera, Jezusi dëshiron që ne t’i dorëzojmë Atij gjithçka.

Përgjatë ditëve në vazhdim do të jemi duke vështruar temën e dorëzimit dhe do të mendojmë se çfarë do të thotë ajo për ndjekësit e Jezus Krishtit. Do të marrim në konsideratë arsyen pse dorëzimi është një pjesë e nevojshme e besimit. Unë shpresoj dhe lutem që së bashku do të arrijmë të kuptojmë rëndësinë që ka jeta e jetuar në dorëzim të plotë ndaj Krishtit, Zotit tonë. — Jessica Heikoop

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju ndihmojë të kuptoni se çfarë do të thotë të dorëzohesh.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

Tags: No tags