Lexoni nga Gjoni 8:48-58
Unë jam
Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: Para se të kishte lindur Abrahami, unë jam”. (v. 58)
Një nga skenat më të fuqishme në Dhjatën e Vjetër është kur Perëndia i shfaqet Moisiut në shkurren që digjej dhe e urdhëron atë ta udhëheqë popullin për të dalë nga skllavëria në Egjipt. Moisiu përpiqet t’i shmanget detyrës, por Perëndia nuk ka ndërmend ta lërë me kaq. Si përfundim, Moisiu e pyet Perëndinë se kush duhet t’u thotë izraelitëve se e ka dërguar. Perëndia përgjigjet: “UNË JAM AI QË JAM”, dhe pastaj thotë: “Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: ‘UNË JAM-i më ka dërguar tek ju’” (Eks. 3:14). Duke e përshkruar veten e tij në këtë mënyrë, Perëndia po i referohej natyrës së tij të përjetshme: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja.
Kalojmë tek leximi ynë për sot. Jezusi është duke i dhënë mësim një grupi judenjsh që janë skeptikë në lidhje me lirinë që vjen bashkë me të vërtetën e mesazhit të ungjillit. Nga ana e tyre, judenjtë po e pretendonin drejtësinë e tyre për shkak se ishin “pasardhës të Abrahamit” (Gjo. 8:33). Dhe Jezusi u përgjigjet me këtë: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Para se të kishte lindur Abrahami, unë jam” (Gjo. 8:58).
Jezusi përdor shprehjen “Unë jam” që duhet të ishte shumë e njohur për judenjtë përgjatë brezave. Duke bërë këtë, edhe Jezusi po i referohej natyrës së tij të përjetshme, njëkohësisht po deklaronte edhe natyrën e tij hyjnore. Ai po thotë: “Unë e njoh Perëndinë. Unë jam nga Perëndia. Dhe, unë jam Perëndi”.
Thënë këtë, më lejoni edhe mua disa deklarata me “unë jam”: Unë jam i përulur, unë jam i mahnitur në frikë, unë jam në gjunjë. Dhe më e rëndësishmja, unë jam i shpëtuar. — Lou Bury
Ndërsa luteni, përtërini besimin tuaj të përjetshëm tek Zoti me këto fjalë: “Jam i yti/e jotja”.
#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android