web-woh-2-gusht

2 Gusht

Lexoni nga Mateu 11:28-30

Sekreti i zgjedhës së lehtë

“Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!” (v. 30)

Dje mësuam për ftesën e Jezusit që të shkojmë tek Ai dhe të gjejmë çlodhje. Por si mund të jetojmë me një shpejtësi tjetër? Çelësi është pjesa e dytë e fjalëve të Jezusit në pasazhin e sotëm: “Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë…” (v. 29)

Zgjedha është një shëmbëlltyrë fermash. Përfytyroni dy qe të bërë bashkë që ndajnë barrën e tërheqjes së parmendës në një arë. Kur një rabin i referohej “zgjedhës”, nuk fliste në mënyrë të drejtëpërdrejtë, por po përdorte një shprehje frazeologjike të zakonshme për të përshkruar mësimet e tij në lidhje me Torën (pesë librat e parë të Dhjatës së Vjetër). Të merrje zgjedhën e një rabini nënkuptonte të bëheshe studenti i tij (ose dishepulli) dhe të vije në zbatim mësimet e tij. Ajo që e bën Jezusin të veçantë nuk është fakti që Ai ka një zgjedhë, por që këmbëngul se zgjedha e Tij është e lehtë dhe “barra” e të qenit dishepull i Tij është e thjeshtë. Me fjalë të tjera, të ndjekësh Jezusin nuk është diçka dërrmuese dhe kufizuese. Përkundrazi, është rruga drejt lirisë dhe një jete me bollëk.

Ungjijtë zbulojnë shumë mësime dhe praktika të ndryshme që formojnë zgjedhën e Jezusit. Për këtë seri devocionesh, ne do të përqendrohemi te njëra: Sabati. Siç do ta shohim, kur përvetësojmë mënyrën e jetës së Jezusit, zbatimi i Sabatit nuk është vetëm për një ditë në javë. Por bëhet fjalë për ta jetuar gjithë jetën me një zemër Sabati – një zemër që çlodhet në Perëndinë dhe i do të tjerët nga një pozicion përmbushjeje dhe gëzimi. Ndërsa qëndrojmë në Jezusin dhe ndjekim shembullin e Tij, do të zbulojmë sekretin e zgjedhës së Tij të lehtë! — Brian Keepers

Ndërsa luteni, kërkojini Jezusit që t’ju ndihmojë të merrni zgjedhën e Tij sot, duke qëndruar me Të dhe duke u bërë si Ai.

#kohapërçlodhje #2gusht #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

Tags: No tags