Lexoni nga Mateu 16:21-26
Merrni kryqin tuaj
Në qoftë se dikush do të vijë pas meje, të mohojë vetveten, dhe të marrë kryqin e vet, dhe të më ndjekë. (v. 24)
Çfarë do të thotë të ndjekësh Jezusin në praktikë? Pjetri ishte i sigurt që e dinte si ta ndiqte Jezusin. Ai kishte kaluar çdo çast me Jezusin, duke qenë i zgjedhur dhe i thirrur për ta ndjekur atë (Mt. 4:19). Kur Jezusi i pyeti dishepujt: “Po ju, kush thoni se jam unë?”, Pjetri u përgjigj me guxim dhe tha: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë” (16:15-16). Si përgjigje ndaj kësaj, Jezusi shpalli se rrëfimi i Pjetrit do të formonte themelet e kishës. Megjithatë, Pjetri shpesh nuk “godiste në shenjë”, pavarësisht se mendonte që dinte shumë. Menjëherë pas deklaratës së Pjetrit se Jezusi ishte Mesia, Jezusi u tregoi dishepujve të vet se ku po e çonte shtegu që po ndiqte: pikërisht në Jerusalem, ku ai do të vuante, do të vdiste dhe pastaj do të ringjallej përsëri pas tri ditësh.
Pjetri nuk arrinte ta pranonte dot. Ai e mori Jezusin veçmas për ta korrigjuar. “Kjo të mos të ndodhtë kurrë” (v. 22). Mirëpo Jezusi e qortoi: “Largohu prej meje, o satan!”. Fjalët e Pjetrit nuk ishin nga Perëndia por reflektonin thjesht gjërat që shqetësojnë njerëzit (v. 23). Kur zgjedhim të ndjekim Jezusin, do të na duhet gjithashtu të mohojmë veten tonë dhe të marrim kryqin (v. 24). Kjo është mënyra jonë e vetme për të shpëtuar jetën. Ne mund të fitojmë gjithçka tjetër, por nëse nuk e ndjekim Jezusin deri në fund, atëherë ai fitim në fakt është humbje (v. 25-26).
Ndjekja e Jezusit nuk është një shteg që të lartëson në pushtet, famë, pasuri, siguri apo sukses. Përkundrazi, është një shteg që të ul në përulësi. Këtë muaj do të ndjekim shtegun ku eci Jezusi dhe do të mësojmë si ta marrim edhe ne kryqin tonë. — Stephen Shaffer
Ndërsa luteni, i kërkoni Jezusit t’ju ndihmojë të merrni kryqin tuaj dhe ta ndiqni.