Lexoni nga Mateu 6:25-34; Filipianëve 4:4-7
Të zëvendësojmë shqetësimin me lutjen
Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. (Fil. 4:6)
Shqetësimi është diçka që vjen natyrshëm për shumicën prej nesh. Jemi të zotët për t’u shqetësuar! Unë shqetësohem për lloj-lloj gjërash, për situatën në botë, për komunitetin tim, familjen dhe kishën time, shqetësohem për shëndetin tim dhe të miqve të mi. Jam i sigurt që edhe ju keni shumë shqetësime, disa janë të vogla, disa janë të mëdha. Pasazhi i sotëm është i qartë, kundërhelmi për të gjithë shqetësimet është lutja.
Këtë të vërtetë na e mësoi Jezusi gjatë Predikimit në Mal, kur u tha dëgjuesve të Tij që të mos shqetësoheshin, por që të vëzhgonin se si Perëndia siguron gjithmonë atë që iu nevojitet zogjve, luleve dhe neve. Në mënyrë të ngjashme, Pali i udhëzon miqtë e tij filipianë që të mos shqetësohen, por të shkojnë te Perëndia në lutje dhe të ndajmë shqetësimet dhe nevojat e tyre. (v. 6)
Kur ne ia dorëzojmë shqetësimet tona Perëndisë në lutje, ne përjetojmë paqe. Jo vetëm një lloj paqe sipërfaqësore, por një paqe të thellë, një paqe që “ia tejkalon çdo zgjuarësie”, që vjen te ne përmes marrëdhënies tonë me Krishtin.
Kohët e fundit kam lexuar se “Shqetësimi është një bisedë që ju e bëni me veten për gjërat që nuk mund t’i ndryshoni. Lutja është një bisedë që ju e bëni me Perëndinë për gjërat që Ai mund të ndryshojë.” Perëndia tashmë i di shqetësimet tuaja, çështjet dhe problemet që fshihen pas tyre. Prandaj, kur e ndjeni se po afrohet një shqetësim, shkoni në lutje. Dorëzojani Perëndisë shqetësimet tuaja dhe shikoni se çfarë do të bëjë Ai. – John Koedyker
Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë që t’i zëvendësojë shqetësimet tuaja me paqen e Tij.
#lutja #20gusht #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android