20 Nëntor

Lexoni nga Luka 1:76-80
Çfarë të thuash
Për t’i dhënë popullit të tij njohurinë e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre. (v. 77)
Kënga e Zakarias flet për mëshirën dhe shpëtimin që ofron Perëndia. Shpëtimi fillon me hirin e Perëndisë. Zakaria thotë, në këngën e tij tek Luka 1, se shpëtimi është “për shkak të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë” (v. 78). Pra, nuk mund ta fitoni dot shpëtimin duke e bërë veten tuaj të drejtë përmes veprave të mira. Bindja dhe veprat e mira janë si përgjigje e hirit dhe shpëtimit të Perëndisë. Letra e parë e Gjonit 4:19 na kujton se “ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari”. Si rrjedhojë, ashtu si Zakaria, edhe ne duhet gjithashtu t’ua shpallim të tjerëve mirësinë e Perëndisë dhe shpresën që kemi në Krishtin.
Gjon Pagëzori u ndikua nga prindër të cilët e jetonin në praktikë besimin e tyre. Në fakt, ka shumë gjasa që dikush shumë i afërt me ju po ndikohet nga fjalët dhe veprimet tuaja. Mendimi, se mund të përdoreni nga Perëndia “për t’i dhënë popullit të tij njohurinë e shpëtimit” (Lk. 1:77), të bën të përulur. Ju mund të komunikoni nevojën për pendim dhe besim (për të cilat do të lexojmë në tekstin dhe meditimin tonë për nesër). Edhe ju, ashtu si prindërit e Gjonit përpara tij dhe Gjoni përgjatë gjithë shërbesës së tij, mund t’u tregoni të tjerëve që Perëndia ofron shpëtim përmes Krishtit. Secili prej nesh duhet të pendohet për mëkatet, të besojë tek Jezusi dhe ta ndjekë atë. Dhe kur e bëjmë, Perëndia na mbush me Frymën e tij, na pastron nga mëkatet dhe na pajton me veten e tij. E gjitha kjo është për shkak të thellësisë së mëshirës së Perëndisë. Ne nuk e meritojmë, dhe as nuk mund ta fitojmë, mirëpo mund ta pranojmë me përulësi. — Steve Petroelje
Ndërsa luteni, peshoni hirin mahnitës së Perëndisë, rrëfeni mëkatin tuaj dhe lutuni për ata që kanë nevojë të gjejnë udhën e tij të paqes.
0 Comments