woh29skurtweb

29 Shkurt

Lexoni nga Romakëve 8:31-39

Asgjë nuk do të na ndajë

[Asgjë] nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë. (v. 39)

Gjëja e parë që bëri njerëzimi pasi nuk iu bind Perëndisë në kopshtin e Edenit ishte të fshihej. Fillimisht Adami dhe Eva u fshehën nga njëri-tjetri, “Kështu ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për t’u mbuluar” (Zan. 3:7). Pastaj u fshehën nga Perëndia: “Dhe njeriu dhe gruaja e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi” (Zan. 3:8). Gjëja e parë që bëri Perëndia pas mosbindjes së tyre ishte të pyeste, “Ku je?” (Zan. 3:9). Dhe ky është pikërisht treguesi i ungjillit, që Perëndia është me një mision për të shpenguar dhe restauruar krijesat e veta njerëzore në marrëdhënie të drejta me njëri-tjetrin dhe me veten e tij.

Pyetja që Perëndia bëri në kopsht, “Ku je?” (Zan. 3:9) mori përgjigje në Jezu Krishtin. Pali e artikulon këtë përgjigje kur shkruan: “[Asgjë] nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë”. Pali nuk po na ofron thjesht pakëz siguri për ata që janë të dekurajuar. Ai po adreson këtu ankthin dhe shqetësimin më të thellë të racës së rënë njerëzore: frikën nga ndarja.

Perëndia nuk kurseu as Birin e vet, dhe ai Bir vdiq për ne, u ringjall për ne, ndërmjetëson për ne, dhe qëndron me ne me anë të Frymës së tij, në mënyrë që “tani ne i përkasim Perëndisë dhe po jetojmë në të. Dhe asgjë nuk do të jetë ndonjëherë në gjendje të na ndajë përsëri”. — Jon Brown

Ndërsa luteni, falënderoni Perëndinë që kujdeset mjaftueshëm për të pyetur “Ku je?” dhe na do mjaftueshëm për t’iu përgjigjur vetë pyetjes së tij me Jezu Krishtin.

woh-28-web

28 Shkurt

Lexoni nga Romakëve 8:31-39

Perëndia është me ne

Çfarë të themi, pra, për këto? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? (v. 31)

Bibla përdor parafjalë të ndryshme për të cilësuar marrëdhënien që ka Perëndia me popullin e tij. Engjëlli tha se Jezusi do të quhet “Emanuel, që e përkthyer do të thotë ‘Perëndia me ne’” (Mt. 1:23). Gjoni e përshkruan mishërimin e Perëndisë në personin e Jezu Krishtit kështu: “Dhe Fjala u bë mish dhe ndenji ndër ne” (Gjo. 1:14). Kurse këtu tek Romakëve, Pali na siguron se “Perëndia është me ne” (v. 31). Perëndia që u ndesh me profetët e Baalit përmes Elias dhe i mundi ata është në anën tonë. Perëndia që rrëzoi muret e Jerikos, mposhti mëkatin përmes kryqit dhe vrau vdekjen duke ringjallur Jezusin prej së vdekurish është në anën tonë. “Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?”.

Pyetja retorike e Palit nuk ka për qëllim të sugjerojë se askush nuk është kundër nesh, përkundrazi, që askush dhe asgjë që u kundërvihet atyre që janë të Krishtit nuk mund t’i mposhtë ata. Për shkak se Perëndia është në anën tonë, ne “jemi më shumë se fitimtarë” (Rom. 8:37). Për shkak se Perëndia është në anën tonë, “[asgjë] nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Rom. 8:39).
Perëndia që është me ne është gjithashtu edhe në anën tonë. Çfarë të themi, atëherë, për këtë? — Jon Brown

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë që është në anën tuaj t’ju japë guxim për t’u përballur me çfarëdo që po qëndron kundër jush.

woh-27-web

27 Shkurt

Lexoni nga Romakëve 8:18-25

Të shpëtuar në shpresë

Sepse me shpresë ne shpëtuam. (v. 24)

Shpresa është një nga fjalët e mëdha të besimit të krishterë, por ka tendencën që të përdoret më tepër seç duhet dhe të keqpërdoret, duke e humbur kështu një pjesë të fuqisë së saj. Ne priremi ta përdorim fjalën “shpresë” sikur të kishte kuptimin e diçkaje të kënaqshme që ne imagjinojmë të na ndodhë. “Shpresoj që ta fitojë ekipi im ndeshjen”, “Shpresoj ta marr atë për ditëlindje”. Mirëpo për të krishterët shpresa mbart një farë sigurie që premtimet e Perëndisë do të bëhen realitet, përfshirë këtu edhe shpengimin e trupit tonë. Dhe kjo është arsyeja që autori i letrës drejtuar Hebrenjve flet për besimin në lidhje me shpresën, “Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen” (Heb. 11:1). Kurse Pali e ngre stekën e shpresës kur shkruan, “Sepse me shpresë ne shpëtuam”.

Shpresa është pritshmëria e sigurt se edhe pse rrethanat e jetës mund të tregojnë ndryshe, qëllimet e mira që Perëndia ka për botën dhe për ne do të përmbushen. Raportimet e lajmeve sugjerojnë se botën tonë e ka kapluar vuajtja, që thyerja sundon ditët tona dhe që zhgënjimi është përfundimi i pashmangshëm i ëndrrave tona. Mirëpo shpresa shpall sigurinë tek Perëndia që do t’i arrijë qëllimet e tij. Edhe pse mund të mos e shohim tani, dhe kjo është ajo që e bën atë shpresë, ne kemi besimin se një ditë do ta shohim dhe do ta përjetojmë fitoren e fundit të Perëndisë.

Disiplina frymërore që kultivohet nga shpresa është durimi. Durimi është i vështirë, madje është kundërkulturor në një botë që kërkon kënaqësi të menjëhershme. Por shpresa na jep forcën për të qëndruar me durim deri në fund. — Jon Brown

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju mbushë me shpresë dhe t’ju japë durim ndërkohë që prisni.

woh-26-web

26 Shkurt

Lexoni nga Romakëve 8:18-25

Shpengim fizik

Shpengimin e trupit tonë. (v. 23)

Ringjallja e Jezusit në trup është themeli i besimit tonë të krishterë. Gjithçka që besojmë dhe shpresojmë varet tek fakti që trupi fizik i Jezusit u ringjall nga varri. Pali e thotë troç, “Në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja, atëherë edhe ata që fjetën në Krishtin janë të humbur. Në qoftë se shpresojmë në Krishtin vetëm në këtë jetë, ne jemi më të mjerët e të gjithë njerëzve” (1 Kor. 15:17-19). Ringjallja e Krishtit është boshti i besimit tonë dhe premtimi që edhe ne do të përjetojmë ringjalljen.

Ai burri i moshuar që heq këmbët zvarrë nga kolltuku në dhomën e ndenjes deri në tavolinën e ngrënies, e di shumë mirë, me dhimbjen e çdo hapi që hedh, atë që Pali e premton në mënyrë kaq të bukur. “Ne presim me durim shpengimin e trupit tonë”. Edhe ajo fëmija e vogël që është gojëmbyllur për shkak të një përdredhje të lidhjeve të saja nervore në tru, e cila ende nuk ka thënë një fjali të saktë, e di shumë mirë atë që shpalli Pali: “Ne presim me durim shpengimin e trupit tonë”. Edhe personi që po pret në dhomën e pritjes së specialistit, i frikësuar nga diagnoza që do t’i jepet dhe i lodhur nga trajtimet dhe mjekimet, e di atë që Pali ka në mendje kur thotë: “Ne presim me durim shpengimin e trupit tonë”.
Vdekja dhe ringjallja e Krishtit na çliron nga mëkati dhe na siguron se një ditë trupi ynë do të jetë i shpenguar. Por deri në atë ditë, ne presim. — Jon Brown

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë durim ndërkohë që prisni shpengimin e trupit tuaj.

woh-25-web

25 Shkurt

Lexoni nga Romakëve 8:18-25

Krijimi i ri

Vetë krijimi do të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë. (v. 21)

Ndikimet që ka mëkati në botë shkojnë shumë më thellë sesa thjesht shtrembërimi i aftësisë sonë për të zgjedhur siç duhet kur përballemi me vendimet se si të jetojmë. Ato shtrihen më shumë sesa thjesht ndërprerja e marrëdhënies së Perëndisë me njerëzimin. I gjithë krijimi ndikohet nga mëkati. Padyshim Adami dhe Eva përjetuan një ndarje mes tyre të cilën nuk e njihnin përpara se të binin; gjithashtu, ata përjetuan edhe një ndarje nga Perëndia që i krijoi. Por edhe kjo nuk është e gjithë historia e plotë. Mosbindja njerëzore shkaktoi gjithashtu një mallkim mbi krijimin. “Toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd”, deklaroi Perëndia (Zan. 3:17).

Që prej rënies, “mbarë krijesa psherëtin bashkë dhe ndodhet bashkë në dhimbjet e lindjes” (Rom. 8:22). Megjithatë, kjo psherëtimë nuk është e kotë, sepse Perëndia ka për qëllim të sjellë në jetë një krijim të ri. Kjo është arsyeja që kur Gjoni pa përtej kohës në përjetësi, ai pa “qiej të rinj dhe një tokë të re”, dhe dëgjoi Jezusin që shpallte “Ja, unë bëj gjithçka të re” (Zbu. 21:1, 5). Krijimi, që dikur u quajt “i mirë” nga Perëndia në fillim, do ta përjetojë shpengimin e plotë në fund. I gjithë krijimi do të përjetojë “lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë” (Rom. 8:21). Qëllimet shpenguese të Perëndisë për botën na përfshijnë neve, por ama janë shumë më të mëdha, më të plota dhe më të mira. — Jon Brown

Ndërsa luteni, lutuni për restaurimin e të gjithë krijimit përmes Jezu Krishtit.

woh-24-web

24 Shkurt

Lexoni nga Romakëve 8:18-25

Lavdia e ardhme

Sepse unë mendoj se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të zbulohet në ne. (v. 18)

Pali e njihte shumë mirë vuajtjen nga përvoja. Të krishterët që kishin marrë letrën e tij e njihnin dhimbjen e përndjekjes në duart e perandorëve shtypës në Romë. Edhe ne që e lexojmë tani e njohim vuajtjen. Në varësi të situatës sonë, edhe vuajtja ka emra të ndryshëm: agonia e humbjes së parakohshme të një njeriu të dashur; dhimbja e të jetuarit nën hijen e përndjekjes; vuajtja e deleguar që ndjejmë për ata që janë të lënduar; beteja me probleme të vazhdueshme shëndetësore; stresi i përkujdesjes. Besimi ynë nuk premton kurrë se nuk do të na duhet të vuajmë. Krishti nuk na siguroi kurrë që gjithçka do të ndodhte siç e dëshironim ne. Vuajtja ka qenë gjithmonë në kontrast me premtimet e besimit që ruajmë dhe shpallim.

Pali nuk shmanget nga pranimi i “vuajtjeve të kohës së tanishme”. Ai nuk tenton asnjëherë ta injorojë dhimbjen apo ta fshehë atë si diçka e parëndësishme. Megjithatë, ai na bën thirrje që t’i mbajmë sytë drejt asaj dite kur e gjithë dhimbja e botës do t’i hapë rrugë krijimit të ri që Perëndia po sjell. Dhe ai sugjeron ta shohim dhimbjen tonë nga një perspektivë tjetër: “Unë mendoj se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të zbulohet në ne”. Premtimi i madh i besimit tonë është se një ditë ne do t’i këmbejmë të gjitha vuajtjet që kemi njohur me një lavdi që tani nuk mund ta imagjinojmë. — Jon Brown

Ndërsa luteni, kërkoni durim në vuajtje, ndërkohë që prisni një lavdi më të madhe.

woh-23-web

23 Shkurt

Lexoni nga Romakëve 8:26-27

Ndihma nga Fryma 

Po ashtu, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet. (v. 26)
 
Kur lutemi, ne nuk lutemi kurrë vetëm. Madje edhe kur lutemi privatisht, nuk jemi duke u lutur vetëm. Fryma lutet edhe në ne edhe për ne. Një pjesë e mirë e vëmendjes sonë mbi lutjen i është kushtuar veprimit tonë të të luturit. Ne shkojmë nëpër konferenca që flasin se si të shkojmë më thellë në jetën tonë të lutjes. Dhe ndonjëherë biem pre e mendësisë që sa më shumë njerëz të kemi që luten për ne aq më shumë gjasa ka që Perëndia do t’i dëgjojë lutjet tona dhe do t’u përgjigjet atyre. Ne u kërkojmë pastorëve informacione të dobishme apo strategji për të pasur një jetë lutëse sa më efikase. Por edhe pse padyshim nuk ka asgjë të keqe të kërkojmë të shkojmë më thellë në jetën e lutjes, apo t’u kërkojmë miqve tanë të luten për ne, apo të gjejmë praktika të dobishme që na aftësojnë të lutemi me besnikëri, është e rëndësishme të mbajmë mend se përpjekjet tona nuk janë gjëja më e rëndësishme tek lutja. Gjëja më e rëndësishme është se Fryma na ndihmon të lutemi. 

Si të luteni për mikun tuaj në mes të një divorci të dhimbshëm? Si të luteni për një familjarin tuaj që jeton me dhimbje të vazhdueshme fizike dhe emocionale? Si të luteni për dikë në kishën tuaj që ka vështirësi financiare? Lutuni, sigurisht, lutuni. Lutuni nga zemra dhe dëshirat tuaja, jini të udhëhequr nga Shkrimi në lutjet tuaja. Mirëpo, me të gjitha mësimet e rëndësishme që keni marrë rreth lutjes, mbani mend këtë të parën: “Fryma ndërhyn për shenjtorët, sipas [vullnetit të] Perëndisë” (v. 27). — Jon Brown
 
Ndërsa luteni, i kërkoni Frymës së Shenjtë t’ju ndihmojë të luteni, veçanërisht kur nuk dini si të luteni. 
22 shkurt

22 Shkurt

Lexoni nga Romakëve 8:12-17
Fryma e birësimit
Keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: “Aba, o Atë!”. (v. 15)

Një nga rrëfimet e mëdha të besimit të krishterë është se Jezu Krishti është Biri i vetëm i Perëndisë. Kredoja e Apostujve deklaron: “Ne besojmë … në Jezu Krishtin, të vetmin Bir të Perëndisë, Zotin tonë”. Kur Perëndia vendosi besëlidhjen e tij me popullin e Izraelit, ai i quajti ata bijtë e tij, “Ju jeni bijtë e Zotit, Perëndisë tuaj” (LiP. 14:1).

Në Jezu Krishtin, dyert e asaj besëlidhjeje kanë dalë nga menteshat dhe janë hapur tej e tej, në mënyrë që tani të mund të përfshihen në këtë besëlidhje edhe ata që nuk janë judenj dhe të quhen po ashtu bij të Perëndisë. Jezusi është Biri i Perëndisë prej natyre, ndërsa përfshirja jonë në familje është me anë të birësimit, “Ju nuk keni marrë një frymë skllavërie … po keni marrë frymën e birërisë” (v. 15).

Si bij të Perëndisë, edhe neve na janë dhënë të njëjtat përfitime që i përkasin Jezu Krishtit, Birit të vetëmlindur të Perëndisë. Këto përfitime përfshijnë privilegjin për t’i thirrur Atit, njësoj si fëmijët që kërkojnë njërin nga prindërit në terr të natës për shkak të bubullimave e vetëtimave. Kur ne i thërrasim, ai dëgjon. Kur ne qajmë, ai na dëgjon. Ai është Ati ynë; ai na dëgjon për shkak se i përkasim atij dhe ai kujdeset për ne. Vetë klithmat tona drejtuar atij janë provë që i përkasim atij, dhe kur thërrasim emrin e tij është si kujtesë që jemi bijtë e tij. — Jon Brown

Ndërsa luteni, i thërrisni Atit tuaj të dashur qiellor.

21 shk

21 Shkurt

Lexoni nga Romakëve 8:1-8

Jeta në Frymë

Ata që jetojnë sipas Frymës, [e çojnë mendjen] në gjërat e Frymës. (v. 5)

Fjala “frymë” është përdorur as më shumë e as më pak por 22 herë tek Romakëve 8, megjithëse jo gjithmonë me të njëjtin kuptim. Këtu mund të dallojmë tri frymë të ndryshme: Frymën e Perëndisë, frymën njerëzore, dhe frymën (ose qëndrimin) që i reziston Frymës së Perëndisë. Tek vargu 5 është e qartë se cilës Frymë i referohet Pali kur na bën thirrje që “ta çojmë mendjen në gjërat e Frymës”. Në një botë ku shpërthejnë bomba, ku ekziston varfëria, ku ka shtypje, ku ndodhin padrejtësi dhe ku mëkati shfaqet tek jeta e secilit me shprehitë e veta të shumëllojshme, të krishterëve u bëhet thirrje të fokusohen tek gjërat e Frymës. Gjërat e Frymës janë “dashuria, gëzimi, paqja, zemërgjerësi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli” (Gal. 5:22).

Jeta në Frymë fillon me veprën e shpengimit nga Perëndia nëpërmjet Krishtit. Por ajo rritet në ne kur e çojmë mendjen aktivisht drejt gjërave të Frymës. Nëse mendojmë rreth dashurisë do të jemi më të prirur të duam. Nëse mendojmë rreth gëzimit do të jemi më të prirur të jemi të gëzuar. Nëse mendojmë rreth paqes do të jemi më të prirur të jemi paqebërës. Ne e kërkojmë me ngulm jetën në Frymë kur i fokusojmë qëllimisht mendimet tona tek gjërat e Perëndisë.

Pyeteni veten: për çfarë jeni duke menduar shumicën e kohës? Ku e çoni mendjen? — Jon Brown

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju çlirojë nga shpërqendrimet dhe t’ju ndihmojë ta çoni mendjen në gjërat e Frymës.

Audio:

 

428597936_898760168921368_6225410469149640817_n

20 Shkurt

Lexoni nga Romakëve 8:31-35

Vetëm Krishti

Kush është ai që do t’i dënojë? (v. 34)

Një nga sfidat e mëdha të besimit të krishterë është pranimi i realitetit të një gjykimi, ndërkohë që nga ana tjetër përpiqemi ta ruajmë veten nga tundimi që vete ne kemi për të gjykuar. Pali na kujton më herët në librin e Romakëve: Ai “do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij” (Rom. 2:6). Gjithashtu, edhe Krishti na bën thirrje ta shmangim gjykimin e të tjerëve: “Mos gjykoni, që të mos gjykoheni” (Mt. 7:1). Disa prej nesh dëgjojnë fjalët e Palit në lidhje me sigurinë e gjykimit, dhe fillojnë të dridhen. Të tjerë i dëgjojnë fjalët e Jezusit si një lloj autorizimi për të bërë çfarë t’u dojë qejfi ose a thua ta kenë fshirë ndikimin e çdo standardi objektiv të vlerave morale. Por Pali shkon përtej qoftë terrorit apo qoftë dhënies së autorizimit kur bën pyetjen retorike: “Kush është ai që do t’i dënojë?” (v. 34). Në të njëjtën kohë ai largon nga ne barrën e gjykimit dhe njëkohësisht na kujton se ekziston një Gjykatës.

Pra, Pali pyet në mënyrë retorike “Kush është ai që do t’i dënojë?”, sepse ne e dimë përgjigjen: “Jezusi”. Dhe Jezusi vdiq për ne, Jezusi u ringjall për ne, Jezusi ndërmjetëson për ne përpara Atit. Ai që është Gjykatësi ynë është gjithashtu edhe ai që na drejtëson përmes besimit. Ai që është Gjykatësi ynë gjithashtu edhe lutet për ne. Vetëm Perëndia e ka autoritetin për të gjykuar, gjë që edhe më çliron nga nevoja për të gjykuar të tjerët, por edhe më ruan që të mos ngec tek jeta “që s’ka kufij”, a thua sikur çdo gjë është e pranueshme. Vetëm Krishti mund të dënojë, dhe ai i fal të gjithë ata që besojnë me çiltërsi tek ai. — Jon Brown

Ndërsa luteni, falënderoni Perëndinë për dhuratën e Jezusit, Gjykatësin e përsosur që lutet për ne dhe na do.