web-woh-31-mars

31 Mars

Lexoni nga Gjoni 20:1-18

Të thirrur me emër, të birësuar, të dërguar

Jezusi i tha: “Mari!”. (v. 16)

Në Ungjillin sipas Gjonit, Maria sheh por nuk mund të shohë. Ajo ka ngecur në errësirë derisa Jezusi ia hap sytë për të parë historinë e vërtetë. Kur Maria dëgjon zërin e Jezusit të ringjallur që e thërret, ajo thirret me emër, është e birësuar dhe e dërguar. Sot, ndërkohë që kremtojmë Pashkën, ne festojmë që Jezusi po thërret secilin prej nesh bashkë me Marinë.

Jezusi e thirri Marinë me emër. “Ajo u suall dhe i tha “Rabboni!”, që do të thotë Mësues” (v. 16). Kur Jezusi ju thërret, ai ju thërret personalisht. Ai e di emrin tuaj. Ai ju thërret me emër.

Kur Jezusi thirri Marinë, ajo u adoptua si fëmijë e Perëndisë dhe motër e Krishtit. Jezusi e quajti Atin e tij, Atin tonë, dhe Perëndinë e tij, Perëndinë tonë. Ai i quajti dishepujt vëllezër (v. 17). Kur Jezusi na thërret me emër, edhe ne bëhemi pjesë e familjes gjithashtu. E njohim Perëndinë si Atin tonë të dashur e të hirshëm dhe Krishtin si vëllanë tonë.

Kur Jezusi e thirri Marinë, ajo u dërgua për ta shpallur atë. “Maria Magdalena erdhi t’ua njoftojë dishepujve se kishte parë Zotin dhe se i kishte thënë asaj këto gjëra” (v. 18). Historia e ringjalljes nuk u bë për t’u mbajtur në heshtje. E thirrur me emër dhe e birësuar, Maria u dërgua dhe lajmëroi lajmin e mirë: “Unë kam parë Zotin! Jezu Krishti u ngjall”.

Rrugëtimi i Jezusit nuk mori fund në kryq. Nëse jeni një ndjekës i Jezusit, as rrugëtimi juaj nuk merr fund në kryq. Si do t’i përgjigjeni thirrjes së Jezusit? — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, falënderoni Jezusin që ju ka thirrur me emër, ju ka birësuar në familjen e tij dhe ju ka dërguar në botë me lajmin e mirë.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

web-woh-30-mars

30 Mars

Lexoni nga Gjoni 19:38-42

Një varrim i përshtatshëm për një Mbret

. . . një përzierje prej mire dhe aloe, prej rreth njëqind librash. (v. 39)

Varrimi i Jezusit u bë nga dy burra, Jozefi nga Arimatea dhe Nikodemi. Të dy ishin burra të spikatur, por gjithashtu në mënyrë të fshehtë ishin edhe dishepuj të Jezusit. Megjithatë, duke u kujdesur për trupin e Jezusit, atyre iu zbulua sekreti i të qenit dishepuj të Jezusit.

Ata e morën trupin dhe e varrosën atë ashtu siç duhet në një varr. Ungjijtë e tjerë na tregojnë se ky varr i ri ishte i Jozefit dhe ai e ofroi atë për Jezusin. Si pjesë e zakoneve të varrimit, ata e mbështollën atë me pëlhura prej liri dhe me disa aroma erëmira, përfshirë këtu edhe mirën. E njëjta erëz që dijetarët e sollën si dhuratë për mbretin e sapolindur u përdor edhe për të nderuar mbretin e kryqëzuar.

Nikodemi solli 34 kilogram mirë dhe aloe, që ishte jashtëzakonisht ekstravagante dhe dorëlëshuar sepse ishte ai lloj varrimi që e shohim të bëhet vetëm për një mbret ose diçka e përafërt. Më herët, Maria e kishte vajosur Jezusin me një qyp të vogël me parfum që kushtonte 300 denarë, ose paga e 10 muajve (Gjo. 12:5). Këto erëza për varrimin fare lehtë mund të kenë pasur një vlerë prej më shumë se 30 mijë denarësh, që i bie diku tek rroga e 83 viteve të mbledhura bashkë, që u shpenzuan për erëzat dhe vajrat për të varrosur Jezusin. Pra, të ardhurat e një jete të shpenzuara për të nderuar Jezusin.

Gjatë jetës së tij, Jozefi dhe Nikodemi e mbajtën besimin e tyre të fshehtë. Por në vdekjen e Jezusit, ata dhanë gjithçka për të shpallur se ai ishte i denjë për t’u nderuar si një mbret, se ai ishte mbreti i vërtetë, se mbishkrimi që u shkrua për të në kryq ishte i vërtetë, Jezusi ishte Mbret. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju ndihmojë të ofroni më të mirën për ta nderuar Jezusin si Mbret.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

web-woh-29-mars

29 Mars

Lexoni nga Gjoni 19:28-30

U krye

Jezusi tha: “U krye!”. (v. 30)

Në pikën kulmore të historisë së ungjillit kemi fjalët e Jezusit “u krye”. Pastaj vdekja dhe tri ditë më vonë, ringjallja. Fjalët e fundit që Jezusi thotë, të cilat na i sjell Gjoni, përmbledhin misionin, jetën dhe gjithë ngjarjet e vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit.

Po, çfarë u krye? Çfarë arriti Jezusi në kryq dhe në varrin bosh? Asgjë më pak sesa shpengimin, asgjë më pak sesa shpëtimin. Duke vdekur, Jezusi vrau vdekjen, mposhti mëkatin dhe çliroi ata që janë në robëri. I gjithë misioni i Perëndisë për të shpëtuar një botë të humbur dhe të thyer, që ai aq shumë e deshi, u krye, u përfundua me vdekjen e Jezu Krishtit në kryq dhe me ngritjen e tij nga varri. Pikërisht me anë të këtij veprimi të dyfishtë, pra, të vdekjes dhe ringjalljes, Krishti arriti shpëtimin për mëkatarët. Dhe e gjithë jeta e vjetër ka marrë fund pikërisht sepse ai vdiq, dha shpirtin e tij për hir të atyre që janë të humbur, të thyer, me faj dhe me turp. Dhe për shkak se ai u ringjall, duke u ngritur nga varri, ne na është premtuar dhe parathënë ringjallja jonë, jeta jonë e përjetshme.

Në kryq u përmbush shpengimi, u plotësua shpëtimi. U krye, u përsos, u plotësua. Nuk ka gjë tjetër për të bërë, asgjë për t’i shtuar asaj që Krishti kreu duke vdekur dhe duke u ringjallur përsëri. Nëse pendohemi për mëkatet tona dhe besojmë tek ai, atëherë Jezusi thotë: “U krye!”.

Çfarë u krye? Shpengimi i plotë, shpëtimi i Perëndisë. Dhe për të gjithë ata që besojnë tek Jezusi, që i përkasin atij, Fryma e Shenjtë i bën jehonë fjalëve të Jezusit në çdo cep të ekzistencës sonë: “U krye!”. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, falënderoni Jezusin që ka bërë gjithçka për shpëtimin tuaj.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

web-woh-28-mars

28 Mars

Lexoni nga Marku 15:33-39

Veli i shqyer më dysh

Atëherë veli i tempullit u shqye më dysh, nga maja deri në fund. (v. 38)

Gjatë pandemisë së Kovid-it, unë nuk mund të shkoja në shtëpi, duke qenë një amerikan që jetoja në Kanada, sepse u mbyllën kufijtë. Pas nja dy vitesh që nuk isha në gjendje të udhëtoja, më në fund pata mundësinë të vizitoja familjen time në SHBA. Ndërsa po kaloja doganën, edhe emocionet vërshuan ngado. Trau nuk ishte më dhe më në fund mund të kthehesha në shtëpi.

Jezusi krijoi një rrugë aty ku nuk kishte rrugë. Veli i tempullit ishte një lloj trau, një pengesë mes Perëndisë dhe popullit të tij. Kur Perëndia dha udhëzimet për ndërtimin e tabernakullit (dhe më vonë të tempullit), ai urdhëroi që të vendosej një vel që do të ndante vendin e Shenjtë nga Vendi shumë i Shenjtë. Vetëm një herë në vit mund të hynte një person, kryeprifti, në Vendin shumë të Shenjtë ku banonte Zoti. Por edhe atëherë, kryeprifti duhet të ishte i pastruar përmes flijimeve. Duke qenë ritualisht dhe frymërisht i papastër, populli nuk mund të hynte në praninë e një Perëndie të shenjtë.

Me vdekjen e Jezu Krishtit, ky vel u shqye më dysh. Me anë të kryqëzimit të tij, duke qenë flijimi i përsosur një herë e mirë, Jezusi hapi “një udhë të re dhe të gjallë” për ne drejt pranisë së Perëndisë (Heb. 10:19-20). Shenjtëria e Perëndisë nuk ndryshon, por ama tani, me anë të gjakut shpëtues të Krishtit, jemi aftësuar që të hyjmë në praninë e Perëndisë. Ai e ka rrëzuar “traun” duke derdhur gjakun e tij dhe veli, në mënyrë domethënëse, u shqye “nga maja deri në fund” (Mk. 15:38). Perëndia e ka shqyer velin; ai ka hapur rrugën. Jezusi e ka bindur Perëndinë të krijojë një udhë për ne në praninë e Atit. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, falënderoni Jezusin që ka hapur një udhë për ne në praninë e Perëndisë.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

web-woh-27-mars

27 Mars

Lexoni nga Gjoni 19:16-25

Kryqëzimi

. . . Vendin që quhej “Kafka”, që në hebraisht quhet “Golgota”. (v. 17)

Ndonjëherë ka rëndësi se ku ndodh diçka. Rëra nga plazhet e Normandisë kanë tjetër kuptim nga rëra e plazhit të Durrësit. Kur themi “po” në një dasmë është ndryshe nga përgjigja që japim në kuzhinë kur na pyesin a duam një kafe. Pra, ka rëndësi se ku ndodhin gjërat.

Edhe vendi ku u kryqëzua Jezusi ka rëndësi. Pra, Golgota, “vendi që quhej ‘Kafka’” (v. 17). Kjo histori në fakt fillon në kopsht, me Adamin dhe Evën (Zan. 2). Ata jetuan në harmoni me Perëndinë dhe krijimin. Mirëpo, kur erdhi tundimi, ata e prishën atë harmoni; i vunë veshin zërit gënjeshtar të gjarprit, hëngrën frytin që Perëndia i kishte urdhëruar të mos e hanin dhe e dërguan gjithë krijimin tatëpjetë drejt mëkatit (Zan. 3:1-14). Megjithatë, Perëndia në mëshirën e vet nuk e braktisi krijimin e tij. Përkundrazi, në gjykimin që shqiptoi kundër gjarprit ai përfshiu një premtim: “Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj” (v. 15). Perëndia premtoi se pasardhësi i Evës një ditë do ta mposhtte gjarprin një herë e përgjithmonë.

Nuk është rastësi që këmbët e Jezusit (thembra!) u tejshpuan në një kodër të quajtur “vendi i Kafkës”. Ky premtim i lashtë është përmbushur me Jezusin. Me anë të duarve dhe këmbëve të tejshpuara, Jezusi e ka shtypur kokën e gjarprit, duke korrur fitore mbi mëkatin, vdekjen dhe të ligun. Jezusi në Golgota përmbushi premtimin e madh të Perëndisë për të shpenguar popullin e tij. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, falënderoni Jezusin për kryqin.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

web-woh-26-mars

26 Mars

Lexoni nga Mateu 27:32-37

Simon kirenasi

E detyruan [një njeri] ta mbartte kryqin e Jezusit. (v. 32)

Nuk besoj se Simoni e kishte menduar që dita do t’i shkonte kështu. Duke qenë se vinte nga rajoni i largët i Kirenas, me shumë gjasa Simoni ishte një jude besnik që kishte ardhur në Jerusalem për pashkën judease. Ai nuk kishte ardhur të shikonte Jezusin; aq larg sa jetonte ai ndoshta nuk kishte dëgjuar kurrë për Jezusin. E megjithatë, përmes hirit të Perëndisë, ai u bë pjesë e kësaj historie. Simonin e detyruan të mbartte kryqin e Jezusit, i cili ishte i lodhur nga gjyqi, rrahjet, talljet dhe nga pesha e asaj që e priste, ndërkohë që po shkonte drejt vdekjes. Zakonisht të dënuarit e mbartnin vetë kryqin e tyre, por kur Jezusi nuk vazhdonte dot më, atëherë ushtarët detyruan një kalimtar që ta mbartte atë. Simoni e mbarti deri në Golgota, ku ushtarët e kryqëzuan Jezusin menjëherë (v. 33-37).

Padyshim që duke mbartur kryqin dhe duke qenë dëshmitar i kryqëzimit të Jezusit ishte një përvojë jetëndryshuese për Simonin atë ditë. Nga e dimë ne? Sepse shohim emrin e tij të përmendur. Kjo do të thotë se me shumë gjasa ai njihej nga komuniteti i krishterë. Marku 15:21 e identifikon atë si “babai i Aleksandrit dhe Rufit”. Arsyeja e vetme që këto emra dhe detaje përfshihen është për shkak se besimtarët në kishën e hershme e njihnin Simonin dhe dy bijtë e tij. Ata mund ta pyesnin drejtpërdrejtë në lidhje me atë që kishte ndodhur atë ditë me Jezusin.

Kryqi i Jezusit mund të ndryshojë një jetë. Ai ndryshoi Simonin, i cili nuk mund ta kishte pritur që do të “ngatërrohej” në veprën shpenguese të Perëndisë, mirëpo Perëndia kishte plane të tjera. Kryqi i Jezusit mund ta ndryshojë edhe jetën tuaj gjithashtu. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju ndryshojë përmes kryqit, njësoj si Simonin.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

web-woh-25-mars

25 Mars

Lexoni nga Gjoni 18:28-40

Gjyqi përpara Pilatit

A je ti mbreti i judenjve? (v. 33)

Cilin lloj mbreti duam në të vërtetë? A duam një sundimtar si Pilati, apo jemi të gatshëm të ndjekim një mbret si Jezusi?

Jezusi, Mbreti mbi mbretër, qëndroi përpara Pilatit, guvernatorit. Pilati ishte si shumë sundimtarë të tjerë përpara dhe pas tij; pra, projektonte forcë por në të vërtetë ishte i dobët. Përmes lidhjeve politike ai ishte caktuar për të qenë prefekt i Judesë. Mirëpo era e ndryshimeve po vinte dhe mbretëria e tij ishte delikate. Prandaj, duke dënuar Jezusin ai po përpiqej t’u bënte qejfin krerëve fetarë të zonës për të qëndruar i sigurt dhe në pushtet. Nga ana tjetër, Jezusi ishte gati të jepte jetën e tij për mëkatet e botës, duke e flijuar veten e vet, mirëpo mbretëria e tij do të ishte e sigurt përjetë. Pilati pyeti: “Ç’është e vërteta?” (v. 38), dhe bëri gjithçka që kishte kuptim në aspektin e dobisë politike. Jezusi ishte i përkushtuar ndaj të vërtetës dhe është e vërteta.

Sundimi i Pilatit ndihej gjithmonë i kërcënuar dhe asnjëherë i sigurt. Mirëpo mbretëria e Jezusit është ndërtuar mbi dashurinë e Perëndisë dhe është e sigurt përjetë, asgjë nuk mund ta thyejë atë apo ta rrëzojë. Mbretëria e tij është aq e fortë saqë Mbreti vuan për popullin e tij, në vend që t’i bëjë ata të vuajnë për të.

Cilin lloj mbreti duam në të vërtetë? A duam një sundimtar si Pilati, apo jemi të gatshëm të ndjekim një mbret si Jezusi? Njëri ka një mbretëri që është duke u thërrmuar dhe tjetër një mbretëri që do të zgjasë përgjithmonë. Njëri sundon për të mbrojtur veten e tij kurse tjetri sundon duke flijuar vetveten. Njëra mbretëri është themeluar mbi dhunë, tjetra mbi dashurinë. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’jua bëjë zemrën të digjet me të vërtetë për të ndjekur Mbretin Jezus.

#fjalëteshpresës#kishashqiptare#ungjillorëtshqiptare#meditime#app#ios#android#pashke

web-woh-24-mars

24 Mars

Lexoni nga Luka 22:54-62

Mohimi i Pjetrit

O grua, nuk e njoh. (v. 57)

Jezusi qëndroi përpara kryepriftit dhe krerëve fetarë. Ata i bënë pyetje në lidhje me identitetin e tij dhe sollën dëshmitarë të rremë (Mt. 26:59-60). Jezusi e dinte se ku do ta çonte kjo, prandaj me qetësi refuzoi të angazhohej. Si rrjedhojë, ata e dënuan atë, ashtu siç e kishin planifikuar (v. 66-71).

Ndërkohë që Jezusit po i bëhej gjyqi në shtëpinë e kryepriftit, Pjetrit po i bëhej një gjyq informal në oborr. Kur e pyetën nëse ishte një dishepull, pra, nëse kishte qenë me Jezusin, Pjetri pretendoi se nuk e njihte Jezusin fare (v. 56-57). Pjetri u përball përsëri me të njëjtën pyetje, por në vend që të zgjohej për të parë atë që po ndodhte, ai e dyfishoi mohimin e tij (v. 58).

E shohim vazhdimisht këtë lloj sjelljeje. Dikush kapet duke bërë diçka të gabuar, dhe në vend që ta pranojë atë gjë hapur, ai/ajo ngul këmbë më shumë dhe proteston edhe më fort, duke bërë blofin se nëse proteston mjaftueshëm me zë të lartë, atëherë akuzuesit e tij/saj tyre thjesht do të heqin dorë. E njëjta gjë ishte edhe me Pjetrin. Kur e pyetën të tjerët, Pjetri e mohoi përsëri, dhe në atë çast, gjeli këndoi. Jezusi ktheu kokën dhe vështroi Pjetrin përmes distancës së madhe të oborrit dhe Pjetri e kuptoi atë që kishte bërë. Ai doli duke qarë (v. 59-62).

Kush ishte në gjyq? Jezusi ishte në gjyq përpara kryepriftit, dhe Pjetri po përballej me një lloj gjyqi në oborr. Megjithatë, në të vërtetë jemi ne që po e lexojmë këtë histori që jemi në sprovë. Si do të reagojmë ne? A do ta dënojmë Jezusin siç bëri kryeprifti, do ta mohojmë atë siç bëri Pjetri apo do ta përqafojmë atë si një dishepull? — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, i kërkoni Jezusit t’ju ndihmojë të mbaheni gjithmonë fort tek ai.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

woh-23-mars-web

23 Mars

Lexoni nga Marku 14:43-52

Tradhtia

Kë do të puth, ai është. (v. 44)

Ata që doni më shumë, gjithashtu edhe mund t’ju lëndojnë më shumë. Kur një mik vendos të mos kalojë më kohë me ju, lëndimi është më i madh sesa kur nuk shiheni më kurrë me një person të panjohur. Afërsia që keni pasur me njëri-tjetrin e bën humbjen akoma edhe më të dhimbshme.

Juda përdori një gjest dashurie për të tradhtuar Jezusin. Ai kishte ecur bashkë me Jezusin, si një dishepull i tij, për tre vjet. E kishte dëgjuar kur jepte mësim, kishte parë mrekullitë e tij, kishte qenë dëshmitar i dhembshurisë së Jezusit karshi të varfërve, dhe kishte përqafuar shpalljen që ai bëri se mbretëria e Perëndisë ishte në mesin e tyre. E megjithatë, Juda erdhi atë natë me rojet e armatosur. Ai e kishte shitur Jezusin dhe ishte gati ta dorëzonte atë tek njerëzit që donin ta vrisnin. Për ta identifikuar Jezusin në errësirë, Juda erdhi afër, e quajti atë “rabin”, që është një titull me respekt që dishepujt e përdornin për t’iu drejtuar mësuesit të tyre, dhe e puthi (v. 44-45). Puthja është një shenjë e dashamirësisë, e dashurisë dhe afërsisë. Mirëpo Juda e përdori atë për t’i kthyer shpinën Jezusit dhe për t’ia dorëzuar atë vdekjes.

Jezusi nuk u tradhtua vetëm nga Juda, por gjithashtu u braktis nga pjesa tjetër e dishepujve. Një prej dishepujve nxori një shpatë (kishte ardhur i përgatitur) dhe i preu veshin njërit prej atyre që i sulmuan (v. 47). Si përfundim të gjithë dishepujt ia mbathën nëpër natë. Ata që e donin më shumë Jezusin, i kthyen shpinën atij atëherë kur kishte më shumë rëndësi (v. 50). E megjithatë, ai nuk ua ktheu shpinën atyre, apo neve. Përkundrazi, ai e ktheu fytyrën e tij drejt kryqit. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, falënderoni Jezusin që ju ka dashur gjithmonë.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

woh-22-mars-web

22 Mars

Lexoni nga Mateu 26:36-56

Gjetsemani

Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua. (v. 38)

Një pjesë e mirë e kohës si prind përfshin qëndrimin me fëmijët, siç është përgatitja e drekës, pastrimi i rrobave, t’u japësh fund zënkave, ndihma me detyrat e shtëpisë, etj. Të gjitha këto janë gjëra të mira, madje edhe gëzim në shumë mënyra. Mirëpo, ekziston gjithashtu diçka e bukur kur vjen fundi i ditës dhe uleni në kolltuk, ngrini sytë dhe shikoni fëmijën që ju vështron. Atij nuk i nevojitet asgjë, mirëpo ia bëni me shenjë që të vijnë tek ju dhe ata ngjiten në prehrin tuaj. Në atë çast, thjesht fakti që është aty me ju është një dhuratë. Nuk ishte diçka që ju duhej, e megjithatë është një dhuratë.

“Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua”. Atë natë, shumë kohë më përpara, në pikëllimin dhe trishtimin e tij njerëzor, Jezusi u kërkoi dishepujve të ishin me të, të qëndronin me të, ndërkohë që ai lutej. Pati raste të tjera kur Jezusi i la dishepujt e tij atje ku ishin që të shkonte vetë diku në një vend të qetë për t’u lutur. Por jo këtë herë. Kur ishte i pikëlluar dhe i trishtuar, madje deri në vdekje, Jezusi i donte pranë dishepujt e tij. Ai i mori me vete në Gjetsemani kur të lutej, dhe ua kërkoi në mënyrë specifike Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit: “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua” (v. 38).

Në orën e tij më të errët, Jezusi i donte dishepujt e tij pranë. Por ne që jemi këtu, tani, gëzojmë në të gjitha kohët dhe të gjitha mënyrat që Perëndia është bashkë me ne. Por gjithashtu edhe lutja është një mënyrë që ne të jemi bashkë me Perëndinë. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, merrni kohë në heshtje që të jeni në praninë e Perëndisë.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke