web-woh-30-prill

30 Prill

Lexoni nga Gjoni 12:20-32

Të gjeni jetë

Kush e do jetën e vet, do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme. (v. 25)

Një “oksimoron” është një fjalë që tregon një kontradiktë në dukje, si për shembull, “xhuxhi gjigant” apo “ndotje e pastër”. Kur Jezusi thotë që, për ta fituar jetën ne duhet ta humbasim atë si fillim (shih Mt. 10:39, 16:25; Lk. 17:33), kjo duket si një oksimoron. Mirëpo nuk është kontradiktë. Ne e humbasim jetën tonë duke ia dorëzuar atij gjithçka që jemi dhe gjithçka që kemi. Ama vetëm përmes këtij dorëzimi do të mund të jetojmë në bindje ndaj tij dhe duke i shërbyer atij, duke gjetur jetën dhe lirinë e vërtetë këtu dhe tani, dhe për gjithë përjetësinë. Methju Henri e ka thënë fare mirë: “Një dishepull i vërtetë i Krishtit është ai që e ndjek atë në detyrë, dhe që do ta ndjekë në lavdi”.

Do vijë një ditë që gjithsecili do të dorëzohet. Prandaj, ose mund të dorëzohemi vullnetarisht, përmes dashurisë që kemi për Krishtin, ose do ta bëjmë me detyrim kur “çdo gju do të përulet” para tij në fund.

Mirëpo dorëzimi tek Krishti nuk është diçka që e bëjmë një herë, por është diçka e vazhdueshme. Ne duhet të jetojmë në praktikë një jetë në dorëzim: duke i thënë vazhdimisht “jo” vetes dhe “po” Perëndisë. Për ta arritur këtë, do të na duhet të dorëzohemi çdo ditë në ato fusha ku e kemi më të vështirë. Ndërkohë që e lëmë me gëzim jetën tonë për hatër të Jezusit dhe heqim dorë nga avantazhet që kemi në botë, do të zbulojmë jetën e vërtetë, jetën më të mirë që mund të imagjinojmë, atë që do të zgjasë. — Jessica Heikoop

Ndërsa luteni, falënderoni Perëndinë që tek Ai është jeta e vërtetë. I kërkoni Atij t’ju ndihmojë të dorëzoheni dhe të pranoni jetën që ai u ofron.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-29-prill

29 Prill

Lexoni nga Galatasve 5:1-15

Liri në dorëzim

Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; por mos e përdorni këtë liri si një rast për mishin por, përmes dashurisë, t’i shërbeni njëri-tjetrit. (v. 13)

Dorëzim. Skllav. Shërbëtor. Këto padyshim nuk janë fjalët e para që mendojnë shumica e njerëzve kur flasin për lirinë. Por siç ka thënë Xhon Gill: “Dashuria e bën sakrificën e Krishtit lirinë e përsosur”. E vërteta e mrekullueshme është se ndërkohë që ne i dorëzohemi Krishtit dhe e jetojmë jetën duke i shërbyer atij, atëherë do të përjetojmë lirinë për të cilën jemi krijuar dhe për të cilën jemi thirrur. Liria vjen për shkak se kur nuk jemi më të vetes sonë, por jemi plotësisht të Tij, atëherë kemi hequr qafe zgjedhën e skllavërisë së mëkatit dhe të kësaj bote. Liria nga mëkati është me të vërtetë liri. Është liria për të qenë gjithçka që u paracaktuam të ishim.

Megjithatë, Pali na ofron një fjalë paralajmërimi për mos ta përdorur lirinë tonë si “një rast për mishin” (v. 13). Kur jemi në Krishtin, jemi të lirë nga mëkati (ndëshkimi dhe kontrolli i tij mbi ne). Por nuk jemi ende të pamëkatë, sepse nuk mund të jemi kurrë pa mëkat për aq kohë sa jetojmë në këtë botë të rënë.

Satani e di që ne ende mëkatojmë, dhe ai ruan çdo rast dhe mundësi për të na joshur të mëkatojmë përsëri. Kjo është arsyeja që Pali na kërkon të bëjmë kujdes për të mos e keqpërdorur lirinë tonë si të krishterë duke bërë qejfet e kësaj bote e duke menduar se jemi të sigurt nga tundimet e satanit.

Ngazëllehuni në lirinë që keni nga ndëshkimi dhe skllavëria e mëkatit; por jini të mençur dhe mos abuzoni kurrë me lirinë tuaj duke zgjedhur të jetoni në mëkat. — Jessica Heikoop

Ndërsa luteni, falënderoni Perëndinë që mund ta përjetoni lirinë e plotë në Krishtin.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-28-prill

28 Prill

Lexoni nga Romakëve 6:1-23

Skllevër të drejtësisë

Jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë bindjes për drejtësi. (v. 16)

Bob Dilan këndonte: “Duhet t’i shërbesh dikujt. Mund të jetë djalli, ose mund të jetë Zoti, por do të të duhet t’i shërbesh dikujt”. Ky, në fakt, është një parim i Dhjatës së Re. Tek Romakëve 6 apostulli thotë se ne të gjithë jemi skllevër të diçkaje, ose skllevër të mëkatit ose skllevër të Krishtit.

Pali na shpjegon se ndërkohë që jemi pagëzuar në Krishtin, jeta jonë e vjetër ka “vdekur”, në kuptimin që ne tani ecim në risinë e jetës. Përmes Krishtit, ne jemi çliruar nga robëria e mëkatit dhe prandaj, nuk jemi më skllevër të tij. Tani, “skllavëria” jonë vjen në një formë tjetër, siç thotë edhe Pali, që duhet ta paraqesim veten tonë “si skllevër të drejtësisë” (v. 19)

“Skllevërit e Krishtit” janë gjithashtu “skllevërit e drejtësisë”. Sa më shumë afrohemi me të dhe sa më shumë e njohim, sa më shumë e duam, aq më shumë do të bëhemi të ngjashëm me të. Është e rëndësishme për ne të mbajmë mend se jemi “shërbëtorë të atij që i bindemi, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë bindjes për drejtësi” (v. 16). Për shkak të jetës që kemi në Krishtin, ne mund të çlirohemi nga skllavëria e mëkatit dhe të bëhemi skllevër të drejtësisë “dhe për fund jetës së përjetshme” (v. 22). Skllavëria, në kuptimin e ungjillit, është e vetmja mënyrë për ta përjetuar jetën në mbushullinë e saj. — Jessica Heikoop

Ndërsa luteni, e lavdëroni Perëndinë që, nëpërmjet Krishtit, nuk jeni më një skllav i mëkatit.

web-woh-27-prill

27 Prill

Lexoni nga Luka 1:26-38

Dorëzimi, skllavëria dhe shërbimi

Atëherë Maria tha: “Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate”. (v. 38)

Pyesni një student se cili është qëllimi i tij i jetës dhe dyshoj se do ta dëgjoni të thotë: “Qëllimi im në jetë është të bëhem shërbëtor”. Shumica e njerëzve nuk mendon me superlativa për këtë profesion. Mirëpo, nëse mbartni emrin “i/e krishterë” atëherë po ashtu mbartni edhe titullin “shërbëtor/e”.

Vetë Jezusit i referohen si shërbëtor (shih Vep. 3:13). Maria e shpalli veten e saj një “shërbëtore e Zotit”. Pali, Jakobi, Pjetri dhe Juda e kanë prezantuar veten e tyre të gjithë si “shërbëtori i Perëndisë”. Edhe ne jemi shërbëtorë. Përmes dorëzimit tek Jezusi, ne trashëgojmë të gjitha karakteristikat e një shërbëtori të Krishtit: duke jetuar për të, duke iu dorëzuar dhe duke iu bindur atij.

Gjithashtu Bibla përdor edhe fjalën “skllav” për të përshkruar se kush jemi ne në Krishtin. Tani, ky po që është një titull që askush nuk e dëshiron. Si fjalë ka veçse konotacione negative, mirëpo të qenit skllav i Krishtit është tërësisht ndryshe.

Letra e parë drejtuar Korintasve 7:22, thotë: “Ai që është thirrur, duke qenë i liruar, është skllav i Krishtit”. Arsyeja që kjo është ndryshe nga çdo skllavëri tjetër është sepse ne zgjedhim të jemi skllevër të Krishtit përmes dëshirës sonë për t’iu dorëzuar atij. Nga dashuria dhe mirënjohja jonë ne i shërbejmë atij lirisht, me gadishmëri dhe me gëzim. Kjo nuk është skllavëri për t’u druajtur, por është një privilegj për t’u ngazëllyer. — Jessica Heikoop

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju ndihmojë ta mbartni me gëzim emrin “shërbëtor i Perëndisë”.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-26-prill

26 Prill

Lexoni nga Filipianëve 2:5-11

Të ndjekim shembullin e Krishtit

Por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit. (v. 7)

Shembujt e njerëzve që i dorëzohen Perëndisë, si apostulli Pal, Xhonatan Eduards apo Xhim Eliot janë fantastikë. Mirëpo, modeli dhe shembulli i përsosur i dorëzimit është Jezus Krishti.

Vetë ardhja e Tij në tokë ishte në vetvete një veprim dorëzimi. Leximi ynë për sot përshkruan përulësinë që Perëndia tregoi duke u bërë njeri. Jezusi vazhdoi të dorëzohej përgjatë gjithë jetës së tij, sepse prioriteti i tij i parë ishte të përmbushte vullnetin e Perëndisë. Dhe në fund, ai e shprehu dorëzimin e tij në mënyrë përfundimtare duke dhënë jetën e tij në kryq. Ai hoqi dorë me dëshirë dhe me gëzim nga vetja e tij për të marrë mbi vete mëkatet tona në mënyrë që ne të trashëgonim jetën e përjetshme. Arsyeja që jemi të shpëtuar është vetëm për shkak të sakrificës, pra, dorëzimit, të Jezusit.

Kur vështrojmë jetën e Jezusit sipas atyre që na thuhen tek ungjijtë, ajo që shohim të përsëritet vazhdimisht është që Ai u dorëzua përmes veprave të shërbimit. Siç e tha edhe vetë: “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer” (Mk. 10:45).

Duke qenë se duhet të kemi të njëjtin qëndrim si ai i Jezus Krishtit (Fil. 2:5), ky është një mësim që duhet ta vëmë në zbatim në jetën tonë. Të jetosh një jetë me dorëzim ndaj Perëndisë do të thotë të ndjekësh shembullin e Krishtit. Do të thotë ta imitojmë atë në veprat tona të shërbimit ndaj të tjerëve. — Jessica Heikoop

Ndërsa luteni, falënderoni Jezusin për veprat e Tij altruiste të dorëzimit, dhe i kërkoni Atij t’ju ndihmojë të ndiqni shembullin e tij.

#fjalëteshpresës#kishashqiptare#ungjillorëtshqiptare#meditime#app#ios#android

web-woh-25-prill

25 Prill

Lexoni nga Filipianëve 3:1-21

Një jetë e dorëzuar

Po me të vërtetë i konsideroj të gjitha se janë dëm për madhështinë e njohjes së Krishtit Jezus, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj se janë pleh, që unë të fitoj Krishtin. (v. 8)

Si mund të dukej një jetë plotësisht e dorëzuar tek Krishti? Merrni në konsideratë jetën e apostullit Pal. Kemi këtu një burrë, i cili kishte gjithçka që bota mendonte se ishte më e mira, por ai hoqi dorë me gëzim nga e gjitha me qëllim që të ndiqte Krishtin. Arsimimi, statusi, rrethanat, zotërimet, familja, madje edhe feja e tij, të gjitha i quante si një hiç, “për shkak të madhështisë së njohjes së Krishtit Jezus, Zotit tim”(v. 8).

Kur vijmë në njohjen e Krishtit dhe kur e duam atë me gjithë zemrën, me shpirtin, mendjen dhe forcën tonë, atëherë jeta jonë do të ndryshojë në mënyrë drastike. Kjo dashuri për të është ajo që na aftëson t’ia dorëzojmë atij të gjitha. Në krahasim me të, asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Kjo është arsyeja që Pali mund të thoshte: “Por ato që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, dëm” (v. 7).

Një burrë tjetër që e kuptoi shumë mirë këtë ishte edhe teologu i mirënjohur Xhonatan Eduards. Ai mund të thoshte: “Unë kam qenë përpara Perëndisë, dhe ia kam dhënë veten time Perëndisë, gjithçka që jam dhe kam; kështu që nuk jam, në asnjë kuptim, i vetes sime”. Por siç vëzhgoi misionari martir Xhim Eliot, të japësh atë që nuk mund ta mbash (jetën tuaj) me qëllim që të fitosh atë që nuk mund ta humbasësh (Krishtin) nuk është aspak një ujdi e keqe. — Jessica Heikoop

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju ndihmojë ta shihni gjithçka tjetër, në krahasim me Krishtin, si humbje për t’u dorëzuar.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-24-prill

24 Prill

Lexoni nga Gjoni 12:37-50

Dorëzoni reputacionin

Sepse deshën lavdinë e njerëzve më tepër. (v. 43) Pranojeni: juve ju intereson se çfarë mendojnë të tjerët për ju. Askujt nuk i pëlqen kur të tjerët e qeshin apo e tallin. Ne të gjithë duam respekt. Kjo nuk është një gjë e keqe, por shqetësimi rreth asaj që mendojnë njerëzit mund të jetë një pengesë për ta ndjekur Krishtin. Për këtë arsye, ne nuk mund të jemi dishepuj të vërtetë të Krishtit nëse nuk jemi të gatshëm të dorëzojmë reputacionin tonë.

Jezusi e përmendi shumë herë që bota do të na urrejë për hir të emrit të tij. Tek Gjoni 15:18-19, ai thotë: ‘Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua para jush. Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota . . . prandaj bota ju urren”. Pjesë e të qenit një ndjekës i Krishtit do të thotë të humbasim reputacionin tonë në këtë botë ndërkohë që mbartim emrin e tij.

Nëse nuk jemi të gatshëm ta nënshtrojmë reputacionin tonë, do të përfundojmë si njerëzit që përshkroi Gjoni, të cilët nuk e pranonin që besonin tek Jezusi, për shkak se “deshën lavdinë e njerëzve më tepër se lavdinë e Perëndisë”. Për ta kishte më shumë rëndësi reputacioni i tyre sesa të ndiqnin njeriun që e dinin në zemrën e tyre se ishte Mesia.

Po kështu, edhe për ne, nëse nuk jemi të gatshëm ta dorëzojmë reputacionin tonë, atëherë ajo që mendojnë njerëzit për ne do të përfundojë të jetë aq e rëndësishme saqë do ta gjejmë veten teksa hezitojmë të rrëfejmë haptazi besnikërinë tonë ndaj Krishtit.

A do ta mbartni emrin e tij me gëzim? — Jessica Heikoop

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju japë guximin për ta dorëzuar reputacionin tuaj dhe për të rrëfyer emrin e Krishtit.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-23-prill

23 Prill

Lexoni nga Gjoni 6:35-40

U bëftë vullneti yt

Sepse unë kam zbritur prej qiellit jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar. (v. 38)

Siç mëson çdo prind shumë shpejt, fëmijët zhvillojnë vullnetin e tyre. Kjo ndodh shumë herët, shpesh gjatë një kohë që ndonjëherë quhet si “dyshi i tmerrshëm”.

Një pjesë thelbësore e dorëzimit tonë tek Perëndia është edhe dorëzimi i vullnetit tonë. Shembulli më i mirë për këtë është Jezusi. Ai nuk erdhi të kërkonte apo të bënte vullnetin e tij, por vullnetin e Atit të tij. Ky është pikërisht edhe qëndrimi që ne duhet të kemi: të bëjmë vullnetin e Perëndisë, jo tonin.

Ne nuk mund të jemi bijtë e Perëndisë nëse nuk i nënshtrohemi vullnetit të tij. Sepse vetëm kur t’i nënshtrohemi vullnetit të tij mund ta përmbushim atë plotësisht dhe me gëzim. Lutja “Ati ynë” përfshin edhe kërkesën “u bëftë vullneti yt” (Mt. 6:10). Kjo është një deklaratë dorëzimi: të bëjmë vullnetin e tij edhe nëse kjo “ndërhyn” tek vullneti ynë (dhe ta bëjmë këtë pa tërhequr këmbët zvarrë me kokëfortësi).

Por, me qëllim që t’i themi “po” vullnetit të Perëndisë, ne duhet të dimë se cili është vullneti i tij për jetën tonë. Dhe këtë e zbulojmë duke studiuar fjalën e tij dhe duke dëgjuar zërin e tij. Romakëve 12:2 na inkurajon që të transformohemi me anë të ripërtëritjes së mendjes sonë, “që të provo[jmë] cili është vullneti i Perëndisë”.

Ndërkohë që i dorëzojmë atij vullnetin tonë, mund të mësojmë dhe të kuptojmë më shumë rreth vullnetit të tij. Dhe pastaj mund të bindemi duke e ndjekur dhe e përmbushur atë. — Jessica Heikoop

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë të bëjë vullnetin e Tij në jetën tuaj.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-22-prill

22 Prill

Lexoni nga Marku 10:17-31

Dorëzoni pasuritë

Ai u largua me keqardhje, sepse kishte shumë pasuri. (v. 22)

I riu pasanik ishte një burrë që donte ta ndiqte Krishtin por nuk ishte i gatshëm t’i dorëzonte zotërimet e tij për ta ndjekur Atë. Në fund, ishte më e lehtë t’i kthente shpinën Krishtit sesa të ndahej nga pasuria e Tij. Megjithatë, ato që Ai zotëronte nuk mund ta shpëtonin.

Zotërimet shkaktojnë një problem për shumë njerëz. Jezusi e dinte këtë, dhe kjo është arsyeja që Ai foli kaq shumë në lidhje me paratë dhe të mirat materiale. Ai e dinte se pasuria dhe zotërimet bëhen fare lehtë idhujt tanë më të mëdhenj. Ai e kuptonte se ato nuk dorëzohen aq lehtësisht. Dhe është pikërisht kjo arsyeja që Ai na bën thirrje të heqim dorë prej tyre për ta ndjekur atë.

Tek Mateu 6:24, Jezusi foli shumë qartë: “Nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe parasë”. Ky nuk është një urdhërim; por një deklaratë e thjesht faktike. Dashuria për para na bën skllevër ndaj tyre dhe paraja kthehet në “padronin” tonë. Nëse ndodh kjo, atëherë nuk mund t’i shërbejmë Atij, duke qenë se askush nuk mund t’u shërbejë dy zotave.

Kjo është arsyeja që dorëzimi i zotërimeve është i nevojshëm. Sa të rëndësishme janë zotërimet për ju? A kanë aq shumë rëndësi për ju saqë do t’i kthenit shpinën tuaj Perëndisë përpara se të dorëzoni pasurinë tuaj, siç bëri i riu pasanik?

Jezusi na kujton se “jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që zotëron” (Lk. 12:15). Aspironi të jeni të mbushur me mbushullinë e Tij, në vend të asaj të tokës. — Jessica Heikoop

Ndërsa luteni, rrëfeni mënyrën se si zotërimet tuaja po ju zotërojnë juve. I kërkoni Perëndisë t’ju ndihmojë të dorëzoheni.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-21-prill

21 Prill

Lexoni nga Luka 12:22-34

Dorëzoni frikërat tuaja

Dhe cili nga ju, me shqetësimin e tij, mund të zgjatë shtatin e vet qoftë edhe një kubit? (v. 25)

Shumë prej nesh do të duhej të rrëfenim se nuk jemi të merakosur për asgjë përveç shqetësimeve tona. Siç ka thumbuar edhe Oskar Uajld, “Unë mund t’i rezistoj çdo gjëje përveç tundimit”. Me qëllim që të dorëzojmë gjithçka, ne duhet të kapërcejmë frikën nga mos njohja e asaj që ndodhet në të ardhmen. Duhet t’i japim Perëndisë frikërat dhe shqetësimet tona.

Zakonisht shqetësimi duket si diçka e tillë: Ndërkohë që lejojmë frikën tonë të mbizotërojë, jemi të prirur ta lëmë imagjinatën tonë të shkojë gjithandej. Mendojmë për të gjitha gjërat e këqija që mund të ndodhin dhe pastaj e harxhojmë kohën duke u përpjekur të zgjidhim se si t’i shmangim apo kapërcejmë ato gjëra. Ne krijojmë pafund skenarë të rasteve më të këqija dhe përpiqemi të imagjinojmë se çfarë do të bënim nëse ato do të bëheshin realitet. Por a është ndonjëherë i pranishëm Perëndia në këto skenarë? Nëse jemi të sinqertë, atëherë do e pranojmë se zakonisht nuk e përfshijmë Perëndinë në zgjidhjen që gjejmë për problemin, sepse mendojmë se mund ta menaxhojmë vetë. Por ky nuk është dorëzim.

Në leximin tonë për sot, udhëzimet e Jezusit për dishepujt e Tij janë shumë të qarta. Frika dhe shqetësimi nuk do e zgjasë shtatin tuaj as edhe me një milimetër. Perëndia i njeh nevojat tuaja dhe Ai kujdeset për ju. Ne duhet të besojmë se e ardhmja jonë është në duart e tij të mira e të sigurta. Vini në zbatim atë që Pjetri na udhëzoi, “duke hedhur gjithë merakun tuaj mbi të, sepse Ai kujdeset për ju” (1 Pje. 5:7). Mos e lini imagjinatën tuaj të ndalet me “po sikur”. — Jessica Heikoop

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju ndihmojë t’i dorëzoni të gjitha frikërat dhe shqetësimet tek ai.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android