web-woh-31-maj

31 Maj

Lexoni nga Filipianëve 4:5-13

Kënaqësia

Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam. (v. 11)

Në botën e filozofëve stoikë grekë, në botën në të cilën Pali udhëtoi, termi “kënaqësi” përdorej për të përshkruar pavarësi, vetëkënaqësi dhe aftësinë për t’i bërë gjërat vetëm. Ideja ishte që personi vërtetë i urtë ishte ai që kishte ardhur në një vend në jetën e tij ku ishte i pavarur nga të gjitha gjërat dhe të gjithë njerëzit. Ata nuk kishin nevojë për asgjë dhe askënd. Kur të kishit arritur në vendin ku ju vareshit vetëm tek vetja juaj, atëherë për filozofët stoikë grekë, ju ia kishit mbërritur.

Në fjalorin e Palit, të ishe i kënaqur thjesht do të thoshte “të kishe mjaftueshëm,” qoftë kur ekonomia e tij personale po rritej qoftë kur po zvogëlohej. Kënaqësia e tij nuk vinte nga vetja e vet apo nga rrethanat e tij; siç thotë ai, vinte nga forcimi i Perëndisë (v. 13).

Me siguri që Pali ishte realist. Ai ishte i ndërgjegjshëm rreth rrethanave të tij. Ndryshimi qëndronte në faktin që, në vend që të mbetej peng tek rrethanat e tij, ai kishte mësuar ta shihte historinë e jetës së tij si pjesë të historisë së shpëtimit të Perëndisë për të. Dhe kur ai nuk kishte pothuajse asgjë, ai ishte i kënaqur në të njëjtën mënyrë si atëherë kur bollëku mbushte jetën e tij.

Po ne? Si është niveli ynë i kënaqësisë? A po ju thith vazhdimisht cikli i të dashurit më shumë dhe më mirë? Apo e keni gjetur vlerën tuaj, kënaqësinë tuaj, në paqen e Perëndisë e cila është në Jezu Krishtin? — David Walls

Ndërsa luteni, i kërkoni Frymës së Shenjtë t’ju forcojë deri në pikën e kënaqësisë.

fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

444483047_968943971902987_1135141055663035961_n

30 Maj

Lexoni nga Filipianëve 4:5-13

Ankth apo paqe?

[Arsyeshmëria] juaj le të njihet nga të gjithë njerëzit; Zoti është afër. Mos u shqetësoni për asgjë . . . Dhe paqja e Perëndisë . . . do të ruajë zemrat tuaja. (v. 5-7)

Arsyeshmëria. Çfarë fjale e madhe. A ju njohin të tjerët për njeri të arsyeshëm? Kjo fjalë përshkruan një “përzemërsi të butë.” Kuptimi i kundërt do të ishte “grindës.” Të krishterët e arsyeshëm mund të bien dakord të mos pajtohen me njëri-tjetrin. Një person i arsyeshëm mund të rezistojë ose të durojë njerëzit e tjerë të cilët e shfrytëzojnë ose e trajtojnë keq. Ata mund të kundërpërgjigjen por mjaftohen duke mos e shtyrë më tej. Arsyeshmëri do të thotë t’u japësh arsye të tjerëve të mendojnë për mirë kur mund të mendojnë edhe për keq.

Kur ishte hera e fundit që e keni bërë këtë? Domethënë, ta lejonit dikë të kuptonte pasojat e një gabimi? Hera e fundit që refuzuat plot hir për t’iu vërsulur mbrapsht atyre? Koha e fundit që ishit të vendosur për të mos bërë ndonjë skandal? Arsyeshmëria – është diçka që duhet të na njihet, së bashku me mungesën e ankthit (v. 6).

Tani, të gjithë ne kemi shqetësime me të drejtë në jetët tona, por ankthi është shqetësim i përkeqësuar. Është një fjalë që përshkruan kujdes të shqetësuar e të lodhshëm, një ankth të paarsyeshëm që konsumon një person me shqetësim kronik. Ne e dimë çfarë është kjo. Fillojmë të bëhemi të shpërqendruar, emocionet tona ziejnë deri sa të valojnë dhe trupat tanë fillojnë të ndalojnë ose të shfaqin simptoma negative nga intensiteti i ankthit tonë.

Njerëzit e merakosur shpesh nuk janë njerëz të arsyeshëm. E keni vënë re? Ata gjithashtu shpesh nuk janë as njerëz që luten, prandaj edhe unë mendoj që Pali flet për lutjen si një kundërhelm ndaj ankthit në çdo frymëmarrje që bëjmë. — David Walls

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju ndihmojë të shqetësoheni më pak e të luteni më shumë.

#fjalëteshpresës#kishashqiptare#ungjillorëtshqiptare#meditime#app#ios#android

web-woh-29-maj

29 Maj

Lexoni nga Filipianëve 3:17-4:2

Qëndroj i paepur

Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur dhe të mallëngjyer, gëzimi dhe kurora ime, qëndroni kështu në Zotin, o të dashur. (4:1)

Të qëndrosh i paepur; çfarë kuptimi ka kjo? Është një urdhërim. Nuk na paraqitet si një diçka që nuk është e detyrueshme apo si një mentalitet “ose merre ose lëre.” Nuk na paraqitet si diçka që ne ta marrim në konsideratë por që t’i bindemi. Për më tepër, është e shkruar në kohën e tashme. Kjo do të thotë që “qëndrimi i paepur” nuk duhet të jetë vetëm për një herë, nuk është një nga ato gjërat që e bën njëherë dhe pastaj e harron. Jo, kjo kohë e foljes tregon që “qëndrimi i paepur” duhet të jetë pjesë e mënyrës sonë së jetesës të krishterë, një drejtim dhe objektiv i vazhdueshëm në jetën tonë personale dhe në jetët e kishave tona.

Të qëndrosh i paepur do të thotë që ne qëndrojmë të paepur si qytetarë të parajsës; si një komunitet të dëbuarish mbi tokë ne duhet të qëndrojmë të palëkundur në besnikërinë dhe bindjen tonë ndaj Krishtit (3:20). Së dyti, ne qëndrojmë të paepur në përkushtimin tonë ndaj kryqit të Krishtit (3:18). Dhe së fundi, ne qëndrojmë të paepur duke rënë dakord në emrin e Zotit dhe duke jetuar në harmoni (4:2).

A e keni përjetuar ju këtë? Si të krishterë ne duhet të jemi të zellshëm në përkushtimin tonë për qytetarinë tonë qiellore. Mesazhi i kryqit të Jezus Krishtit duhet të gozhdohet në qendër të jetëve tona personale. Duhet të jetë zemra e mesazhit që jep kisha jonë. Ne duhet të jemi duke qëndruar të paepur gjatë modelimit të unitetit dhe harmonisë në marrëdhëniet tona dhe kishat tona. — David Walls

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju japë kurajën, hirin dhe forcën për të qëndruar të paepur.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-28-maj

28 Maj

Lexoni nga Filipianëve 3:12-17

Vazhdoj të harroj

Por një gjë po bëj: duke harruar ato që kam lënë pas, dhe duke u zgjatur drejt atyre që kam përpara, po ndjek pas synimin. (v. 13-14)

Pali nuk e përdor papërsosmërinë e tij si një justifikim për të mos u rritur më frymërisht. Kur ai flet për “ndjekjen pas” ai merr hua një fjalë nga bota e gjuetisë. Kjo folje do të thotë “të gjurmoj” diçka, ashtu sikur do bëje nëse do të ishe gjuetar. Në të kaluarën e vet, zelli i Palit e shtynte të gjurmonte dhe të gjente të krishterët. Tani ai po rend pas Krishtit, në mënyrë që të njohë Jezusin në një mënyrë më të thellë dhe të shoh veten e tij të bëhet më pak i papërsosur nesër nga sa është sot.

Megjithatë, me qëllim që ai të ecë përpara, atij i duhet të harroj ca gjëra të kaluara (vargu 13). Fjalën “harroj,” Pali këtu e përdor në kohën e tashme. Kjo do të thotë që Pali, edhe ndërsa po i shkruan këto fjalë, është akoma në procesin e harresës me qëllim të të kaluarës së tij nga rreth 30 vjet më herët kur ai persekutonte kishën. Imagjino, t’i referohesh një gabimi 30 vjeçar dhe të tregosh që je akoma në procesin e përpjekjeve për ta harruar atë!

Kjo na ndodh edhe ne, apo jo? E vërteta është që ne nuk mund ta harrojmë plotësisht të kaluarën tonë. Ajo që varrosim nuk harrohet. Ose është duke u mohuar ose duke u shtypur. Ne nuk mund të harrojmë plotësisht, por mund të vazhdojmë të harrojmë, dhe të vazhdojmë të kujtojmë që Krishti ka falur edhe atë të cilën ne nuk mund ta harrojmë. Gabimet e kaluara të Palit nuk mund ta tejkalonin faljen e tanishme të Perëndisë. — David Walls

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë të vazhdojë t’ju kujtojë për faljen e tij të vazhdueshme.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-27-maj

27 Maj

Lexoni nga Filipianëve 3:12-17

A jeni të përsosur?

Jo se unë tashmë e fitova [ringjalljen] ose jam bërë i përsosur. (v. 12)

Udhëtimi i besimit të Palit ishte një punë në vazhdimësi. Ai ishte i sigurtë për destinacionin e tij përfundimtar të përjetshëm me Krishtin në qiell, por përgjatë rrugës, ai ishte më pak se i përsosur. Fjala “i përsosur” do të thotë “të arrish standardin më të lartë” të mirësisë dhe virtytit. Ajo mbart idenë e të qenit, në një kuptim moral, plotësisht i zhvilluar.

Është e vështirë të jesh “mirë” gjatë gjithë kohës si të krishterë, apo jo? Herë pas here ne dalim nga binarët ose devijojmë. Gjithashtu pengohemi, ndonjëherë shumë keq. Pali nuk pretendon të ketë mbërritur në destinacion frymërisht. Ai e pranon këtë në rrëfimin e tij që lufta kundër mëkatit, frikës, dyshimit dhe fajit nuk ka mbaruar. Ka akoma shumë vend për rritje, pjekuri dhe madje edhe gabime. Disa njerëz përpiqen të gënjejnë veten dhe gjithë të tjerët duke menduar që ata kanë mbërritur në destinacion frymërisht. Dhe ata disi i mohojnë ose i shpërfillin pengesat e tyre frymërore dhe ecurinë e tyre frymërore shkel-e-shko.

A njihni persona të tillë? Njerëz të tillë shpesh e kërkojnë përsosmërinë nga të tjerët ndërkohë që përgëzojnë veten e tyre, pavarësisht të metave të tyre. Është shumë e vështirë të shkosh mirë me njerëz të tillë sepse edhe pse ata e dinë në thelb të zemrës së tyre që nuk janë të përsosur, ata nuk do ta pranojnë këtë. Ata vazhdojnë ta mbajnë fasadën, imazhin e përsosmërisë, të të qenit standardi. Pali nuk pretendoi të ishte ky lloj njeriu dhe as ne nuk duhet të pretendojmë. Ne jemi qenie të papërsosura që ndjekim një shpëtimtar të përsosur! — David Walls

Ndërsa luteni, i rrëfeni Perëndisë se si perfeksionizmi nuk ju ka lejuar ta ndiqni Atë, dhe i kërkoni Perëndisë t’ju ndihmojë të vazhdoni të rriteni frymërisht.

#fjalëteshpresës#kishashqiptare#ungjillorëtshqiptare#meditime#app#ios#android

web-woh-26-maj

26 Maj

Lexoni nga Filipianëve 3:1-11

Bëhet fjalë për humbje

Por ato që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje. (v. 7)

Në gjashtë vargjet e parë të këtij kapitulli, Pali na paraqet me jetëshkrimin e tij frymëror para se të pranonte Jezus Krishtin si shpëtimtarin e tij. Në mënyrën e tij të jetesës në të shkuarën, Pali ishte goxha tip fetar. Nëse dikush do të kishte një “mik të fortë” tek Perëndia bazuar mbi trashëgiminë fetare dhe mbi zbatimet e saj, ky do të ishte Sauli i Tarsit.

Por ky nuk është përfundimi që apostulli arrin në vargun 7. Një perifrazim i mesazhit të Palit do të ishte: “Papritur kuptova që të gjitha ato gjërat me të cilat e mbusha jetëshkrimin tim dhe jetën time – asnjëra nga ato nuk i tërhoqi vëmendje Perëndisë, asnjëra prej tyre nuk la ndonjë përshtypje tek ai. Aq i mirë sa unë mendoja që isha, thjesht nuk isha mjaftueshmërisht i mirë. Më në fund e kuptova që shpëtimi nuk kishte të bënte me mua, kishte të bënte me Jezus Krishtin.”

Si rrjedhojë e këtij kuptimi të papritur, Pali thotë për jetën e tij të kaluar që ai e “konsideron si humbje.” Fjala “humbje” është një term tregtar i cili përdoret për të përshkruar një humbje financiare. Pali na tregon, “kjo [humbja pra] është ajo që unë kam bërë me gjithë ato gjëra në jetën time të cilat unë mendova se do të blinin ose do të fitonin faljen me Perëndinë.” Gjithçka që ai kishte mësuar për të depozituar në bankën frymërore nuk ja vlente as të llogaritej. Ishte investim i gabuar sepse fokusohej tek Pali dhe jo tek Jezus Krishti. Kështu që ai nuk e konsideroi më këtë.

Kur vjen puna tek shpëtimi, mos u mbështesni tek vetvetja! — David Walls

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju ndihmojë t’i besoni Atij për shpëtimin, dhe jo vetes suaj.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-25-maj

25 Maj

Lexoni nga Filipianëve 2:19-29

Miqësitë e ngushta

Por m’u duk e nevojshme t’ju dërgoj Epafroditin, vëllanë tim, bashkëpunëtorin dhe bashkëluftëtarin . . . si shërbenjës në nevojat e mia. (v. 25)

Epafroditi nuk vinte nga një familje e krishterë. Atë në fakt e kishin quajtur sipas perëndeshës greke Afërdita. Ai u rrit në Filipi (ose në një moment të caktuar u zhvendos atje) dhe u bë një ndjekës i Krishtit. Sa e gjatë ishte lidhja e tij me Palin, ne nuk e dimë. Atë që dimë është që, Epafroditi erdhi në Romë në emër të kishës me ndihma për Palin.

Në Romën e shekullit të parë, shteti nuk kujdesej për të burgosurit. Nevojat e jetës, si ushqimi, duhet të siguroheshin nga shokët. Kisha e Filipisë i kishte dhënë para Epafroditit dhe më pas e dërgoi në Romë për t’u kujdesur për nevojat e Palit me ato para. Ka gjasa që ai qëndroi në Romë për më shumë se një vit. Padyshim që ai vazhdoi t’i shërbente nevojave të Palit edhe nga financat e veta. Pali madje thotë që ai “për veprën e Krishtit qe shumë afër vdekjes . . . për . . . shërbesën ndaj meje” (vargu 30).

Angazhimi i tij publik ndaj Palit në burgun e vet e la Epafroditin të pambrojtur ndaj sëmundjes. Jeta e tij ishte në rrezik. Në fakt, fjalët “qe afër vdekjes” ishin fjalët që përdorte një kumarxhi, që do të thotë, “të lësh gjithçka në dorën e zareve.” Për hir të Jezusit, Epafroditi luajti kumar me vetë jetën e tij me qëllim që t’i shërbente mikut të tij në burg. — David Walls

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju ndihmojë të jeni një Epafrodit për dikë.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-24-maj

24 Maj

Lexoni nga Filipianëve 2:19-29

Miqësi të ngushta

Shpresoj, në Zotin Jezus, t’ju dërgoj së shpejti Timoteun . . . sepse nuk kam asnjë në një mendje me mua. (v. 19-20)

Të gjithë kanë nevojë për shokë, shokë të ngushtë. Në fakt, janë tri lloje marrëdhëniesh për të cilat kemi nevojë në jetë: (1) kemi nevojë për një person i cili na shërben dhe për të cilin jo domosdoshmërish duhet të bëjmë diçka për t’ia kthyer atë që na bën; (2) kemi nevojë për një marrëdhënie shokësh me të cilët ndajmë, ndërtojmë dhe i shërbejmë njëri-tjetrit në një marrëdhënie ku japim dhe marrim; dhe (3) kemi nevojë për një marrëdhënie në të cilën i shërbejmë dikujt tjetër dhe ndoshta, gjatë procesit, nuk marrim kurrë diçka mbrapsht nga ai person.

Pali e kuptoi rëndësinë e marrëdhënieve dhe foli për to në këto vargje, veçanërisht kur i referohet mikut të tij Timoteut. Pali pa një potencial të madh tek Timoteu, aq të madh sa ai e ftoi Timoteun të udhëtonte me të gjatë udhëtimeve të tij misionare. Ndërsa marrëdhënia e tyre rritej, Pali filloi t’i besonte Timoteut në mënyrë absolute. Por fjalët të cilat Pali përdor për të përshkruar mikun e tij – “nuk kam asnjë në një mendje me mua” – janë ato që e bëjnë këtë miqësi të ndryshme. Për Palin, Timoteu ishte unik. Nuk kishte asnjë tjetër aq pranë zemrës së tij. Dhe në fakt fjalët e Palit flasin qartë, “nuk kam asnjë tjetër me të njëjtin shpirt”.

Katërqind vjet më herët, Aristoteli shkroi: “Miqësia është si një shpirt i vetëm që banon në dy trupa.”

Çfarë bekimi është të kesh një shok/shoqe që ka “të njëjtin shpirt.” Ndoshta tani është koha të gërmojmë më thellë në miqësinë e vërtetë. — David Walls

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju ndihmojë të gjeni miqësi të ngushta, që zgjasin dhe që janë të mbushura me besim.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-23-maj

23 Maj

Lexoni nga Filipianëve 2:12-18

Duke murmuritur dhe duke u ankuar

Bëni gjithçka pa murmuritje dhe pa mëdyshje. (v. 14)

Në këtë pjesë të letrës së Filipianëve Pali i përshkruan të krishterët si ata të cilët “ndriçojnë si pishtarë të Krishtit në botë” (vargu 15). Me fjalë të tjera, ndjekësit e bindur të Krishtit duhet të reflektojnë dritën e Krishtit tek ata që jetojnë në errësirë frymërore. Apostulli jep disa ilustrime se si ne mund të shkëlqejmë në kulturën tonë. Gjëja e parë që ai sugjeron është që ne duhet të ndriçojmë, në vend që të ankohemi. Në vargun 14 lexojmë: “Bëni gjithçka pa murmuritje dhe pa mëdyshje.” A e ka me të vërtetë? Po, me të vërtet e ka. Një pjesë e dëshmisë sonë në dritën e Krishtit do të thotë të eliminojmë “murmuritjen” nga sjellja jonë. Kjo fjalë përshkruan ndjenja pakënaqësie ose pëshpëritje negative nën zë. Murmuritja gjithashtu përfshin ankesa të pëshpëritura, të flasësh fshehurazi kundër dikujt dhe bërja e komenteve negative për të tjerët pas shpinës së tyre. Sikur kjo të mos mjaftonte, Pali shton edhe fjalën “mëdyshje,” e cila i referohet pyetjeve skeptike dhe kritikave përçarëse brenda kishës.

Po përse t’i përmendësh këto dy fjalë? Sepse kjo lloj sjelljeje reflekton negativisht tek Jezu Krishti dhe errëson dritën e ungjillit. Kur muhabeti i krishterë gërshetohet me ankesa dhe sulme personale, të krishterët e kanë humbur cilësinë e tyre dalluese si fëmijë të Perëndisë në një botë që karakterizohet nga këto lloj veprimesh negative.

Ku e gjejmë veten ne në shkallën Rihter për sa i përket ankimit dhe mëdyshjes? Fjalët tona reflektojnë shumë rreth nesh; reflektofshin dritën e Krishtit. — David Walls

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju ndihmojë të reflektoni dritën e Krishtit.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-22-maj

22 Maj

Lexoni nga Hebrenjve 5:5-10

Përulësi dhe bindje

E përuli veten duke u bërë i bindur deri në vdekje. (Fil 2:8)

Në ekzistencën e tij si njeri, Jezu Krishti zgjodhi, me bindje ndaj Perëndisë Atë, të merrte vendin më të ulët. Ky është kuptimi i fjalës “përuli.” Sa kohë u bë që nga hera e fundit që e kemi bërë ne këtë – që morëm një pozicion shërbimi jashtë dritës së projektorit (jo në qendër të vëmendjes), një që asnjëri as që ia kishte idenë? Dhe pastaj shërbyem në atë vend me entuziazëm, energji dhe përkushtim, sikur e gjithë kisha të varej tek puna jonë.

Për Jezusin, marrja e vendit më të ulët përfundimisht drejtonte për tek kryqi. Kryqëzimi ishte një formë
ndëshkimi i rezervuar për skllevërit, rebelët dhe kriminelët. Në ligjin fetar të hebrenjve, kushdo që ishte
kryqëzuar vdiste nën mallkimin e Perëndisë. Dhe në shoqërinë intelektuale romake, fjala “kryq” konsiderohej si një gjë e turpshme, që nuk duhej të përmendej në biseda. E megjithatë Jezusi me bindje dhe përulësi ndoqi rrugën e kryqit deri në fund.

Kryqi shtrihet në zemrën e ungjillit. Është pikërisht në kryq ku Ai i cili ishte “i barabartë me Perëndinë” ka
zbuluar më qartë të vërtetën rreth Perëndisë; që Perëndia është dashuri, dhe dashuria e tij shprehet në
sakrificën e bindur për hir të atyre që ai do.

Mendoni për këtë në këto terma: “Çfarë kam bërë unë për të tjerët, bujarisht, si një shërbëtor, që mund të
përshkruhet si një sakrificë?” Mendoni për sa i përket kohës, energjive dhe financave. Ka ndonjë sakrificë
aty? — David Walls

Ndërsa luteni, rrëfeni ato raste kur përulësinë e keni pasur sfidë. I kërkoni ndihmë Perëndisë që të shërbeni
me bindje.


#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android