web-woh-28-june

28 Qershor

Lexoni nga Marku 14:26-31; 66-72

Mohimi

Dhe Jezusi i tha [Pjetrit]: “Unë po të them në të vërtetë se sot, pikërisht në këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë”. (v. 30)

Jo një herë, as dy herë, por tri herë. Pjetri mendonte se ishte i fortë. Pjetri mendonte se ishte guximtar. Pjetri mendonte se mund të ndeshej me gjithë botën, ose të paktën me një grup ushtarësh. Mirëpo në fakt, Pjetri mori një mësim të vështirë atë natë. Forca jonë e vërtetë dhe guximi ynë i vërtetë vjen nga shpëtimtari ynë i vërtetë dhe jo nga vetja jonë.

Mendoj që në disa mënyra, veprimet e Pjetrit atë natë, në disa raste, mund të pasqyrojnë veprimet tona. Ndoshta nuk përballemi me një togë ushtarësh të armatosur, por padyshim që përballemi me një botë armiqësore dhe vëzhguese. Me një botë që ndoshta nuk na kërcënon me shpatën, por është një botë që tallet, që bën uf e buf dhe që nuk e prish gjumin e mëngjesit.

Por ja ku qëndron pjesa premtuese: pavarësisht dobësisë së Pjetrit, Jezusi prapëseprapë ia besoi atij çelësat e mbretërisë së qiejve: “Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë” (Mt. 16:18; shih v. 19). Dhe nëse Jezusi mund të përdorë dobësitë e Pjetrit për të ndërtuar kishën, atëherë më duhet të besoj se Ai mund të përdorë edhe dobësitë tona.

Kështu që, pyetja është kjo: A do ta mohojmë atë duke e kaluar pa e vënë re të pastrehun në rrugë, duke e lënë të venë të jetë e vetme në shtëpi mëngjesin e Krishtlindjes apo duke lejuar një lëndim të vjetër të na mbajë larg vëllait apo motrës sonë? Apo, a do të themi, ashtu si Pjetri, jo një herë, as dy herë, por tri herë: “Po, o Zot, unë të dua” (shih Gjo. 21:15-17)? — Lou Bury

Ndërsa luteni, i kërkoni Zotit t’ju përdorë për kishën e tij.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-27-june

27 Qershor

Lexoni nga Mateu 26:17-29

Tradhtia

Në të vërtetë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë. (v. 21)

Imagjinoni pak këtë skenë: Jezusi ishte i rrethuar nga miqtë e tij, të cilët ishin dishepujt e tij të dashur, ku përfshihej Pjetri, një njeri plot zjarr dhe impuls. Gjithashtu i pranishëm ishte edhe Andrea, vëllai i Pjetrit, bashkë me dy vëllezërit, Jakob dhe Gjoni. Po kështu, atyre iu bashkuan atë ditë edhe Filipi, Bartolomeu, Mateu, tagrambledhësi, Thomai, binjaku, Jakobi i vogël, Tadeu, Simon zeloti dhe Juda Iskarioti. Të gjithë ishin miq të ngushtë dhe nxënës të Jezusit, të cilët Ai i kishte mësuar dhe trajnuar. Ata kishin qenë bashkudhëtarë të pandarë për gati tri vjet, të besuar, të mbajtur afër e të dashur.

Ishte nata e Tij e fundit në tokë. Por këtë e dinte Ai, jo dishepujt. Papritur, biseda mori një kthesë të zymtë: “Dhe ndërsa po hanin, [Jezusi] tha: ‘Në të vërtetë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë'” (Mt. 26:21). Dishepujt nuk po u besonin veshëve. Por jo Jezusi, ai e dinte mirë atë që ishte parathënë: “Madje edhe miku im i ngushtë, tek i cili kisha besim dhe që hante bukën time, ka ngritur kundër meje thembrën e tij” (Psa. 41:9; shih Gjo. 13:18). Dhe kështu, Juda Iskarioti, tek i cili ungjijtë thonë “hyri satani” (Lk. 22:3; Gjo. 13:27), e tradhtoi Jezusin për tridhjetë monedha argjendi (Mt. 26:14-16). E megjithatë, tradhtia e tij na mëson diçka shumë të rëndësishme: asgjë nuk e ndal dot planin që Perëndia ka për të shpëtuar popullin e tij dhe asgjë, në fund fare, nuk na ndan nga dashuria e tij që është në Krishtin (Rom. 8:38-39).

Rrini të sigurt që dashuria që Perëndia ka për ju është e palëkundur. Dhe kur e vendosni përjetësinë tuaj në duart e Birit të tij, kjo garanton që shpëtimi juaj është i sigurt. — Lou Bury

Ndërsa luteni, jini të sigurt për premtimin e Perëndisë të shpëtimit përmes Jezusit.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-26-june

26 Qershor

Lexoni nga Gjoni 12:12-26

Duke mbjellë grurë

Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt! (v. 24)

Ajo që lexojmë nga pasazhi për sot ndodhi gjatë pashkës judease, pra, festës judease që përkujton çlirimin nga skllavëria në Egjipt që Perëndia i bëri popullit të Tij të zgjedhur. Dhe me këtë rast, për të kremtuar festën, kishin ardhur në Jerusalem judenj nga të gjitha krahinat përreth. Jezusi erdhi i hipur mbi një gomar dhe u përshëndet me britma njerëzish: “Hosana! Bekuar ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!” (v. 13). Patjetër njerëzit kanë menduar: “Ky është Mesia”, ose “Ja ku është ai që do ta rivendosë fronin e Davidit”.

Megjithatë nuk ishin vetëm judenjtë që ishin mbledhur aty. Gjoni na thotë se ishin edhe “disa grekë” atë ditë “për të adhuruar gjatë festës” (v. 20). Por a nuk ishte kjo një festë judease, që mbahej vetëm për judenjtë?

Duke përmendur faktin se nuk kishte vetëm judenj të pranishëm, Gjoni po na paraqet të shohim paksa natyrën universale të misionit të Jezusit. Pra, misioni për të përmbushur premtimin që iu bë Abrahamit shumë kohë më parë, që “tërë kombet do të bekohen te pasardhja jote, sepse ti iu binde zërit tim” (Zan. 22:18).

Jezusi u mësoi grekëve atë ditë, dhe neve sot, përmbysjen e madhe të mesazhit të ungjillit, që në vdekje ka jetë. Por jo një vdekje çfarëdo, por në vdekjen e Tij. Unë shpresoj sot se ju do ta pranoni këtë mesazh fantastik të lajmit të mirë: që vdekja e Jezusit e mposht vdekjen dhe krijon jetë të përjetshme. — Lou Bury

Ndërsa luteni, falënderoni Jezusin për sakrificën e tij.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-25-june

25 Qershor

Lexoni nga Gjoni 10:1-18
Dera
Në të vërtetë, në të vërtetë, po ju them: Ai që nuk hyn nga dera në vathën e deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar. (v. 1)

Dëgjuesit e Jezusit duhen ta kenë ditur se delet kanë nevojë për një bari. Këto kafshë të çmuara të fermës nuk ishin të cenueshme vetëm ndaj kafshëve të egra, por gjithashtu edhe ndaj hajdutëve. Delet janë kafshë të zgjuara që rrinë në kope, të cilat mbrojnë njëra-tjetrën. Ato e njohin njëra-tjetrën dhe gjithashtu mund të mbajnë mend edhe njerëz.

Sigurisht që Jezusi kishte të drejtë: delet e njohin bariun e tyre dhe i përgjigjen zërit të një bariu të mirë, pra, dikujt që i ruan, që i mban të sigurta dhe kujdeset për to; dikush që do t’i kërkojë nëse humbasin. Në këtë aspekt, ato na ngjasojnë pak neve: si nevojtarë për një Bari që do të na drejtojë dhe do të na prijë. Dhe ashtu si delet, kur dëgjojmë zërin e Bariut të Mirë, edhe ne reagojmë.

Në leximin e sotëm të Biblës, Jezusi e përshkruan shtëpinë tonë të fundit si një vathë delesh, pra, një vend ku delet janë të sigurta dhe të ushqyera, një vend ku bariu është bashkë me to dhe i ruan ato. Por këtu qëndron problemi: ekziston vetëm një derë, një mënyrë për të hyrë, dhe vetëm një mënyrë. Bariu ynë thotë: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjo. 14:6).
Jezusi nuk dëshiron asgjë më shumë sesa që ju të gjeni Udhën. Jezusi nuk dëshiron asgjë më shumë se sa t’ju gjejë, t’ju ushqejë, t’ju mbrojë, t’ju thërrasë në shtëpi dhe të jetë Bariu juaj. — Lou Bury

Ndërsa luteni, falënderoni Jezusin që është Bariu juaj i Mirë.

fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-24-june

24 Qershor

Lexoni nga Gjoni 6:22-35

Buka nga qielli

Në të vërtetë, në të vërtetë, ju them: Nuk jua ka dhënë Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im jua jep bukën e vërtetë prej qiellit. (v. 32)

Për popullin jude, buka ishte jeta. Qoftë në mënyrë simbolike, frymërore dhe në kuptimin e plotë të fjalës. Paraardhësit e tyre poqën dhe hëngrën bukë të ndorme gjatë pashkës judease për të përkujtuar çlirimin nga ana e Perëndisë për Izraelin e tij të zgjedhur nga robëria në Egjipt (Eks. 12-13). Ata përkujtuan manan, një lloj buke, që ju dha si ushqim nga Perëndia përgjatë dyzet viteve që kaluan duke u endur nëpër shkretëtirë (Eks. 16). Dhe Jezusi i mësoi dishepujt e tij të luteshin me këto fjalë: “Bukën tonë të përditshme na e jep sot” (Mt. 6:11).

Megjithatë, puna është se njerëzit kishin çdo ditë nevojë për bukë. Uria rikthehej çdo ditë. Kështu që çdo ditë duhet të bëhej gatimi dhe pjekja. Pa të, kequshqyerja, sëmundja dhe në fund vdekja trokisnin në derë, dhe trokisnin goxha fort. Por mbërritja e Jezusit shpalli një mbretëri të re, dhe bashkë me të edhe një lloj të re buke: “bukë prej qiellit” që mund ta japë vetëm Ati (Gjo. 6:32). Por bukë që nuk mban gjallë vetëm trupin, por edhe shpirtin. Bukë që ju bën të mos keni më kurrë uri. Bukë që “i jep jetë botës” (v. 33).

Ndonjëherë unë mendoj se jemi kaq të dëshpëruar, kaq të uritur për Jezusin saqë as nuk e dimë se çfarë duam. Ne hamë ushqim të pashëndetshëm frymëror në formën e mësimeve të rreme, relativitetit moral dhe refuzimit të të vërtetës. A jeni të uritur? A ka neps (dëshiron) shpirti juaj për diçka më shumë? Vetëm një gjë mund ta ngopë atë lloj urie, dhe ta ngopë përgjithmonë. — Lou Bury

Ndërsa luteni, i kërkoni Jezusit t’jua ushqejë shpirtin me Bukën e Jetës.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-23-june

23 Qershor

Lexoni nga Luka 18:9-17

Besoni si një fëmijë

Në të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të. (v. 17)

Në leximin tonë për sot nga Bibla, Jezusi është duke i dhënë mësim një audience me njerëz “që pretendonin se ishin të drejtë dhe i përbuznin të tjerët” (v. 9).

Pikë së pari, ata që ishin të pranishëm atë ditë na përshkruhen si disa “që pretendonin se ishin të drejtë” (v. 9). Por nuk përmendet këtu që pretendonin të ishin të drejtë në drejtësinë e Perëndisë. Me fjalë të tjera, pretendonin se ishin të drejtë për shkak të zbatimit të rreptë të germës së Ligjit (as që bëhet fjalë për frymën e Ligjit) dhe kjo i shfajësonte ata përpara Perëndisë, të paktën në sytë e tyre. Ma merr mendja se sytë e të Plotfuqishmit shihnin diçka tjetër.

Gjithsesi, të shfajësuar në sytë e tyre, ata i përdornin ato sy për të përbuzur gjithë të tjerët. Kjo është ajo që ndodh kur mendon se je i drejtë. Ndoshta për t’i ndihmuar “të shihnin” pak më ndryshe, Jezusi u tregoi atyre shëmbëlltyrën e fariseut arrogant dhe tagrambledhësit të përulur, dhe lutjet e tyre goxha të ndryshme. Nuk dihet nëse kjo shëmbëlltyrë i ndihmoi ata apo jo të “shihnin” pak më ndryshe. Bazuar nga ajo që ndodh në vijim, me shumë gjasa nuk i ndihmoi.

Jezusi nuk ishte i gatshëm ta linte si bisedë. Me siguri ai dëshironte t’u jepte një mësim këtyre dëgjuesve që pretendonin se ishin të drejtë. Po jo për shkak se dëshironte që të thoshte “Hë, a ju thashë?”, por për shkak se ai i donte ata. Dhe kështu, ai thërret të vijnë tek ai fëmijët që ishin të pranishëm, pavarësisht kundërshtimeve të dishepujve, dhe bëri këtë deklaratë që ishte e vërtetë atëherë dhe është e vërtetë edhe tani: hiqni dorë nga pretendimi se jeni të drejtë dhe përuleni veten tuaj, duke ndjekur shembullin e fëmijëve që erdhën tek Jezusi. — Lou Bury

Ndërsa luteni, përqasjuni Zotit me mahnitjen e një fëmije.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-22-june

22 Qershor

Lexoni nga Marku 12:35-44

Monedhat e të vesë

Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët. (v. 43)

Në Shkrim kemi shumë raste kur Jezusi ka qenë në tempull. Kur kishte mbushur ditët, prindërit e çuan për t’ia paraqitur Zotit (Lk. 2:21-24). Pak para adoleshencës, atë e harruan në tempull (Lk. 2:41-52). Është e famshme tashmë përmbysja që u bëri tavolinave të këmbyesve të parave (Mt. 21:12-13). Ai dha mësim, u lut dhe lexoi nga Shkrimi. Megjithatë, në leximin tonë për sot nga Bibla, Jezusi është duke vëzhguar.

Marku na thotë se ai u ul “përballë arkës së thesarit” (Mk. 12:41). Me fjalë të tjera, Jezusi e zuri atë vend me qëllim që të mund të shihte njerëzit që po jepnin ofrimin e tyre. Të pasurit erdhën një nga një dhe hodhën, me ceremoni, në arkën e thesarit shuma të mëdha. E imagjinoj se këta u binin shpatullave të tyre, dhe ndoshta edhe të njëri-tjetrit, për të dhjetat e tyre me bollëk. Këto ishin të dhjeta, që edhe pse ishin në shuma të konsiderueshme, gjithsesi hidheshin me lehtësi dhe rehati.

Dhe pastaj, në fund të radhës, vjen duke çapitur një e ve e vetmuar. Me përulësi dhe falënderim, ajo hedh “gjithë sa kishte, madje gjithçka kishte për të jetuar” (v. 44), që ishin dy monedha prej bakri, pra, disa qindarka (v. 42). Dhe nga kjo, zemra e Jezusit u prek.

Mos u gaboni, asnjë dhuratë nuk është e parëndësishme në duart e shpëtimtarit tonë. Ai nuk i gjykon dhuratat financiare nga pesha e tyre, por nga zemra e tyre. Dhe përmes kësaj njësie matëse, dhurata e të vesë atë ditë ishte e paçmueshme. — Lou Bury

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë një zemër dhënëse dhe të përulur.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-21-june

21 Qershor

Lexoni nga Mateu 5:17-26

Këshilla ligjore?

Me të vërtetë po të them se nuk do të dalësh prej andej pa e paguar edhe qindarkën e fundit. (v 26)

Jezusi sapo kishte bërë prezantimin e Predikimit në Mal, me fjalë të bukura që ishin radikale në atë kohë dhe janë radikale edhe sot: “Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve. Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen. Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën”. (Mat. 5:3-5).

Pyes veten se çfarë kanë menduar atë ditë njerëzit që ishin atje. Me romakët që ua kishin vënë gjurin në fyt dhe me tagrambledhësit që u ishin futur në kuletë, nuk ka asnjë dyshim që ata ndiheshin si skamës, vajtues dhe zemërbutë. Por, që të ndiheshin të lum? Ma ha mendja, jo aq shumë.

Por pastaj, toni i predikimit ndryshon. Jezusi fillon të flasë për çështje reale të botës: Ligji, epshi, zemërimi, vrasja, dhe … gjyqi? A po jep këshilla ligjore Jezusi? “Trego shpejt mirëdashje ndaj kundërshtarit tënd, sa je në një rrugë me të” (v. 25). Po për çfarë po flet këtu tamam? Sa herë keni dëgjuar pikërisht të kundërtën e kësaj, kur një person kërcënon dikë tjetër ta hedhë në gjyq? “Shihemi në gjyq!”.

Në fakt, Jezusi po thotë: “Do të shihemi në gjyq”. Por jo në gjykatë, por në gjyqin e gjykimit, para të cilit të gjithë ne do të dalim një ditë. Në këtë varg Jezusi po flet në mënyrë metaforike. Ai po thotë se nëse zemra juaj nuk është e penduar, nëse mendja juaj nuk është e hapur ndaj pajtimit, atëherë nuk do të keni kurrë para të mjaftueshme frymërore atë ditë, kur të qëndroni përpara gjykatësit tuaj të përjetshëm. — Lou Bury

Ndërsa luteni, i kërkoni Zotit një zemër faljeje dhe pajtimi.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-20-june

20 Qershor

Lexoni nga Gjoni 6:41-51

Besoni

Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që beson në mua ka jetë të përjetshme. Unë jam buka e jetës”. (v. 47-48)

Vetëm kjo deklaratë i thotë të gjitha. Nuk ngelet absolutisht asgjë për të bërë nga ana jonë, përveçse të besojmë. Asnjë fjalë nga ne, asnjë veprim, nuk mund të na japë jetën e përjetshme, por vetëm veprimi i thjeshtë i të besuarit tek ai që e bën këtë premtim. Dhe, në fakt, një premtim është.

Ndoshta e keni dëgjuar thënien, “Asgjë në jetë nuk është e garantuar”. Ndoshta kjo është e vërtetë nëse e vendosni besimin tuaj tek vetvetja ose në botën që ju rrethon. Mirëpo këtu Jezusi po shpall me siguri të vërtetën bërthamë të ecjes së krishterë.

Vini re se fillimisht ai po ia drejton këtë të vërtetë atij, që do të thotë se shpëtimi është i disponueshëm për të gjithë, pa asnjë diskriminim. Dhe pastaj përmend kushtin e vetëm për jetën e përjetshme: ai që beson. Jo te vetja juaj, por tek ai.

Më lejoni t’ju siguroj se këtu nuk ka hapësirë për negocim. Nga njëra anë, rruga drejt shpëtimit është e qartë, por gjithashtu është në numrin njëjës, pra, është i vetmi shteg.

Për sot, rikonfirmojeni besimin tuaj tek ai që e ka bërë realisht këtë premtim. Nëse nuk e keni vendosur asnjëherë besimin tuaj tek ai, bëjeni këtë tani. Është e thjeshtë sa një lutje.

Flisni me Perëndinë, kërkoni faljen e tij dhe i thoni se dëshironi ta ndiqni. Është me të vërtetë kaq e thjeshtë. Është me të vërtetë kaq e bukur. Dhe, Jezusi është duke pritur me të vërtetë të dëgjoj nga ju. — Lou Bury

Ndërsa luteni, pohoni, ose ripohoni, besimin tuaj të përjetshëm tek Jezusi.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-19-june

19 Qershor

Lexoni nga Gjoni 1:43-51

Engjëjt dhe Biri i njeriut

Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se tash e tutje ju do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut. (v. 51)

Në leximin e sotëm, Jezusi është duke u folur dishepujve të tij të zgjedhur së fundmi, të cilët pa dyshim ishin, maksimumi, të pështjelluar rreth asaj që po fliste Ai. Së pari, ata ishin të pështjelluar për shkak se Jezusi po përshkruan një skenë nga qielli me engjëjt e Perëndisë; jo ndonjë trillim imagjinar, por një skenë ku vetë ai shfaqet në vegimin e profetit Daniel (Dan. 7:13-14). Ai po e përshkruan këtë skenë nga përvoja e vet.

Së dyti, Jezusi përdor një frazë që duhej të kishte një kuptim të thellë për judenjtë: “Biri i njeriut”, që gjendet tek libri i Danielit: “Unë shikoja disa vegime nate, dhe ja mbi retë e qiellit po vinte dikush që i ngjante një Biri njeriu; ai arriti deri te i Lashti i ditëve dhe iu afrua atij” (Dan. 7:13).

Jezusi po deklaronte se profecia e Danielit në lidhje me Birin e njeriut është rreth tij. Ai po u thoshte dishepujve të tij se vetë ai kishte qëndruar në sferat qiellore përpara Perëndisë. Dhe ai po premtonte se duke e ndjekur atë, edhe ata do të mirëpriteshin përpara Perëndisë. Ky pretendim i natyrës hyjnore ishte tronditës për ata që e dëgjonin asokohe, e megjithatë, dishepujt e tij përsëri zgjodhën ta ndjekin.

Pretendimi i Jezusit duhet të jetë ende tronditës edhe sot, por Jezusi na siguron se “në të vërtetë, në të vërtetë” ai është Biri i njeriut. Nëse doni ta ndiqni Jezusin, hapi i parë është ta pranoni atë. — Lou Bury

Ndërsa luteni, falënderoni Jezusin, Birin e njeriut, për dhuratën e shpëtimit që premton përjetësinë me të.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android