web-woh-31-july

31 Korrik

Lexoni nga Zanafilla 1:31-2:3

Koha për çlodhje

Dhe ditën e shtatë pushoi dhe u çlodh. (Eksodi 31:17)

Uraganet m’i shterojnë fuqitë. Javën para se të vijë uragani, nuk jemi të sigurt për rrugën që do ndjekë, megjithatë duhet të harxhojmë kohë dhe energji për t’u përgatitur. Ndoshta evakuohemi apo qëndrojmë gjatë stuhisë, gjithsesi, egërsia e pashoqe e këtyre furtunave na lë të shterur, pa pikë fuqie. Menjëherë pas stuhisë duhet të merremi me pastrimin, riparimet e domosdoshme ose dëmtimet e shkaktuara. Eshtë rraskapitëse. Njëlloj si uraganet, ndryshimet e mëdha në jetë mund të më shterojnë si emocionalisht, edhe shpirtërisht kur egërsia e përshtatjeve dhe aktiviteteve ka kaluar.

Të thuash që Perëndia ishte i zënë me punë gjatë ditës së gjashtë të krijimit, duket nënvlerësim kolosal. Perëndia krijoi çdo gjë nga hiçi. Ai krijoi universin, galaktikat, planetet dhe yjet. Ai krijoi tokën tonë me gjithë bukurinë e saj nga malet, oqeanet dhe sterën. Ai krijoi ajrin që marrim frymë dhe ujin që pimë. Ai krijoi të gjitha krijesat që nga planktoni mikroskopik tek elefanti i stërmadh. Ai krijoi hapësirën, gravitetin dhe të gjitha elementet dhe forcat e natyrës. Ai krijoi Adamin dhe Evën.

Ditën e shtatë Perëndia pushoi dhe u çlodh. Arrij ta imagjinoj Perëndinë tek ecën në kopshtin e Edenit me Adamin dhe Evën, duke u kënaqur me zogjtë, me kafshët, me bimët dhe me njëri-tjetrin. Perëndia do t’ju çlodhë dhe ripërtërijë pas një periudhë rraskapitëse në jetën tuaj. Kështu që gjejeni kohën të shëtisni në kopsht, të vizitoni një mik apo të luani me fëmijët, nipat e mbesat apo kafshët shtëpiake dhe të çlodheni! – Donna Harold

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’jua freskojë frymën dhe ripërtërijë shpirtin!

#kohapërçlodhje #31korrik #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-6-july

6 korrik

Lexoni nga Psalmi 119:97-112

Bibla dhe vrasësi me pagesë

Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën. (v.97)

Disa çaste pasi oficeri e mbylli në qeli anëtarin e bandës, u dëgjua një zhurmë e fortë brenda qelisë. Kur oficeri e hapi sërish derën e qelisë, pa një Bibël në dyshemenë prej çimentoje. Ajo pamje e befasoi oficerin, se mendoi që burri në atë qeli ia kishte dhënë jetën Jezusit. Ky njeri gjithmonë e kishte pasur Biblën nën krah kur shkonte në gjykatë. Megjithatë, ditën që juria e shpalli fajtor këtë vrasës të regjur me pagesë, ai e përplasi Biblën pas derës. Me sa duket, e kishte mbajtur vetëm si hajmali fatsjellëse për t’i bërë përshtypje gjykatësit.

Autori i Psalmit 119 nuk do të tregohej kurrë kaq i pakujdesshëm me Shkrimin. Ai i donte shumë pesë librat e parë të Biblës ku gjendej ligji i Perëndisë. Ndjekja e urdhërimeve të Perëndisë e bënte atë “më të urtë se armiqtë” e tij (v.98). Ai e përdorte ligjin e Perëndisë edhe për t’i drejtuar këmbët e tij në rrugën e duhur (v.105). Psalmisti është në një mendje me apostullin Pal, i cili ka shkruar: “I gjithë Shkrimi është frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi” (2 Tim. 3:16).

Ai oficer ishte xhaxhai im dhe u trishtua kur e pa Biblën të flakur tej, si një roman pa pikën e vlerës. Po ju, a e konsideroni Biblën si psalmisti? Apo këndvështrimi që keni për Shkrimin është më i ngjashëm me atë të vrasësit? Bibla është shumë herë më tepër se një send fatsjellës. Ajo është Fjala e frymëzuar nga Perëndia që ka si qëllim ta drejtojë jetën tonë në rrugën e duhur. – Steven Laman

Ndërsa luteni, falënderojeni Perëndinë për Fjalën e Tij dhe kërkojini t’ju ndihmojë ta çmoni përditë e më shumë!

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-5-july

5 Korrik

Lexoni nga Romakëve 5:1-11

Të lirë për të hyrë

Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. (v. 8)

Pas pushimeve të mrekullueshme me familjen në Meksikë, na kishte mbetur edhe një faturë për të paguar. Qeveria meksikane kishte miratuar një “taksë daljeje” që duhej ta paguanin të gjithë udhëtarët ndërkombëtarë para se të largoheshin nga vendi. Si agjenti i udhëtimit, vëllai im tha: “Duhet ta paguajmë, ndryshe rrezikojmë të paguajmë gjoba nëse vendosim të hyjmë sërish në këtë vend.”

Shumë njerëz besojnë që Perëndia këmbëngul të kërkojë një taksë hyrjeje në Parajsë. Ata mendojnë që duhet të bëjnë shumë të mira në këtë jetë para se Perëndia të hapë portat e Parajsës, që t’i lejojë të hyjnë. Lajmi i mirë është që Ai nuk vepron ashtu. E vërteta është se njerëzit mëkatarë nuk mund të justifikohen. Perëndia është tërësisht i shenjtë dhe nuk mund ta durojë asnjë fije mëkati në praninë e Tij. Fatmirësisht, Ati ynë qiellor na deshi aq shumë sa dërgoi Birin e tij të vetëmlindur për të paguar “taksën e mëkatit” për ne. Kur e pranojmë Jezusin si Shpëtimtarin tonë, gjaku i Tij lan mëkatet tona dhe na lejon të shkojmë në praninë e Perëndisë. Nëpërmjet Jezus Krishtit, i Cili pagoi për mëkatet tona, ne jemi të shfajësuar dhe kemi paqe me Perëndinë.

Në Meksikë, pasi paguam “taksën e daljes”, ne morëm provën që paguam dhe ishim të lirë të largoheshim nga vendi, por edhe të lirë për t’u kthyer. Prova që jemi të lirë të hyjmë në Parajsë është që Krishti pagoi për mëkatet tona me vdekjen e Tij në kryq. A e njihni Atë si provën tuaj për të hyrë në përjetësi? – Steven Laman

Ndërsa luteni, falënderojeni Perëndinë që e dërgoi Jezusin që ju të mund të hyni lirshëm në Parajsë!

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-4-july

4 Korrik

Lexoni: Galatasve 5: 1-12

Liria në Krishtin

Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë. (v.1)

Mua më pëlqen të notoj. Jo vetëm që duke notuar bëj fiskulturë të shkëlqyer, por noti ka edhe një përfitim tjetër. Kur futem në ujë, arrij të lëviz duke përdorur fuqinë time. Mungesa e ekuilibrit për shkak të paralizës cerebrale nuk më lejon të eci. Unë lëviz duke përdorur karrocë me rrota ose duke u mbështetur te dikush. Megjithatë, në ujë, jam i lirë të notoj krejt i vetëm.

Kur Perëndia e krijoi Adamin dhe Evën, u dha liri të pashoqe. Ata ishin të lirë të hanin nga çdo pemë atje në kopsht, përveçse nga pema në mes të Edenit. Fatkeqësisht, dy njerëzit e parë nuk iu bindën dhe u skllavëruan nga mëkati. Në Dhjatën e Vjetër, izraelitët u përpoqën të ndiqnin 613 ligjet me shpresën për ta kënaqur Perëndinë. Jeta nën ato rregulla duhet t’u jetë dukur si jetë nën zgjedhën e skllavërisë.

Por të gjitha këto ndryshuan kur erdhi Krishti. Ne nuk kemi pse të jetojmë më duke ndjekur qindra ligje të rënda. Jezusi solli epokën e hirit. Duke e pranuar atë si Shpëtimtar, Perëndia na e vesh jetën e përsosur të Jezusit, duke na bërë të pranueshëm për një Perëndi të shenjtë. Pasi të sigurohemi për pranimin e Perëndisë, ne jemi të lirë ta duam Atë dhe të tjerët.

Unë jam i lirë të lëviz në ujë. Kur jetojmë në Krishtin, Ai na çliron që të jetojmë për Të. Çfarë ka për të mos e dashur lirinë në Krishtin? – Steven Laman

Ndërsa luteni, falënderojeni Jezusin për lirinë që vetëm Ai mund ta japë!

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

web-woh-3-july

3 Korrik

Lexoni: Veprat e Apostujve 5:1-11

Redaktojeni jetën tuaj

Dhe unë ju them: Ecni sipas frymës dhe nuk do t’i përmbushni dëshirat e mishit.” (Gal. 5:16 NLT)

Kur nisa të shkruaja në fillim, e urreja redaktimin. Megjithatë, sa më shumë shkruaj, aq më shumë e vlerësoj redaktimin. Por tani, për shkrimet e mia, më pëlqen të përdor mjete të ndryshme redaktimi që më tregojnë cilat gjërat duhet të përmirësoj. Këta redaktorë elektronikë janë të shkëlqyer, por nuk ka gjë më të mirë se këshillat e redaktorëve njerëzorë.

Nuk është nevoja të shkruash që ta kuptosh rëndësinë e njerëzve që të drejtojnë. Gjatë jetës, kemi mësues që na ndihmojnë të “redaktojmë” jetën tonë. Redaktori më i mirë i jetës është Fryma e Shenjtë. Te Galatasve, Pali u kërkon lexuesve të tij ta lejojnë Frymën e Shenjtë të jetë Drejtuesi i tyre. Shumë herë ne nuk i kushtojmë vëmendje nxitjes së tij. Te Veprat e Apostujve, Anania dhe Safira u gjendën në një situatë vdekjeprurëse kur e shpërfillën drejtimin e Frymës. Ata ishin pjesë e kishës së parë. Të gjithë ata që besuan te Jezusi ranë dakord të shisnin çdo gjë dhe t’i mblidhnin pasuritë për të përhapur Ungjillin. Në vend që ta lejonin Frymën t’i drejtonte, ky çift gënjeu për paratë që morën nga shitja e pronës së tyre dhe kur u ballafaquan, ata ranë përtokë dhe dhanë shpirt.

Ndoshta ne nuk do të përballemi me pasoja vdekjeprurëse kur nuk e lejojmë Frymën e Shenjtë të na “redaktojë” jetët, por jeta jonë do jetë më e mirë nëse ndjekim udhëzimet e Tij. Kur ne ndjekim personin e tretë të Trinisë, Ai nuk na lejon që të mëkatojmë, na drejton tek e vërteta dhe na ndihmon të kuptojmë Perëndinë. Ky është një redaktor i shkëlqyer për jetën. – Steven Laman

Ndërsa luteni, kërkojini Zotit t’ju ndihmojë të jeni më të hapur ndaj udhëheqjes së Frymës së Shenjtë.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

449319010_990468853083832_1363257816348133076_n

2 Korrik

Lexoni: Mateu 6: 19-24

Valuta e huaj

“Përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin. (v.20)

Kur isha në gjimnaz, një punonjës mense nga Meksika më bëri një dhuratë të veçantë. Ishte një mbajtëse çelësash me një monedhë 100 pesos varur në të. Në vitin 1988 nuk e dija vlerën e kësaj dhurate. Gjithë ato vite e mbaja varur tek një zinxhir në çantën time të shpinës. Vetëm kur u ula ta shkruaja këtë devocion, 35 vite më vonë, e kërkova monedhën time në një faqe “e-commerce” për të parë nëse kishte ndonjëfarë vlerë. Dhe për habinë time, një monedhë e vjetër si e imja shitej shumë herë më tepër se 100 pesos.

Jezusi foli për valutën e huaj. Ai na tha të mbledhim thesare në qiell. Thesare të tilla nuk janë monetare, por mbledhja e tyre do të na bëjë të pasur me Perëndinë. Një mënyrë për ta mbledhur këtë thesar është të jetosh sipas vlerave të qiellit. Sa herë që tregohemi të sinqertë, tregojmë mëshirë apo bëjmë sakrifica, tregojmë që vlerësojmë pikërisht gjërat që vlerëson Zoti. Veprat për të mbledhur këto thesare nuk do të na çojnë në qiell, se shpëtimi është dhuratë falas. Por përpjekja për ta mbledhur këtë thesar do të nderojë dhe bekojë atë që sakrifikoi dhe vdiq për ne.

Asgjë dhe askush nuk mund të na e vjedhë thesarin tonë në qiell. Nuk mund të prishet as nga tenja, as nga ndryshku. Do të zgjasë për gjithë përjetësinë. Çfarë thesaresh po mblidhni ju në qiell? Thesari i qiellit është shumë herë më i çmuar se çdo gjë këtu në tokë. Pa dyshim që është më i çmuar se çdo monedhë e vjetër. – Stiv Laman

Ndërsa luteni, kërkojini Zotit t’ju japë dëshirën për të mbledhur thesare në qiell!

#fjalëteshpresës#kishashqiptare#ungjillorëtshqiptare#meditime#app#ios#android