web-woh-31-gusht

31 Gusht

Loading poll …

Lexoni nga Zbulesa 21:1-4, 22:20-21

Lutja për të mbyllur të gjitha lutjet

Po, eja, Zoti Jezus. (Zbu. 22:20)

Nuk ka mënyrë më të mirë për t’i mbyllur këto devocione mbi lutjen, se sa të mendojmë për lutjen me të cilën mbyllet Bibla. “Po, eja, Zoti Jezus!”

Në botën e sotme, është e zakonshme të dëgjosh thirrje nga më të ndryshmet: “Fund padrejtësisë!” “Fund trafikimit njerëzor!” “Fund racizmit!” Si të krishterë, ne biem dakord me të gjitha këto thirrje. Por gjithsesi, të lutemi “Eja, Zoti Jezus” e ngre standardin në një nivel shumë më të lartë. Te kjo përfshihen të gjitha këto thirrje dhe shumë të tjera më të mëdha: “Fund mëkatit!”, “Fund të gjithë vuajtjeve!”, “Fund vdekjes!”.

Duke u lutur “Eja, Zoti Jezus!”, ne i kërkojmë Perëndisë që t’i japë fund çdo gjëje që e bën këtë botë një vend të shkatërruar. Në këtë mënyrë po i kërkojmë Perëndisë që të vijë dhe t’i bëjë të gjitha gjërat e reja. Gjoni thotë: “Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më” (Zbu. 21:1). Atëherë vendi ku do të banojë Perëndia do të jetë mes njerëzve dhe Ai do të banojë me ta. “…ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre” (v. 3). “Eja, Zoti Jezus!” ka kuptimin që kur Jezusi të kthehet, “nuk do të ketë më as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan” (v. 4).

Kjo është lutja për t’i përfunduar të gjitha lutjet, sepse kur Jezusi të kthehet, besimi ynë do të bëhet i dukshëm dhe lutja nuk do të jetë më e nevojshme. Në vend të saj, ne do të shijojmë përgjithmonë praninë e Perëndisë. Çfarë dite që do të jetë ajo! Oh, po! “Eja, Zoti Jezus!”. – John Koedyker

Ndërsa luteni, lutuni për kthimin e Krishtit që t’i rregullojë të gjitha gjërat.

#lutja #31gusht #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-30-gusht

30 Gusht

Loading poll …

Lexoni nga 2 e Thesalonikasve 3:1-5

Të lutemi për përparimin e Ungjillit

O vëllezër, lutuni për ne, që fjala e Zotit të përhapet me të shpejtë. (v. 1)

Kur isha pastor i ri, kishte raste kur më jepej mundësia që të shërbeja si kapelan në fermën “Cran Hill” në Miçigan. Mbaj mend që shpesh mblidheshim rreth zjarrit me fëmijët dhe këndonim këngë. Njëra prej tyre titullohej: “Pasoje”. Fjalët e këngës e krahasojnë dashurinë e Perëndisë me një shkëndijë të vogël që ndez një zjarr të ngrohtë dhe mikpritës, siç ishte zjarri rreth të cilit ishim mbledhur. “Po e përjetove një herë, ia përhap dashurinë të gjithëve, do të doje që ta pasoje.”

Kur lexoni Dhiatën e Re, shumë shpejt do të kuptoni se apostujt nuk ishin të kënaqur vetëm me marrjen e Ungjillit për vete. Ungjilli ishte një mesazh që duhet të ndahej me të gjithë botën. Pali dhe apostujt e tjerë po bënin pikërisht atë që i urdhëroi Jezusi gjatë urdhërimit të fundit që u dha dishepujve të Tij. Pak para se të ngjitej në qiell, Ai u tha atyre: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar” (Mt. 28:19-20).

Ky Urdhërim i Madh është dhe për ne sot. Por nuk mund ta bëjmë dot të vetëm. Vetëm përmes veprës së Frymës së Shenjtë ne mund ta bëjmë këtë. Prandaj, le lutemi për ndihmën e Perëndisë. – John Koedyker

Ndërsa luteni, kërkojini Zotit Jezus që t’ju ndihmojë ndërsa kërkoni që të përhapni mesazhin e Tij të hirit dhe të shpëtimit.

#lutja #30gusht #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-29-gusht

29 Gusht

Lexoni nga Filipianëve 1:3-11

Të lutemi për dashuri me bollëk

Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim. (v. 9)

Në vitin 1965, këngëtarja e popit Xheki DeShenon (Jackie DeShannon) këndoi këngën: “Bota tani ka nevojë për dashuri”. (What the World Needs Now Is Love.) Në atë kohë isha një djalë i ri, por e mbaj mend mirë këtë këngë. Jo vetëm që shprehte emocionet e autorit të tekstit, por si për habi, është një lutje. Pasi thotë se dashuria është diçka nga e cila ka shumë pak, kënga i drejtohet Perëndisë: “Zot, nuk na duhet gjë tjetër… Oh, dëgjo, Zot, nëse do që ta dish.”

Apostulli Pal i bën një kërkesë Perëndisë në lidhje me dashurinë në letrën e tij drejtuar filipianëve: “Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim” (v. 9). Por lutja e tij për dashuri ishte më shumë për Kishën, se sa për botën.

Pse është kështu? A nuk ka nevojë bota për dashuri? Për dashuri të pastër? Sigurisht që po! Por për Palin, që Ungjilli të përparojë në botë, duhej që të tregohej me shembull nga Kisha. Për fat të keq, kjo nuk ndodh gjithmonë. Krijimi i një ambienti plot dashuri në një kishë është një detyrë e stërmadhe, përtej mundësive njerëzore. Prandaj, Pali e bën këtë çështje të lutjes. Dhe për këtë i bën jehonë udhëzimeve që Jezusi u dha dishepujve të Tij: “…ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjo. 13:34-35).

Dashuria qëndron në qendër të Ungjillit dhe duhet të jetë gjithnjë e më me bollëk mes popullit të Perëndisë. – John Koedyker

Ndërsa luteni, kërkoni për dashuri me bollëk në ju dhe në kishën tuaj.

#lutja #29gusht #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-28-gusht

28 Gusht

Loading poll …

Lexoni nga Mateu 6:9-15

Bëni lutjen e Zotit

Ju, pra, lutuni kështu: “Ati ynë që je në qiej”. (v. 9)

Një nga lutjet më të njohura në botë është ajo që e quajmë “Lutja e Zotit”. Është Lutja e Zotit, sepse vjen nga Jezusi, Zoti ynë. Por gjithashtu mund ta quajmë edhe Lutja e Dishepullit, sepse Jezusi po u fliste dishepujve të Tij, kur tha: “Ju, pra, lutuni kështu…”

Në ungjillin sipas Lukës në lidhje me këtë lutje, Jezusi ishte shkëputur për t’u lutur vetëm. Duke e parë Mësuesin e tij të lutej, një nga dishepujt i tha Atij: “Zot, na mëso të lutemi, ashtu siç i mësoi Gjoni dishepujt e vet” (Lk. 11:1). Përgjigjja e Jezusit nuk ishte një libër kursi mbi lutjen, apo një seri leksionesh, por një lutje e thjeshtë 60-sekondëshe. Kjo është lutja më e rëndësishme, e shkurtër dhe e thjeshtë, prandaj është e lehtë që ta mësosh përmendësh. Mund të ketë qenë një nga lutjet e para që keni mësuar.

Është interesante të mendosh për faktin se dishepujt i kërkuan Jezusit t’u mësonte se si të luteshin. Ata mund t’i kishin kërkuar atij një mori gjërash të tjera, si për shembull, si të shëronin një të sëmurë, apo si të bëheshin rabinë që flisnin me autoritet. Por jo, ata donin të dinin se si të luteshin.

Pa diskutim që lutja ishte e rëndësishme për Jezusin. Dishepujt e kishin parë me sytë e tyre këtë. Ata e kuptuan që Jezusi merrte forcë nga Perëndia përmes lutjes. Dhe e donin këtë për veten e tyre.

Nëse do t’i kërkoni Jezusit që t’ju mësojë një gjë, a do të ishte kjo si të luteshin? Një dishepull i vërtetë këtë do t’i kërkonte. – John Koedyker

Ndërsa luteni, përdorni Lutjen e Zotit si udhëzim.

#lutja #28gusht #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

woh-27-gusht

27 Gusht

Loading poll …

Lexoni nga 2 e Mbretërve 6:8-17

Të shohim përmes syve të lutjes

Pastaj Eliseu u lut dhe tha: “O Zot, të lutem, hap sytë e tij që të mund të shohë”. (v. 17)

Një nga gjërat që kam mësuar për lutjen është se ajo më jep qartësi në situata të trazuara. Kur jam i shqetësuar për vështirësitë në jetën time, apo në botë, i çoj përpara Perëndisë në lutje. Dhe si rezultat, Perëndia më ndihmon që të shoh përtej botës fizike dhe në një dimension tjetër, ku po punon Perëndia. Nuk po them që shoh vegime, por e përjetoj sigurinë e Perëndisë dhe Ai e ndryshon mënyrën se si i shoh situatat. Krijuesja e himneve “Klara Skot (Clara Scott), e shpreh në këtë mënyrë: “Hapi sytë që të mund të shoh copëza të së vërtetës që Ti ke për mua.”

Një gjë e tillë ndodhi dhe gjatë leximit tonë të sotëm. Shërbëtori i Eliseut pati frikë kur pa ushtritë e mbretit të Aramit që kishin rrethuar qytetin. Për syrin njerëzor, izraelitët do të pësonin një humbje shkatërrimtare, por Eliseu dinte më shumë. Ai u lut që Perëndia të hapte sytë e shërbëtorit të tij. Dhe pastaj, ai njeri pa që kodrat ishin të mbushura me kuaj dhe qerre të zjarrta që të mbronin Eliseun nga çdo e keqe.

Kjo mund të ndodhë shumë më shpesh nga sa kuptojmë ne. Ne shpeshherë mendojmë se “jemi vetëm kundër botës” dhe që duhet t’i luftojmë vetë betejat tona. Por e vërteta është krejt ndryshe. Perëndia është besnik dhe premtimi i Tij është: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Heb.13:5). – John Koedyker

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë që “të jetoni nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet shikimit” (2 Kor. 5:7).

#lutja #27gusht #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-26-gusht

26 Gusht

Loading poll …

Lexoni nga 1 e Mbretërve 3:4-15; Jakobi 1:5

Të lutemi për mençuri

Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër të zgjuar, në mënyrë që të administrojë drejtësinë për popullin tënd dhe të dallojë të mirën nga e keqja. (1 Mbr. 3:9)

Historia e Solomonit më bën kurioz për diçka. Nëse Perëndia do të më kishte bërë të njëjtën pyetje si Solomonit, a do të thoja: “Dua mençuri?” Nuk jam dhe aq i sigurt. Po ju? Ka shumë mundësi të mira. Fuqi fizike, shëndet të mirë, ndonjë superfuqi, dhe sigurisht, është dhe paraja. Por Solomoni zgjodhi mençurinë, gjëja më e mirë që mund të zgjidhte një mbret. Dhe për shkak se Ai zgjodhi mençurinë, Perëndia i premtoi edhe pasuri dhe nder.

Kjo zgjedhje e rëndësishme e Solomonit më kujton diçka që tha Jezusi gjatë Predikimit në Mal. “Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen” (Mt. 6:33). Të vendosësh Perëndinë dhe gjërat e Perëndisë të parat në jetë padyshim që është një veprim i zgjuar. Fjalët e Urta na mësojnë të njëjtën gjë dhe thonë se mençuria vjen nga Perëndia. “Frika e Zotit është parimi i diturisë.” (FeU. 9:10).

Një njeri mund të jetë shumë i zgjuar dhe të ketë mbledhur në mendjen e tij shumë njohuri. Por mençuria është diçka tjetër. Solomoni me të drejtë kërkon: “…një zemër të zgjuar, në mënyrë që… të dallojë të mirën nga e keqja” (1 Mbr. 3:9). Çfarë është më e rëndësishme, njohuria apo mençuria? Padyshim që të dyja janë të rëndësishme, por kur bëhet fjalë për të marrë vendime, do të thoja se më e rëndësishme është mençuria. Dhe më e mrekullueshme tek ajo që thotë Jakobi është se ne mund të lutemi për këtë. – John Koedyker

Ndërsa luteni, kërkojini mençuri Perëndisë për të dalluar vullnetin e Tij për ju.

#lutja#26gusht#fjalëteshpresës#meditime#app#ios#android

web-woh-25-gusht

25 Gusht

Lexoni nga Psalmi 51

Lutja e faljes

Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembshurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë. (v. 1)

Po shihja një film kriminalistik në televizor. Krimineli po përpiqej që të zhdukte armën e krimit, që ishte një pistoletë. Ai shkoi në lumin Hadson dhe e hodhi nga një parmak. Arma u zhyt pa lënë gjurmë, duke e bërë të pamundur gjetjen e saj. Në mënyrë të mahnitshme, këtë bën edhe Perëndia me mëkatet tona. Ai i hedh “të gjitha mëkatet tona në fund të detit” dhe ato nuk do të dalin më kurrë në sipërfaqe. Janë zhdukur përgjithmonë.

Çfarë çlirimi ishte ky për Davidin. Në këtë psalm shohim atë duke rrëfyer mëkatet e tij të tmerrshme të vrasjes dhe kurorëshkeljes. Davidi e dinte që Perëndia ishte i mëshirshëm dhe falës. Siç e thotë dhe Psalmi 103: “Perëndia nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona” (v. 10). Për shkak të kësaj, Davidi e dinte që ai mund të shkonte te Perëndia në lutje.

Kështu është edhe për ne. Kur Perëndia na fal, Ai nuk na i përmend më mëkatet tona. Ndryshe nga ai kriminel, që po përpiqej të shmangte ndëshkimin për atë krim të tmerrshëm që kishte kryer, ne ia dorëzojmë mëkatet tona Krishtit, që merr mbi Vete ndëshkimin që meritojmë ne. Te letra e Hebrenjve Pali na thotë: “. . .vetëm një herë, në fund të shekujve Krishti u shfaq për të prishur mëkatin me anë të flijimit të vetvetes” (Heb. 9:26). Kur ne e pranojmë Krishtin si Shpëtimtarin tonë, Ai e fshin plotësisht mëkatin tonë. Lavdi Perëndisë për faljen e Tij! – John Koedyker

Ndërsa luteni, rrëfeni mëkatin tuaj dhe pranoni faljen e Perëndisë.

#lutja#25gusht#fjalëteshpresës#meditime#app#ios#android

web-woh-23-gusht

23 Gusht

Lexoni nga Psalmi 25:1-7

Të lutemi për udhëheqjen e Perëndisë

O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua. Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim. (v. 4-5)

Në filmin “Një jetë e mrekullueshme”, Xhorxh Beili, (George Bailey), personazhi kryesor i filmit, është ulur në një bar dhe po lutet që Perëndia ta udhëheqë. Një sasi e madhe parash ishte zhdukur nga ndërtesa e tij dhe nga kompania e huadhënies. Dhe Xhorxhi ishte shumë i shqetësuar. Ai ishte në telashe të mëdha, prandaj po lutej, në qetësi dhe me zë të ulët. “At i dashur në qiell, nuk jam një njeri që lutet, por e kam litarin në grykë. Më trego rrugën Tënde, Perëndi.”

“Më trego rrugët e Tua.” I kam përdorur këto fjalë. Me siguri edhe ju. Lutja për udhëheqje është një nga lutjet më të shpesha që Perëndia dëgjon prej nesh. Dhe kjo ndodh, sepse shpesh në jetë telashet vijnë papritur dhe ne thjesht nuk dimë se çfarë të bëjmë. Është gjë e mirë që të pyesim një familjar, një mik, madje edhe pastorin tonë. Por duhet të ndërmarrim edhe një hap tjetër të rëndësishëm.

Pasazhi i sotëm është një lutje për ripërtëritje dhe udhëheqje. Psalmisti i drejtohet Perëndisë: “Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim. O Perëndia im, kam besim te ti” (v. 1-2). Në vend që të mbështetet te vetja dhe te forcat dhe vendosmëria e tij për t’i mposhtur kërcënimet e të tjerëve, ai lutet: “O Zot, më trego rrugët e Tua!” (v. 4). Më pas ai mbështetet te dashuria e palëkundur e Perëndisë. (v. 7) Edhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë. – John Koedyker

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju drejtojë dhe që t’jua bëjë të qartë vullnetin e Tij.

#lutja #23gusht #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-22-gusht

22 Gusht

Loading poll …

Lexoni nga Jakobi 3:3-12; Psalmi 19:14

Fjalët e Perëndisë

U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpengimtari im. (Psa. 19:14)

Fjalët e Psalmit 19:14 janë pjesë e një lutje tjetër që e përdorin shpesh pastorët gjatë adhurimit, sidomos përpara predikimit të Fjalës. Shpeshherë e quajmë “Lutja e ndriçimit”, sepse i kërkojmë Perëndisë që të hedhë dritë në jetën tonë përmes Fjalës së Tij.

Predikimi është një përgjegjësi e madhe, prandaj është koha e duhur për ta drejtuar këtë lutje. Predikuesve iu është dhënë përgjegjësia për të interpretuar me saktësi dhe qartësi Fjalën e Perëndisë, në mënyrë që njerëzit të dinë se cili është vullneti i Perëndisë për jetën e tyre. Një detyrë e tillë padyshim që duhet t’i nënshtrohet lutjes. Duhet të themi: “Zot, ndërsa qëndroj këtu në foltore, më ndihmo të them ato që Ti do që të them.”

Por këtë lutje mund ta përdorim edhe në një mënyrë të përgjithshme. Siç e thekson dhe Jakobi, gjuha e gojës tonë mund të shkaktojë shumë dëme. Ai e quan gjuhën “një flakë, një botë paudhësie mes gjymtyrëve të tjera të trupit.” (v. 6) dhe “një e keqe e papërmbajtshme, plot me helm vdekjeprurës.” (v. 8)

Fjalët tona mund t’i lëndojnë të tjerët dhe të shkaktërrojnë marrëdhënie. Si për ironi, ajo që mund të përdoret për të përlëvduar Perëndinë, mund të përdoret edhe për të mallkuar të tjerët. Prandaj, duhet ta bëjmë këtë lutje nga Psalmi 19:14: “U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpengimtari im.” – John Koedyker

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë që t’i përdorë fjalët tuaj për t’i bekuar të tjerët.

#bibla #22gusht #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-21-gusht

21 Gusht

Loading poll …

Lexoni nga Numrat 6:24-26; 2 e Korintasve 13:14

Lutja e bekimit

Hiri i Zotit Jezu Krisht, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia e Frymës së Shenjtë qofshin me ju të gjithë. (2 Kor. 13:14)

Ndërsa vazhdojmë të shqyrtojmë temën e lutjes, do të dëshiroja që të kthenim vëmendjen te disa nga lutjet që janë në Bibël. Do të ishte shumë e dobishme që, jo vetëm t’i studiojmë këto lutje, por edhe që këto lutje t’i bëjmë lutjet tona.

Tek e para nga këto janë fjalët që Perëndia udhëzoi Aronin dhe djemtë e tij të thoshin në lutje si bekim mbi popullin e Izraelit. Njëkohësisht me këtë lutje, do të dëshiroja që të shihnim edhe lutjen e bekimit të apostullit Pal në fund të letrës së dytë të Korintasve, sepse që të dyja kanë diçka të ngjashme.

I kam përdorur që të dyja këto lutje për të bekuar në një kishë, në fund të shërbesës së adhurimit. Edhe pse ato janë bekim, ato janë edhe lutje që Perëndia të jetë me popullin e Tij që është mbledhur për adhurim, ndërsa vazhdojnë jetën e tyre. Mesazhi është që Perëndia ynë i hirshëm dhe i dashur nuk do ta braktisë kurrë popullin e Tij, por do të jetë me të përgjithmonë.

Ndonjëherë fjalët me të mira në lutje janë fjalët që ka thënë Perëndia direkt në Bibël. Ato në njëfarë mënyre prekin jetën e njerëzve në një mënyrë që s’mund ta bëjnë dot lutjet tona. Siç më ka thënë njëherë dikush, pasi bëra lutjen e bekimit të Aronit: “E ndjeva sikur Vetë Perëndia po lutej mbi mua.” – John Koedyker

Ndërsa luteni, përdorini këto lutje bekimi për të bekuar dikë që njihni.

#lutja #21gusht #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android