web-woh-30-shtator

30 Shtator

Loading poll …

Lexoni nga Danieli 12:1-10

Fundi i historisë

Në atë kohë populli yt do të çlirohet. (v. 1)

Mua më pëlqejnë librat. Lexoj si profesionalisht, edhe në kohë të lirë dhe më pëlqen çdo lloj zhanri në letërsi (përfshi edhe ndonjë thriller me raste). Zakonisht, nuk më pëlqen ta zbuloj fundin e një libri, por me raste tensioni më pushton aq shumë, sa duhet t’i hedh një sy kapitullit të fundit.

Bibla tregon një histori të madhe. Eshtë historia e vërtetë e të gjithë botës dhe historia e marrëdhënies shpalosëse të njerëzimit me Perëndinë. Si një thriller që të mban pezull, Bibla është plot tension dramatik, plot kthesa dhe ndryshime në narrativë. Ndonjëherë, për personazhet në mes të historisë, tensioni mund të duket i padurueshëm. Kështu mund të ketë qenë edhe për Danielin. Jo vetëm që jeta e tij ishte e mjegulluar nga kërcënimi i vazhdueshëm i humbjes së jetës, por periudha kur jetoi ai, ishte në kohën më të errët në historinë e Izraelit; një kohë gjatë të cilës dukej e paimagjinueshme që populli i besëlidhjes së Perëndisë do të mbijetonte. Por Perëndia na jep një vegim të gjallë në fund të historisë. Perëndia e siguroi Danielin që populli i tij do të çlirohej nga robëria: nuk do të shpëtonin vetëm nga mërgimi, por do të merrnin jetë të përjetshme.

Ashtu si Danieli, ne kalojmë momente dhe rrethana në të cilat fundi i lumtur mund të duket i paimagjinueshëm. Ne duhet të kujtojmë që Bibla është edhe historia jonë, që edhe ne jemi populli i Perëndisë. Pali deklaron: “të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë [në Krishtin] “po”” (2 Kor. 1:20). Çlirimi i parashikuar nga Danieli u vulos nga Shpëtimtari ynë. Fundi ynë i lumtur është i sigurt. – Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, falënderojeni Perëndinë që fundi i historisë sonë është shkruar tashmë!

#histori#30shtator #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-29-shtator

29 Shtator

Loading poll …

Lexoni nga Danieli 9:1-19

Kërkoni me gjithë zemër

E ktheva, pra, fytyrën time drejt Zotit Perëndi. (v. 3)

Nuk ka thuajse fare referenca të tjera mes librit të Danielit dhe historive të tjera të të mërguarve në Dhjatën e Vjetër. Kjo na krijon përshtypjen që Danieli ishte i izoluar dhe nuk i njihte robërit e tjerë dhe historitë e tyre, por në kapitullin 9 zbulojmë që Danieli kishte në dorë profecitë e Jeremias. Kjo profeci e shtyu Danielin të lutej. Për çudi, Danieli nuk u lut për shpëtimin e popullit të tij. Ai u lut për pendimin e tyre dhe për pajtim me Perëndinë. Se na del që kjo është rruga e duhur.

Te Jeremia 29, Perëndia premtoi që populli i Tij do të largohej nga Babilonia pas 70 vjetësh. Në mënyrë më domethënëse, Ai premtoi: “Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj” (Jer. 29:13). Mësimi që morën të mërguarit është se shtëpia nuk është territor politik apo një truall. Shtëpia është bashkësia e zemrës me Perëndinë. Danieli nuk u kthye kurrë në Jeruzalem, por në lutjen e tij ai e kërkoi Perëndinë me gjithë zemër. Ai e gjeti shtëpinë e tij të vërtetë në mërgim.

Premtimi i Perëndisë, nëpërmjet Jeremias, është i vërtetë në të gjitha kohërat dhe vendet. Pavarësisht rrethanave, pavarësisht nëse jeni larguar nga vendi që e quani shtëpi, pavarësisht se keni humbur dikë apo diçka të shtrenjtë që përfaqësonte shtëpinë, shtëpia juaj e vërtetë është gjithmonë duke ju pritur. Kështu që kërkojeni Perëndinë me gjithë zemër. Kthejeni fytyrën drejt dashurisë suaj të parë, drejt shtëpisë së vërtetë. Do ta gjeni gjithmonë gati për t’ju pritur. – Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju drejtojë në shtëpi!

#zemra #29shtator #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-28-shtator

28 Shtator

Loading poll …

Lexoni nga Danieli 7:1, 9-18

I Lashti i Ditëve

U vendosën fronet dhe i Lashti i Ditëve u ul. (v. 9)

Në gjysmë të tij, libri i Danielit e ndryshon tonin në mënyrë dramatike. Ai kalon nga një përshkrim i drejtpërdrejtë i aventurave të Danielit në mërgim, në një koleksion vegimesh kaotike. Danieli nuk ka dy histori të ndryshme. Është e njëjta histori e treguar nga dy këndvështrime të ndryshme: qielli dhe toka.

Danieli jetoi në kryqëzimin profetik të sferës materiale të tokës dhe sferës shpirtërore të qiellit. Pasazhet apokaliptike të Biblës japin tablo të shkurtra të asaj botës tjetër. Apokalips do të thotë “zbulesë” dhe Perëndia zbulon forcat shpirtërore që veprojnë në prapaskena të realitetit tonë. Danieli ishte i alarmuar nga kafshët e shfaqura nga vegimi i tij.

Në jetën njerëzore nuk ka asgjë asnjanëse nga ana shpirtërore. Kjo botë është një fushëbetejë në të cilën të gjitha gjërat ose kundërshtojnë, ose aprovojnë autoritetin e Perëndisë. Pasazhet apokaliptike të Biblës mund të na alarmojnë. Ne nuk duam të përballemi me shëmtinë shpirtërore që përvidhet pas godinave vezulluese të industrisë kinematografike apo sistemeve ekonomike. Por ne duhet të kemi para syve imazhin që ishte në thelb të vegimit të Danielit. Mbi gjithçka qëndron i Lashti i Ditëve. Ai i jep “dikujt që i ngjante një Biri njeriu” (v. 13) lavdi të përjetshme dhe sundim mbi tokë: mbretëria e tij do zëvendësojë të gjitha mbretëritë tokësore dhe do të çrrënjosë gjithë ligësitë tokësore (v. 14). Sa e jashtëzakonshme që Danieli arriti të shikonte një vegim të Shpëtimtarit që ne e njohim me emër. Sa ngushëllim ta dimë që Shpëtimtari ynë ka mposhtur pushtetin e mëkatit, vdekjes dhe ferrit. Mbretëria e Tij e përjetshme do të dalë fitimtare. – Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, falënderojeni Perëndinë për autoritetin e Tij mbi gjithë ato pushtete!

#28shtator #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-27-shtator

27 Shtator

Loading poll …

Lexoni nga Danieli 6:16-28

Në gropën e luanëve

Perëndia dërgoi engjëllin e tij që ka mbyllur gojën e luanëve. (v. 22)

Danieli u përball me dy presione mbytëse. Privilegjin, begatinë dhe pushtetin e perandorisë pagane e kishte thuajse në dorë. Kërcënimi nga gropa e luanëve ishte dënimi i tij. Ajo që duhej të bënte Danieli për ta marrë shpërblimin dhe t’i shpëtonte ndëshkimit ishte: të mos bënte asgjë: të mos bënte veprime të dukshme përkushtimi ndaj Perëndisë së tij. Në vend të kësaj, Danieli në mënyrë publike i ktheu shpinën fronit pers dhe premtimeve të tij për privilegje, begati dhe pushtet. Ai e kthente fytyrën drejt Jeruzalemit dhe kështu e hodhën në gropën e luanëve.

Danieli dinte dy gjëra që bëjmë mirë t’i mbajmë në mendje: kënaqësitë e kësaj bote nuk mund të krahasohen me premtimet e qiellit dhe presionet e kësaj bote nuk mund të na ndajnë nga prania e Perëndisë. Perëndia ishte me Danielin në gropën e luanëve. Perëndia është me ne edhe kur na duket sikur e gjithë bota është kundër nesh.

Danieli dinte edhe që bota po e shikonte. Shumë herë më tepër gjëra ishin në rrezik sesa mbijetesa tokësore e Danielit. Kundërshtimi i tij mund të çojë në shpëtimin e përjetshëm të dikujt tjetër. Kur Dari e pa përkushtimin e Danielit ndaj Perëndisë edhe kur u përball me vdekjen, u bind plotësisht. Kur Dari e pa Danielin të dilte pa asnjë lëndim, ai u bind se: “Perëndia i Danielit… është Perëndia i gjallë që ekziston” (v.26).

Ne mund t’i besojmë Perëndisë që të na shpëtojë kur dalim kundër presioneve dhe kënaqësive të kësaj bote. Ne i besojmë Perëndisë edhe t’i përdorë çastet tona të qëndresës – të vogla dhe të mëdha – për t’ia shfaqur Veten botës që shikon. – Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju sigurojë për Praninë e Tij dhe ta bëjë praninë e Tij të dukshme!

#27shtator #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-26-shtator

26 Shtator

Loading poll …

Lexoni nga Danieli 6:1-13

Falënderoni (si gjithmonë)

Ai… lutej dhe falënderonte Perëndinë e tij, siç e bënte zakonisht më parë. (v. 10)

Danieli duhet ta ketë vrarë mendjen se kur do të binte në qetësi. Pasi e kishin marrë rob kur ishte i ri, gjithë jetën e kishte kaluar në shërbim të mbretërve paganë. Ai u përball vazhdimisht me sprova për besimin e tij dhe çdo herë i rrezikohej jeta. Më në fund, besnikëria e Danielit u shpërblye. Atij i dhanë postin e dytë më të lartë në mbretëri. Mos vallë është koha për pak çlodhje?

Krejt e kundërta. Kjo ngritje në detyrë e ktheu Danielin në shënjestër. Vartësit e tij e dinin që integriteti i tij ishte i panjollë, kështu që ia përdorën kundër. Ata e bindën mbretin Dar që lutjen ndaj një perëndie tjetër përveç mbretit ta konsideronin një krim të dënueshëm me vdekje. Ata e dinin që Danieli nuk mund ta zbatonte këtë ligj. Si u përgjigj Danieli? Ai “lutej dhe falënderonte Perëndinë e tij, siç e bënte zakonisht më parë” (v.10).

Ndonjëherë ne i trajtojmë praktikat shpirtërore, si studimin biblik dhe lutjen, si fakultative. Ne mendojmë: “Do të shkoj kur të kem kohë” ose “Besimi im është mjaft i fortë – nuk kam nevojë për ndihmë shtesë”. Madje, këto disiplina mund t’i trajtojmë si një detyrë të pakëndshme apo një mënyrë të përkohshme për t’u përballur me një problem kalimtar. Danieli na tregoi krejt të kundërtën. Kur Danieli u përball me një kërcënim vdekjeprurës, ai nuk u ankua. Ai nuk u përgjërua për ndërhyrje hyjnore. Ai falënderoi.

Praktikat e besimit na sintonizojnë me besnikërinë e Perëndisë. Praktikat shpirtërore që i përqafojmë gjatë kohëve të zakonshme na përgatisin dhe na mbajnë të fortë në kohë të jashtëzakonshme. – Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, falënderojeni Perëndinë për besnikërinë e tij në çdo kohë!

#falenderim#26shtator #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-25-shtator

25 Shtator

Loading poll …

Lexoni nga Danieli 5:1-31

Shkrimi në mur

Përkundrazi je ngritur kundër Zotit të qiellit. (v. 23)

Katër kapitujt e parë të Danielit na tregojnë një portret të ndërlikuar të Nebukadnetsarit. Mbreti i Babilonisë me raste ishte mizor dhe i butë; arrogant dhe pendues. Kapitulli 4 përfundon me despotin dikur idhujtar në gjunjë para Perëndisë. Megjithatë, pasardhësi i tij ishte krejt ndryshe. Belshatsari u përball me dorën e Perëndisë, por ndryshe nga Nebukadnetsari, Belshatsari nuk përulej. Edhe paralajmërimi i tmerrshëm i Danielit ra në vesh të shurdhër. Belshatsari e pa “shkrimin në mur”, megjithatë, nuk pranoi të pendohej.

Perëndia me besnikëri siguron prova të pranisë së Tij. Ndonjëherë Perëndia ofron ndihmë të mrekullueshme. Në raste të tjera Perëndia dërgon fatkeqësi që të tërheqin vëmendjen. Në çdo rast, qëllimi i Perëndisë është t’i thërrasë njerëzit të “pendohen”. Me pak fjalë, të kthehen nga udha e tyre dhe të vijnë te Perëndia. Perëndia mund të përdorë çdo rrethanë si paralajmërim dhe ftesë: një paralajmërim për të shmangur shkatërrimin e afërt që do të sillte gjykimi i tij dhe një ftesë për të përjetuar bollëkun e madh të hirit të Tij. Pjetri shkruan: “Zoti… është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9).

Shkrimi në mur është gjithmonë i pranishëm. Çdo qenie njerëzore do të vdesë. Jeta e çdo qenieje njerëzore është e mbushur nga paralajmërimet që fundi do të vijë. Ndryshe nga Belshatsari, ne nuk duhet të kemi frikë nga shkrimi në mur. Kushdo nga ne që e njeh Perëndinë, e dallon dorën e Tij dhe ka siguri për praninë e Tij dhe i kujtohen premtimet që ka bërë. Aq siguri kemi sa, si Danieli, mund të na thërrasin t’u dëshmojmë atyre që e shikojnë shkrimin, por nuk e njohin ende dorën. – Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë ta shfaqë Veten tek ju dhe nëpërmjet jush.

#25shtator #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-24-shtator

24 Shtator

Loading poll …

Lexoni nga Danieli 4:1-3, 34-37

Mrekullitë e Perëndisë më të Lartë

Ai ka pushtet të poshtërojë ata që ecin me kryelartësi. (v. 37)

Edhe unë kam pasur përvoja përulëse (madje edhe poshtëruese). Kur isha më i ri, kaloja në agoni kur ngelja në ndonjë provim; i harroja fjalët kur dilja në skenë ose turpërohesha nëpër festa. Përpiqesha në maksimum që ta mbroja imazhin tim dhe të rifitoja krenarinë. Tani që jam më i moshuar, e kam pranuar faktin që jeta në këtë botë të bën të përulur. Nuk është aspak çështja nëse do të përulesh apo jo, por si do të reagosh.

Kur Nebukadnetsari e vuri veten në vendin e Perëndisë, Perëndia ia tregoi vendin Nebukadnetsarit. Pasi u poshtërua, Nebukadnetsari kishte mundësi të zgjidhte. Mund të luftonte për të rimarrë pushtetin dhe lavdinë e dikurshme ose mund ta pranonte burimin e vërtetë të të gjithë pushtetit dhe Atë që meriton gjithë lavdinë. Sytë e Nebukadnetsarit u hapën ndaj një lavdie pafundësisht më të madhe se e veta. Ai zbuloi paqen e vërtetë jo në kryelartësi, por në lavdërim.

Sa lehtësim ndiejmë kur heqim dorë nga kryelartësia jonë dhe riorientohemi nëpërmjet lavdërimit. Nebukadnetsari rrethanat e tij poshtëruese i quajti “mrekullitë që Perëndia Më i Lartë ka kryer për mua” (v.2). Kur jemi të përhumbur në lavdinë e Perëndisë, e shikojmë edhe në çastet që na lëndojnë krenarinë. Ato çaste na kujtojnë që Perëndia është Perëndi dhe ne nuk jemi. Kur lavdia jonë zhduket, lavdia e Perëndisë shkëlqen. Siç e thotë edhe Pali: “Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë” (2 Kor. 12:10). – Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë të përlëvdohet, edhe kur ju jeni poshtëruar!

#mrekulli #24shtator #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

461179582_1068253795305018_6110400365099765638_n

23 Shtator

Loading poll …

Lexoni nga Danieli 4:4-9; 19-25, 28-33

Kush sundon?

Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve dhe ia jep atij që ai dëshiron. (v. 25)

Politikanit britanik të shekullit të 19, Xhon Dalberg-Akton, i atribuohet citati: “Pushteti priret të korruptojë dhe pushteti absolut korrupton plotësisht.” Sa më shumë pushtet të kenë njerëzit, aq më pak të përgjegjshëm janë për ligësinë që bëjnë.

Në librin e Danielit, mbreti Nebukadnetsar kishte gjithë pushtetin që mund të ketë një njeri. Ai ishte vërtet i korruptuar, bënte shkatërrime në shkallë të gjerë, shpërngulje të banorëve dhe degjenerim të nënshtetasve të shumtë. Më e keqe akoma, ai i konsideronte të gjitha këto “për lavdinë e madhërisë sime” (v.30). Ai e zgjodhi veten të sundonte në vend të Perëndisë.

Shpeshherë shqetësohem, madje, edhe zemërohem nga korrupsioni dhe abuzimet e figurave autoritare njerëzore që duket sikur kalojnë pa u dënuar. Me raste vras mendjen se përse Perëndia nuk bën më shumë për ta kufizuar pushtetin e pushtetarëve. Në çastet e mia më të këqija, tundohem të mendoj se zgjidhja më e mirë është që Perëndia t’i eliminojë këta ndërmjetës problematikë pushteti.

Megjithatë, duhet të mbajmë mend tri gjëra. Së pari, i gjithë autoriteti është autoritet i Perëndisë dhe Perëndia në urtësinë e Tij e delegon autoritetin e Vet siç i duket më mirë. Së dyti, Perëndia e kufizon ligësinë njerëzore dhe premton që të gjithë do të japin llogari. Së treti, Perëndia dëshiron t’i shpëtojë të gjithë – edhe sundimtarët e korruptuar. Perëndia e poshtëron Nebukadnetsarin, jo që ta heqë nga pushteti, por që ta shpengojë. Perëndia është i drejtë dhe i mëshirshëm. Ne mund t’i besojmë që do të sundojë me drejtësi dhe mëshirë, edhe kur sundimtarët tanë njerëzorë dështojnë. – Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’i poshtërojë – madje edhe t’i shpengojë – pushtetarët.

web-woh-20-shtator

20 Shtator

Loading poll …

Lexoni nga Danieli 2:36-49

Mbretëria e qiellit

Perëndia e qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë. (v. 44)

Nebukadnetsari jep shembullin më të mirë për të bërë kujdes për gjërat që kërkon. Kur Perëndia në qiell e shpalosi kuptimin e ëndrrës së mbretit, nuk ishte aspak lajm i mirë. Mbretëria madhështore e Nebukadnetsarit një ditë do të thërrmohej. Babilonia dhe çdo mbretëri tjetër tokësore, do të shkatërrohej nga një mbretëri që nuk do të shkatërrohej kurrë.

Ndonjëherë lajmi i mirë duket si lajm i keq. Mbretëria e Perëndisë po vjen… dhe mbretëria e Tij përparon duke shkatërruar çdo mbretëri tokësore, përfshi edhe tënden dhe timen. Unë duhet të marr në konsideratë mënyrat si jam përpjekur të krijoj “mbretërinë” time të vogël: një cep të vogël të krijimit që mund ta kontrolloj dhe ta detyroj t’i shërbejë vullnetit tim. Te “Mbretërimi” nga seria “Predikime të patreguara”, predikuesi i shekullit të 18, Xhorxh MekDonald, thotë: “Parimi i vetëm i ferrit është – “Unë jam i vetes sime. Unë jam mbreti i vetes dhe nënshtetasi im… Lavdia ime është dhe duhet të jetë shqetësimi im kryesor… Qëllimi i mbretërisë sime është që sa më shumë njerëz ta pranojnë madhështinë time mbi ta.”

Lajmi i keq është se nuk mund të jemi njëkohësisht mbret dhe t’i shërbejmë Mbretit të vërtetë. Lajmi i mirë është se mbretëria e përjetshme dhe e pashkatërrueshme e Perëndisë është një mbretëri e përjetshme që nuk do shkatërrohet kurrë. Eshtë një mbretëri drejtësie dhe paqeje. Eshtë një mbretëri ku çdo padrejtësi do të drejtësohet, ku kushdo e ka një zë dhe ku të gjithë kanë mjaftueshëm. Ne mund të mos jemi në gjendje të imagjinojmë gjë më të mirë se jeta sipas kushteve që vendosim vetë, por Perëndia mundet. Akoma më mirë, mbretëria e Tij ka vend për mua dhe për ju, nëse ne gjejmë vend për të. – Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, kërkoni të vijë mbretëria e Perëndisë!

#mbreteria #20shtator #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-8-shtator

8 Shtator

Lexoni nga 1 Pjetrit 2:1-9

Të zgjedhur për një arsye

Por ju jeni fis i zgjedhur… (v. 9)

Çfarë inkurajimi i stërmadh u jepet besimtarëve të krishterë vetëm në një varg. Neve na quajnë të zgjedhur, mbretërorë, të shenjtë, dhe sikur të mos mjaftonin këto, populli i vetë Perëndisë. Nga të gjithë popujt në faqen e dheut, Perëndia ka zgjedhur një për Vete dhe me anë të gjakut të Jezusit, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, ne jemi pjesë e këtij populli. Lavdi Perëndisë nga i Cili vjen çdo bekim! Por, ju lutem, vini re, vargu 9 nuk mbaron vetëm duke dhënë bekime. Vazhdon me përgjegjësi urgjente; ne jemi të bekuar që të jemi bekim për kombet. Perëndia na ka thirrur që “të shpallim mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme”.

Unë u ktheva në besimin e krishterë kur isha student në kolegj. I vogël nuk kisha qenë i bekuar me prindër të krishterë dhe nuk kisha adhuruar kurrë në një kishë të krishterë para se të shkoja në kishën e një kolegji të krishterë. Gjatë pushimeve pranverore të vitit të parë, një grup nga ne shkoi në Florida për të bërë atë që bëjnë studentët e kolegjeve në Florida. Megjithatë, një mëngjes, disa ungjillorë në plazh po këndonin dhe po predikonin Ungjillin. Kureshtar, unë u ula dhe i dëgjova. Predikuesi i ri po shpallte nga 2 Korintasve 5:17: “Prandaj, nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re”. Ndërsa po i dëgjoja, unë u bëra i krishterë dhe m’u dha një dëshirë e thellë dhe e fortë për ta predikuar Ungjillin. Perëndia më zgjodhi mua ta shpallja lajmin e mirë, ashtu siç ka zgjedhur të gjithë ata që e ndjekin Jezusin. – Tim Brown

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju japë gjuhën për të shpallur lavditë e Tij!

#tezgjedhur#8shtator#fjalëteshpresës#meditime#app#ios#android