web-woh-31-tet

31 Tetor

Loading poll …

Lexoni nga 2 e Kronikave 36:15-23; Zbulesa 1:4-5

Libri i Zbulesës në Dhiatën e Vjetër?

Zoti, Perëndia i qiejve… më ka urdhëruar t’i ndërtoj një shtëpi në Jeruzalem. (2 e Kronikave 36:23)

Kronikat është libri i fundit në rendin hebraisht të asaj që të krishterët e quajnë Dhjata e Vjetër. Ndërsa nuk përdor të njëjtat imazhe si Zbulesa (libri i fundit i Biblës së krishterë), këto janë fjalët e fundit në renditjen e Shkrimeve në hebraisht.

Në vitin 587 para Krishtit, babilonasit erdhën në Jeruzalem dhe shkatërruan tempullin dhe mbretërinë politike të Davidit. Autori i Kronikave përshkruan një luftë totale dhe mbretëria tokësore dhe priftëria nuk ekzistonin më, por pastaj libri mbyllet me një shënim shprese. Jeremia profetizoi për kremtimin e të shtunave në gjithë kohën e shkretimit për “shtatëdhjetë vjet” (v. 21; shikoni Levetiku 26:34-35, 43; Jeremia 25:11-12; 29:10). Nëse numërojmë që nga viti 586 para Krishtit kur përfundoi pushtimi deri në vitin 516 pas Krishtit, kur u restaurua tempulli nga të dëbuarit që u rikthyen, atëherë, ishin përmbushur shtatëdhjetë vitet e shkretimit. Zoti trazoi frymën e mbretit të huaj dhe pagan, Kirit të Persisë, që t’i lejonte të mërguarit judenj të ktheheshin në Jeruzalem dhe të rindërtonin tempullin (v. 22).

Mbreti Kir deklaroi që Perëndia i kishte dhënë tërë mbretëritë e dheut, por të krishterët konfirmojnë premtimin e Perëndisë në librin e fundit të Dhjatës së Re, librin e Zbulesës: “Jezu Krishti, dëshmitari besnik… dhe princ i mbretërve të dheut” (Zbulesa 1:5). Ne ndihemi të vegjël kur krahasohemi me forcat e botës, por ne i përkasim Jezu Krishtit “atij që është dhe që ishte dhe që do të vijë” (Zbulesa 1:4). – Kent Fry

Ndërsa luteni, lutuni me fjalët e himnit: “Edhe pse e gabuara shpeshherë duket shumë e fortë, Perëndia përsëri sundon” (“Kjo është bota e Atit tim”)!

#31tetor #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-30-tet

30 Tetor

Loading poll …

Lexoni nga 2 e Kronikave 34:29-33; Gjoni 7:38

Të jetosh me parfumin e një shisheje bosh

Mbreti…këndoi në prani të tyre të gjitha fjalët e librit të besëlidhjes, që ishte gjetur në shtëpinë e Zotit. (2 e Kronikave 34:30)

Kur kolonjën që përdor pas rrojës e kam thuajse në fund, atë pak që ka mbetur e përziej me pak ujë që ta përdor edhe pak më gjatë, por ky marifet nuk zgjat shumë. Mund të jetoj shumë pak kohë me parfumin e një shisheje bosh.

Në kohën e Kronikave, njerëzit mendonin se mund të jetonin falë trashëgimisë së Davidit dhe Salomonit, por po e shpërfillnin përvojën e tyre aktuale, mbushjen nga burimi shpirtëror i Perëndisë së gjallë. Pastaj, kur tempulli u restaurua, libri i ligjit u gjet në tempull (2 e Kronikave 34:15). Mbreti Josia e ktheu popullin e tij jo vetëm në kohën e Davidit dhe Salomonit, por në origjinën dhe burimin e gjithë besimit izraelit. Kjo ishte besëlidhja e Perëndisë me Moisiun kur Izraeli ishte në skllavëri dhe u çlirua nga hiri i Perëndisë. Hiri është burimi shpirtëror për Izraelin dhe për gjithë njerëzimin që të kenë një marrëdhënie jetësore, aktuale me Perëndinë.

Bota moderne sot po zbulon që nuk mund të vazhdojmë të jetojmë pafundësisht bazuar në kapitalin shpirtëror të së shkaurës pa pasur një burim shpirtëror që është jetësor sot. Në Shkrim zbulofshim jo vetëm një enë boshe nga e shkuara, por një burim jetësor, aktual që mbushet vazhdimisht me Krishtin e gjallë. “Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë” (Gjoni 7:38). – Kent Fry

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju sjellë në bashkësi të gjallë me Të, sot, nëpërmjet Jezusit!

#30tetor#fjalëteshpresës#meditime#app#ios#android

web-woh-29-tet

29 Tetor

Loading poll …

Lexoni nga 2 e Kronikave 32:24-33; Gjoni 9:7

Burimet e besimit për pika kthimi

Ishte Ezekia vetë që mbylli burimin e sipërme të ujërave… dhe i kanalizoi poshtë në anën perëndimore të qytetit të Davidit. (2 e Kronikave 32:30)

Në një orë mësimi mbi edukatën për të rritur, së fundi, prezantuesi theksoi se jemi në një pikë kthese në histori – një kohë ndryshimi, një pikë kthese. Kjo është një nga arsyet pse njerëzit janë në ankth sot.

700 vjet para lindjes të Krishtit, mbreti Ezekia jetonte në një pikë kthese në historinë e Dhiatës së Vjetër. Juda kërcënohej nga pushtimi i superfuqisë në lashtësi, Asirisë. Autori i Kronikave na vë në dukje si u përgatit mbreti Ezekia. Tek 2 e Kronikave, lexojmë që tempulli u pastrua dhe u rikthye adhurimi i vërtetë (kapitulli 29); kremtuan një Pashkë madhështore (kapitulli 30); klasat e priftërinjve dhe levitëve u rindërtuan (kapitulli 31). Ezekia e kërkoi Zotin. Madje, Ezekia ndryshoi edhe rrjedhën e ujërave nga jashtë mureve për t’i futur brenda qytetit që Jeruzalemi t’i rezistonte rrethimit ushtarak (32:30).

Disa vjet më parë, kur burimi i ujërave ishte jashtë murit të qytetit, nga frika, ati i Ezekias, Ashazi, kaloi sa nga njëra aleancë politike tek tjetra. Ashazi, sipas fjalëve të profetit Isaia, kishte: “përçmuar ujërat e Siloeut që rrjedhin ëmbël” (Isaia 8:6). Tek ungjilli sipas Gjonit, Jezusi i tha të verbërit me sytë e lyer me baltë: “Shko, lahu në pellgun e Siloamit” (që do të thotë: dërguar); dhe ai shkoi atje, u la dhe u kthye duke parë” (Gjoni 9:7).

Në këtë pikë aktuale kthese në histori, le të lahemi në burimet ripërtëritëse të besimit dhe ta zbatojmë atë besim në mënyra jo të zhurmshme. – Kent Fry

Ndërsa luteni, mbushuni nga përrenjtë shpirtërorë të ujërave të gjalla të Perëndisë për pikat e kthesës sot!

#29tetor#fjalëteshpresës#meditime#app#ios#android

web-woh-28-tet

28 Tetor

Loading poll …

Lexoni nga 2 e Kronikave 26:16-23; Filipianëve 4:12

Ungjilli për të fuqishmit

Por, mbasi u bë i fuqishëm, zemra e tij u bë krenare aq sa u korruptua. (2 e Kronikave 26:16)

Shumë histori konvertimi ndjekin një model të caktuar: “Isha i dobët dhe i ulur në gjunjë, pastaj e pranova Jezusin në zemrën time.” Lavdi Perëndisë që diçka e tillë ndodh! Por ç‘thotë ungjilli për të pasurit, njerëzit me dhunti, njerëzit me pushtet?

Në pasazhin e sotëm, emri i mbretit është “Uziah” (dhe jo Azariah si te 2 e Mbretërve 15, ndoshta për të shmangur ngatërrimin me kryepriftin Azariah), që fjalë për fjalë do të thotë: “Zoti është fuqia ime”. Nën drejtimin e mbretit Uziah, autori i Kronikave na tregon restaurimin e Elathit, një qytet-port në Detin e Kuq, mbledhjen e një ushtrie të madhe dhe përdorimin e teknologjisë së lashtë për mbrojtje ushtarake nga ana e Uziahut. Fuqia në vetvete nuk është gjë e keqe, por problemi ishte çfarë bëri mbreti Uziah me fuqinë e tij: “zemra e tij u bë krenare” (2 e Kronikave 26:16). Uziahu mori rolin e priftërinjve dhe uzurpoi autoritetin e tyre të dhënë nga Perëndia (v.18). Si rrjedhojë, ai u sëmur fizikisht nga lebra që më pas solli edhe vdekjen e tij (v. 21). Ai vdiq i përjashtuar, i lënë në baltë nga fuqia e tij.

Apostulli Pal na jep dëshmi që mund të identifikohemi me Jezusin kur jemi të dobët; por edhe më sfiduese është të jetosh në Krishtin kur jemi të fuqishëm (Filipianëve 4:12). Për ne sot që kemi dhunti, që kemi fuqi dhe jemi të pasur, çfarë do të ndodhte nëse do ta kuptonim ç‘jetë më të mrekullueshme do të kishim, nëse burimet dhe fuqia jonë marrin një qëllim më të lartë dhe lidhen me Jezus Krishtin? – Kent Fry

Ndërsa luteni, kërkojini Jezusit t’ju ndihmojë jo vetëm në kohë dobësie, por edhe në kohë fuqie të madhe!

#28tetor#fjalëteshpresës#meditime#app#ios#android

web-woh-17-tetor

17 Tetor

Loading poll …

Lexoni nga 2 e Kronikave 1:1-17; Mateu 6:33

Më kërko atë që do dhe Unë do të ta jap.

Atë natë Perëndia iu shfaq Salomonit dhe i tha: “Më kërko atë që do dhe unë do të ta jap”. (2 e Kronikave 1:7)

Kur mëson të vishet, një fëmijë mëson që nëse e ngatërron kopsën në fund të këmishës, kur të mbërrijë te qafa, gjërat s’do të jenë fare në rregull. Ka raste që unë vazhdoj ta rizbuloj atë mësim. E njëjta gjë mund të jetë e vërtetë në jetët tona shpirtërore.

Në fillim të mbretërimit të Salomonit, Perëndia i thotë: “Më kërko atë që do dhe unë do të ta jap” (v.7). Salomoni mund ta kishte nisur me gjërat e gabuara dhe pastaj e gjithë mbretëria do merrte të tatëpjetën. I mbingarkuar me përgjegjësinë e drejtimit besnik, Salomoni i përgjigjet Perëndisë dhe shpreh dëshirën e tij për dituri dhe zgjuarsi. Disa mund të vrasin mendjen nëse Kronikat po zbukuron një histori të shëmtuar, se nuk përmendet që Salomoni përdori punën e skllevërve që ta ndërtonte tempullin dhe gratë e shumta të huaja dhe konkubinat që çuan Salomonin dhe Izraelin në idhujtari (histori që gjenden tek 1 e Mbretërve). Por nuk ishte kështu në fillim të mbretërimit të Salomonit. Këtu tregohet që Salomoni e nisi shumë mirë dhe iu përafrua idealit shpirtëror të një mbreti që autori beson se lexuesit e tij bashkëkohorë duhet ta mishërojnë.

Fryma e Shenjtë e vë në zbatim këtë mësim shpirtëror nga Kronikat te dishepujt e krishterë sot. Nisini gjërat drejt; besojini Perëndisë për gjërat që pasojnë. Jezusi na mësoi “por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto do t’ju shtohen” (Mateu 6:33). – Kent Fry

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju ndihmojë t’i besoni Atij ndërsa para së gjithash kërkoni mbretërinë e Tij dhe drejtësinë e Tij!

#17tetor #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-16-tetor

16 Tetor

Loading poll …

Lexoni nga 1 e Kronikave 29:1-13; 2 e Korintasve 8:2

Kush do të ofrojë me gatishmëri?

Kush është sot i gatshëm ta mbushë dorën e tij për t’ia kushtuar Zotit? (1 e Kronikave 29:5)

Disa bashkësi kanë hequr dorë nga mbledhja e parave gjatë adhurimit të shërbesave të së dielës nga frika se mos u përcjell mesazhin e gabuar vizitorëve dhe njerëzve që kërkojnë kisha. Ndjeshmëria e treguar ndaj atyre që e kërkojnë Jezusin është gjë e mirë, por në çdo shërbesë adhurimi duhet të ketë disa mënyra si t’ia ofrojmë jetën tonë Perëndisë.

Në pasazhin e sotëm, mbreti David nuk vdiq pa ia komunikuar të gjithë Izraelit dhe birit të tij, Salomonit, materialet për ndërtimin e tempullit. Për shkak të renditjes shumë të hollësishme që kishte bërë në kapitujt e mëparshëm, disa e kanë parë autorin e Kronikave si një administrator të ftohtë të cilit i interesonte vetëm ndërtimi i tempullit. Por këtu e shikojmë që nuk është kështu. Autori shkruan që mbreti David dha me dëshirë dhe nga zemra. Autori biblik ka regjistruar një hollësi të vogël: krerët japin “10 mijë darika ari” (v.7). Një darikë nuk ishte nga koha e mbretit David; ishte valutë perse. Duke përdorur këtë njësi matjeje, autori po e identifikon zemërgjerësinë e mbretit David për brezin e tij që jetoi katër shekuj para Krishtit. Një mënyrë praktike për ta shprehur përkushtimin e tyre ndaj Perëndisë ishte të jepnin me gatishmëri nga pasuria e tyre.

Edhe të krishterët e Maqedonisë dhanë me gatishmëri, për të ndihmuar kishën-mëmë në Jeruzalem (2 e Korintasve 8:2). Ne jemi tempulli i tretë, ai i Dhiatës së Re, që nuk është më godinë, por popull. Ofrimi gjatë shërbesave të adhurimit është një mënyrë praktike e shprehjes së përkushtimit ndaj Zotit. – Kent Fry

Ndërsa luteni, gëzohuni që Perëndia t’ju japë juve dhe popullit të tij një zemër dhënëse!

#16tetor #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-14-tetor

14 Tetor

Loading poll …

Lexoni nga 1 e Kronikave 1:10; Hebrenjve 4:9-11

Njeriu dhe koha e çlodhjes

Por ja, do të të lindë një djalë, që do të jetë paqedashës. (1 e Kronikave 22:9)

Së fundi, gjatë adhurimit të dielën, bëmë një ofrim të anasjelltë. Në vend që të vendosnim diçka te pjatanca e ofrimeve, na kërkuan të merrnim një letër që kishte të printuar një fjalë. Letra ime kishte fjalën “sukses”, gjë që më shtyu mua dhe time shoqe të diskutonim se ç‘do të thotë të jesh i suksesshëm për ne.

Për autorin e Kronikave, mes gjithë arritjeve të Davidit, më e rëndësishmja ishte ndërtimi i tempullit. Ironia ishte se ai nuk mund ta ndërtonte vetë, se kishte bërë shumë luftëra (v. 8). Privilegji do t’i kalonte birit të tij, Salomonit, një njeri paqedashës ose i paqes. Fjala në hebraisht këtu është shalom. Salomoni, që tingëllon si shalom, është njeri paqedashës ose i paqes.

Ashtu si Abrahami dhe Sara nuk mund të banonin përgjithmonë në atë tokë dhe Moisiu mund ta shikonte Tokën e Premtuar nga maja e malit, as Davidi nuk do jetonte aq sa ta shikonte tempullin të përfunduar. Edhe për Salomonin, njeriun paqedashës, tempulli i tij, me gjithë madhështinë, nuk i mbijetoi pushtimit babilonas dhe mërgimit. Tempulli i Parë dhe Tempulli i Dytë janë një paralajmërim i pushimit apo paqes së përjetshme të së shtunës (Hebrenjve 4:9). Ne i kthejmë sytë nga Jezus Krishti, i cili i sjell çlodhje shpirtrave tanë (Mateu 11:28-30). Suksesi nuk janë paratë që fitojmë apo statusi ynë në jetë, por një marrëdhënie me Jezus Krishtin, tani dhe në përjetësi. Ky është suksesi për të krishterin. – Kent Fry

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë ta ripërkufizojë suksesin si një marrëdhënie me Krishtin, tani dhe në përjetësi!

#14tetor #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-13-tetor

13 Tetor

Loading poll …

Lexoni nga 1 e Kronikave 21:18-22, 2 e Korintasve 9:15

Një dhuratë e patregueshme!

Kjo është shtëpia e Zotit Perëndi dhe ky është altari i holokausteve për Izraelin. (1 e Kronikave 22:1)

Rreth pesë vjet më parë, gruaja ime bëri një operacion të rëndë. E përshkuam rrugën për në spital në heshtje thuajse të plotë. Kur e takova doktorin pas operacionit, ai më tha: “Gjithçka shkoi mirë; nuk shikoj asnjë shenjë të kancerit.” Fjalët e tij ishin një dhuratë e patregueshme.

Pasazhi ynë tek 1 e Kronikave shpreh themelin e të gjitha dhuratave të patregueshme. Gjykimi i Perëndisë nëpërmjet murtajës ka sjellë shumë vdekje dhe shkatërrim në Izrael. Davidi do të blejë lëmin e Ornanit për të ndërtuar një altar. Me respekt të madh ndaj mbretit David, Ornani do ta dhurojë pronën e tij. Duke marrë përgjegjësi për murtajën, Davidi do të paguajë vlerën e plotë për pronën. Gjithsesi, qëllimi i Ornanit është një dhuratë, madje, një dhuratë e patregueshme. I drejtuar nga profeti Gad në këtë vend, Davidi thotë: “Kjo është shtëpia e Zotit Perëndi” (22:1). Kjo është një dhuratë jo nga Ornani, por nga Perëndia. Kjo është vendndodhja e tempullit të Zotit ku Perëndia është i pranishëm me popullin e Tij. Më vonë autori i Kronikave do të na tregojë që tempulli është në malin Moriah (2 e Kronikave 3:1), duke na kujtuar vendin ku Abrahami lidhi Isakun (Zanafilla 22:1-9).

Ai shënon: “Kjo është shtëpia” (1 e Kronikave 22:1). Ku? Në një kodër, mbi qytetin e Davidit, 1 000 vjet më vonë, ndodhi sakrifica më e madhe e Jezus Krishtit në kryq; si rrjedhojë, u shmang murtaja e njerëzimit për të gjitha kohërat. “Le të falënderojmë Perëndinë për dhuratën e tij të patregueshme.” (2 e Korintasve 9:15) – Kent Fry

Ndërsa luteni, falënderojeni Perëndinë nga i cili vijnë gjithë bekimet!

#13tetor #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-12-tet

12 Tetor

Loading poll …

Lexoni nga 1 e Kronikave 21:1-17; 2 e Korintasve 12:10

Një census i qëndrimit shpirtëror

Por Satani u ngrit kundër Izraelit dhe e nxiti Davidin të bënte regjistrimin e popullit të Izraelit. (1 e Kronikave 21:1)

Gjatë shumë punëve që kam ndryshuar në jetë, kam pasur vetëbesimin fillestar që mund t’ia dilja shumë mirë në një pozicion të ri, por ky vetëbesim pasohej nga një spirale frike se mund të mos isha i duhuri për atë post. Një pastor i urtë dikur më tha: “Kjo ndodh që të mbështetesh te Perëndia.”

Kur lexojmë pasazhin e sotëm në Bibël nga 1 e Kronikave 21, mbreti David bën regjistrimin e popullit që sjell gjykimin hyjnor mbi të gjithë kombin e Izraelit. Regjistrimi i popullit nuk është shkaku i këtij gjykimi hyjnor; në vende të tjera në Dhiatën e Vjetër, regjistrimi i popullit është bërë pa pakënaqësi hyjnore (Numrat 1:2). Megjithatë, në këtë rast, duket sikur problemi mund të ketë qenë qëndrimi i Davidit. Ai kishte qenë mbret fitimtar në luftë, duke zgjeruar kufijtë e Izraelit. Kryerja e regjistrimit të popullit është një tregues që Davidi po mbështetej te fuqia e tij dhe tek avantazhi numerik i Izraelit në vend që t’i besonte dhe të mbështetej te Perëndia.

Nuk bëjmë gabim kur bëjmë përllogaritje të së ardhmes sonë financiare, të shëndetit tonë apo të qëndrimit tonë shpirtëror. Problemi është kur përllogaritja na shtyn të mbështetemi te forcat tona dhe nuk arrijmë t’i besojmë Perëndisë në forcë dhe dobësi. Një kuptim kyç i kryqit është që kur Jezusi ishte më i dobët, atje ishte kulmi i fuqisë dhe forcës së Perëndisë. Siç i shkruajti apostulli Pal bashkësisë së hershme të krishterë në Korint: “kur jam i dobët, atëherë jam i fortë” (2 e Korintasve 12:10). – Kent Fry

Ndërsa luteni, përllogaritini dobësitë dhe fuqitë tuaja dhe lërini ato përpara kryqit të Jezusit!

#12tetor #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

web-woh-11-tet

11 Tetor

Loading poll …

Lexoni nga 1 e Kronikave 17:1-10; Efesianëve 3:20-21

Përtej asaj që mund të imagjinojmë

Të njoftoj gjithashtu që Zoti do të të ndërtojë një shtëpi. (1 e Kronikave 17:10)

Disa vite më parë, ishte një libër që sugjeronte se disa prej vështirësive tona me besimin te Perëndia është fakti që Perëndia ynë është shumë i vogël. Me fjalë të tjera, duke i bërë lutjet dhe planet tona shumë të vogla, ne e kufizojmë lidhjen tonë me Perëndinë.

Në pasazhin e sotëm, mbreti David ka bërë shumë beteja dhe ka lëvizur shumë. Tani ai do të sistemohet dhe do që edhe Perëndia të ketë një vend të Vetin. Davidi do t’i ndërtojë një shtëpi Perëndisë, por ka disa probleme me planin e Davidit. Së pari, dëshira e Davidit për t’i ndërtuar një shtëpi Perëndisë, mund të japë përshtypjen që Perëndia është i kufizuar nga një godinë. Së dyti, Davidi do t’i ndërtojë Perëndisë një shtëpi kur në të vërtetë Perëndia e ka drejtuar popullin e Izraelit. Dhe së treti, qëllimi përfundimtar i Perëndisë nuk është të ndërtojë një shtëpi, por një familje, në të cilën emri dhe mbretëria e Zotit do të jetojë përgjithmonë. Te historia e Krishtlindjes, Jozefi, babai i Jezusit, shkoi në qytetin e Davidit, Bethlehem, “sepse ai ishte i shtëpisë dhe i familjes së Davidit” (Luka 2:4). Ndërsa Perëndia e vlerëson sinqeritetin e zemrës së Davidit dhe më vonë do ta plotësojë kërkesën e Davidit për ndërtimin e tempullit, Perëndia do t’ia zgjerojë botëkuptimin Davidit.

Shpeshherë ne duam të bëjmë diçka për problemet personale dhe ato botërore. Perëndia na fton t’i ndajmë planet dhe dëshirat tona nëpërmjet lutjes. Lajmi i mirë është se kur e bëjmë, Perëndia do t’i çojë planet dhe dëshirat tona jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë (Efesianëve 3:20). – Kent Fry

Ndërsa luteni, jini të hapur ndaj planit të Perëndisë që shkon përtej asaj që kërkoni apo mendoni!

#11tetor #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android