web-woh-26-dhjetor

Dëshmitar besnik

Loading poll …

Meditime 26 Dhjetor (Lexoni nga Veprat 7:54-60, Zbulesa 2:12-13)

Antipa, dëshmitari im, besnik, u vra midis jush. (Zbulesa 2:13)

Shpeshherë “mospasja turp për Ungjillin” e ka çmimin shumë të lartë. Në një vizitë në një kolegj të vogël biblik në një zonë rurale të Indisë, dëgjova historinë e Navin Domanit. Studentët në kolegj ishin nga populli kuruk dhe Navini ishte i krishteri i parë kuruk, i konvertuar nëpërmjet dëshmisë së misionarëve luteranë gjermanë në shekullin 19. Kur Navini e pranoi Krishtin dhe u pagëzua në vitin 1850, prijësit e fisit e kapën, e lidhën dhe i thanë që do ta vrisnin në vend nëse nuk do ta mohonte Krishtin. Navini u përgjigj: “Nuk do ta mohoj besimin tim. Nëse më vrisni, nga çdo pikë gjaku imja do të dalin një mijë të krishterë.” Prijësit kurukë u befasuan aq shumë nga guximi i Navinit sa e lanë të lirë. Ai u bë ungjilltar dhe e kaloi të gjithë jetën duke dëshmuar për Krishtin.

Fjala greke për “dëshmitar” është martyr.Është kështu se shumë nga dëshmitarët e hershëm të krishterë nuk i trembeshin vdekjes – si Stefani në fillim të Dhiatës së Re dhe Antipa në fund – saqë martyr mori kuptimin modern që ka sot. Ati i kishës afrikane, Turtuliani, ka thënë që gjaku i martirëve ishte fara për ndërtimin e kishës. Nën përkujdesjen e Perëndisë, Navin Domani nuk u thirr që ta vuloste dëshminë e tij duke derdhur gjakun e vet, por profecia e tij është bërë realitet në raste dhe vende të tjera. Nga çdo pikë e gjakut të martirëve, kanë dalë një mijë të krishterë. – David Bast

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju jap forcën për të qenë dëshmitar besnik!

#Krishtlindje #Christmas #fjalëteshpresës #meditime

web-woh-25-dhjetor

Biri i Perëndisë

Loading poll …

Meditime 25 Dhjetor (Lexoni nga Mateu 3:13-17)

Dhe ja një zë nga qielli që tha: ”Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur”. (v. 17)

Për më shumë se tri dekada, kam ruajtur një copë të vogël letre mes faqeve të Biblës sime. Skajet e saj janë grisur dhe boja është përhapur nga shiu, por e ruaj, sepse është një nga mesazhet e vetme të shkruajtura me dorë që kam nga im atë. Pasi fola një herë në kishë, kur isha adoleshente, babai më dha një pusullë ku më shkruante se ia kisha dalë shumë mirë. U bënë shumë vjet që nuk e dëgjoj zërin e tij, por e ruaj atë pusullë.

A nuk kemi të gjithë dëshirë të dëgjojmë një fjalë miratimi nga baballarët tanë? Pas pagëzimit të Tij, Jezusi dëgjoi një zë të qartë nga Ati i Tij qiellor. Ky është Biri im i dashur në të cilin jam kënaqur.Çfarë afirmimi ishte ky për Jezusin ndërsa nisi shërbesën e Vet?!

Mrekullia e jetës së Jezusit që u dha për ne është që këto fjalë tani na përkasin edhe neve. Kur i përkasim Krishtit, jemi të adoptuar si bij dhe bija të Perëndisë. Ati ynë qiellor tani na shikon në të njëjtën mënyrë që shikon Jezusin, Birin e Perëndisë.

Në këtë ditë Krishtlindjeje, gjeni një çast për ta marrë dhuratën e miratimit nga Ati juaj qiellor. Ai i thotë këto fjalë për ju tani. Ti je biri/bija im/ime i/e dashur në të cilin jam kënaqur. – Sarah Sanderson

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju mbushë me njohurinë që ju duan!

#Krishtlindje #Christmas #fjalëteshpresës #meditime

web-woh-24-dhjetor

Biri i Marisë

Loading poll …

Meditime 24 Dhjetor (Lexoni nga Luka 2:4-19)

A s’është ky zbrukthëtar i biri i Marisë? (Marku 6:3)

Ndonjëherë u dërgoj fëmijëve foto që ua kam bërë shumë vite më parë. Fëmijët e mi shtrembërojnë turinjtë dhe qeshin për mënyrën se si marrin foto të zakonshme si bebe në celular kur janë në mes të orës së matematikës, por edhe i vlerësojnë. Më duket pjesë e punës si mamaja e tyre që t’i ruaj ato kujtime dhe t’i ndaj me ta kur të jenë më të rritur.

Kur Perëndia e dërgoi Birin e Tij në tokë, ai nuk e lëshoi Jezusin në një qoshe rruge, me përmasat e një të rrituri. Ati i dha një nënë Birit të Vet. Maria u përkujdes për Jezusin dhe i thau lotët. Ajo bëri edhe atë që bëjnë të gjitha nënat: ajo “i ruante të gjithë këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj” (Luka 2:19). Historitë që Maria i tregoi djalit të saj të madh, do t’ia kishin formësuar të kuptuarit Jezusit ndërsa rritej. Studiuesit besojnë se Luka arriti të na jepte këtë rrëfim intim të lindjes së Jezusit, sepse kaloi kohë duke i bërë pyetje Marisë. Për mijëra vjet, kisha ka përfituar nga kujtimet që kishte ruajtur Maria.

Ndërsa përgatiteni të festoni këtë vigjilje Krishtlindjeje, mendoni për rolin e Marisë në ushqyerjen e Krishtit të porsalindur. Bëni falënderime për ata që ju kanë ushqyer në besim. Reflektoni se si mund t’u jepni formë jetëve të fëmijëve që Perëndia ju ka dhënë në jetë! – Sarah Sanderson

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’i bekojë fëmijët në jetën tuaj dhe anembanë botës!

#Krishtlindje #Christmas #fjalëteshpresës #meditime

web-woh-23-dhjetor

Biri i Davidit, Biri i Abrahamit

Loading poll …

Meditime 23 Dhjetor (Lexoni nga 2 e Samuelit 7:8-16)

Libri i gjenealogjisë së Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit. (Mateu 1:1)

Dikur i kërkova një grupi nxënësish t’i shkruante letra vetes në të ardhmen. Nxënësit ua shkruajtën letrat vetes për pas pesë vjetësh dhe unë i mora dhe i vendosa diku. “Nga ta dimë që do t’i marrim sërish?”, më pyetën nënësit. “Duhet të kini besim që do t’jua dërgoj”, iu përgjigja. “Ju premtoj.” Edhe pse u shpërngula në anën tjetër të vendit në mes të atyre pesë viteve, i ruajta ato letra dhe e mbajta premtimin tim.

Perëndia i bëri shumë premtime popullit të Vet. Perëndia i premtoi Abrahamit që do t’i bekonte të gjitha familjet e tokës nëpërmjet pasardhësve të Abrahamit (Zanafilla 12:3). Një mijë vjet më vonë, Perëndia i bëri një premtim akoma më specifik Davidit: “Unë do t’ia jap këtë vend pasardhësve të tu… froni yt do të jetë i qëndrueshëm përgjithnjë” (2 e Samuelit 7:12, 16). Kur Mateu e quan Jezusin “Biri i Davidit, Biri i Abrahamit”, ai po thotë se gjithë këto vite më pas, ato premtime që iu bënë Abrahamit dhe Davidit po përmbushen tani. Jezusi është i vetmi që do t’i bekojë të gjitha familjet në tokë dhe i vetmi froni i të Cilit do jetë i qëndruesëhëm përgjithnjë.

Tek 2 e Korintasve 1:20, Pali shkruan se “të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë “po” në {Jezusin}.” A ka ndonjë premtim në Bibël që e ka bërë Perëndia dhe ju mendoni se nuk e keni parë ende të përmbushur në rrethanat tuaja? Kërkojani sot t’i përmbushë ato premtime që ka bërë! Mendoni për mënyra si Jezusi mund të jetë përgjigjja që po kërkoni! – Sarah Sanderson

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju tregojë si po i përmbush premtimet e bëra!

#Krishtlindje#Christmas#fjalëteshpresës#meditime

web-woh-16-dhjetor

Mbreti i Mbretërve dhe Zoti i Zotërve

Loading poll …

Meditime 16 Dhjetor (Lexoni nga Gjoni 19:1-16)

Dhe mbi rrobën e vet dhe mbi kofshën ishte shkruar një emër: MBRETI I MBRETËRVE dhe ZOTI I ZOTËRVE. (Zbulesa 19:16)

Në vitin 1743, mbreti Xhorxh II u ngrit në këmbë gjatë performancës së Messiah të Handelit. Në atë çast, kori po këndonte refrenin Aleluja. Teksti përsërit një emër për Jezusin nga Zbulesa 19:16, “Mbreti i Mbretërve dhe Zoti i Zotërve”. Ndërsa i dëgjoi këto fjalë, mbreti Xhorxh II u ngrit në këmbë në shenjë nderimi, duke treguar faktin që Jezusi ishte mbret më i madh se ai. Audiencat kanë qëndruar në këmbë për refrenin Aleluja që në atë kohë.

Kur jetoi në tokë, Jezusi nuk e kërkoi respektin e mbretërve tokësorë. Ai e lejoi veten që ta torturonte dhe ekzekutonte Pilati, një guvernator i perandorit romak, por Jezusi i tha Pilatit: “Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti” (Gjoni 19:11). Pilati u trondit aq shumë nga kjo e vërtetë, sa menjëherë pasi e dëgjoi u përpoq ta lironte Jezusin. Që nga ajo kohë, Pilati i referohet Jezusit si “Mbret”, madje, vuri edhe një mbishkrim me atë titull mbi kokën e Jezusit në kryq (v. 19). Edhe pse ai nuk arriti ta mbronte apo nderonte Jezusin, Pilati në fund e njohu identitetin e tij mbretëror. Edhe pse pati një vdekje si kriminel i zakonshëm në kryq, Jezusi ishte mbret.

Kur Jezusi të vijë sërish, mbretëria e tij do jetë e pagabueshme. Në atë kohë, çdo gjuhë do të ulet para tij. Ndërsa presim kremtimin e foshnjës Krisht, mezi presim edhe ardhjen e Tij si Mbreti i Mbretërve dhe Zoti i Zotërve. – Sarah Sanderson

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’i drejtojë të gjithë ata që kanë autoritet!

#Krishtlindje #Christmas #fjalëteshpresës #meditime

web-woh-15-dhjetor

Besniku dhe i Vërteti

Loading poll …

Meditime 15 Dhjetor (Lexoni nga Luka 22:39-46)

Dhe pashë qiellin e hapur, dhe ja, një kalë i bardhë, dhe ai që e kalëronte quhet Besniku dhe i Vërteti; dhe ai gjykon dhe lufton me drejtësi. (Zbulesa 19:11)

Një misionar largohet nga besimi i tij pas 30 vjetësh në shërbesë. Një drejtuese adhurimi vendos që nuk beson më te Perëndia. Një pastor vret mendjen se ç‘të bëjë me dyshimet e veta. Këto janë vetëm disa nga historitë e trishta, por të vërteta që kam dëgjuar së fundi. Të gjithë ne – edhe njerëzit që i mendojmë si më besnikët mes nesh – ndonjëherë e kanë të vështirë të mbahen kapur pas asaj që besojnë.

Edhe Jezusi kaloi një natë ku e pati të vështirë ta pranonte vullnetin e Atit të Vet. Luka na thotë se, ndërsa Ai u lut në Malin e Ullinjve, pak para se ta arrestonin, Jezusi ishte në agoni. Ai vuajti aq shumë në lutje sa “djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë” (Luka 22:44). Duke e ditur që e priste kryqëzimi, Jezusi i kërkoi Atit: “Po të duash, largoje këtë kupë nga unë” (v. 42). Por në fund, Jezusi hoqi dorë nga dëshirat e Tij: “Megjithatë, mos u bëftë vullneti im, por yti” (v. 42). S’do mend që te Zbulesa Jezusit i jepet emri Besniku dhe i Vërteti.

Gjatë pjesës së mbetur të kësaj jave, ndërsa shikojmë emrat e tjera për Jezusin te Zbulesa, do të shikojmë edhe sprovën më të vështirë të besimit që përjetoi Jezusi. Nëpërmjet besnikërisë së Tij në kryq, Jezusi e arriti fitoren për të gjithë ne. Kur të tundohemi që të lëkundemi, mund të kujtojmë edhe që Jezusi pati vështirësi – dhe iku duke u rrokur në anën tjetër. – Sarah Sanderson

Ndërsa lutemi, kërkojini Perëndisë ta forcojë besimin tuaj dhe besimin e njerëzve tuaj të dashur!

#Krishtlindje #Christmas #fjalëteshpresës #meditime

web-woh-14-dhjetor

Hardhia

Loading poll …

Meditime 14 Dhjetor (Lexoni nga Gjoni 15:1-11)

Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë. (v. 5)

Kur isha e re, shkoja te stërgjyshërit e mi në Florida. Një nga gjërat më të jashtëzakonshme për shtëpinë e tyre, për sytë e mi si fëmijë i vogël, ishte portokallja që kishin në kopsht. Çdo ditë mund të dilnim në oborr dhe të merrnim copa të shijshme fruti të freskët për të ngrënë. Dukej shumë e lehtë. Si ishte e mundur që ai frut të rritej atje në kopsht? Ishte mësimi im i parë në bollëkun bujqësor.

Ndonjëherë ne mendojmë se që të arrijmë gjëra të mëdha për Perëndinë, duhet të dalim në terren dhe të bëjmë diçka. Por shëmbëlltyra që jep Jezusi për frytshmërinë është shumë herë më pasive. “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet” (Gjoni 15:5). Çfarë bëjnë shermendet tjetër, përveçse rrinë të ngjitura me hardhinë? Megjithatë, qëndrimi atje i lejon që të japin fryt. Nëse një shermend shkëputet, frutat e tij do vyshken shpejt. Por kur ne “qëndrojmë” te Jezusi (vv. 4-10), Ai na premton që do të “japim shumë fryt” (v. 5 NIV). Mund të mos jetë e lehtë të qëndrosh te Jezusi, por është e thjeshtë. Për të dhënë fryt për Perëndinë, ne thjesht duhet të qëndrojmë te hardhia.

A keni dëshirë të zjarrtë ta shikoni Perëndinë të punojë nëpërmjet jush? Qëndroni te Jezusi! Qëndroni pranë Tij dhe Ai ju premton që nëpërmjet pranisë së Tij në ju, ju do të jepni fryt. – Sarah Sanderson

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju ndihmojë të qëndroni në Të dhe të jepni fryt sot!

#Krishtlindje #Christmas #fjalëteshpresës #meditime

web-woh-13-dhjetor

Udha, e vërteta dhe jeta

Loading poll …

Meditime 13 dhjetor (Lexoni nga Gjoni 13:36-14-7)

Jezusi i tha: ”Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje. (Gjoni 14:6)

Familja jonë kishte humbur rrugën. Unë dhe im shoq i kishim nxjerrë katër fëmijët e vegjël për një xhiro dhe ishim larguar pa mendje nga shtegu dhe tani po sorollateshim nëpër pyll. Unë thashë: “Të paktën, po ta gjejmë shtegun, do ta dimë cilën rrugë të marrim për t’u kthyer te makina.” “Po”, tha im shoq – dhe në po atë çast që unë tregova majtas, ai tregoi djathtas. Aq keq kishim humbur, sa nuk arrinim dot as të binim dakord se nga cila rrugë duhej të ktheheshim nëse do arrinim ta gjenim shtegun.

Qeniet njerëzore e kanë humbur fare fillin kur vjen puna të gjejnë mënyrën si të ripajtohen me Perëndinë. Njerëzit kanë shpikur shumë sisteme, fe dhe praktika shpirtërore që duket sikur kundërshtojnë njëra-tjetrën. Kur vjen puna te gjetja e Perëndisë, ne jemi të gjithë në pozitën e Thomait, i cili i tha Jezusit: “Ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?” (Gjoni 14:5). Fatmirësisht, Jezusi është udha, e vërteta dhe jeta. Nëse duam ta gjejmë udhën për te Perëndia, thjesht kalojmë përmes Jezusit.

Kur e vëmë besimin tonë te Jezusi, Ai na bën një premtim: “Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (v. 3). Ne nuk mund ta gjejmë dot të vetëm udhën; duhet vetëm ta vëmë besimin tonë te Jezusi. – Sarah Sanderson

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju tregojë udhën!

#Krishtlindje #Christmas #fjalëteshpresës #meditime

web-woh-12-dhjetor

Ringjallja dhe jeta

Loading poll …

Meditime 12 Dhjetor (Lexoni nga Gjoni 11:1-7; 17-27)

Jezusi i tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta.” (v. 25)

Dhjetë vjet më parë, një mikeshë u diagnostikua me kancer dhe doktorët i dhanë vetëm disa muaj jetë, por fundi nuk erdhi. Doktorët u mrekulluan nga mënyra si i mposhti të gjitha gjasat, duke jetuar për plot një dekadë më shumë nga sa pritej. Nga fundi i asaj kohe, mikesha ime u rikthye në kishë, ku nuk kishte ardhur që kur kishte qenë e vogël. Disa muaj pasi mori vendimin që të pagëzohej, kanceri u rikthye. Jezusi nuk e shëroi plotësisht në këtë botë, por Ai në mënyrë të mrekullueshme ia zgjati jetën aq sa ajo ta gjente rrugën e kthimit për tek Ai.

Ndonjëherë na duket mister se përse Perëndia zgjedh të kurojë disa sëmundje dhe jo të tjerat. Kur Jezusi e dëgjoi fillimisht që miku i tij, Llazari, ishte sëmurë, pse qëndroi edhe dy ditë të tjera atje ku ishte? Marta e dinte – ajo i tha Jezusit: “po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur” (Gjoni 11:21). Por Jezusi kishte plane më të mëdha sesa thjesht ta kuronte sëmundjen e mikut të tij. Ai donte të tregonte, nëpërmjet ngritjes së Llazarit prej së vdekurish (vv. 43-44), që Vetë Ai është ringjallja dhe jeta: “Ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë” (v. 25).

Jo gjithmonë arrijmë t’i shohim njerëzit të shëruar nga sëmundjet e tyre, por mund të besojmë te fundi i vërtetë i historisë: Jezusi i ofron ringjallje dhe jetë të re kujtdo që vjen tek Ai. – Sarah Sanderson

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë të shërojë të sëmurët dhe t’u japë jetë atyre që nuk e njohin ende!

#Krishtlindje #Christmas #fjalëteshpresës #meditime

web-woh-11-dhjetor

Bariu i mirë

Loading poll …

Meditime 11 Dhjetor (Lexoni nga Gjoni 10:10-18)

Unë jam bariu i mirë. (v. 14)

Çdo vit, kisha jonë bën një skeç për Krishtlindje. Fëmijëve të bashkësisë u japim rolet e njohura të skenës së lindjes së Jezusit, nga dy vajza të vogla si engjëj, tek një treshe djemsh në fillore si dijetarët. Dhe çdo vit, ndoshta për shkak të kostumeve, disa fëmijë të sapongritur në këmbë i bëjmë si dele. Fëmijët më të rritur bëjnë prova se ku do qëndrojnë dhe çfarë do thonë, por delet thjesht vijnë rrotull. Ndonjëherë ata fëmijë 2 a 3-vjeçarë rrokullisen ngado nëpër skenë. Kushdo që ka rolin e bariut, ka punë të vërtetë për të bërë, ruan ku shkojnë delet tona.

Edhe Jezusi ka një punë shumë të madhe për të bërë kur ka rolin e bariut tonë. Dhe Ai nuk është nga ata barinj që u thotë deleve të Veta ku të shkojnë. Jezusi është “bariu i mirë” që në të vërtetë “jep jetën e vet për delet” (Gjoni 10:11). Cili bari do të vinte jetët e deleve të veta mbi jetën e tij? Vetëm Jezusi. Sa thellësisht na do Bariu i Mirë i shpirtrave tanë!

E dini që Bariu i Mirë ju ka shpallur të Tijët dhe ju ka dashur? Që Jezusi kënaqet në ju po aq sa edhe prindërit e atij vogëlushit me kostum deleje kur e shohin fëmijën e tyre në skenë gjatë skeçit të Krishtlindjes? Që Jezusi është bari aq i mirë, sa e çmon jetën tuaj më shumë se të Vetën? Tani kaloni një çast që ta pranoni lajmin e mirë që Jezusi kujdeset për ju. – Sarah Sanderson

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju tregojë sa shumë kënaqet në ju!

#Krishtlindje #Christmas #fjalëteshpresës #meditime