web-dita-59-woha

Të vënë mënjanë

Loading poll …

Dita 59 | Lexoni nga Gjoni 17:13-19

“Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta. Sikurse ti më ke dërguar mua në botë, po ashtu unë i kam dërguar ata në botë.” (v. 17-18)

Ç’privilegj ta dëgjosh këtë bisedë hyjnore te Gjoni 17, e vetmja e llojit të saj në Shkrim. Jezusi i kërkon Atit që dishepujt e Tij të kenë gëzim (v. 13), të vërtetën e fjalës së Tij (v. 14), mbrojtje (v. 15) dhe shenjtërim (v. 17). Fjala greke për “shenjtëroj” është hagiaz?, që nënkupton disa gjëra: “të ndash, të shenjtërosh, të nderosh si të shenjtë, të pastrosh apo të vësh mënjanë”. Ne jemi dërguar në botë me Fjalën e Perëndisë si e vërteta që na drejton. Ndiejmë përulje dhe nderim kur luten për ne në këtë mënyrë.

Frazat që më kumbojnë në kokë ndërsa e lexoj këtë lutje është “në botë” (v. 11), por “nuk janë nga bota” (v. 14-16). Mënyra si jetojmë mes qytetarëve të tjerë të komuniteteve, kishave dhe familjeve tona duhet të shfaqë disa përparësi. A është shqetësimi ynë kryesor që Perëndia të përlëvdohet mbi çdo gjë? Jezusi e bëri këtë duke iu bindur Atit. A e kemi fokusin mbi mirëqenien e besimtarëve të tjerë? Jezusi bëri një shërbesë plot dhembshuri dhe dashuri. A jemi të shqetësuar ne për nevojat e botës? Misioni i Jezusit ishte ta rikthente njerëzimin tek një marrëdhënie e drejtë me Perëndinë dhe Ai na dërgon ne në botë për të bërë të njëjtën gjë. Është një nder i shenjtë dhe përulës që të të dallojnë, por kjo është me qëllimin për të shërbyer dhe për të dhënë dashuri me aq altruizëm sa Jezusi. – Denise Vredevoogd

Ndërsa luteni, kërkojini Jezusit t’ju ndihmojë të jetoni si një i vetëm, të ndarë mënjanë nga bota që t’u shërbeni atyre në botë!

#fjalëteshpresës #meditime #biblestudy #dita59

WhatsApp Image 2025-02-27 at 09.01.13_237c9d12

Të jenë një

Loading poll …

Dita 58 | Lexoni nga Gjoni 17:6-12

“O Atë i shenjtë, i ruaj ata në emrin tënd, ata që më ke dhënë, që të jenë një sikurse ne!” (v. 11)

Ubuntu është një koncept tradicional afrikan që vjen nga gjuhët zulu dhe khosa. Të përkthyera afërsisht si “njerëzillëk ndaj të tjerëve”, vlerat etike të ubuntus përfshijnë “respektin për të tjerët, ndihmën, komunitetin, ndarjen, përkujdesjen, besimin dhe altruizmin” (NewWorld Ecyclopedia). Kjo ide nga një kulturë tjetër thekson një koncept që duhet t’u duket i njohur edhe besimtarëve. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe gjejmë përmbushje te marrëdhëniet, si me Perëndinë, edhe me besimtarët e tjerë, ashtu si ndodhi me dishepujt. Të kesh unitet nën emrin e Krishtit ka fuqi dhe në pasazhin e sotëm, Jezus Krishti i kërkoi Atit të na mbronte ne nën emrin e Tij të fuqishëm. Predikuesi 4:12 na thotë: “Një litar tresh nuk këputet aq shpejt”. Perëndia Trinitet është një shembull i shkëlqyer i fuqisë në unitet.

Jezusi i kërkon Atit të Tij që t’i mbrojë dishepujt që edhe ata të kenë unitet. Dymbëdhjetë dishepujt ishin njerëz të zakonshëm, me një larmi të gjerë të shkuarash, aftësish dhe personalitete tejet të ndryshme dhe konfrontuese. Vetëm nëpërmjet fuqisë hyjnore mund të shërbenin si një trup i vetëm. Kjo është një nga arsyet pse erdhi Jezusi, për t’i bashkuar njerëzit, për të na nxitur që të kemi unitet me Atin, Birin dhe Frymën si shembulli ynë. Në botën tonë të rrënuar, ne kemi nevojë për fuqinë dhe mbrojtjen e Perëndisë ndërsa zbulojmë se si të “jemi një (sikurse ata) (Gjoni 17:11). – Denise Vredevoogd

Ndërsa luteni, kërkojini Atit, nëpërmjet Birit, që t’ju japë fuqinë e Frymës ndërsa kërkoni unitet me besimtarët e tjerë!

#fjalëteshpresës#meditime#biblestudy#dita58

web-dita-57-woha

Lavdi përjetë

Loading poll …

Dita 57 | Lexoni nga Gjoni 17:1-5

“O Atë, ora ka ardhur, përlëvdo Birin tënd, që edhe Biri yt të të përlëvdojë.” (v. 1)

Fjalët lavdi dhe përlëvdoj (ose përlëvduar) shfaqen pesë herë në këto pesë vargje. Këta terma nuk janë të përdorshëm në gjuhën tonë të përditshme, por përdoren përgjithësisht në kisha ose në kontekst adhurimi. Ç’do të thotë të jesh i përlëvduar?

Pasi pashë disa fjalorë, dola në përfundimin që të përlëvdosh do të thotë ta lartësosh, ta zmadhosh, t’i japësh nder dhe domethënie diçkaje. Fotografëve u pëlqen t’u bëjnë foto gjetheve apo petaleve të luleve kur iu bie dielli. Kur vezullojnë me një rrezatim jo të tyrin; bukuria e tyre zmadhohet. Duke bërë atë që i kërkoi Ati gjatë kohës që jetoi në tokë, Jezusi, Biri, e nderoi Atë ose i solli lavdi. Të kuptuarit tonë për Perëndinë zmadhohet dhe lartësohet duke vëzhguar jetën e Jezusit. Dhe tani Jezusi kërkon që edhe Ai të përlëvdohet, duke e ditur se pas vdekjes do të vijë shkëlqimi i ringjalljes që do ta rikthejë Atë në vendin që i takon me të drejtë, atje ku ishte “para themelimit të botës” (v. 24).

Më vonë, Jezusi lutet për të gjithë besimtarët: “Dhe unë u kam dhënë lavdinë që më ke dhënë, që ata të jenë një, ashtu si ne jemi një” (v. 22). A na përfshin edhe ne ky procesi i mistershëm i përlëvdimit? Jezusi u lut që edhe ne të mund të kemi një, për shkak të lavdisë që na jep Ai. Dhe nëse e nderojmë dhe e lartësojmë njëri-tjetrin, ashtu si bën Ati dhe Biri, edhe kjo do t’u sjellë lavdi Atyre. – Denise Vredevoogd

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju tregojë si mund ta përlëvdoni sot!

#fjalëteshpresës #meditime #biblestudy #dita57

web-dita-56-woha

Të fitosh me paqe

Loading poll …

Dita 56 | Lexoni nga Gjoni 16:25-33

“Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!” (v. 33)

Është e lehtë të përqëndrohesh te problemet në botë, në komunitetet tona, në kishat tona, madje, edhe brenda familjeve tona. Shumë gjëra na ndajnë, sidomos dallimet në besim dhe praktika fetare. Trazirat, përçmimi dhe hidhërimi që vijnë janë shqetësuese dhe nuk sjellin aspak paqe. Mund të na kapë ankthi dhe mund të lodhemi me shqetësimet që dëshmojmë dhe përjetojmë.

Jezusi na tha që t’i presim këto gjëra dhe pastaj kthehet dhe lutet: për Veten, për dishepujt e Tij dhe pastaj për të gjithë besimtarët. Një lutje të ngjashme e gjejmë te Mateu 11:25-26, pasuar nga inkurajimi i Jezusit: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. … sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj” (Mateu 11:28-29).

Po, mund të presim ballafaqime, zhgënjime, mosmarrëveshje, por Jezusi na kërkon të shikojmë drejtpërdrejt tek Ai, te zemërbutësia dhe përulësia e Tij dhe te zemra e Tij për botën. Ai flijoi Veten në vendin tonë, pastaj e mundi mëkatin, vdekjen dhe telashet e botës, që edhe ne të mund të shpallim fitoren. Trazirat e brendshme fashiten kur ne shikojmë drejt Tij dhe jetoi dhe lutemi ashtu si Ai.

“Kthejini sytë nga Jezusi, shikoni ngultazi në fytyrën e Tij të mrekullueshme; dhe gjërat e botës do të veniten çuditërisht në dritën e lavdisë dhe hirit të Tij” (Helen Lemmel). – Denisë Vredevoogd

Ndërsa luteni, kërkoni të mbusheni me paqen që tejkalon çdo urtësi, që vetëm Jezusi mund ta japë!

#fjalëteshpresës #meditime #biblestudy #dita56

web-dita-55-woha

Nga pikëllimi në gëzim

Loading poll …

Dita 55 | Lexoni nga: Gjoni 16:20-24

“Kështu edhe ju tani jeni në dhembje, por unë do t’ju shoh përsëri dhe zemra juaj do të gëzohet, dhe askush nuk do t’ua heqë gëzimin tuaj.” (v. 22)

Kur Jezusi përdori shembullin e një gruaje që lind, ai vuri në dukje një ngjarje që është sa e zakonshme, aq edhe e jashtëzakonshme. Të gjithë ne e nisëm jetën në të njëjtën mënyrë. Të gjithë kanë një ditëlindje, një lidhje e përbashkët për njerëzimin. Nënat përjetojnë dhimbjet e lindjes, diçka që rezulton në jetë të re, që sjell shumë gëzim.

Të gjithë njerëzit përjetojnë gjuhën e dhimbjes, vuajtjes dhe pikëllimit, por Psalmi 30:5 na thotë: “Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi”. Tek ungjilli sipas Gjonit, si në çdo vend tjetër në Dhjatën e Re, fjala greke e përkthyer si “gëzim” është chara, që është e lidhur me charis, që do të thotë “hir”. Ndjenjat kanë ulje-ngritjet e tyre, por ky gëzimi që Jezusi thotë se na përket neve, është një dhuratë e hirit. Daniel Denk-u, në një artikull të titulluar “Jesus Came to Bring Joy” (Jezusi erdhi për të sjellë gëzim), shkruan: “Gëzimi… është një prirje e qëndrueshme për jetën. Ne mund të themi se gëzimi është një këndvështrim plot shpresë dhe i paqtë mbi jetën, një ndjesi mirëqenieje i rrënjosur thellë” (The Banner, maj 2023). Nuk varet nga rrethanat. Jezusi dinte atë që dishepujt nuk e dinin, që, pavarësisht (madje, për çudi, edhe falë) kryqëzimit dhe vdekjes së Tij të afërt, ata përsëri do të kishin arsye të ngazëlleheshin.

Disa vite më parë, zgjodha ta personalizoja targën e makinës, duke e bërë të lehtë për ta kujtuar dhe gjetur në një parking: GËZIM 365. Më kujton se çdo ditë, pavarësisht asaj që ndodh, mund të kërkoj dhe përjetoj gëzimin që premtoi Jezusi. – Denise Vredevoogd

Ndërsa luteni, kërkojini Jezusit t’ju ndihmojë ta përjetoni gëzimin që erdhi të sillte!

#fjalëteshpresës #meditime #biblestudy #dita55

web-dita-54-woha

Të presësh për të vërtetën

Loading poll …

Dita 54 | Lexoni nga: Gjoni 16:12-19

“Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë.” (v. 13)

Fjalët e Shkrimit shpesh duken të veshura në mister. Jezusi e pranoi një sens dykuptimësie kur u tha dishepujve: “Kam edhe shumë gjëra për t’ju thënë, por ato ende ju nuk mund t’i mbani” (v. 12).

Ashtu si në rastin e dishepujve, janë disa gjëra që do t’i zbulojmë hap pas hapi. Ne duhet ta pranojmë me përulësi që nuk i dimë të gjitha dhe që asnjë njeri, asnjë drejtues, asnjë kishë apo denominacion nuk i ka të gjitha përgjigjet. Ka shumë pyetje pa përgjigje. Pse ndodhin gjërat e këqija? Si do jenë kohët e fundit? Si do të jetë Parajsa?

Dishepujt ishin tejet të pështjelluar kur Jezusi tha: “Pas pak nuk do të më shihni më; e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni” (v. 16). Pritja është e vështirë. Po kështu edhe ndjesia e paqartësisë apo dykuptimësisë. Nëse ju është dashur ndonjëherë të prisni një diagnozë mjekësore, një njeri të dashur që të kthehet në shtëpi, një vend pune që të hapet për ju, një lajm për thuajse çdo gjë, e dini sa e vështirë është të përballesh me të panjohurën. Ne mund të kapemi vetëm pas premtimit që bën Jezusi kur thotë: “Fryma e së vërtetës, ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë” (v. 13). Dishepujt nuk e dinin ç‘do të ndodhte dhe shumë shpesh as ne nuk e dimë. Shumë detaje janë të panjohura, por e vërteta mbetet: Fryma është me ne dhe në fund do ta shikojmë Jezusin. – Denise Vredevoogd

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju ndihmojë që të prisni me durim që të shfaqet e vërteta!

#fjalëteshpresës #meditime #biblestudy #dita54

web-dita-53-woha

Jini të përgatitur

Loading poll …

Dita 53 | Lexoni nga: Gjoni 16:1-11

“Madje, po vjen ora kur, kushdo që t’ju vrasë, do të mendojë se i ka kryer një shërbim Perëndisë. Dhe do t’jua bëjnë këto gjëra, sepse nuk kanë njohur as Atin, as mua.” (v.2-3)

Ky kapitull nis me paralajmërimet e forta të Jezusit për përndjekjen e afërt. Përgjatë historisë, shumë padrejtësi të tmerrshme janë bërë ndaj besimtarëve në Jezusin, për shkak të supozimit të rrezikshëm nga shkelësit se po i “kryenin një shërbim Perëndisë” (v. 2).Me raste, njerëzit kanë deklaruar edhe se po vepronin bazuar në parime “të krishtera”, por veprimet e tyre bien ndesh me urdhërimet e Perëndisë. Siç e thotë Jezusi, problemi është që ata nuk e njohin as Atin, as Vetë Atë.

Sauli (më vonë i njohur si Pali) ishte i bindur që kapja dhe vrasja e ndjekësve të Jezusit ishte gjëja e duhur për t’u bërë, por nëpërmjet bindjes së tij dramatike nga ana e Frymës për shkeljet e bëra, ai “e pa dritën” me të vërtetë (lexoni Veprat 7-9). Një takim personal e ndryshoi drejtimin e jetës së tij. Në vend që të arrestonte ndjekësit e Jezusit, ai u bë shënjestra e përndjekjes.

Jezusi i paralajmëroi dishepujt e Tij, sepse Ai nuk do që ata të devijojnë dhe u premton që Fryma e Shenjtë do të vijë për t’i drejtuar dhe për t’i bindur. Fryma na drejton në dritë dhe të vërtetë nëse e hapim me përulësi zemrën për Të. Një marrëdhënie dhe dëshirë personale për ta njohur me të vërtetë Atin dhe Birin do të na përgatisë për ta duruar përndjekjen, si edhe nuk do të lejojë që të jemi ne ata që përndjekin. – Denise Vredevoogd

Ndërsa luteni, kërkojini Frymës së Shenjtë t’ju bindë për të vërtetën dhe t’ju përgatisë të duroni!

#fjalëteshpresës #meditime #biblestudy #dita53

web-dita-52-woha

Kjo është një sprovë

Loading poll …

Dita 52 | Lexoni nga: Gjoni 15:18-27

“Por kur të vijë Ngushëlluesi,… ai do të dëshmojë për mua. Edhe ju, gjithashtu, do të dëshmoni, sepse ishit me mua që nga fillimi.” (v. 26-27)

Mua nuk më pëlqen të më sprovojnë, të detyrohem të vërtetoj njohuritë që kam apo të tregoj prova për gjërat që besoj, por shumë prej nesh kanë përjetuar raste kur na është dashur ta mbrojmë veten apo të ngrihemi për atë që e besojmë si të vërtetë.

Nëse lexojmë pasazhin e sotëm në versione të ndryshme të Biblës, hasim disa koncepte ligjore: dëshmoj, dëshmitar, Ngushëllues. Kur Jezusi u dha udhëzime të çastit të fundit dishepujve, Ai u tha që ata “do të dëshmonin” (v. 27), se ata kishin njohuri të drejtpërdrejta të jetës së Jezusit. Ata i panë mrekullitë dhe bashkëveprimet e Tij me njerëzit. Ata ishin dëshmitarë kur Ai tregonte dashuri, kur tregohej i hirshëm, kur falte mëkatet, kur shëronte sëmundjet, kur ringjallte të vdekurit, kur mësonte turmat. Ai u kërkoi dishepujve ta ndanin të vërtetën për Të dhe të tregonin atë që kishin parë dhe përjetuar. Po kështu, edhe ne duhet ta ndajmë të vërtetën për Jezusin dhe përvojat tona me Të. Ngushëlluesi (avokati, avokati mbrojtës, gjykatësi) që dërgoi Jezusi, Fryma e Shenjtë, do të na ndihmojë.

Ku e gjejmë ne fuqinë për t’u ngritur për gjërat që besojmë? Fatmirësisht, ne nuk kemi pse të dëshmojmë me forcën tonë. Fryma e së vërtetës, që vjen nga Ati, banon në ne për të na ndihmuar të shohim dhe të kuptojmë atë që është e vërtetë. Unë nuk i ndaj aq sa duhet ato që besoj apo nuk i tregoj aq sa duhet provat për besimin tim. A është kjo diçka që edhe ju duhet ta bëni më shpesh? Si mund të jenë dëshmi jetët tona dhe t’i drejtojnë të tjerët te Jezusi? – Denise Vredevoogd

Ndërsa luteni, kërkoni që Fryma e së vërtetës t’ju ndihmojë të dëshmoni për Jezusin!

#fjalëteshpresës #meditime #biblestudy #dita52

web-dita-51-woha

Plot me gëzim

Loading poll …

Dita 51 | Lexoni nga: Gjoni 15:9-17

“Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.” (v. 11)

E dini këtë përshkrim të gëzimit? Jezusi i pari, të tjerët të dytët, ju vetë në fund? Nuk duket realiste që të gjesh gëzim duke e lënë veten të fundit, por jeta për të cilën na thërret Perëndia, shpeshherë duket sikur shkon përmbys dhe mbrapsht. Jezusi e tregoi këtë duke e vënë Veten të fundit kur i lau këmbët dishepujve, kur iu nënshtrua talljeve dhe përçmimit dhe kur dha jetën e Tij. Një jetë me gëzim përfshin vetëflijim.

Te The Book of Joy (Libri i Gëzimit), kryepeshkopi Desmond Tutu thotë: “Zbulimi i më shumë gëzimi, më vjen keq që po e them, nuk na shpëton nga pashmangshmëria e vuajtjeve dhe zemërlëndimeve… Megjithatë, ndërsa zbulojmë më shumë gëzim, mund ta përballojmë vuajtjen në një mënyrë që na fisnikëron dhe nuk na hidhëron. Kalojmë vuajtje pa e ngurtësuar zemrën. Kalojmë zemërlëndime pa u thyer.”

Jezusi e pasoi premtimin e Tij për plotësinë e gëzimit duke i urdhëruar dishepujt e Tij ta donin njëri-tjetrin ashtu si Ai i ka dashur ata (Gjoni 15:12). Dashuria dhe gëzimi duket se ecin krah për krah. Perëndia na do, ne nga ana jonë duam të tjerët dhe pastaj përjetojmë gëzim. Kur e shikojmë atë që Perëndia ka bërë nëpërmjet Jezusit, e gjejmë atë burim gëzimi: “Por të drejtët do të gëzohen, do të ngazëllohen përpara Perëndisë dhe do të galdojnë me këngë gëzimi” (Psalmi 68:3). Nëse nuk po ndieni gëzim, shikoni shembullin e Jezusit, mendoni si t’i doni dhe t’u shërbeni të tjerëve dhe lëreni gëzimin e Zotit të mbushë zemrën tuaj! – Denise Vredevoogd

Ndërsa luteni, kërkojini Jezusit ta mbushë jetën tuaj me gëzimin e Tij të thellë dhe të qëndrueshëm!

#fjalëteshpresës#meditime#biblestudy#dita51

web-dita-50-woha

Të krasitur për të prodhuar

Loading poll …

Dita 50 | Lexoni nga: Gjoni 15:1-8

“…çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt. (v. 2)

E kam të vështirë të pres një degë të shëndetshme dhe të gjelbër nga një bimë ose një shkurre. Por ndonjëherë e kuptoj që kjo është gjëja më e mirë që mund të bëj për shëndetin e bimës. Kërkon besim nga kopshtari që të marrë gërshërët e krasitjes dhe të besojë që heqja e një pjese do të inkurajojë daljen e degëve të tjera, duke sjellë kështu më shumë rritje që do të prodhojë lule apo fruta më të mira.

Gjatë jetës së Tij, Jezusi me siguri e ka vëzhguar Vetë këtë proces, duke vënë re që edhe hardhitë e gjelbra dhe të lulëzuara, duhet të durojnë dhimbjen e përkohshme të prerjes dhe heqjes për t’i lënë vend rritjes. Dishepujt që janë të lidhur me Jezusin, edhe ndjekësit e bindur dhe të dashur, duhet të përjetojnë humbje, pikëllim, apo ndarje. Edhe nëse besojmë se gjithçka shkon mirë në jetën tonë shpirtërore, si besimtarë që duan të rriten në besim, duhet që me përulësi të pranojmë që mund të ketë ide, mendime, qëndrime dhe sjellje që duhet të hiqen për t’i lënë vend më shumë rritjes shpirtërore.

Galatasve 5:22-23 na thotë se “fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli.” Një besim që rritet duhet të kontrollohet dhe krasitet, në mënyrë që të bëhet më i thellë, por edhe më frytdhënës e i mbushur me Frymën. A do të donit më shumë nga frytet e Frymës në jetën tuaj? A ju pengojnë në rritjen tuaj zemërimi, padurimi, ankesat, keqdashja? Çfarë duhet të hiqet nga jeta juaj, që ju të rriteni më shumë në ngjashmëri me Krishtin? — Denise Vredevoogd

Ndërsa luteni, me përulësi kërkojini Perëndisë për krasitjen që keni nevojë për të dhënë më shumë fryte për lavdinë e Tij.

#fjalëteshpresës#meditime#biblestudy#dita50