web-dita-90-woha

Një bashkësi e gjallë

Dita 90 | Lexoni nga Efesianëve 2:11-22

Në të cilin edhe ju jeni bashkëndërtuar për të qenë një banesë e Perëndisë në Frymë. (v. 22)

Karola po bënte pazarin për Ditën e Falënderimeve, duke e pritur me gëzim që në qytet do t’i vinin fëmijët dhe nipat. Për pak ditë, shtëpia e saj zakonisht e qetë do të kthehej në një vend të mrekullueshëm me shumë njerëz dhe shumë lëvizje. Pastaj mendja i shkoi te Sheroni, një mama beqare që kishte filluar të vinte në kishë dhe po haste vështirësi të ruante punën, ndërsa po punonte shumë për ta kthyer jetën e saj në rrugën e duhur. Në bisedën e fundit që bënë, Karola kishte mësuar që Sheroni po planifikonte ta kalonte Ditën e Falënderimeve me dy djemtë e saj si vullnetare në një strehë lokale për të pastrehët, duke iu ofruar ushqim familjeve në nevojë.

Karola ndjeu një shtysë të heshtur për ta marrë në konsideratë Sheronin. Ajo vendosi që bashkë me familjen e saj, ajo mund të ndante me familjen e Sheronit. Çfarëdo që bleu për familjen e vet, bleu edhe për Sheronin. Zemra e Karolës u mbush me pritshmëri të gëzueshme për dhuratën dhe Sheroni u bekua dyfish, u shërbeu të tjerëve dhe të tjerët i shërbyen asaj.

Në pasazhin e sotëm, Pali thotë se besimtarët janë trupi i gjallë i Krishtit, të mbushur me Frymën e Shenjtë. Ne po ndërtohemi në dashuri, po bashkohemi, po rritemi në një bashkësi të shenjtë (v. 19). Jezusi ka rrëzuar çdo barrierë: mes të pasurve e të varfërve, mes burrave e grave, mes të moshuarve dhe të rinjve e kështu me radhë. Vetë prania e Perëndisë në ne po na ndërton në një tempull të shenjtë që e nderon Atë. Dëgjimi dhe ndjekja e Frymës së Perëndisë është një pjesë kyçe e atij procesi. Rezultati është t’i shërbejmë njëri-tjetrit në dashuri. – Bonnie Nicholas

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë çiltërsi për shtytjet e Frymës së Shenjtë për të ndërtuar bashkësi dhe për të bekuar të tjerët!

#fjalëteshpresës #meditime #biblestudy #dita90

web-dita-89-woha

Një bashkësi e falur

Loading poll …

Dita 89 | Lexoni nga Kolosianëve 3:8-17

Sikurse Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju. (v. 13)

Një kishë kryesisht me të bardhë në Tenesi punësoi një pastor të ri kryesor, i cili ishte i ri dhe me ngjyrë. Pas shërbesës së tij të parë mbi Efesianëve 3, ku e nxiti bashkësinë ta donin njëri-tjetrin dhe të falnin gabimet e kaluara, një i moshuar me ngjyrë kërkoi një takim me të. Ai i tregoi pastorit një histori të tmerrshme për faktin si kishte vuajtur nga të krishterët e bardhë. Pastori e besonte me gjithë zemër atë që kishte predikuar, por kjo bisedë e ndihmoi të kuptonte që ai kishte shpërfillur të merrte në konsideratë kontekstin më të madh.

Padrejtësitë e përditshme, të bëra joqëllimisht në çdo marrëdhënie, mund të falen me lehtësi. Padrejtësitë më të thella kërkojnë shumë kohë. Këto padrejtësi mund të duken të pafalshme, megjithatë, ne përsëri na bëhet thirrje që të falim, ashtu si na falën neve (v. 13). Madje, na qortojnë që të pajtohemi me njëri-tjetrin para se të shkojmë para Perëndisë në adhurim (Mat. 5:23-24). Kjo nuk do të thotë të shpërfillim mëkatin apo abuzimin; dëgjimi me përulje dhe llogaridhënia duhet të jenë pjesë e procesit të faljes, por është mirë të kujtojmë që falja është e mundur me Perëndinë, me qëllim, përpjekje, kohë dhe fuqinë e Frymës së Shenjtë brenda nesh – dhe, ndonjëherë, edhe me ndihmën e profesionistëve. Ndërsa i pranojmë dhe i rrëfejmë mëkatet tona, po ashtu edhe mëkatet që të tjerët kanë bërë ndaj nesh, para Perëndisë në lutje, kapaciteti ynë për falje do të rritet. Imagjinoni dëshminë për botën nëse ne do mund të jetonim si njerëz të falur dhe falës në këtë botë lëndimesh. – Bonnie Nicholas

Ndërsa luteni, shqyrtojini marrëdhëniet tuaja dhe kërkojini Perëndisë t’jua hapë zemrën për veprën e Tij shëruese për të falur!

#fjalëteshpresës #meditime #biblestudy #dita89

web-dita-88-woha

Një bashkësi e larmishme

Dita 88 | Lexoni nga 1 e Korintasve 12:12-27

Sepse ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e të njëjtit trup, megjithëse janë shumë, formojnë një trup të vetëm, kështu është edhe Krishti. (1 e Kor. 12:12)

Mpirja dhe shpimet te këmbët ma vështirësonin shumë ecjen. Në të shkuarën më pëlqente të ngjitesha në mal. Tani, mbahesha fort pas parmakut të shkallëve që të mos e humbisja ekuilibrin. Problemi ishte një nerv i shtypur në shtyllën kurrizore. Operacioni i stabilizoi nervat dhe më dha më shumë lëvizshmëri, por ai një nerv i vogël bëri një diferencë shumë të madhe në gjithë trupin tim. Ne jemi “krijuar në mënyrë të mrekulluar” (Psa. 139:14).

Në trupin e Krishtit ka shumë njerëz të ndryshëm dhe secili prej tyre luan një rol. Gjithsecili nga ne është krijuar në mënyrë unike dhe nuk mund të luajmë të gjithë të njëjtin rol. Gjithsecili nga ne është i nevojshëm që trupi të funksionojë si një i plotë, duke punuar bashkë ashtu si na ka projektuar Krijuesi ynë. Kur njëra gjymtyrë është e lënduar, preken i gjithë trupi në mënyra që ne as fillojmë t’i kuptojmë dot. Një njeri nuk mund t’i thotë tjetrit: “Nuk kemi nevojë për ty.” Ne jemi një me gjithë këto gjymtyrë, gjithë këta njerëz, një trup në Krishtin. Si rrjedhojë, ne duhet të përkujdesemi për gjithësecilin, përfshi edhe veten.

Nuk do ta marr kurrë më si të mirëqenë nervin në shtyllën kurrizore, por e di që mund të jetë e lehtë ta shpërfillim njëri-tjetrin në trupin e Krishtit. Si mund të duket dhe të funksionojë ndryshe një kishë nëse ne, si gjymtyrë të ndryshme të saj, do ta nderonim dhe do të përkujdeseshim për njëri-tjetrin për hir të trupit të tërë? – Bonnie Nicholas

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju tregojë gjymtyrët e shpërfilluara të trupit të Tij që kanë nevojë për përkujdesje dhe vëmendje!

#fjalëteshpresës #meditime #biblestudy #dita88

web-dita-87-woha

Një bashkësi e thirrur

Loading poll …

Dita 87 | Lexoni nga Zanafilla 12:1-3; Zbulesa 21-1-7

Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim. (Zanafilla 12:2)

U mblodhëm në një rreth në kishën time të vogël dhe ju përgjigjëm pyetjes: “Çfarë ju solli në këtë kishë dhe pse doni të qëndroni këtu?” Përgjigjet përfshinin: “Kjo është e vetmja kishë ku jam ndier i mirëpritur”, “Kjo kishë është si familja ime” dhe “Nuk do ta kisha kaluar kurrë rehabilitimin pa këtë kishë.” Të gjitha tregonin faktin që jemi të bekuar që jemi pjesë e kësaj kishe. Plus kësaj, jemi një bekim për të tjerët, si familjet që përdorin depon e ushqimit.

Plani i Perëndisë, gjatë gjithë kohës, që nga Zanafilla te Zbulesa, është të thërrasë një popull që mban emrin e tij, që është i bekuar nga Perëndia dhe që, së bashku, nëpërmjet Frymës, tregojnë vetë praninë e Perëndisë në botë. Shpeshherë në Bibël, fjala “ju” është në shumës; nusja ime thotë: “të gjithë ju”. Është më shumë se një grup individësh, është një popull bashkë, një bashkësi.

Nga fillimi i Biblës, te Zanafilla, Perëndia e thirri Abrahamin për t’u larguar nga shtëpia e tij dhe i premtoi që do të bëhej një komb i madh që do t’ia prezantonte Perëndinë botës (Zan. 12:1-3). Nga fundi, te Zbulesa, një zë i madh shpall: “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij” (Zbul. 21:3). Nga fillimi në fund, Bibla është e mbushur me temën e një populli të thirrur dhe të bekuar nga Perëndia për të qenë bekim. – Bonnie Nicholas

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë ta forcojë bashkësinë e kishës suaj që ta nderojë emrin e Tij, të jetë i bekuar për të qenë bekim!

#fjalëteshpresës #meditime #biblestudy #dita87

web-dita-86-woha

Një bashkësi e bekuar

Loading poll …

Dita 86 | Lexoni nga Efesianëve 1:3-14

I bekuar qoftë Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin. (v. 3)

Çdo muaj, kisha jonë organizon atë që ne e quajmë Festa e të Dielës së Katërt. Ne sjellim ushqim dhe hamë bashkë pas shërbesës së paradites. Më pëlqen që përgatis vetëm një gatim, por mund të ha një vakt të plotë. Për mua, kjo është një tablo se si funksionon kisha. Të gjithë ne sjellim dhuntitë tona të ndryshme dhe Zoti i bën bashkë që të ushqejë popullin e Tij.

Në kishën tonë të vogël mund të jetë e lehtë të përqendrohemi në gjërat që s’i kemi, që i kanë kishat e mëdha. Por, sa i përket botës shpirtërore, jemi “të bekuar…me çdo bekim frymëror” (v. 3), gjithçka për të cilën kemi nevojë. Jo shumë njerëz në këtë kishë kanë shkollim të lartë, janë të pasur apo njerëz me ndikim. Megjithatë, secili nga ne sjell dhuntinë që na ka dhënë Perëndia: dhembshuri, muzikë, lutje, mësimdhënie, zeje, gatim, pastrim, kopshtari dhe shumë të tjera. Dhuntitë tona bëhen të gjitha bashkë për të ushqyer këtë pjesë të vogël të trupit të Krishtit.

Kultura jonë shpeshherë na mëson të përqendrohemi te gjërat që na mungojnë, të duam gjithnjë e më shumë. Me Perëndinë ka bekime të bollshme, të mjaftueshme për të gjithë. Në vend që të përqendrohemi te gjërat që na mungojnë, është mirë të përllogaritim ato që na kanë dhënë dhe si t’i përdorim ato dhunti. Mund të tregohemi përherë bujarë me gjërat që kemi dhe të marrim zemër në përdorimin e dhuntive tona, se e dimë që kemi gjithçka që na nevojitet vërtet me Perëndinë, dhënësin e gjithë dhuntive të mira. – Bonnie Nicholas

Ndërsa luteni, falënderojeni Perëndinë për bekimet e tij shpirtërore dhe kërkojini si mund t’i përdorni ato për t’u shërbyer të tjerëve!

#fjalëteshpresës #meditime #biblestudy #dita86

web-dita-85-woha

Një bashkësi e dashur

Loading poll …

Dita 85 | Lexoni nga Romakëve 8:26-39

Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta,… as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë. (v. 38-39)

Iu ula pranë me një pecete në dorë që ajo të thante lotët. Të tjerët ishin larguar pa zhurmë nga shërbesa e Të Premtes së Mirë, siç u kishin thënë. Ajo qëndroi e po qante për vuajtjet e Jezusit në kryq, vuajtje që Ai duroi në vend të saj (edhe në vendin tim, edhe tuajin). Unë ndava me të që Jezusi vuajti aq shumë, sepse Ai do shumë. 1 e Gjonit 3:1 na thotë: “Shikoni ç‘dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë.” Ju jeni bir i Perëndisë, gjithmonë e në jetë të jetëve.

Ne mund të dëgjojmë mesazhe të tjera se kush jemi, megjithatë, thelbi i identitetit tonë është e vërteta që ne jemi bijtë e dashur të Perëndisë, që na do më shumë nga sa mund ta imagjinojmë, pavarësisht sa vlejmë. Ndjenja e fajit, turpi dhe krenaria mund të ndikojnë te sensi ynë për veten dhe të prekin marrëdhëniet tona, me Perëndinë dhe me të tjerët. Të kuptuarit themelor të dashurisë së Perëndisë për ne dhe për këdo tjetër, mund të sigurojë një themel të fortë ku të mund të qëndrojmë.

Tek Efesianëve 5:1-2 na thuhet: “Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur, edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë.” S’do të ishte bukur nëse njerëzit do hynin në kishat tona dhe të ndihen të pranuar dhe të dashur si në këtë rast? Kjo është thirrja jonë, të duam ashtu si na duan. – Bonnie Nicholas

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju ndihmojë ta përqafoni identitetin tuaj të vërtetë si bir i dashur i Perëndisë!

#fjalëteshpresës #meditime #biblestudy #dita85

web-dita-84-woha

Krijuar për bashkësi

Loading poll …

Dita 84 | Lexoni nga Zanafilla 1:26-2:3

Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën. (v. 27)

fillim të pranverës, para se gjethet të dalin nëpër pemë, pylli rreth shtëpisë sime mbushet me lule të egra jetëshkurtra. Të ndërlikuara e të vogla, të brishta, por aq të forta sa të mbajnë kokën lart, që lulëzojnë në dëborën e fundprillit. Varen nga shumë gjëra për lulëzim: nga bletët, toka, milingonat, nga shirat, nga dielli dhe nga bimët e tjera. Tek ato shikoj një shembull të bashkësisë. Secila prej tyre shumë e çmuar dhe tejet unike. Secila varet nga shumë faktorë për të lulëzuar.

Mbase s’e dimë ç‘do të thotë të krijohesh sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, por dimë që natyra e Tij ekziston në një marrëdhënie, tre persona: Ati, Biri e Fryma e Shenjtë, që e nderojnë njëri-tjetrin në unitet të përsosur. Të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij, ne duhet të lulëzojmë në marrëdhënie të ngjashme. Por, ndryshe nga krijimi që Ai e shpalli “shumë mirë” (Zan. 1:31), Ai thotë: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t’i bëj një ndihmë që i leverdis” (2:18).

Kultura jonë e kthen individin në idhull. Megjithatë, vlera kritike e marrëdhënieve kuptimplota për shëndet dhe mirëqenie vazhdon të mirëdokumentohet. Shkencat natyrore vazhdojnë ta përkufizojnë botën fizike në termat e marrëdhënieve të ndërvarura. Ka kuptim, të gjitha gjërat vijnë nga Krijuesi ynë, Perëndia, i cili banon në marrëdhënie dhe na bën thirrje të bëjmë të njëjtën gjë. Gjeni pak kohë sot për të listuar mënyrat si të ndërtoni dhe ushqeni marrëdhënie të forta me Perëndinë, me njëri-tjetrin dhe me botën. – Bonnie Nicholas

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju tregojë hapat e radhës për të ndërtuar, thelluar apo shëruar marrëdhëniet tuaja!

#fjalëteshpresës#meditime#biblestudy#dita84

web-woh-dita-83

Ai do të jetë drita jonë

Loading poll …

Dita 83 | Lexoni nga Zbulesa 22:5-16

Unë jam Rrënja dhe pasardhja e Davidit, ylli i shndritshëm i mëngjesit. (v. 16)

Në këtë seri devocionesh dhe gjatë gjithë historisë së Shkrimit, ne takojmë një Perëndi që flet në errësirën e natës. Ai krijoi yjet si simbole që shpallin besnikërinë e Tij. Ai i flet Jobit në errësirën e vuajtjes dhe bën besëlihdje me Abrahamin dhe Jakobin nën një qiell të mbushur me yje. Perëndia i premton sukses Jozefit nëpërmjet një ëndrre me yje, e mbush gojën e Davidit me lavdërime kozmike, bën me shenjë drejt yjeve si kujtesa të dashurisë së besëlidhjes së Tij për izraelitët në mërgim dhe ua shpall lindjen e Jezusit dijetarëve nëpërmjet një ylli në qiellin e natës.

I gjithë Shkrimi paralajmëron ardhjen e “yllit të ndritshëm të mëngjesit” (v. 16). Dhe ashtu si dijetarët e kontrollonin qiellin dhe prisnin lindjen e Krishtit, ne shikojmë dhe presim ardhjen e dytë të Jezusit. Libri i Zbulesës na thotë se një ditë nuk do të kemi më nevojë për diellin, hënën apo yjet: “ Dhe qyteti nuk ka nevojë për diell, as për hënë që të ndriçojnë në të, sepse lavdia e Perëndisë e ndriçon atë, dhe llamba e tij është Qengji” (Zbul. 21:23). Nuk ka rëndësi sa e errët është nata, ne mund të ngushëllohemi që Jezusi do të vijë sërish. Dhe ne do të banojmë me të përgjithmonë, në një mbretëri ku “ylli i shndritshëm i mëngjesit” është vetë drita jonë.

Derisa të vijë ajo ditë, merrni zemër! “Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi” (Gjoni 1:5). Ne duhet vetëm të ngremë sytë nga yjet dhe të kujtojmë. – Katelyn J. Dixon

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’jua mbushë zemrën me shpresën e qiejve!

#fjalëteshpresës #meditime #biblestudy #dita83

web-woh-dita-77

Besëlidhja yjore e përmbushur

Loading poll …

Dita 82 | Lexoni nga Mateu 2:1-12

Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar. (v. 2)

Udhëtimi më i gjatë që kam bërë në jetë ishte nga vendlindja ime në Siatëll, Uashington, në ishullin-komb të Filipineve. Ishte një udhëtim me besim të verbër. Shkova duke mos njohur njeri, duke mos e ditur kulturën apo gjuhën, duke besuar që Perëndia do më takonte gjatë udhëtimit të misionit. Dhe Ai pikërisht këtë bëri. Të panjohurit m’u bënë miq, e dëshmova dritën e Perëndisë të ndriçonte në vende të errëta shpirtërisht dhe u largova me një zemër të mbushur plot me lajme të mira për atë që kishte bërë Perëndia. E vërteta më e thellë dhe më e qëndrueshme që e mbaj ende me vete nga ai udhëtim, është kjo: drita e Perëndisë ndriçon më shumë në errësirë.

A është çudi që Perëndia e lajmëroi lindjen e Birit të Tij me një yll? Jo vetëm që një yll,simboli përfundimtar i besëlidhjes së Tij me izraelitët, u përmbush me lindjen e Krishtit, por përfaqësonte edhe misionin e Jezusit për të na shpëtuar nga mbretëria e errësirës e për të na sjellë në mbretërinë e dritës. Jezusi, i Cili një ditë do shpallte “Unë jam drita e botës” (Gjoni 8:12), hyri në errësirën tonë si foshnjë – dhe bota ndryshoi përgjithmonë.

Dijetarët nuk kishin nga ta dinin këtë kur u larguan nga shtëpia e tyre për të udhëtuar me muaj të tërë për në Bethlehem, por ata ecën me besim, duke e ditur që ky yll nënkuptonte diçka të veçantë: lindjen e një mbreti. Dritën e botës. – Katelyn J. Dixon

Ndërsa luteni, falënderojeni Perëndinë që e dërgoi Jezusin për të ndriçuar errësirën dhe për të na nxjerrë në dritë!

#fjalëteshpresës #meditime #biblestudy #dita82

web-woh-dita-81

Ngrini sytë tuaj

Loading poll …

Dita 81 | Lexoni nga Isaia 40:1-5; 21-31

Ngrini sytë tuaj përpjetë dhe shikoni: Kush i krijoi këto gjëra? (v. 26)

A e keni pasur ndonjëherë të vështirë të besoni që Perëndia ju shikon, ju do dhe ka mirësi të rezervuar për ju? Ndodhi një kohë në jetën time kur përjetova depresion të thellë. M’u duk sikur të gjitha dritat ishin shuar dhe Perëndia kishte marrë pushimet. Në errësirën e depresionit tim, shikimi im ishte i kufizuar vetëm te dhimbja e situatës sime aktuale. Megjithatë, ftesa që gjejmë tek Isaia 40 për t’i “ngritur sytë tuaj përpjetë dhe shikoni” veprën e duarve të Krijuesit tonë (v. 26) ishte gjithmonë atje, se Perëndia nuk i lë kurrë bijtë e tij vetëm në errësirë.

Pasazhi i sotëm përmban mesazhin e ngushëllimit të Perëndisë për izraelitet në robëri në Babiloni. S’do mend, izraelitët e shkurajuar e kishin të vështirë ta besonin që besëlidhja e Perëndisë për dashuri besnike dhe një shtëpi vazhdoi edhe në mërgim – ata arrinin të shikonin vetëm dhimbjen e tyre. Kështu që Perëndia e ftoi popullin e Vet që të shikonte yjet dhe të mos harronte kush ishte: populli i Tij i zgjedhur, shumë i dashur. Perëndia u tha atyre, me pak fjalë: “Nëse unë e di emrin dhe numrin e çdo ylli që krijova dhe jam besnik që t’i nxjerr çdo natë një e nga një në qiell, si mund të thuash që nuk të shikoj dhe nuk të njoh ty?”

Mesazhi i Isaias për dashurinë e vëmendshme të Perëndisë është po aq i vërtetë për ne saç ishte edhe për izraelitët: Perëndia na shikon, na do dhe ka mirësi të rezervuar për ne. Ka shpresë për të gjithë ata që e besojnë dhe e presin Perëndinë. – Katelyn J. Dixon

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë ta ngrejë shikimin tuaj mbi rrethanat tuaja dhe t’ju tregojë mrekullitë e dashurisë së besëlidhjes së Tij!

#fjalëteshpresës #meditime #biblestudy #dita81