web-dita-61-woha-61

Më në fund së bashku

Loading poll …

Dita 61 | Lexoni nga Zbulesa 21:1-6, 22-26

“Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri;” (v. 1)

Dita ime e dasmës ishte kaotike. U shenjua nga një shi i rrëmbyeshëm. Kur mbërritën lulet, në mënyrë të pashpjegueshme ishin ngjyra e gabuar. Vjehrri im i ardhshëm u regjistrua në hotelin e gabuar dhe mbërriti vetëm disa minuta para ceremonisë. Por që në çastin kur filloi muzika dhe nusja ime erdhi në altar, kaosi dhe ankthi për gjithçka u harrua.

Ne jetojmë në një botë kaotike. Trazirat politike, moti ekstrem, pabarazia ekonomike dhe konfliktet globale që përkufizojnë kohën tonë, nuk janë gjëra të reja. Ka patur kohë më të vështira në historinë e njerëzimit. Por gjithsesi, për shumë njerëz, jeta është e papërballueshme dhe është e vështirë të përfytyrosh që do të përmirësohet. Siç shkruan Pali te Romakëve 8: “…mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim.” (v. 22) Qielli dhe toka psherëtijnë që të jenë bashkë.

Një ribashkim na pret. Në fillim të Biblës, qiejt dhe toka u ndanë forcërisht nga keqmenaxhimi i kujdestarëve të saj. Në vend që të braktiste veprën e Tij dhe t’i pushonte ndihmësit, Perëndia zgjodhi që të shpengonte gjithçka. Perëndia e ka kaluar historinë e botës duke mbledhur me saktësi copat e saj. Ai, edhe tani, po bën diçka të re. Bibla mbyllet me një premtim: një ditë dasme po afron. Qielli dhe toka do të ribashkohen. Kur të vijë ajo ditë, kaosi dhe ankthi i sotëm do të harrohen. Shpëtimtari ynë besnik dhe dashuria jonë e parë do të na pranojë me krahët hapur. Qielli dhe toka do të përqafohen. Më në fund, së bashku! — Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, prisni, shikoni dhe shpresoni për një ripërtëritje dhe ribashkim të të gjitha gjërave.

#meditime #fjalëteshpresës

web-dita-60-woha-60

Rruga për në shtëpi

Loading poll …

Dita 60 | Lexoni nga Hebrenjve 10:11-23

“Duke pasur…liri të plotë për të hyrë në shenjtërore me anë të gjakut të Jezusit.” (v. 19)

Qëndrimi im i parë te një shok nuk shkoi sipas planit. Shoku që më ftoi jetonte në një shtëpi të madhe, me videlojëra, lodrat më të fundit dhe me televizor kabllor. Nata filloi mirë. Ne luajtëm me lodrat dhe me videolojërat dhe pamë një film. Por kur erdhi koha për të fjetur, një ndjesi e panjohur filloi të rritej në stomakun tim. Më mori malli për shtëpinë! Nëna e shokut i telefonoi babait dhe ai erdhi më mori.

Që pas rënies në mëkat, njerëzimi është ndarë nga shtëpia e tij e vërtetë. Ne jemi krijuar për praninë e Perëndisë në qiell, por qielli ishte i paarritshëm për ne. Në mëshirën e Tij, Perëndia i siguroi popullit të besëlidhjes tradita që i bënë ata të ndiheshin afër me Të. Por këto tradita i paraprinë një kohe kur nuk do të kishte më distancë mes qiellit dhe tokës. Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Jezusi i ftoi dishepujt që ta ndiqnin atë për në shtëpi. Kur ata e pyetën: “Si mund ta njohim udhën?”, Jezusi iu përgjigj: “Unë jam udha…” (Gjo. 14:5-6). Jezusi nuk erdhi që të krijonte një udhë, por që të ishte udha. Autori i hebrenjve arsyeton se Jezusi i kryqëzuar është flijimi për t’i dhënë fund gjithë flijimeve. Dhe që Jezusi i ngjitur në qiell është Kryeprifti i Madh. Me anë të trupit të Tij të kryqëzuar dhe të ngjitur në qiell, Jezusi hapi një udhë të re “përmes velit” mes qiellit dhe tokës. Ne tani kemi një siguri të plotë. Sa herë që na merr malli për shtëpinë, ajo që duhet të bëjmë është t’i telefonojmë Jezusit. Qielli po dëgjon dhe po na pret. — Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, përfytyrojeni Jezusin teksa krijon një udhë që ju të ktheheni në shtëpi.

#meditime #fjalëteshpresës

web-dita-59-woha-59

Ambasadorë të qiellit

Loading poll …

Dita 59 | Lexoni nga Filipianëve 3:12-21

“Sepse qytetaria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin…” (v. 20)

Së fundi, lexova një intervistë të një ambasadori në pension të SHBA-së. Si ambasador, ai e përshkroi veten si një përfaqësues personal të presidentit të SHBA-së. Ai shtoi: “Një ambasadë është një version në miniaturë e qeverisë federale në një vend të huaj.” Ambasadorët jetojnë me këtë tension. Ata investojnë te njerëz dhe vende që nuk janë të tyret dhe këtë e bëjnë në shërbim të shtëpisë së tyre të vërtetë.

Pali i përshkruan ndjekësit e Jezusit si “ambasadorë për Krishtin” (2 Kor. 5:20). Te Filipianëve 3, Pali shton se të gjithë të krishterët janë qytetarë të qiellit (v. 20). Ne jetojmë në tokë. Ne kemi familje, miq dhe të afërm që kryesisht identifikohen si qytetarë të kësaj bote, por ne jemi thirrur që t’i duam dhe t’i shërbejmë njerëzve që nuk e njohin Mbretin tonë. Dhe këtë ne e bëjmë si qytetarë që përfaqësojnë interesat e qiellit.

Është e lehtë të harrojmë se kujt i përkasim dhe kë përfaqësojmë. Kjo është arsyeja se pse Pali rregullisht i ballafaqon rrugët e kësaj bote me rrugët e qiellit. Jeta e krishterë jetohet në kryqëzimin e qiellit me tokën, përzihet me gjuhën dhe kulturën e kësaj bote që ne të mund të ndikojmë për qiellin. Jeta dhe shtëpia jonë, dhe sidomos të mbledhurit si kishë, duhet të jenë ambasada ku njerëzit që nuk besojnë të përjetojnë rrugët e qiellit. Ashtu si Pali ne “po rendim drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus” (Fil. 3:14). — Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, kërkojini Jezusit që t’ju mbajë të lidhur me shtëpinë tuaj të vërtetë.

#fjalëteshpresës #meditime

web-dita-58-woha-58

Normaliteti i ri

Loading poll …

Dita 58 | Lexoni nga Veprat e Apostujve 8:26-39

Fryma e Zotit e rrëmbeu Filipin… (v. 39)

Herën e parë që shkova në një shfaqje magjie, mbeta i shtangur teksa magjistari i zhdukte dhe i rishfaqte objektet dhe sharroi në dysh ndihmësen e tij. Por isha edhe skeptik. Isha i bindur se kishte një shpjegim të natyrshëm për “magjinë” që po shihja.

Libri i Veprave të Apostujve është i mbushur me ngjarje që duken të mbinatyrshme. Në fakt, këto ngjarje përfaqësojnë “normalitetin e ri”. Për shembull, merrni vargjet e fundit te Veprat 8. Kapitulli mbyllet me Filipin që takon eunukun etiopas. Filipi ndan Ungjillin dhe eunuku beson dhe pagëzohet. Ai po thahej kur Filipi zhduket. Por nuk kishte ndonjë truk magjik, sepse për shkak të ringjalljes dhe ngjitjes në qiell të Jezusit, tani qielli mbështet punën e Mbretërisë së Perëndisë në tokë. Kjo përfshin shërimin e trupave dhe shpirtrave, hapjen e dyerve të burgut, dhe ndonjëherë kalimin e apostujve përmes qiellit kur është e nevojshme.

Pse është përfshirë kjo histori e çuditshme? Së pari, sepse ka ndodhur vërtet. Luka pohon se ai është mbështetur vetëm në dëshmitë okulare të shërbesës së Jezusit në tokë. (Lk. 1:1) Së dyti, historia tregon ato lloj gjërash që ndodhën pas ringjalljes, pra, pasi Jezusi e bëri të depërtueshme barrierën mes qiellit dhe tokës. Së treti, na provon që nuk ka pengesa për punën e Zotit në dhe përmes shërbëtorëve të Tij.

Çfarë do të thotë kjo për mua dhe për ju? Do të thotë se me qiellin në krahun tonë, nuk ka pengesa për punën që Zoti do të bëjë në dhe përmes nesh. Në “normalitetin e ri” burimet e qiellit janë të arritshme për ne.— Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, kërkojini Zotit që t’ju tregojë se çfarë është e mundur.

#NormalitetiIRi #FrymaEZotit #PaPengesa #VepratEPerendisë #BesimiNëVeprim #QielliMbiNe #ShërbimHyjnor #UngjilliNëLëvizje #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-57-woha-57

Ju do të merrni fuqi

Loading poll …

Dita 57 | Lexoni nga Veprat e Apostujve 1:1-11

…ndërsa ata po e vështronin, u ngrit lart. (v. 9)

Historia e ngjitjes në qiell të Jezusit duket si një interval i shkurtër mes ngjarjeve shumë më të rëndësishme biblike. I vendosur mes ungjijve dhe Veprave të Apostujve, ngjitja në qiell përfundon shumë shpejt.

Në të vërtetë, ngjitja e Jezusit në qiell është përmbushja e premtimeve të mëparshme dhe themeli i gjithçkaje që vinte pas. Problemet e njerëzimit lindën nga ndarja e qiellit me tokën. Gjithë shpresat e njerëzimit të drejtojnë tek ripërtëritja e krijimit dhe ripajtimi ynë me Perëndinë. Kur Jezusi mori trajtë njerëzore, Ai solli qiellin në tokë dhe kur Jezusi u ngjit në qiell me trup, Ai çoi tokën në qiell. Nga qielli, Ai çliron fuqinë e Tij në tokë.

Katekizmi i Hajdelbergut na jep tre gjëra të dobishme për ngjitjen e Jezus Krishtit. “Së pari, Ai qëndron si Avokati ynë përpara Atit, së dyti, ngjitja e Tij me një trup njerëzor është një garanci e sigurt që Ai si Kreu ynë, do të na marrë edhe ne, anëtarët e Tij lart atje ku Ai është; së treti, Ai kështu mund të na dërgojë Frymën e Tij si një kapar.” (Përgjigjja 49)

Në kryq, Jezusi shkatërroi pushtetin e mëkatit, vdekjes dhe ferrit, duke rikthyer bashkëveprimin e njeriut me Perëndinë në tokë. Gjatë ngjitjes, Jezusi mori fronin e Tij dhe çoi përfaqësimin e njeriut në qiell. Ngjitja duhet të na japë paqe, sepse me Atë që sundon në qiell dhe në tokë ne ndajmë natyrën tonë njerëzore dhe Ai na përfaqëson ne. Dhe ne kemi sigurinë, sepse fuqia që qeveris universin është personalisht e arritshme për ne. — Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, besoni se jeni të përfaqësuar në qiell dhe që fuqia e qiellit është në tokë.

#VepratEApostujve #NgjitjaENëQiell #JezusiGjallë #FuqiaENgjitjes #BesimiYNëKrishtin #ZotiYNëSundon #QielliDheToka #FjalëteShpresës

web-dita-56-woha-56

(Mos) Prek

Loading poll …

Dita 56 | Lexoni nga Gjoni 20:11-21

“Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im;” (v. 17)

Në vitin e fundit të mësimeve të notit, mësova disa aftësi bazë për shpëtimin e jetës. Instruktori im theksoi rëndësinë që ka t’i përqasesh me kujdes një notari në panik. Ai shpegoi se një njeri që po mbytet mund të kapet aq fort tek ai që përpiqet ta shpëtojë, sa t’ia bëjë të pamundur shpëtimin e tij.

Pas kryqëzimit të Jezusit, Maria Magdalena duhej të jetë ndjerë sikur po mbytej. Mësuesi i dashur tek i cili kishte vendosur shpresën e saj, kishte vdekur dhe ishte varrosur. Pastaj asaj i shfaqet Jezusi i ringjallur. Maria s’donte asgjë tjetër veçse të shkonte ta kapte dhe të mos e lëshonte më kurrë. Për habinë e saj, Jezusi i thotë Marisë që të mos e prekë. Arsyeja e Tij? “Sepse ende nuk jam ngjitur tek Ati im” (v. 17). Ai kishte rezervuar diçka më të mirë për të.

Për të përfunduar veprën e Tij të shpëtimit, Jezusi duhej të ngjitej në qiell. Duke e lënë Jezusin të shkonte, Maria përjeton përqafimin e Tij më të ngrohtë. Zhdukja dhe rishfaqja pasuese e Jezusit tregoi se Ai nuk është kurrë shumë larg. Maria nuk kishte pse kapej fort pas Jezusit, sepse ajo nuk do ta humbiste Atë.

Është e vështirë që ta përfytyrojmë se një Jezus që nuk mund ta shohim, ta dëgjojmë, apo ta prekim, është më mirë se Jezusi të cilin dishepujt e njohën gjatë shërbesës së Tij tokësore. Ajo që Jezusi i ringjallur dhe i ngjitur në qiell na premton është se, edhe pse ne nuk mund ta shohim Atë, Ai është më afër nga sa mund ta imagjinojmë ne. Dhe, edhe pse nuk mund ta kapim, Ai na ka kapur ne. Ne mbahemi te shpresa që, pavarësisht se nga çfarë heqim dorë në jetë, Jezusi gjithmonë ka diçka më të mirë për ne. — Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, besoni se Jezusi po ju mban.

#JezusiNaMban #ShpresaENgjalljes #MosPrekPorBesoj #AfërEdheKurSduket #KapurNgaHiri #BesimPaPrekje #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-55-woha-55

Për të mirën tuaj

Loading poll …

Dita 55 | Lexoni nga Gjoni 16:5-16

“…po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi;” (v. 7)

Në filmin mjuzikëll “Meri Popins”, familja Benks punëson Merin që t’u mësojë rregullin dhe disiplinën fëmijëve të tyre, Majkëll dhe Xhein. Megjithatë, sjellja e keqe e fëmijëve rridhte jo nga mungesa e disiplinës, por nga mungesa e vëmendjes nga prindërit e tyre. Misioni i vërtetë i Merit ishte që të ripërtërinte marrëdhënien mes Majkëllit dhe Xheinit dhe prindërve të tyre. Kur erdhi koha që Meri të largohej, ajo i lë ata me diçka më të mirë se miqësia e saj, me dashurinë e prindërve.

Në Darkën e Fundit, Jezusi u thotë dishepujve se Ai po largohet. Ata nuk mund të përfytyronin dot gjë më të mirë se praninë e Tij fizike. Por Ai kishte rezervuar për ta një dhuratë të pakrahasueshme, praninë e Tij shpirtërore,pra, dashurinë e Tij të pastër dhe jetën përmes Frymës së Shenjtë. Kur Jezusi erdhi në tokë, Ai ishte i kufizuar nga koha dhe hapësira. Ai mund të ishte i prekshëm vetëm për disa njerëz në të njëjtën kohë. Kur Jezusi u rikthye në qiell, Ai nuk ishte më i kufizuar nga koha dhe hapësira. Përmes Frymës së Tij, Jezusi mund të jetë i pranishëm në çdo vend dhe në zemrën e çdo besimtari.

Jezusi erdhi jo vetëm që të jetonte jetën e përsosur, të kishte vdekjen e një mëkatari dhe të ringjallej për të mundur vdekjen, por Ai erdhi që të ripajtonte zemrat tona me qiellin përmes faljes së mëkateve. Ajo që dukej si humbja më e madhe për dishepujt, u shndërrua në avantazhin e tyre më të madh, prania e vazhdueshme dhe e pandryshueshme e Jezusit. Është një avantazh që e ndajnë të gjithë besimtarë, përfshirë edhe ne! — Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, kërkojini Jezusit që t’ju risigurojë për praninë e Tij, në çdo kohë dhe vend.

#PraniaEJezusit #FrymaEShenjtë #NgushëlluesiKaArdhur #AiËshtëMeNe #JezusiNëZemër #DashuriQëQëndron #BesimPaKufij #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-54-woha-54

Qielli depërtoi

Loading poll …

Dita 54 | Lexoni nga Mateu 27:45-54

“…toka u drodh dhe shkëmbinjtë u çanë; varret u hapën…” (v. 51-52)

Në fillim, Perëndia krijoi qiejt dhe tokën. Një krijim i përbërë nga dy realitete të bashkuara në mënyrë të përsosur dhe harmonike. Pas fillimit, mëkati i njeriut krijoi një barrierë mes qiellit dhe tokës. Barriera u dëshmua nga shpata flakëruese në kufijtë e parajsës. Emblema e barrierws ishte vdekja, “paga e mëkatit” (Rom. 6:23). Ajo simbolizohej nga veli që qëndronte në zemër të tempullit. Barriera ishte e padepërtueshme nga banorët e tokës. Mund të hapej vetëm nga qielli. Mund të shkatwrrohej vetëm nga Sundimtari i qiellit. Toka nuk e meritonte që qielli të depërtonte.

Por Sundimtari i qiellit e donte kaq shumë tokën që krijoi, sa dërgoi Birin e Tij që të lindte në të. Biri erdhi që të shpallte dashurinë e qiellit për tokën e humbur. Por Ai erdhi të bënte shumë më tepër. Ai erdhi që të bashkonte qiellin dhe tokën.

Kjo do t’i kushtonte Atij gjithçka. Në fund të fundit, barriera ishte mëkatin njerëzor dhe pasoja e mëkatit njerëzor është vdekja për çdo njeri mëkatar. E vetmja vdekje që mund të paguante për të gjitha mëkatet ishte vdekja e një njeriu pa mëkat. Biri, Jezusi, mori trajtë njerëzore për të jetuar një jetë të pamëkatë dhe që të kishte një vdekje prej mëkatari. Vdekja e Birit të Perëndisë ishte më shumë se një zëvendësim. Ishte më shumë se një falje. Ishte rikrijim. Kur Biri dorëzoi frymën e Tij, veli u gris dhe varret u hapën, kurse toka u ça. Toka u drodh teksa depërtoi qielli. — Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, përlëvdoni Birin që pagoi çmimin për të ribashkuar qiellin dhe tokën.

#QielliDepërtoi #VdekjaQëNdryshoiGjithçka #VeliUGris #KryqiDheLavdia #DashuriaQiellore #JezusiRikrijon #RibashkimiQiellTokë #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-53-woha-53

Ju do të shihni Mbretërinë

Loading poll …

Dita 53 | Lexoni nga Luka 9:27-36

“…kur u zgjuan plotësisht, panë lavdinë e tij…” (v. 32)

Filmi i Disney-t “Rapunzel” flet për një princeshë të humbur e cila ndërmerr një udhëtim për të zbuluar identitetin e saj të vërtetë. Gjatë rrugës ajo merr një shoqërues. Kur zbulohet trashëgimia e saj mbretërore, ai në fillim e nderon, por pastaj ndihet çuditshëm dhe i pasigurt se si duhet të sillet me të.

Luka 9 na përshkruan shpërfytyrimin. Kjo ngjarje paraprihet nga deklarata e Jezusit për dishepujt e Tij: “Në të vërtetë po ju them se këtu janë të pranishëm disa që nuk do ta shijojnë vdekjen, para se ta shohin mbretërinë e Perëndisë”. (v. 27). Pak më vonë, Jezusi i udhëheq tre prej tyre në majën e një mali. Aty, ata e shohin Jezusin në një dritë të re radikale. Jo se Jezusi bëhet dikush tjetër, por zbulohet identiteti i Tij i plotë. Pasi e panë Jezusin në dritën e qiellit, dishepujt janë të pasigurt se si duhet ta shohin Atë.

Si duhet ta shohim ne Jezusin? Si një shoqërues njerëzor të prekshëm dhe të dhembshur, apo si një sundimtar dhe mbret qiellor? Ai i ka të dyja. Ai erdhi për të rigjetur njerëzit e humbur. Por gjithashtu, Ai erdhi për të rivendosur autoritetin qiellor në tokë. Ai është miku që na ofron vëmendjen e Tij të pandarë. Ai gjithashtu është Mbreti që kërkon përkushtimin tonë të vazhdueshëm. Shpërfytyrimi na jep një pamje të shpejtë të natyrës së vërtetë të Jezusit. Ai është plotësisht njeri dhe plotësisht Perëndi. Gjithashtu, na jep një pamje paraprake të krijimit të ripërtërirë, toka dhe qielli të bashkuar në prani të sundimtarit legjitim. Jezusi, Miku dhe Shpëtimtari juaj në tokë është edhe Jezusi, Mbreti i qiellit. Kur ne e përqafojmë Atë për gjithçka që është, ne përjetojmë mbretërinë e Tij në tokë. — Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, gjeni ngushëllim në miqësinë dhe mbretërinë e Tij.

#LavdiaEJezusit#MbretëriaNëTokë#JezusiMikDheMbret#Shpërfytyrimi#BesimiQëShikon#ZbuloKrishtin#PerëndiaMeNe#JezusiQëNaNdriçon#FjalëteShpresës#Meditime

web-dita-52-woha-52

Gostia e qiellit dhe tokës

Loading poll …

Dita 52 | Lexoni nga Mateu 22:1-14

Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit. (v. 2)

Disa pasazhe në Dhiatën e Re nuk arrijmë t’i kuptojmë mirë derisa të kuptojmë çfarë nënkupton Jezusi me “qiell”. Nëse mendojmë se qielli është “vendi ku shkojnë njerëzit e mirë kur vdesin”, si mund ta kuptojmë pasazhin e sotëm? Në të, miqve që nuk e meritojnë, u ofrohet një vend në gostinë qiellore. Deri këtu jemi në rregull. Pastaj, për habinë tonë, i zoti përjashton një të ftuar që kishte veshur veshjen e gabuar. Prit pak, çfarë? Mund të përjashtohesh nga qielli?

Kjo do të ishte shumë e shqetësuese, nëse Jezusi po fliste për jetën e përjetshme. Megjithatë, Jezusi na mëson se qielli nuk është thjesht realiteti i ardhshëm, por një realitet i tanishëm dhe i vazhdueshëm. Jeta me Jezusin fillon në kryqëzimin e qiellit dhe tokës dhe “gostia e dasmës” te shëmbëlltyra nuk është jeta e përjetshme. Është Kisha! Kisha është pasqyrimi tokësor i gostisë së qiellit. Jezusi vazhdimisht fton gjithnjë e më shumë miq të padenjë. Gjithsecili mund të përjetojë mirësinë e qielli në jetën e Kishës. Megjithatë, ka një kod veshjeje, rruga e Jezusit. Siç e shpjegon Pali te Galatasve 3:27: “Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur.”

Çfarë do të thotë kjo për ne? Së pari, vendi ynë në gosti është i sigurt, është siguruar nga gjaku i Jezusit. Së dyti, ne që tashmë jemi “të ulur” në kishë duhet të bëjmë vend për të tjerët. Së treti, ne vazhdimisht duhet “të veshim Krishtin”, të vetmen veshje të përshtatshme për të qenë pjesë e kremtimeve. — Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, kërkoni për një veshje të përshtatshme dhe më shumë të ftuar në gosti.

#GostiaQiellore #KishaSiGostia #EftuarNgaHiri #VeshurNëKrishtin #FtesëNëKishë #MbretëriaENisTani #BesimiNëVeprim