web-dita-81-woha-81

Shikoni lart

Loading poll …

Dita 81 | Lexoni nga Psalmi 71

“Sepse ti je shpresa ime, o Zot…” (v. 5)

Është një shprehje: “të gjendesh mes dy zjarresh.” Kur isha e vogël prindërit e mi e përdornin këtë shprehje, por unë nuk e kuptoja plotësisht, derisa arrita në një çast kur më dukej sikur jeta po më mbyllej para syve, më dukej sikur e gjithë bota ishte kundër meje dhe unë gjendesha mes dy forcave të palëkundura. U përballa me një zgjedhje të vështirë mes shëndetit dhe karrierës sime. U ndjeva sikur kisha ngecur, derisa u kujtova që të shihja lart, përtej pengesave, te Perëndia dhe prioritetet e Tij në jetën time. Stuhitë e jetës na sprovojnë, kërkojnë të na mashtrojnë, ngrenë dyshime dhe na hedhin në dëshpërim, por gjithmonë ka një rrugëdalje.

Psalmi 71 është një ngushëllim i ngrohtë për ata që përballen me sprova. Edhe kur besimi ynë mund të lëkundet dhe të mbahet në fije të perit, Psalmi 71 na inkurajon, duke na kujtuar se Perëndia është burimi i shpresës tonë (v. 14). Ai është burimi i sigurisë tonë që diçka e mirë do të dalë edhe nga zhgënjimet dhe lëndimet (v. 20-21). Si psalmisti, edhe ne duhet të jemi të sinqertë me Perëndinë për barrën e dhimbjeve dhe vuajtjeve tona, të mbështetemi tek Ai dhe të shohim drejt Tij. Ai është streha jonë, forca jonë dhe shpëtimi ynë.

Duke ia dorëzuar Perëndisë barrën, ne po tregojmë besimin tek Ai. Dhe kur na largohet ajo barrë, ne gjejmë gëzim duke ditur se premtimet e Tij do të triumfojnë mbi sfidat me të cilat përballemi tani. Perëndia do të na ripërtërijë, ashtu siç ripërtëriu psalmistin. Dhe Ai do të na ngushëllojë gjithmonë me praninë e Tij. — Ariana D. Den Bleyker

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisëtë mësoni se si të shihni përpara me shpresë.

#ShpresaTeZoti #Psalmi71 #ZotiStrehaIme #BesimNeSprova #ShikoLart #ZotiNgushellon #ForcaNeDobesi #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-80-woha-80

Jo vetëm

Loading poll …

Dita 80 | Lexoni nga Psalmi 34

“Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer…” (v. 18)

Kur isha 21 vjeçe, u diagnostikova me një sëmundje mendore. Diagnoza ishte therrëse. E dija që më kishte krijuar Perëndia, por sërish ndieja turp. U luta, por nuk e kuptoja se pse Perëndia nuk më shëroi. Kur u shtrova njëherë në spital në të 30-at, mësova përmendësh Psalmin 34 dhe premtimet aty më sfiduan dhe më ngushëlluan. E dija që Perëndia ishte afër meje. Gjatë viteve, edhe pse nuk isha shëruar, isha bërë më e fortë dhe mund t’i përballoja më mirë uljet dhe ngritjet në jetë. Kur jemi të trazuar apo të ngarkuar, Perëndia i përgjigjet lutjeve tona duke qëndruar me ne në vështirësitë tona (Isa. 43:2).

Te Psalmi 34, Davidi na tregon se, edhe pse do të kemi probleme, Perëndia është pranë atyre që e kanë zemrën të thyer (v. 18). Davidi na thërret që të provojmë mirësinë e Perëndisë (v. 8), ta provojmë vetë në jetën tonë dhe të kuptojmë se sa i mirë është Zoti. Perëndia kujdeset për çdo nevojë tonën (v. 8-10), na jep jetë (v. 11-15), na mban gjatë vështirësive dhe na shpëton nga armiqtë tanë (v. 17-22). Nëse përpiqemi të njohim mirësinë e Perëndisë në sprovat tona, ne do të mësojmë se Ai kujdeset dhe siguron.

Në vështirësi, Perëndia na kujton që të mos kemi frikë. Do të ketë kohë kur mund të mos ndihemi afër Perëndisë, por kjo nuk i ndryshon përkujdesjen dhe premtimet e Tij. Ai është me ne dhe Ai do të na nxjerrë fitimtarë. — Ariana D. Den Bleyker

Ndërsa luteni, kërkoni se si të mund ta përjetoni më shumë Perëndinë.

#ZotiAfër #ShpresaNeVështirësi #Psalmi34 #ZemërEThyer #MirësiaEPerëndisë #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-79-woha-79

Ki besim te Zoti

Loading poll …

Dita 79 | Lexoni nga Psalmi 27

“Ki besim të madh te Zoti.” (v. 14)

Çfarë mund të jetë më shqetësuese se të presësh mëngjesin netet kur ankthi ju lë pa gjumë? Pritja mund t’i bëjë minutat të zgjaten dhimbshëm. Davidi thotë: “Ki besim të madh te Zoti,” (v. 14). Ai e thotë dy herë. Ki besim. Ky është thelbi i Psalmit. Të ruajmë sigurinë ndërsa presim përgjigje për lutjet tona.

Gjatë gjithë Psalmit, Davidi shpreh besim dhe siguri në Perëndinë, që Ai do ta shpëtojë dhe do ta mbrojëatë në kohë trazirash. Ai dëshironte të ishte me Perëndinë, kërkonte që të banonte me Të (v. 4) dhe të kishte bashkësi në prani të Tij. Këtu Davidi ndihet i sigurt dhe i mbrojtur (v. 5-6), aq sa t’i kërkojë Perëndisë mençuri, udhëzime (v. 11) dhe mbrojtje (v. 12), duke besuar se ai do të shihte Perëndinë në këtë botë (v. 13). Në lutje të tilla ne zbulojmë shpirtin tonë, hapim zemrën dhe i thërrasim Perëndisë në mënyra të papritura.

Ndonjëherë, mund të ndihemi sikur Perëndia nuk na sheh apo dëgjon, që Ai nuk po i përgjigjet lutjeve tona. Por përmes durimit dhe besimit, ne mund të mësojmë të presim në Zotin. Ne duhet të presim, sepse nuk i kemi ende të gjitha përgjigjet. Ne duhet të presim, sepse ende nuk e dimë nëse lutjet tona do të marrin përgjigje ashtu siç shpresojmë. Edhe pse jeta jonë ndryshon vazhdimisht, qëndrueshmëria e Perëndisë është një burim i freskët ushqimi për ne dhe na jep siguri. Për më tepër, “Zoti është drita jonë dhe shpëtimi ynë,” dhe Ai e meriton që të presim. — Ariana D. Den Bleyker

Ndërsa luteni, kërkoni ndihmën dhe paqen e Perëndisë teksa prisni për përgjigjet e lutjeve.

#BesimTeZoti #Psalmi27 #LutjeDheDurim #ShpresaNePerendi #ZotiShpetimiIm #KiBesim #PaqeNePritje #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-78-woha-78

Perëndia që na mbron

Loading poll …

Dita 78 | Lexoni nga Psalmi 121

“Ndihma më vjen nga Zoti.” (v. 2)

Kur im bir ishte 8 javësh, ndaloi së marri frymë. Pas dhjetra shtrimesh në spital vitin pasardhës, sërish ndihesha e frikësuar për të. Sërish e gjeja veten duke vendosur dorën në shpinën e tij për t’i kontrolluar frymëmarrjen. Por puna është se, unë nuk do të kem kurrë kontroll të plotë mbi diçka. Ku e gjej sigurinë në pasiguritë e mia? Ngre sytë lart mbi kodra, duke e ditur që ndihma më vjen nga Zoti (v. 1-2).

Ndërsa vazhdojmë udhëtimin e jetës, edhe pse ndonjëherë mund të jetë i vështirë dhe i rrezikshëm, Perëndia është me ne. Në vargjet 3 deri në 8, fjala “mbron” (dhe variantet e saj) përdoret gjashtë herë. Këtu mësojmë se kur Perëndia na mban, Ai na mbron, Ai e ruan jetën tonë dhe kujdeset për ne në shumë mënyra. Kjo mbrojtje e Tij e ndihmon besimin tonë dhe na kujton se çfarë ka bërë Perëndia për ne dhe se si duhet të jetojmë duke patur parasysh gjithçka që Ai ka bërë. Për shkak se ne priremi që të harrojmë gjërat më kryesore gjatë periudhave të vështira, një Psalm si ky na kujton sërish e sërish që të përqendrohemi te Perëndia.

Kremtoni përkujdesjen e mrekullueshme të Perëndisë. Ai na mbron e na mban dhe ne mund të ecim përpara me sigurinë se kurrë nuk do të ndahemi prej Tij, si tani, edhe përjetë (Rom. 8:38-39). Prandaj, le të gjejmë ngushëllim te kjo. Mësoni si t’i besoni Perëndisë mbi gjithçka tjetër dhe shikoni të mirën kudo. Perëndia kujdeset për ne. Ai siguron për ne. Ai është aty për të na ndihmuar. — Ariana D. Den Bleyker

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju japë paqe në kohë të trazuara.

#Psalmi121 #PerëndiaQëNaMbron #BesimiNëZot #ZotiËshtëMeNe #ShpresaTePerëndia #AiNaMban #PaqeNëStuhitë #JetaMeBesim #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-77-woha-77

Qetësia dhe shpëtimi i Perëndisë

Loading poll …

Dita 77 | Lexoni nga Psalmi 22

“Të gjitha skajet e tokës do ta mbajnë mend Zotin dhe do të kthehen tek ai;” (v. 27)

Kur isha 7 vjeçe, babai më braktisi pasi prindërit u divorcuan, por nuk mund ta ndaloja dashurinë dhe mallin për të. Ndonjëherë, shumë prej nesh ndihen njësoj për Perëndinë. Kur ne nuk e ndiejmë praninë e Tij, është e lehtë që të ndihemi të braktisur. Në shumë nga çastet e mia më të vështira, jam tunduar që të mendoj se Perëndia nuk ishte aty. Megjithatë, përvoja më ka mësuar se kur i thërras Perëndisë, Ai më dëgjon.

Në pjesën e parë të pasazhit të sotëm, Davidi shprehet se ndihet i braktisur nga Perëndia (v. 1). Por sërish, Davidi nuk e humb kurrë besimin, edhe nën këtë ankth ekstrem, por dhimbja e drejton atë në lutje. Edhe në vuajtjet e tij, ai nuk heq dorë nga ajo që di, se Perëndia është Perëndia i tij. Ai e shpreh besimin dhe kujton dashurinë e qëndrueshme të Perëndisë (v. 9-10). Në sinqeritetin e lutjes që bën, ne shohim shpresën e tij. Ai kërkon Perëndinë, ai kthehet drejt Tij, sepse Davidi e di që Perëndia mund dhe do ta ndihmojë (v. 19). Davidi na jep një shembull pozitiv se si të mos ndalojmë së luturi, edhe në shqetësimin tonë më të thellë.

Në këtëPsalm, Davidi përçon dëshpërimin e thellë të dikujt që, pavarësisht se ndihet i braktisur nga Perëndia, vazhdon të shprehë besim të palëkundur. Davidi na mëson se kohët e dëshpërimit mund të na çojnë te lutja dhe, ndërsa lutja na ndryshon dhe kujtojmë premtimet e Perëndisë, ne do të mund të përballemi me hir me problemet që na shfaqen çdo ditë. Lutja riforcon besimin tonë dhe na afron me Perëndinë dhe dhuratën e Tij të çlirimit. — Ariana D. Den Bleyker

Ndërsa luteni, thirrini Perëndisë dhe tregojini Atij dëshpërimin tuaj.

#Psalmi22 #ZotiNukNaBraktis #ShpresëNëDëshpërim #BesimEdheNëDhimbje #LutjeQëShëron #ThirrZotin #AiDëgjon #DashuriaEPandryshueshme #QetësiDheShpëtim #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-76-woha-76

Deri kur, o ZOT?

Loading poll …

Dita 76 | Lexoni nga Psalmi 13

“…unë kam besim në mirësinë tënde.” (v. 5)

Në jetë kam patur raste kur kam ndier një dëshpërim të thellë. Më dukej sikur e gjithë bota po më shtypte, sikur çdo gjë ishte më e vështirë nga sa duhej. E gjeta veten duke humbur durimin me Perëndinë. Pse nuk i ishte përgjigjur Ai lutjeve të mia? Pse nuk e ndieja praninë e Tij? Në kohë të tilla, më duhej të prisja. Ishte një disiplinë shpirtërore e nevojshme që e rriti besimin tim te Perëndia.

Edhe pse mund të lodhemi, madje dhe të zemërohemi duke pritur për Perëndinë, Psalmi i sotëm na tregon fjalët për t’u lutur. Fraza pyetëse “Deri kur?” përdoret katër herë në dy vargjet e para të Psalmit 13 dhe thekson sa i madh ishte dëshpërimi i Davidit. Ai u ndje i harruar dhe i padukshëm, por ndërsa ia shpreh ankthin dhe dëshpërimin Perëndisë, ai gjen forcë. Deri në fund të lutjes, ai fillon të shprehë shpresën dhe besimin te Zoti (v. 5). Ndërsa ai i thërret, sytë e tij fillojnë të përqendrohen sërish te Perëndia i shpëtimit të tij. Në sprovat tona, ne mund të bëjmë të njëjtën gjë, të përqendrohemi te Perëndia dhe të mësojmë të vlerësojmëçdo gjë që Ai na ofron (v. 6).

Është e lehtë që të mendojmë se Perëndia na ka braktisur kur gjërat shkojnë keq. Por Davidi na kujton se, kur jemi të sinqertë dhe përqendrohemi te Perëndia, sprova të tilla e forcojnë besimin tonë. Edhe kur gjithçka na duket sikur është jashtë kontrollit, Perëndia është aty për të na mbrojtur. Prandaj, kur në jetën tonë situatat nuk duken të favorshme, nuk duhet të dyshojmë në praninë e Perëndisë në jetën tonë. Shikoni përreth dhe gëzohuni, Ai është kudo. — Ariana D. Den Bleyker

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë se si mund gjeni gëzim sot në mes të vështirësive.

#DeriKur #Psalmi13 #BesimNëMesTëSprovës #PerëndiaËshtëMeNe #LutjeDheShpresë #SinqeritetNëLutje #DurimNëBesim #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-75-woha-75

Gëzohu, botë

Loading poll …

Dita 75 | Lexoni nga Psalmi 98

“Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës, shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde.” (v. 4)

Çdo vit për Krishtlindje, ne këndojmë këngën “Gëzohu botë, Zoti erdh!”. 2000 vjet pas lindjes së Jezusit, premtimi i gëzimit mund të duket pak i mjegullt, bota është e mbushur me konflikte dhe padrejtësi, siç ishte dhe kur lindi Jezusi.

Isaac Watts, i cili kompozoi “Gëzohu botë,” u frymëzua nga Psalmi 98. Ky psalm nxit adhurimin tonë: “Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës, shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde.”(v. 4). Në vargun e fundit, psalmisti jep arsyen për gëzimin e premtuar në vargun 9: “…sepse ai vjen të gjykojë tokën; ai do të gjykojë botën me drejtësi dhe popujt me paanësi.” Na drejton te Fundi i Ditëve kur Jezusi të rikthehet për të gjykuar dhe mbretëruar. Pastaj, gëzimi do të përmbushet plotësisht. Ata që kanë vuajtur dhe kanë vdekur për drejtësinë do të përligjen dhe shpërblehen.

Ne vërtet shohim gëzim mes atyre që kanë zgjedhur të ndjekin Jezusin. Dhe besimtarët e përjetojnë këtë gëzim teksa e ndajnëatë me jobesimtarët. Ne shpresojmë dhe presim derisa Ungjilli të predikohet në të gjithë botën dhe të gjithë të kenë mundësi të zgjedhin gëzimin (Mt. 24:14). Më pas, Jezusi do të rikthehet për ta bërë të plotë.

Prandaj, gëzimi i Krishtlindjes nuk është vetëm ai i ardhjes së Jezusit për të përmbushur misionin e Tij në kryq, por edhe një kremtim i shpresës për ardhjen e Tij të dytë. Ai do të vijë të gjykojë dhe të mbretërojë me drejtësi. — Drejtuesi i shërbesës në Azinë Jugore

Ndërsa luteni, falënderoni Perëndinë për gëzimin që sjell Jezusi, tani dhe kur Ai të kthehet sërish.

#FjalaEDites #AdhurimDheShpresë #KrishtiMbretëron #BesimGëzimShpresë #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-74-woha-74

Biblikisht, jo tekstualisht

Loading poll …

Dita 74 | Lexoni nga Luka 24:13-35

“Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.” (v. 27)

Një pastor, në një zonë rurale në Indi e mori shumë seriozisht Fjalën e Perëndisë dhe rastisi të lexonte Levitikun 12:6 ditën kur i lindi nipi. Ai mori një qengj dhe pëllumb dhe bëri një sakrificë si ofrim për mëkatet e nipit të tij. Lajmi u përhap në gjithë bashkësinë dhe drejtuesit organizuan një takim. Debatet nuk ishin për interpretimin e tekstit, por se si ata mund të mbulonin gjithë ofrimet e munguara për fëmijët e kishës, një keqkuptim dramatik i Biblës.

Dhiata e Vjetër ka shumë ligje të cilat ata që besojnë sot te Jezusi nuk i ndjekin dhe nuk duhet t’i ndjekin. Nëse lexojmë vargje të veçuar, pa marrë parasysh kontekstin e tyre brenda gjithë Biblës, nuk do të arrijmë t’i interpretojmë siç duhet. Bibla është një zbulesë e historisë së shpengimit, është historia e Perëndisë dhe popullit të Tij dhe na tregon veprën e Tij madhështore për të shpenguar dhe shpëtuar popullin e Tij, që kulmon me jetën, vdekjen, ringjalljen dhe ngjitjen në qiell të Jezus Krishtit. Të lexosh një pjesë pa kuptuar gjithë historinë, natyrisht që të çon në mësime të gabuara (2 Kor. 4:2; 2 Pje. 3:16).

Në pasazhin e sotëm nga Bibla, vetë Jezusi u hap sytë dy udhëtarëve rrugës për në Emaus. Çdo gjë në Shkrim na drejton te Jezusi. Përpara se të dalim në përfundime për Biblën, është mirë që të ndalojmë dhe të kontrollojmë idetë tona me dëshminë e gjithë Shkrimit. — Drejtuesi i shërbesës në Azinë Jugore

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë që t’ju ndihmojë të kuptoni gjithë këshillën e Perëndisë dhe të bëheni më të ngjashëm me Jezusin.

#RrugaPërNëEmaus #BiblaNaDrejtonTeJezusi #KuptimiIShkrimit #ZbulesaEPerëndisë #Shpengim #JezusiNëÇdoFaqe #LexoMeSyteEZemres #NgaLigjiTeHiri #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-73-woha-73

Nga faji në mirënjohje

Loading poll …

Dita 73 | Lexoni nga Romakëve 8:27-39

“Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?” (v. 32)

Si i përgjigjeni shpëtimit, dhuratës së Perëndisë? Bibla vazhdimisht na kujton se Jezusi është Qengji i Perëndisë, që ka paguar ndëshkimin për mëkatet tona përmes vdekjes së Tij në kryq. Ne kaluam nga vdekja në jetë (Gjo. 5:24). Kjo është e arritshme falas për këdo që e konsideron veten mëkatar dhe dëshiron liri nga ndjenja e fajit. Ai duhet të vijë te Jezusi në pendim, me një dëshirë për të filluar një jetë të re. Perëndia premton që të falë gjithë mëkatet dhe të mos i kujtojë më ato (Heb. 10:17). Kjo është vepra e shfajësimit, një dhuratë nga Perëndia, e arritshme për të gjithë.

Megjithatë, një mëkatar jo vetëm që çlirohet, por edhe formohet dhe transformohet. Ligji (rregullat dhe udhëzimet e Perëndisë të zbuluara në Shkrim që drejtojnë sjelljen tonë) tani janë gdhendur në zemrën dhe mendjen tonë (Heb. 10:16). Nuk është më një forcë e jashtme, por një nxitje e brendshme. Mëkatarët jo vetëm që përjetojnë dashurinë e Perëndisë (Ef. 3:18-19), por bëhen edhe një vend ku banon Fryma e Shenjtë (Rom. 5:5), që i transformon ata.

Kur ne bëhemi ndjekës të Jezus Krishtit, faji që ndiejmë për mëkatin transformohet në mirënjohje. Ne marrim dhuratën e jetës dhe Fryma e Shenjtë punon në jetën tonë, në mënyrë që mirënjohja jonë të shndërrohet në perëndishmëri, një mënyrë të jetuari që është dëshmi për Perëndinë. — Drejtuesi i shërbesës në Azinë Jugore

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë që të transformojë fajin tuaj në mirënjohje dhe mirënjohjen ta shndërrojë në perëndishmëri.

#NgaFajiNëMirënjohje #Shfajësim #HiriIPerendise #JezusiShpëtimtari #JetëENdryshuar #FrymaEShenjtëBanonNëNe #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-72-woha-72

Gjithçka shkon mirë

Loading poll …

Dita 72 | Lexoni nga Gjoni 14:18-31

“Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.“ (v. 27)

Ju duket ndonjëherë sikur jeta është si loja “Parashuta dhe shkallë”? Emocionit të ngjitjes së shkallës (një familje e lumtur, një punë e mirë, marrëdhënie të shëndetshme, nota të mira) i zënë vendin pengesat ose dështimet. Zhgënjimi, refuzimi, pikëllimi dhe tragjeditë i errësojnë arritjet, suksesin dhe lumturinë tonë.

Në përulësinë e Tij, edhe Jezusi u përball me çaste të tilla paqëndrueshmërie dhe pasigurie. Atë e refuzuan të Tijtë (Gjo. 1:11), iku refugjat në Egjipt (Mt. 2:14), u tradhëtua dhe u mohua nga dishepujt e tij (Mt. 26:48, 74) dhe pastaj u braktis nga Ati Perëndi (Mt 27:46). Jezusi bën një përmbledhje të tillë për Jezusin: “i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë,…e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit.” (Fil. 2:6-8)

Jezusi na tregoi se si të përballemi me vështirësitë. Ai vazhdimisht kaloi kohë me Perëndinë (Mt. 14:23; Mr. 1:35; Lk. 6:12). Dhe para se t’i linte dishepujt dhe të rikthehej në qiell, Ai u premtoi atyre Frymën e Shenjtë, që do t’i drejtonte dhe do t’i inkurajonte (Gjo. 14:26) dhe u premtoi një jetë të përjetshme që nuk do t’ju merrej kurrë. Ne nuk mund t’u shpëtojmë dot sfidave të jetës, por ne kemi burime për t’i mposhtur ato dhe që të qëndrojmë pozitivë dhe të frytshëm. — Drejtuesi i shërbesës në Azinë Jugore

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë që t’ju udhëheqë në prani të Tij dhe t’ju mbushë me mençuri dhe forcë për ditën e sotme.

#PaqjaEJezusit #MosUFrikëso #AiËshtëMeNe #FrymaEShenjtëUdhëheq #JezusiNaJepForcë #QëndroNëBesim #ZemërEPaTronditur #FjalëteShpresës #Meditime