web-dita-71-woha-71

Duajini armiqtë tuaj

Loading poll …

Dita 71 | Lexoni nga Mateu 5:38-48

“Duajini armiqtë tuaj,…lutuni për ata që ju përndjekin.” (v. 44-45)

Në maj të vitit 2023, në shtetin e Manipurit në Indi shpërtheu dhuna. Gjatë vitit në vazhdim më shumë se 200 të krishterë u vranë, më shumë se 1000 fshatra dhe 700 kisha u dogjën. Pas humbjes së jetëve, shtëpive dhe kursimeve, viktimat e dy komuniteteve po jetojnë në pasiguri dhe frikë. Këta besimtarë janë duke vrarë mendjen se si të reagojnë.

Kur jemi të shtypur dhe të përndjekur, është e natyrshme që të qajmë, të ngremë zërin në protestë dhe të shprehim irritimin me zemërim. Megjithatë, besimtarët në Jezusin kanë marrë forcë që të reagojnë ndryshe (Rom. 8:37). Ne kemi dhuratën e të vërtetës së Shkrimit, Frymën e Shenjtë që na fuqizon dhe shpresën e përjetësisë. Duke qenë se në ne banon Fryma e Shenjtë, ne mund të qëndrojmë në anën e duhur, të ngremë zërin për drejtësinë dhe të qëndrojmë të përkushtuar ndaj Fjalës së Perëndisë. Pavarësisht veprave të këqija të disa autoriteteve dhe institucioneve të korruptuara, besimtarët në Krishtin nuk duhet të ndalojnë së bëri të mirën. Zemërimi është i kuptueshëm, por hakmarrja s’është kurrë e pranueshme.

Ne mund të inkurajohemi nga dëshmia e ndjekësve të parë të Jezusit. Pjetri na jep këtë udhëzim: “…sepse ky është vullneti i Perëndisë, që ju, duke bërë mirë, t’ia mbyllni gojën paditurisë së njerëzve të pamend.Silluni si njerëz të lirë, por jo duke përdorur lirinë si një pretekst për të mbuluar ligësinë, por si shërbëtorë të Perëndisë.Nderoni të gjithë, doni vëllazërinë, druani Perëndinë, nderoni mbretin.” (1 Pje. 2:15-17). — Drejtuesi i shërbesës në Azinë Jugore

Ndërsa luteni, ngrini lart besimtarët që përballen me përndjekje sot dhe kërkojini Perëndisë që t’ju forcojë në besim.

#DuajiniArmiqtë #LutuniPërPërndjekësit #BesimNënPerndjekje #ForcëNëKrishtin #ShpresaNëPerjetësi #ZëriIPaqes #JezusiNaJepForcë #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-70-woha-70

Në ndërtim

Loading poll …

Dita 70 | Lexoni nga Filipianëve 3:12-21

“…por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara, po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus.” (v. 13-14)

Një të diel, pasi kisha dhënë një predikim, një person i bashkësisë m’u afrua dhe më tha: “Pastor, e di që ime shoqe të informon për veset e mia.” E ndjeva lëndimin e tij dhe mosbesimin te gruaja. Ajo nuk kishte përmenduar kurrë asgjë për të, por fjalët e mia i gërvishtën plagën e fajit që ndjente. Ai nuk kishte arritur që ta kuptonte predikimin tim duke reflektuar me përulësi dhe mbase edhe duke u transformuar.

Nëse ne i përçmojmë, nuk i respektojmë apo nuk i besojmë atyre që përpiqen të na ndihmojnë, atëherë ne e privojmë veten nga ndihma shpirtërore. Në komunitetin e krishterë miqësitë ndërtohen jo vetëm për të adhuruar, për t’u shoqëruar, apo për të ndarë një ushqim të mirë, por edhe për të mësuar dhe për t’u transformuar në ngjashmëri me Zotin dhe Shpëtimtarin tonë, Jezus Krisht. Duhet të kujtojmë se ne gjithmonë jemi duke u ndërtuar.

Që procesi i ndërtimit të përparojë është e rëndësishme që të dëgjojmë të tjerët me përulësi dhe mendje të hapur. Edhe kur korrigjimi është i dëmshëm, Perëndia mund ta kthejë për mirë për ne (Zan. 50:20). Një fëmijë i vërtetë i Perëndisës’duhet të reagojëkeq apo të sulmojë, por duhet të përgjigjet me paqen dhe gëzimin e Zotit. Nëse ne nuk jemi nxënës të përulur, ka mundësi të kemi arritur një fund pa krye përtej çdo korrigjimi. Udhëzimet e Palit në pasazhin e sotëm janë të qarta: “rend drejt qëllimi” (v. 14). — Drejtuesi i shërbesës në Azinë Jugore

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë që t’ju japë qëndrimin e përulur dhe për të mësuar të Poalit dhe t’ju ndihmojë që çdo ditë të bëheni më të ngjashëm me Krishtin.

#NëNdërtim #PërulësiDheMësim #RendDrejtQëllimit #Filipianët3 #NgjashëmMeKrishtin #TransformimShpirtëror #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-69-woha-69

Një mrekulli

Loading poll …

Dita 69 | Lexoni nga Veprat e Apostujve 12:1-19

“Por, ndërsa Pjetrin e ruanin në burg, nga ana e kishës bënin lutje të vazhdueshme te Perëndia për të.“ (v. 5)

Në vitin 1792, këpucari William Carey, guxoi të linte këpucarinë e tij në Angli dhe të zhvendosej në Indi. Pavarësisht kundërshtive dhe vështirësive, ai punoi me besnikëri për të ndarë Ungjillin në Indi dhe tani njihet si ati i lëvizjes misionare moderne. Dëshmia e tij ishte kjo: “Prit gjëra të mëdha nga Perëndia, tento gjëra të mëdha për Perëndinë!” Perëndia mund të përdorë njerëz të zakonshëm si ne, të krijuar me mish dhe kocka, për të ndryshuar rrjedhën e historisë.

Mesazhi i Carey-t jehon në pasazhin e sotëm nga Bibla. Kisha e mbledhur te Veprat 12 u lut me zjarr për Pjetrin, teksa ai ishte i burgosur në një burg të sigurisë së lartë. Megjithatë, ata nuk prisnin atë rezultat nga ato lutje! I ndihmuar nga një engjëll, Pjetri doli nga burgu dhe u shfaq para derës së tyre, por kur ai trokiti, në fillim as nuk u përgjigjën (v. 15-16).

Realiteti që përjetojmë çdo ditë i jep formë pritshmërive tona. Shumica prej nesh janë njerëz të zakonshëm; hanë, flenë, zgjohen, bëjnë gjërat që munden. Mund të jetë sfiduese, madje dhe e dhimbshme që të lutesh për gjëra të mëdha dhe t’i kërkosh Perëndisë që të veprojë. Nga natyra, ne priremi që të jemi realistë dhe pragmatistë. Edhe besimtarët e parë te Veprat e Apostujve u shtangën nga mrekullia që panë.

Perëndia mund të na bëjë të mençur dhe të guximshëm kur ne e lejojmë që të na ripërtërijë shpirtërisht. Le ta kërkojmë Atë dhe ta ftojmë në jetën tonë për të na ripërtërirë. — Drejtuesi i shërbesës në Azinë Jugore

Ndërsa luteni, kërkojini Frymës së Shenjtë që t’ju ringjallë dhe lutuni për mençuri dhe besim. Nëse keni ndonjë lutje për diçka të madhe, lutuni me guxim sot.

#LutjeMeBesim #PerëndiaVepron #PritGjëratëMëdha #TentoPërPerëndinë #Veprat12 #MrekulliNëBurg #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-68-woha-68

Thatësira shpirtërore

Loading poll …

Dita 68 | Lexoni nga Gjoni 5:30-47

“Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua. Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën.“ (v. 39-40)

A mund të thahet jeta shpirtërore edhe në mes të një rutine të ngarkuar me aktivitete fetare? Mund të jeni të përfshirë në ungjillizim dhe misione, por thellë brenda vetes mund të ndjeni mungesën e një gëzimi dhe kënaqësie të vërtetë në marrëdhënien tuaj me Zotin.

Lutja është një nga kanalet më të rëndësishme për të ushqyer marrëdhënien me Jezusin. Në librin e Tij, “Lutja përmes Biblës” Donald Whitney thekson se nëse lutja jonë mbetet e përqendruar në prioritetet tona (familja, financat, puna, apo shkolla), apo te çdo lloj problemi që po hasim, atëherë lutjet tona bëhen përsëritëse dhe të thata. Ai na sugjeron metodën e provuar të lutjes përmes Shkrimit. Duke lexuar dhe pastaj duke lejuar Fjalën e Perëndisë të nxitë dhe të na drejtojë në lutje, kjo mund të na sjellë shumë përfitime, si kërkesa më të mira për lutje, rritje në njohuri mbi Fjalën e Perëndisë, njohjetë vullnetit të Perëndisë dhe lutje sipas vullnetit të Tij. Disa mund ta kujtojnë këtë si “koha e qetë”, një kohë e përditshme e kaluar në qetësi me Perëndinë.

Megjithatë, pasazhi i sotëm na kujton edhe që vlera e studimit të Shkrimit gjendet te mënyra që na drejton te Jezusi. I gjithë Shkrimi është një dëshmi për Jezusin, përmes punës së Perëndisë me dhe përmes popullit të Tij. Duke lexuar, u lutur dhe reflektuar me këtë në mendje, do të afrohemi më shumë me Jezusin dhe do të ripërtërihet gëzimi i ecjes me Të. — Drejtuesi i shërbesës në Azinë Jugore

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë që t’ju mbushë me gëzimin që e njihni Atë më thellë.

#ThatësirëShpirtërore #AfrohuMeJezusin #LutjeQëJeton #FjalaQëRingjall #KohaEQetë #LutjePërmesShkrimit #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-67-woha-67

Rreziku i brendshëm

Loading poll …

Dita 67 | Lexoni nga 2 Timoteut 3:1-17

“Por ti qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht, duke e ditur prej kujt i mësove,” (v. 14)

Jetojmë në një botë emalesh të padëshiruara, telefonatash mashtrimi dhe mesazhe mashtruese në mediat sociale. Disa mund të përpiqen t’ju vjedhin paratë, karakterin dhe paqen. Të tjerë mund të duan t’ju përdorin juve, informacionet, ndikimin dhe kontaktet tuaja. Gjysma e parë e pasazhit të sotëm na paralajmëron për mënyrën se si njerëzit tërhiqen në mëkat dhe mënyrat e shumta që përdor mëkati për të njollosur karakterin e tyre.

Për fat të keq, kjo lloj shthurrjeje shpesh vjen nga njerëz që pretendojnë se janë të krishterë. Pali i cilëson këta mësues të keq si “egoistë, lakmues parash… jo perëndidashës, të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj.” (v. 2-5). Jezusi i quan këta si ujqër grabitqarë me pamjen e deleve. (Mt. 7:15). Duhet mençuri të shohësh përtej premtimeve të rreme të profetëve të rremë.

Si besimtarë, ne jemi thirrur që të bëjmë diçka më të mirë dhe Pali i tregon Timoteut rrugën, duke ndjekur mësime të mira nga mësues të besueshëm (2 Tim. 3:10) dhe duke studiuar Shkrimin (v. 15-17). Ruhuni dhe jini vigjilentë nga rreziku i brendshëm, po aq sa nga ai i jashtëm. Për këta mësues të rremë, Jezusi tha: “Shumë do të më thonë atë ditë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?”.Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: “Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi” (Mt. 7:22-23). —Drejtuesi i shërbesës në Azinë Jugore

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju japë mësues të mençur e miq besimtarë dhe që ta mbrojë kishën nga mësuesit e rremë.

#RrezikuIBrendshëm #2Timoteut3 #FuqiaEShkrimit #MësuesTëRremë #QëndroNëSëVërtetën #JezusiParalajmëron #ProfetëTëRremë #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-66-woha-66

Vlera e heshtjes

Loading poll …

Dita 66 | Lexoni nga Jakobi 1:16-27

“Prandaj, vëllezërit e mi shumë të dashur, çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim…” (v. 19)

Jeni penduar ndonjëherë për ndonjë bisedë që ka dalë jo e frytshme? Ndonjëherë kam ulur vigjilencën dhe më vonë kam vrarë mendjen: “Pse e thashë atë? Cili ishte qëllimi? Si e inkurajova dëgjuesin?” Shpesh, ndjenjat dhe emocionet e forta e mposhtin objektivitetin në ligjeratën tonë dhe këtë e kuptojmë më vonë, vetëm kur dëmi është bërë. Një herë, një zotëri më tha se po lutej që drejtuesi i tij të pushonte. “Pse,” e pyeta. Ai më pëshpëriu: “Në qetësi, ai duket i mençur, por kur e hap gojën, vetëm budallallëqe dalin.”

Çfarë mund të bëjmë për këtë? Filloni duke dëgjuar ndërgjegjen e udhëhequr nga Fryma dhe të zhytur në Fjalën e Perëndisë. Nuk ka rëndësi prej sa kohësh e ndjekim Jezusin, ne nuk duhet ta lejojmë vetëkënaqësinë apo krenarinë të na pengojë rritjen e vazhdueshme drejt pjekurisë.

Kjo fillon me një gjendje të brendshme të zemrës dhe mendjes tonë. Jezusi na kujtoi: “Sepse ç’ka zemra qet goja.” (Mt. 12:34). Teksa po e qortonte Pjetrin, Jezusi i tha atij: “…s’ke ndër mend punët e Perëndisë…” (Mt. 16:23). Vetëm një zemër dhe mendje e pastër mund të na i bëjë të mundur që të shijojmë një ekuilibër më të mirë mes heshtjes dhe ligjeratës. Si mendja, edhe zemra jonë kanë nevojë për ripërtëritje në Zotin. Merrni kohë me Perëndinë në lutje sot dhe ndani me Të këto shqetësime. — Drejtuesi i shërbesës në Azinë Jugore

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju pastrojë zemrën dhe mendjen.

#VleraEHeshtjes #KontrolliIGjuhës #FjalaDheVeprat #Jakobi1 #MeditimBiblik #RritjeShpirtërore #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-65-woha-65

Si duhet të lutemi?

Loading poll …

Dita 65 | Lexoni nga Mateu 6:5-15

“Ju, pra, lutuni kështu…” (v. 9)

Gjatë pandemisë, njerëzit luteshin rregullisht për shërim të shpejtë dhe ngushëllim, duke ia dorëzuar gjithçka Perëndisë. Gjithmonë është mirë të shkoni para Perëndisë në lutje dhe t’i thërrisni Atij për ndihmë, por ndonjëherë kam dëgjuar lutje që dukeshin sikur njerëzit donin që t’ia kalonin të gjitha problemet Perëndisë, të largoheshin prej tyre dhe nga përgjegjësia për to.

Në Bibël, modeli për lutjen s’është vetëm lutja për çlirim nga vuajtjet. Kur Jezusi i mësoi dishepujt e Ti si të luteshin, Ai përfshiu elementë që edhe ne duhet t’i përfshijmë në lutjet tona. Përlëvdim për Perëndinë dhe një përkushtim për Mbretërinë e Tij. Duhet t’i kërkojmë Perëndisë që të sigurojë për nevojat e përditshme, t’i kërkojmë falje dhe mbrojtje nga e keqja. Lutjet tona duhet të përfshijnë reflektim, rikthim dhe ripërtëritje. Çfarë, si dhe kur kemi bërë gabim? A kemi mëkatuar kundër Perëndisë ose të tjerëve, si individë, apo si komb? A e kemi të nevojshme që të pendohemi dhe të grisim zemrën? Përpiquni të luteni kështu: “Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia.dhe shiko në se ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme.”(Psa. 139:23-24).

Perëndia është i mirë dhe i dhembshur. Ai nuk do të flejë, as nuk do të përmbahet për të bërë atë që është e drejtë. Kur ne shkojmë tek Ai në lutje, duhet të shkojmëtë gatshëm për të nderuar marrëdhënien që Ai na ofron, të kërkojmë rrugët e Tij, të rikthehemi me nënshtrim te Perëndia Krijues. A po luteni kështu sot? — Drejtuesi i shërbesës në Azinë Jugore

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju mësojë si të luteni me qëndrimin e duhur, që të mund të transformoheni për ta ndjekur Atë.

#LutjeMeZemër #ZotiNaDëgjon #MësoTëLutem #JezusiNaMëson #FuqiaELutjes #PëruljeParaPerëndisë #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-64-woha-64

Dhimbja e pritjes

Loading poll …

Dita 64 | Lexoni nga Luka 2:25-35

“Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri që quhej Simeon; Ky njeri ishte i drejtë dhe i përshpirtshëm dhe priste ngushëllimin e Izraelit; dhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të.” (v. 25)

Pritja mund të jetë torturuese, sidomos kur njeriu pret me pasiguri, duke qëndruar pezull mes “po”-së dhe “jo”-së, ose “tani” dhe “pastaj”. Çfarë bëni kur nuk e keni situatën në kontroll? Mund të jetë një pritje e gjatë për një propozim martese, një mundësi në karrierë, një shërim, një ngritje në detyrë, apo për një vendim gjyqësor, pritje që diçka të ndodhë, që diçka të ecë përpara.

Të qenit i përqendruar te rezultati që prisni mund t’ju lodhë mendërisht dhe emocionalisht. Ecja përpara drejt një rruge pa krye nuk është as inkurajuese dhe as produktive. Pasazhi i sotëm na jep një panoramë të pritjes me besim. Simeoni priti me pasiguri, por ai “ishte i drejtë dhe i përshpirtshëm” dhe “Fryma e Shenjtë ishte mbi të” (v. 25). Jo në të, por “mbi” të. Vini re edhe që ai ishte në vendin e duhur, që të mos i shpëtonte mundësia për të parë Jezusin. Pritshmëria e tij u përmbush: “sytë e mi e panë shpëtimin tënd” (v. 30).

Për Simeonin, pritja kërkonte përqendrimin e duhur dhe një besim të plotë te Perëndia. Për ne, pritja duhet të përfshijë reflektim mbi vlerat tona dhe një përqendrim te Perëndia, që është dashuria jonë e madhe. Kështu, akti i pritjes nuk do të na lodhë, por shndërrohet në një mundësi për ripërtëritje dhe rigjallërim. Si të krishterë, ne jo vetëm që presim rezultatet e pritshme, por presim në vetë Zotin. — Drejtuesi i shërbesës në Azinë Jugore

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë që ta transformojë pritjen tuaj në një periudhë rritje dhe prodhimtarie krijuese.

#PritjeMeBesim #Simeoni #Luka2 #FrymaEShenjtë #ShpresëTePerëndia #DhimbjaEPritjes #ReflektimShpirtëror #FjalëteShpresës #Meditime

dita-63-woha 63

Zemra e thyer

Loading poll …

Dita 63 | Lexoni nga 2 e Korintasve 12:1-10

“Lidhur me këtë iu luta tri herë Zotit që ta largonte nga unë.Por ai më tha: ”Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi”. (v. 8-9)

Horatio Spafford ishte një avokat i suksesshëm dhe investitor pronash të patundshme në Çikago në vitet 1800. Në 1871, djali i tij 4 vjeçar vdiq nga skarlatina. Disa muaj më vonë, Spafford humbi gjithë pronat nga një zjarr në Çikago. Dhe pastaj, në vitin 1873, që të katër vajzat e tij vdiqën nga mbytja e anijes që po kalonte oqeanin Atlantik. Nga ana njerëzore, ishte një fatkeqësi përtej asaj që mund të përballojnë emocionet njerëzore. Por nga një tragjedi e tillë, Spafford-i shkroi himnin e mirënjohur: “It is well with my soul” (përkth. Shpirti im është mirë). Ky himn vazhdon të ngushëllojë besimtarët që përballen edhe sot me vuajtje.

Në pasazhin e sotëm të Biblës, Pali zgjedh të mburret për dobësinë e tij (v. 5), sepse në dobësinë e tij, fuqia e Perëndisë bëhet e njohur për të gjithë. Diku tjetër ai shkruan: “Gëzohuni gjithnjë në Zotin” (Fil. 4:4). Edhe pse është e natyrshme që të bëhemi negativë, kritikë, të hidhëruar dhe të tërhequr në kohë vuajtjesh, dhimbjesh dhe vdekjesh, puna e Frymës së Shenjtë është më e dukshme në kohë të tilla.

Vuajtjet, dhimbja dhe vdekja janë pjesë e jetës së njeriut. Përjetimi i tyre mund të na i thyejë zemrën dhe shpirtin, por gjithashtu ato mund të jenë mjete për rritje shpirtërore. Ato mund të na ndihmojnë të kuptojmë mjaftueshmërinë e hirit ku qëndron fuqia e Perëndisë. Ndjekja e Krishtit mund të bëjë që një njeri zemërthyer të jetë bekim. Ajo që është e pamundur për njerëzimin, është e mundur për Perëndinë. — Drejtuesi i shërbesës në Azinë Jugore

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë që të punojë në pikat tuaja të dobëta dhe në vuajtjet tuaja, për lavdinë e Tij.

#HiriIMjafton #ZemraEThyer #ShpirtiImEshteMire #FuqiNeDobësi #PerendiaNgushellon #BesimNeVuajtje #DobësiaJoneFuqiaETij #FjaleNgaBibla #FjalëteShpresës #Meditime

web-dita-62-woha-62

Një shtëpi e përsosur

Loading poll …

Dita 62 | Lexoni nga Hebrenjve 11:8-16

“Por ata tani dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë qiellor; prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndi i tyre, sepse u bëri gati atyre një qytet.” (v. 16)

Çdo zemër njerëzore dëshiron një shtëpi të përsosur, një vend ku njeriu të bëjë një jetë të mirë. Ky ka qenë thelbi i emigrimit, nga zonat rurale në qytete, nga jashtë kufijve dhe brenda për brenda vendeve, me detyrim apo me zgjedhje. Sot, shumica e njerëzve shpërngulen për shkak të shkollimit, martesës, mundësive për punë, apo një jete më të mirë. Nuk i numëroj dot vendet ku kam jetuar dhe që kam vizituar. Çdo njeri që lë një vend për një tjetër ka një këndvështrim të ndryshëm, por në thelb, të gjithë duan që të gjejnë shtëpinë e tyre.

Në pasazhin e sotëm nga Bibla vini re mençurinë e Abrahamit që mos të kërkonte diçka që nuk e gjente dot në botën e vdekshme (v. 10). Ai mezi priste Mbretërinë e Perëndisë. Njësoj, edhe ndjekësit e parë të Jezusit u shpërndanë dhe u ndanë, por u shndërruan në bekim kur gjetën vendin e tyre në familjen e Perëndisë të shpërndarë nëpër botë. (Jak. 1:1; 1 Pje. 1:1)

Ju mund të jetoni me gëzim në çdo rrethanë vetëm nëse e keni gjetur këtë thirrje të lartë. E keni gjetur? Nëse po lini një shtëpi për një tjetër, duhet të dini se shtëpia juaj e përsosur mund të gjendet vetëm në Jezusin dhe ju mund të jeni një bekim për komunitetin tuaj të ri. Nëse po mirëprisni njerëz të rinj në komunitet, mund të keni një mundësi për t’u treguar dashurinë e Perëndisë. — Drejtuesi i shërbesës në Azinë Jugore

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju zbulojë Veten me praninë e Tij dhe qëllime për çdo njeri, sidomos në mes të vuajtjeve. Kërkojini Perëndisë të udhëheqë gjithë njerëzit drejt shtëpisë së tyre të përsosur në Jezusin.

#JetëMeQëllim #BekimNëMërgim #BesimtarëNëUdhëtim #DashuriaEPerëndisë #MbretëriaQiellore #ZemraNëQiell #FjalaEDites #FjalëteShpresës #meditime