web-woh-31-korrik

Transmetimi i besimit

Loading poll …

Dita 31 | Lexoni nga Ligji i Përtërirë 4:1-14

. . . Por ua mësoni bijve tuaj dhe bijve të bijve tuaj. (v. 9)

Sfida e besimtarit sot është të ecë me Perëndinë, të mbajë përpara syve atë që Zoti ka bërë dhe ta transmetojë besimin nga një brez në tjetrin. Vargu ynë na tregon të kemi kujdes për veten tonë. Pali na kujton të veshim armatimin e Perëndisë dhe ta parashtrojmë gjithçka në lutje. Po ashtu, vargu 9 na thotë të kemi zell për gjërat që mbushin shpirtin tonë, duke rikujtuar gjërat që Perëndia ka bërë për ne.

Por edhe pasi të kemi siguruar zemrën, shpirtin dhe sytë për të gjitha ditët e jetës sonë, misioni nuk ka mbaruar. Pavarësisht sa të vështira duken në ditë të caktuara, misioni i të mësuarit të të tjerëve është edhe më i vështirë. Mësimdhënia nis me atë që bëjmë çdo ditë, që të tjerët ta lexojnë dukshëm. Të transmetojmë do të thotë që fillimisht ta kemi në veten tonë perëndishmërinë, dëshirën për Fjalën, për besimin, për të ecurit në drejtësinë e Perëndisë dhe dëshirën për të mos u konformuar me këtë botë.

Nëse do të jetojmë sipas asaj që thotë Bibla, do ta fillojmë duke u dhënë mësim fëmijëve tanë. Nëse ata do të na shohin duke lexuar Fjalën, do të dëshirojnë ta lexojnë me ne. Nëse do të të na shohin që lutemi dhe i adresojmë Perëndisë çdo shqetësim të zemrës, ata do ta kërkojnë lutjen të jetë pjesë e jetës së tyre.

Gjithçka fillon me kujdesin për veten, shpirtin, sytë, zemrën, që t’i pëlqejmë Perëndisë dhe të mos heqim dorë së transmetuari atë që mësuam. – Danja Gremi

Ndërsa luteni, e falënderoni Perëndinë për gjithçka që ka bërë në jetën tuaj, dhe e ndani atë me të tjerët.

#TransmetimiIBesimit #BrezPasBrezi #MësoFjalën #JetoFjalën #KujdesPërZemrën #LigjiIPërtërirë #FjalëtETuaNëZemrënTime #ShembullPërTëTjerët #FjalëteShpresës #Meditime

web woh 30 korrik

Të frytshëm

Loading poll …

Dita 30 | Lexoni nga Levitiku 19:23-25

Vitin e pestë do të hani frutat e tyre, me qëllim që prodhimi i tyre të mund të rritet. Unë jam ZOTI, Perëndia juaj (v. 25)

Në çfarë faze të jetës jeni me Zotin? Nëse jeni të saposhpëtuar, ushqehuni me fjalën e Perëndisë, Biblën, dhe hidhni “rrënjë”, për t’u bërë një “pemë”. Tek Psalmi 1:3 jepen detaje se çdo pemë ka nevojë për ujë dhe do të jap fryt në stinën e vet. “Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk do i fishken dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi”.

Hidhni hapa sipas vullnetit të Perëndisë, pagëzohuni si një akt bindjeje, pastroni jetën tuaj, flakni zakonet e vjetra. Vendosuni në një kishë lokale dhe kërkojini Perëndisë t’ju ndihmojë në këtë proces. Të gjitha këto janë si ujë për të ujitur dhe gjithsecili ka fryt në stinën e vet. Sa e rëndësishme është të lejojmë Perëndinë në këtë proces rritjeje dhe frytdhënieje në stinën tonë! Dhe kjo stinë është personale.

Ndërkohë që në vargun 23 të Levitikut 19 procesi i rritjes së pemëve kërkon 3 vjet, në vargun 24 do të ketë fruta për lavdinë e Perëndisë dhe në vargun 25 do të hahen frutat e tyre, që prodhimi i tyre të rritet. A nuk ngjan kjo si një premtim që pasi të keni filluar të ecni me Perëndinë dhe të rriteni me Të, duke marrë vendimin që Jezusi të jetë mbret i jetës suaj, ju do të jepni fryt?

Pavarësisht që secili prej nesh ka një marrëdhënie individuale dhe një rritje individuale me Perëndinë, dhe pavarësisht se vitet nuk janë njësoj, ne duhet të bëjmë dorëzimin tonë përpara Perëndisë, që vullneti ynë të bëhet vullneti i Tij. – Danja Gremi

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë që vullneti i Tij të shpaloset në ne dhe ne të dëshirojmë ta ndjekim.

#FrytNëStinënEVet #RritjeShpirtërore #DorëzimTotal #VullnetiIPerëndisë #PemaQëJepFryt #EcjeMeZotin #BindjeDhePagëzim #RrënjëNëFjalënEPerëndisë #FjalëteShpresës #Meditime

web-woh-29-korrik

Për lavdinë e Perëndisë

Loading poll …

Dita 29 | Lexoni nga Levitiku 19:23-25

Por vitin e katërt të gjitha frutat e tyre do të jenë të shenjtëruara, do të jenë për lavdinë e ZOTIT. (v. 24)

A keni kohë që luteni për një person, për një vend, për një “tokë” në të cilën Zoti ju ka vendosur? A e keni po atë gëzim si ditën e parë kur keni ndarë ungjillin? Shpesh m’i kanë bërë edhe mua këto pyetje, dhe përgjigja ime nuk mund të jetë “po” në çdo rast. A jam dekurajuar se pavarësisht sa kohë kam që flas me prindërit e mi, ata ende nuk e pranojnë Jezusin si Zot dhe shpëtimtar? Patjetër që po!

Në vitin 2005, ndërsa dilnim çdo javë të takonim studentë e ndërsa luteshim pa pushim dhe ndanim ungjillin me gëzim, me dhimbje, me lehtësi apo jo, pas tre vitesh një studente pranoi Jezusin si Zot dhe shpëtimtar. E ndërsa vitet kalonin, të tjerë studentë u shpëtuan dhe e hapën zemrën për Perëndinë. Çfarë gëzimi kur pamë fryt! Sa shumë që u inkurajuam! Kjo është arsyeja pse ende jemi në këtë tokë; ka ende të korra.

Vargu ynë për sot më kujton se puna nuk mbaron në momentin që sapo keni ndarë ungjillin me personin që keni përballë, apo në tokën ku keni vendosur të shërbeni; puna sapo ka filluar. Ne si njerëz priremi t’i kërkojmë frytet menjëherë dhe madje të jenë edhe të shenjtë sapo pranojnë Jezusin. Një varg më sipër (v. 23) thotë se do të mbilleshin drurë dhe për 3 vjet do të konsideroheshin të parrethprerë, pastaj vitin e katërt do të jenë për lavdinë e Zotit. Ky varg më kujtoi që edhe Jezusi kaloi 3 vjet me dishepujt e tij dhe pastaj ata filluan t`i jepnin lavdi Perëndisë.

Nëse Perëndia ju ka ushqyer, rritur dhe dishepullizuar, atëherë bëni edhe ju pjesën tuaj, duke ndarë ungjillin me gëzim, ndërkohë që Zoti do të kujdeset vetë për pjesën e tij. – Danja Gremi

Ndërsa luteni, kërkoni të jeni një vegël në duart e Perëndisë për lavdinë e tij.

#PerLavdinePerendise #MbjelljeDheKorrje #UngjillMeGëzim #JezusiShpëtimtar #FryteTeShenjtë #BesnikeriNeShërbesë #MosUdekurajo #ZotiKujdeset #FjalëteShpresës #Meditime

web-woh-28-korrik

Ungjillëzimi

Loading poll …

Dita 28 | Lexoni nga Levitiku 19:23-25

Kur të hyni në vendin tuaj dhe të keni mbjellë lloj-lloj drurësh frutorë, do t’i konsideroni frutat e tyre si të parrethprera; për tre vjet do të jenë për ju si të parrethprera; prandaj nuk duhet të hahen. (v. 23)

Herën e parë që kam trokitur në derën e dhomës së një konvikti, nuk dija saktë se çfarë do të thosha, apo si do të përgjigjesha nëse do më bënin një pyetje për besimin, por një gjë e dija me siguri: unë e njihja Jezusin, isha e shpëtuar, dhe të ndaja ungjillin, ishte dëshira e Perëndisë. Ndërsa vitet ikin dhe ju kërkoni të fitoni një fushë të re, mund të ketë sfida.

Në vargun tonë për sot, lexojmë që kur hyjmë në një fushë të re, mbjellim lloj-lloj drurësh, pra, nuk ka një dru të përcaktuar. Druri krahasohet me njeriun; nuk do të gjykojmë, por do të mbjellim. Në një pasazh tjetër Jezusi përdor shëmbëlltyrën e mbjelljes së farës dhe ajo që të bën përshtypje është se ai hedh farën edhe në gurë dhe aty ku rriten ferrat. Por sërish urdhërimi është të mbjellim, të ndajmë ungjillin. Madje te Levitiku, vazhdon dhe thotë se frytet do të konsiderohen 3 vjet të parrethprera, si një kohë e nevojshme për t’u bërë të ngrënshme. Kjo gjë vjen si një inkurajim se frytet e mbjelljes nuk “lulëzojnë” menjëherë.

Nëse dikush e ka mbjellë këtë farë në zemrën tuaj dhe ju keni marrë dhuratën e jetës së përjetshme, a do ta mbani për vete këtë dhuratë, apo do ta mbillni “farën” e ungjillit në zemrat e njerëzve që ju rrethojnë? – Danja Gremi

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju nxisë dhe inkurajojë dhe t’ju japë dëshirën për të bërë vullnetin e tij.

#Ungjillëzimi #MbillFjalën #FrytetEVonshme #ShpërndajShpëtimin #MosUDorëzo #MbillEdheKurSduket #DëshmoKrishtin #FaraENgopjes #BëhuMbjellës #FjalëteShpresës #Meditime

web-woh-26-korrik

Kujdes xhamin turbullues!

Loading poll ...

Dita 26 | Lexoni nga Mateu 14:26-27

Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë! (v. 27)

Pikëpamja që një njeri ka mbi jetën varet shumë tek përjetimet dhe kujtimet mbi gjërat e përjetuara. Gjithashtu, mungesa e përjetimit të marrëdhënieve dhe situatave të ndryshme, si miqtë e afërt, prindër të dashur, përfshirja në klube shkollore, udhëtimet, një fitore që ju bën të ndiheni të vlerësuar, etj., ndikojnë që një i rritur të sillet në mënyrë të caktuar jo vetëm kur ballafaqohet me sfida, por edhe me ankthin për sfidat potenciale në jetë. Frika ka një armë të jashtëzakonshme: xhamin e saj të turbullt zmadhues. Ajo gjithmonë së pari vjen duke turbulluar pamjen reale dhe duke zmadhuar rrezikun potencial.

Të qëndrojmë të ekspozuar ndaj rrezikut nuk duket si diçka e zgjuar. Aq më pak të ecim drejt stuhisë. Mirëpo Perëndia shpesh na thërret të mos ikim, të mos zmbrapsemi, përkundrazi të ecim të ekspozuar, me besim, sepse Ai e di fare mirë se xhami zmadhues i frikës po gënjen dhe po turbullon pamjen tonë.

“Është një fantazmë”, bërtisnin dishepujt duke parë Jezusin. Ata ishin të ekspozuar plotësisht në mes të erërave të forta dhe errësirës së frikshme. Tmerri i frikës kishte bërë që ky xham turbullues t’i bënte dishepujt ta ngatërronin Zotin e tyre për një fantazmë. “Jam unë!”, tha Jezusi. “Mos kini frikë!”.

Ju mund të jeni duke e parë situatën përmes xhamit turbullues. Por nuk ka situatë, për ne që e ndjekim Krishtin, në të cilën ai të mos jetë në mes të stuhisë sonë duke thënë “Jam unë. Mos ki frikë!”. Kur dëgjojmë zërin e tij, frika tkurret, dhe çdo det i tërbuar qetësohet. Ne jemi më të ekspozuar nga sa e mendojmë, por e vetmja mbrojtje që kemi është Perëndia. – Arijeta Ajeti

Ndërsa luteni, falënderoni Perëndinë dhe i tregoni se e doni.

#MosKiFrikë #JezusiËshtëMeNe #QetësohuniJamUnë #BesimNëStuhi #FrikaTurbullonPamjen #ShikoMeBesim #JezusiNaFlet #XhamiTurbullues #Mateu14 #FjalëteShpresës #Meditime

web-woh-24-korrik

Shpresa: Një spirancë e sigurt

Loading poll …

Dita 24 | Lexoni nga Hebrenjve 6:13-20

Kjo shpresë që ne kemi është si një spirancë e sigurt dhe e patundur.. (v. 19)

Kur valët e deteve ngrihen dhe shkundin fort anijet, vetëm një spirancë e fortë me peshë të rëndë mund ta përballoj sulmin. Në kohërat e lashta, Romakët kishin spiranca prej metali me dy krahë, njësoj me spirancat e sotme moderne.

Kur Pali po shkruante letrën drejtuar Hebrenjve sigurisht që kishte në mendje një spirancë të ngjashme me atë të romakëve dhe kur po krahasonte shpresën që ne kemi me “një spirancë të sigurt dhe të patundur”, po e bënte këtë nga përvoja e tij autentike me lundrimin. Ai po ashtu tashmë e kishte përjetuar këtë shpresë që futet thellë në brendësinë e jetës së një të krishteri të zjarrtë, përtej velit të religjiozitetit sipërfaqësor të një fariseu, atje ku Krishti tashmë ka hyrë.

Efikasiteti i një spirance varet nga dy pjesët kryesore: kurora dhe krahët. Njëra duhet të peshojë mjaftueshëm në proporcion me madhësinë e anijes, kurse tjetra duhet të jetë e mprehur mirë. Kur spiranca hidhet në det, pesha e kurorës prek fundin e detit duke e bërë anijen të qëndrojë në vend. Por kur erërat e forta fryjnë dhe anija fillon të lëkundet, krahët e mprehta të spirancës, nga fërkimi i vazhdueshëm, hapin vend në rërë duke u futur brenda dhe ngulitur fort.

Shpresa që kemi ne, thotë Pali, është një spirancë e sigurt dhe e patundur. Dhe ne mund të themi sot, bashkë me Palin se, “kjo shpresë që kemi ne është si një kurorë që peshon rëndë me krahë të mprehtë që hyn në brendësinë e shpirtit” dhe e bën jetën tonë të patundur përballë dallgëve të jetës, duke hyrë aty ku tashmë ka hyrë Krishti: në vendet qiellore bashkë me Të! – Arijeta Ajeti

Ndërsa luteni, vendoseni shpresën tuaj vetëm tek Krishti.

#ShpresëENgjitur#SpirancaESigurt#JetaMeKrishtin#ShpresaNëKrishtin#EPatundurNëBesim#Hebrenjve6#KrishtiShpresaJonë#JetëEBekuar#FjalëteShpresës#Meditime

web-woh-23-korrik

A e morët jetën me bollëk nga Jezusi?

Loading poll …

Dita 23 | Lexoni nga Gjoni 10:1-10

…por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk. (v. 10)

Kur Juxhin Petërsën (Eugene Peterson) vendosi t’i shtonte listës së gjatë të përkthimeve të Biblës në gjuhën angleze edhe këtë të tijën, e bëri nga dëshira e thjeshtë për t’i ndihmuar njerëzit ta lexonin Biblën lehtësisht dhe ta kuptonin qartë. Kisha priste me padurim përkthimet e freskëta dhe kreative të pastorit të tyre dhe i lexonte ato me entuziazëm të dielën e radhës duke bërë që Peterson ta vazhdonte këtë punë, aspak të lehtë, i inkurajuar. Ditë e natë: përkthim, përshtatje, krahasime e paralele nga hebraishtja dhe greqishtja në gjuhën angleze, për dhjetë vite me radhë.

Edhe pse për studiuesit e Biblës, versioni “Mesazhi” ishte më tepër parafrazim se sa përkthim “i saktë”, kjo nuk e ndaloi Perëndinë ta bekonte përkushtimin dhe pasionin e Petersonit për të lindur këtë version për lexuesin modern. Ja si i përshtat ai fjalët e Jezusit në vargun e përzgjedhur më lart: “I ligu është aty vetëm për të vjedhur dhe vrarë dhe shkatërruar. Unë kam ardhë që ata të kenë jetë të vërtetë dhe të përjetshme, jetë më të bollshme dhe më të mirë se sa e kanë ëndërruar ndonjëherë”. I ligu nuk pati mundësi ta vidhte këtë punë bekimi. Që kur u botua për herë të parë e deri më sot janë shitur mbi 20 milion kopje të Biblës Mesazhi. Jezusi tha ‘unë kam ardhur që ata të kenë…’. Edhe sikur ta mbaronte fjalinë këtu, kjo do të mjaftonte. Por Jezusi nuk ndalon me kaq. Ai vazhdon duke thënë se ne do të kemi një jetë me bollëk, të vërtetë, të përjetshme, më të mirë nga sa mund të ëndërronim. A e keni marrë këtë lloj jete nga Jezusi? – Arijeta Ajeti

Ndërsa luteni, hapeni derën e zemrës suaj dhe i kërkoni Perëndisë jetë me bollëk.

#JetëMeBollëk #JezusiJeta #Gjoni10 #ZëriIBarit #MesazhiIJetës #JetëEReNëKrishtin #JezusiDhënsIDjetës #FuqiaEFjalës #FjalëteShpresës #Meditime

web-woh-22-korrik

Krishti shkëmbi ynë

Dita 22 | Lexoni nga Psalmi 61

…ndërsa zemra ime po shkrihet; më ço në shkëmbin që është më i lartë se unë. (v. 2)

Jeta jonë është plot me momente, ditë dhe stinë në të cilat mund të duket se zemra jonë po dobësohet dhe forca për gjërat edhe më të vogla po na mungon. Zëra të zhurmshëm frikësojnë çdo copëz shprese në jetën tonë. Po qe se nuk marrim autoritet të ndalojmë hovin e këtyre mendimeve dhe emocioneve gënjeshtare patjetër që do të zhytemi në dëshpërim dhe fryma kaq e ligë e depresionit do të na e vjedh këtë ditë. E shpesh edhe shumë më shumë se kaq.

Eduard Mote një mëngjes, të vitit 1834, duke shkuar për në punë, krijoi disa vargje të cilat do të jehonin fuqishëm përmes një prej himneve më të kënduara në të ardhmen e historisë së muzikës së krishterë.

“Në Krishtin , Shkëmbin e fortë, qëndroj,
çdo tjetër tokë, është rërë që fundos!”.

Eduardi nuk kishte pasur një fëmijëri të shëndoshë për shkak se prindërit e tij drejtonin një klub nate, duke e braktisur birin e tyre mbi një tokë rëre ku ai fundosej në vetmi. Por në moshën 18 vjeçare çdo gjë do të ndryshonte kur ai takon Jezusin dhe e bën atë Shkëmbin e tij. Ashtu si Davidi që i kërkoi Perëndisë ta dërgonte te shkëmbi që ishte më i lartë se ai vet, edhe Eduardi kuptoi që çdo bazament tjetër është vetëm “tokë rëre që fundos”.

Ju mund të jeni duke qëndruar mbi rërë, me një zemër që po shkrihet nga frika për të sotmen apo të ardhmen, por merrni zemër! Kujtoni Davidin dhe Eduard Mote-n. Jezusi, Shkëmbi ynë, është vetëm një lutje larg. Afrohuni tek Ai që ka premtuar se nuk do t’ju nxjerrë kurrë jashtë, Krishti Shkëmbi Ynë! – Arijeta Ajeti

Ndërsa luteni, qëndroni në Krishtin, Shkëmbin e fortë!

KrishtiShkëmbiYnë #Psalmi61 #MosUFrikëso #QëndroNëShkëmb #JezusiShpëtimtari #TokëQëFundos
FuqiaEPerëndisë #ZotiStrehë #BesimiNëStuhi #FjalëteShpresës #Meditime

web-woh-21-korrik

Mos ndiqni turmat!

Loading poll ...

Dita 21 | Lexoni nga Mateu 7:7-14

Sepse e ngushtë është dera dhe e shtrënguar është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë. (v. 14)

Keni hyrë ndonjëherë diku përmes dyerve të gjëra dhe të mëdha? Mund të kenë qenë dyer të parqeve zbavitëse, të teatrove dhe operave apo të sallave sportive. Dyert e tilla hapen në mënyrë që të futen turmat, dhe nëse je në këtë mes, shpesh mund të përfundosh me grupe të njerëzve me të cilët çuditërisht nuk ke as edhe një gjë të përbashkët.

Teksa po vizitoja Romën vitin e kaluar, natyrisht që në listën time të prioriteteve ishte edhe vizita për të parë afresket e Kapelës Sistinë, të Mikelanxhelos. Por, gjithashtu doja të shihja dhe veprën “Pietá” të Van Gogut, sepse e dija se edhe kjo perlë e botës së artit fshihej diku aty në muzetë e Vatikanit. Ndërkohë që po kaloja nga një dhomë e muzeut në tjetrën pashë mbishkrimin mbi një “derë të vogël” që thoshte “Arti Modern”. E dija se kjo ishte rruga për të gjetur “Pietá-në”, por duke u futur në këtë derë, lamë pas shumë persona të cilët vazhduan pas turmave përmes dyerve të gjëra e të mëdha! Duke lënë pas kështu, të pa eksploruar dhe të papërjetuar, jo vetëm veprën e Van Gogut por edhe vepra nga Pikaso, Matisse, Nolde, Kandinski, e shumë artistë të tjerë me vlera të pakontestuara artistike.

Kur ecni pas turmave ju dëshmoni se nuk jeni futur përmes derës së ngushtë dhe në këtë mënyrë nuk jeni duke ecur pas Jezusit. Sepse Jezusi nuk është duke shkuar pas turmave. Në anën tjetër, në udhën e ngushtë mund të ndjeheni të vetmuar, të frikësuar, por merrni zemër se keni për të parë pamje madhështore, të cilat turmat nuk do të kenë mundësi t’i shohin kurrë. Sado e ngushtë dhe e vështirë të jetë rruga, mos harroni: bashkëudhëtari juaj është Jezusi.- Arijeta Ajeti

Ndërsa luteni, kërkoni që Ati t’ju drejtojë dhe t’ju tregojë rrugën në të cilën duhet të ecni.

#MosNdiqTurmat #DeraENgushtë #UdhaEQëndresës #Mateu714 #JezusiBashkëudhëtar #ZgjidhRrugënEDrejtë #BesimiNukËshtëTurmë #EcMeZotin #FjalëteShpresës #Meditime

web-woh-20-korrik

Ajo ç’ka bën një brez ndikon brezin tjetër

Loading poll …

Dita 20 | Lexoni nga Gjyqtarët 2:6-10

Kur tërë ai brez u bashkua me etërit e vet, mbas atij doli një brez i ri që nuk e njihte Zotin, as veprat që kishte bërë për Izraelin. (v. 10)

Besimi e mosbesimi dallohen në bindjen ndaj Perëndisë. Ah sikur ne, brezat që jetojmë pas brezit të komunizmit, të shfaqnim besim dhe të mësonim prej gabimeve të tyre. Shoqëria do të ishte ndryshe. Thuhet se “kush nuk e njeh historinë, priret të bëjë të njëjtin gabim”. Unë mendoj se brezi ynë, nuk ka mësuar gjë prej brezit të kaluar.

Një shoqëri që harron se ka Perëndi, nuk ka themel për moralin dhe as bazë për të drejtën dhe të gabuarën. Si rrjedhojë ecën në errësirë dhe drejt greminës. Pasazhi ynë për sot flet për një brez që besoi, por që u pasua nga një brez që nuk e njihte Zotin. Në librin e Gjyqtarëve përshkruhen gjërat që i ndodhën atij brezi.

Ata që kanë besuar janë shpëtuar. Kjo është e gjithë historia e njerëzimit që prej fillimit, e deri sa të vijë fundi. Kaini humbi, por jo Abeli. Brezi i Noeut humbi, por jo Noeu me familjen e tij. Sodoma dhe Gomorra humbën, por jo Loti me vajzat e tij. Jeriko humbi por jo Rahabi dhe familja e saj. Nëse nuk doni që të humbisni, duhet të besoni në veprën e Krishtit që vdiq dhe u ringjall për t’ju shpëtuar. Ka një palë që fiton dhe ka një palë që humbet. Pala fituese janë ata që i besojnë Krishtit, pala humbëse janë ata që nuk i besojnë atij. Po ju, ku doni që të jeni? Shkrimi thotë se kushdo që thërret emrin e Zotit do të shpëtohet (Rom. 10:13). – Gentian Dogani

Ndërsa luteni, i kërkoni Krishtit që t’ju japë më shumë besim.

#BesimiNëZot #BreziQëBeson #Gjyqtarët210 #HistoriaQëMëson #KrishtiShpëtimtari #KushdoQëThërretEmrinEZotit #Romakeve1013 #FjalaEPerëndisë #FjalëteShpresës #Meditime