Lexoni nga Abdia 1:10-15
Fryma e indiferentizmit në ditën e fatkeqësisë
Nuk duhet të hyje . . . as të sodisje edhe ti me kënaqësi . . . ditën e fatkeqësisë së tij. (v. 13)
Më kujtohet kur isha i vogël ne shihnim televizionet greke fshehurazi, me zërin e ulur, nga frika që të mos dëgjonin komshinjtë e të na spiunonin, edhe pse disa herë mund të ishin edhe familjarët që nuk i shihnin kanalet greke. Sa familjarë janë përndjekur a vrarë nga spiunimet me frymë ziliqare, lakmitare, grabitqare dhe krenarie nga besnikëria ekstreme ndaj edomo-komunizmit!
Në vargjet e sotme shohim që Perëndia do ta dënojë Edomin për shkak se nuk e ndihmoi, nuk e mbrojti dhe nuk qau për vëllanë e tij në ditën e fatkeqësisë. Dhuna, indiferenca, narcizmi, grabitja, vëllavrasja, burojnë nga mëkati i lakmisë dhe i zilisë që kishte Edomi. Perëndia e urren mëkatin dhe edomitët, sepse ata vazhdojnë në frymën e Esaut, atit të tyre.
Po ne, çfarë bëjmë ditën e fatkeqësisë së vëllait tonë? A mos ngjajmë edhe ne me Kainin dhe edomitët që thonë: “Ç’më duhet mua? Se mos jam rojtari i vëllait tim.”? Shorti i fateve të Jeruzalemit na ngjan pak me Judën që tradhtoi Zotin tonë, Krishtin, dhe me Pjetrin që e mohoi dhe me rojet që hodhën short për mantelin e Jezusit. Cili është qëndrimi ynë kur shikojmë dikë që vuan në fatkeqësi? Cili është qëndrimi ynë në luftën Izrael – Gaza? A i përngjajmë samaritanit të mirë?
Le të bëhemi, pra, edhe ne samaritanë të mirë për ata që vuajnë dhe le të kthehemi në pendim si Pjetri nëse jemi larguar nga Jezusi apo/dhe nga kisha. Le të falim edomët biologjikë dhe frymërorë siç bëri Jezusi. Mesazhi i shpresës është që ne mund të shkojmë te Krishti dhe ai është i gatshëm të na falë nëse kthehemi tek ai të penduar. Apostulli Pal na thotë se asgjë nuk mund të na ndajë nga dashuria e tij, as fatkeqësia dhe as vdekja (Rom. 8:35-39). — Rev. Sotir Anagnosti
Ndërsa luteni, falënderoni Perëndinë për dashurinë e Krishtit. I kërkoni që t’ju çlirojë nga njerëzit që kanë frymë edomite dhe instinktin e lakmisë dhe grabitqarit. Lutuni për Izraelin dhe vëllezërit që vuajnë, duke u treguar bujarë me ta dhe duke qenë një bekim për ta.