Lexoni nga Romakëve 8:12-17
Fryma e birësimit
Keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: “Aba, o Atë!”. (v. 15)
Një nga rrëfimet e mëdha të besimit të krishterë është se Jezu Krishti është Biri i vetëm i Perëndisë. Kredoja e Apostujve deklaron: “Ne besojmë … në Jezu Krishtin, të vetmin Bir të Perëndisë, Zotin tonë”. Kur Perëndia vendosi besëlidhjen e tij me popullin e Izraelit, ai i quajti ata bijtë e tij, “Ju jeni bijtë e Zotit, Perëndisë tuaj” (LiP. 14:1).
Në Jezu Krishtin, dyert e asaj besëlidhjeje kanë dalë nga menteshat dhe janë hapur tej e tej, në mënyrë që tani të mund të përfshihen në këtë besëlidhje edhe ata që nuk janë judenj dhe të quhen po ashtu bij të Perëndisë. Jezusi është Biri i Perëndisë prej natyre, ndërsa përfshirja jonë në familje është me anë të birësimit, “Ju nuk keni marrë një frymë skllavërie … po keni marrë frymën e birërisë” (v. 15).
Si bij të Perëndisë, edhe neve na janë dhënë të njëjtat përfitime që i përkasin Jezu Krishtit, Birit të vetëmlindur të Perëndisë. Këto përfitime përfshijnë privilegjin për t’i thirrur Atit, njësoj si fëmijët që kërkojnë njërin nga prindërit në terr të natës për shkak të bubullimave e vetëtimave. Kur ne i thërrasim, ai dëgjon. Kur ne qajmë, ai na dëgjon. Ai është Ati ynë; ai na dëgjon për shkak se i përkasim atij dhe ai kujdeset për ne. Vetë klithmat tona drejtuar atij janë provë që i përkasim atij, dhe kur thërrasim emrin e tij është si kujtesë që jemi bijtë e tij. — Jon Brown
Ndërsa luteni, i thërrisni Atit tuaj të dashur qiellor.