woh-23-mars-web

23 Mars

Lexoni nga Marku 14:43-52

Tradhtia

Kë do të puth, ai është. (v. 44)

Ata që doni më shumë, gjithashtu edhe mund t’ju lëndojnë më shumë. Kur një mik vendos të mos kalojë më kohë me ju, lëndimi është më i madh sesa kur nuk shiheni më kurrë me një person të panjohur. Afërsia që keni pasur me njëri-tjetrin e bën humbjen akoma edhe më të dhimbshme.

Juda përdori një gjest dashurie për të tradhtuar Jezusin. Ai kishte ecur bashkë me Jezusin, si një dishepull i tij, për tre vjet. E kishte dëgjuar kur jepte mësim, kishte parë mrekullitë e tij, kishte qenë dëshmitar i dhembshurisë së Jezusit karshi të varfërve, dhe kishte përqafuar shpalljen që ai bëri se mbretëria e Perëndisë ishte në mesin e tyre. E megjithatë, Juda erdhi atë natë me rojet e armatosur. Ai e kishte shitur Jezusin dhe ishte gati ta dorëzonte atë tek njerëzit që donin ta vrisnin. Për ta identifikuar Jezusin në errësirë, Juda erdhi afër, e quajti atë “rabin”, që është një titull me respekt që dishepujt e përdornin për t’iu drejtuar mësuesit të tyre, dhe e puthi (v. 44-45). Puthja është një shenjë e dashamirësisë, e dashurisë dhe afërsisë. Mirëpo Juda e përdori atë për t’i kthyer shpinën Jezusit dhe për t’ia dorëzuar atë vdekjes.

Jezusi nuk u tradhtua vetëm nga Juda, por gjithashtu u braktis nga pjesa tjetër e dishepujve. Një prej dishepujve nxori një shpatë (kishte ardhur i përgatitur) dhe i preu veshin njërit prej atyre që i sulmuan (v. 47). Si përfundim të gjithë dishepujt ia mbathën nëpër natë. Ata që e donin më shumë Jezusin, i kthyen shpinën atij atëherë kur kishte më shumë rëndësi (v. 50). E megjithatë, ai nuk ua ktheu shpinën atyre, apo neve. Përkundrazi, ai e ktheu fytyrën e tij drejt kryqit. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, falënderoni Jezusin që ju ka dashur gjithmonë.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

Tags: No tags