Lexoni nga Romakëve 8:26-27
Ndihma nga Fryma
Po ashtu, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet. (v. 26)
Kur lutemi, ne nuk lutemi kurrë vetëm. Madje edhe kur lutemi privatisht, nuk jemi duke u lutur vetëm. Fryma lutet edhe në ne edhe për ne. Një pjesë e mirë e vëmendjes sonë mbi lutjen i është kushtuar veprimit tonë të të luturit. Ne shkojmë nëpër konferenca që flasin se si të shkojmë më thellë në jetën tonë të lutjes. Dhe ndonjëherë biem pre e mendësisë që sa më shumë njerëz të kemi që luten për ne aq më shumë gjasa ka që Perëndia do t’i dëgjojë lutjet tona dhe do t’u përgjigjet atyre. Ne u kërkojmë pastorëve informacione të dobishme apo strategji për të pasur një jetë lutëse sa më efikase. Por edhe pse padyshim nuk ka asgjë të keqe të kërkojmë të shkojmë më thellë në jetën e lutjes, apo t’u kërkojmë miqve tanë të luten për ne, apo të gjejmë praktika të dobishme që na aftësojnë të lutemi me besnikëri, është e rëndësishme të mbajmë mend se përpjekjet tona nuk janë gjëja më e rëndësishme tek lutja. Gjëja më e rëndësishme është se Fryma na ndihmon të lutemi.
Si të luteni për mikun tuaj në mes të një divorci të dhimbshëm? Si të luteni për një familjarin tuaj që jeton me dhimbje të vazhdueshme fizike dhe emocionale? Si të luteni për dikë në kishën tuaj që ka vështirësi financiare? Lutuni, sigurisht, lutuni. Lutuni nga zemra dhe dëshirat tuaja, jini të udhëhequr nga Shkrimi në lutjet tuaja. Mirëpo, me të gjitha mësimet e rëndësishme që keni marrë rreth lutjes, mbani mend këtë të parën: “Fryma ndërhyn për shenjtorët, sipas [vullnetit të] Perëndisë” (v. 27). — Jon Brown
Ndërsa luteni, i kërkoni Frymës së Shenjtë t’ju ndihmojë të luteni, veçanërisht kur nuk dini si të luteni.