Lexoni nga Danieli 4:4-9; 19-25, 28-33
Kush sundon?
Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve dhe ia jep atij që ai dëshiron. (v. 25)
Politikanit britanik të shekullit të 19, Xhon Dalberg-Akton, i atribuohet citati: “Pushteti priret të korruptojë dhe pushteti absolut korrupton plotësisht.” Sa më shumë pushtet të kenë njerëzit, aq më pak të përgjegjshëm janë për ligësinë që bëjnë.
Në librin e Danielit, mbreti Nebukadnetsar kishte gjithë pushtetin që mund të ketë një njeri. Ai ishte vërtet i korruptuar, bënte shkatërrime në shkallë të gjerë, shpërngulje të banorëve dhe degjenerim të nënshtetasve të shumtë. Më e keqe akoma, ai i konsideronte të gjitha këto “për lavdinë e madhërisë sime” (v.30). Ai e zgjodhi veten të sundonte në vend të Perëndisë.
Shpeshherë shqetësohem, madje, edhe zemërohem nga korrupsioni dhe abuzimet e figurave autoritare njerëzore që duket sikur kalojnë pa u dënuar. Me raste vras mendjen se përse Perëndia nuk bën më shumë për ta kufizuar pushtetin e pushtetarëve. Në çastet e mia më të këqija, tundohem të mendoj se zgjidhja më e mirë është që Perëndia t’i eliminojë këta ndërmjetës problematikë pushteti.
Megjithatë, duhet të mbajmë mend tri gjëra. Së pari, i gjithë autoriteti është autoritet i Perëndisë dhe Perëndia në urtësinë e Tij e delegon autoritetin e Vet siç i duket më mirë. Së dyti, Perëndia e kufizon ligësinë njerëzore dhe premton që të gjithë do të japin llogari. Së treti, Perëndia dëshiron t’i shpëtojë të gjithë – edhe sundimtarët e korruptuar. Perëndia e poshtëron Nebukadnetsarin, jo që ta heqë nga pushteti, por që ta shpengojë. Perëndia është i drejtë dhe i mëshirshëm. Ne mund t’i besojmë që do të sundojë me drejtësi dhe mëshirë, edhe kur sundimtarët tanë njerëzorë dështojnë. – Ben Van Arragon
Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’i poshtërojë – madje edhe t’i shpengojë – pushtetarët.