web-woh-24-mars

24 Mars

Lexoni nga Luka 22:54-62

Mohimi i Pjetrit

O grua, nuk e njoh. (v. 57)

Jezusi qëndroi përpara kryepriftit dhe krerëve fetarë. Ata i bënë pyetje në lidhje me identitetin e tij dhe sollën dëshmitarë të rremë (Mt. 26:59-60). Jezusi e dinte se ku do ta çonte kjo, prandaj me qetësi refuzoi të angazhohej. Si rrjedhojë, ata e dënuan atë, ashtu siç e kishin planifikuar (v. 66-71).

Ndërkohë që Jezusit po i bëhej gjyqi në shtëpinë e kryepriftit, Pjetrit po i bëhej një gjyq informal në oborr. Kur e pyetën nëse ishte një dishepull, pra, nëse kishte qenë me Jezusin, Pjetri pretendoi se nuk e njihte Jezusin fare (v. 56-57). Pjetri u përball përsëri me të njëjtën pyetje, por në vend që të zgjohej për të parë atë që po ndodhte, ai e dyfishoi mohimin e tij (v. 58).

E shohim vazhdimisht këtë lloj sjelljeje. Dikush kapet duke bërë diçka të gabuar, dhe në vend që ta pranojë atë gjë hapur, ai/ajo ngul këmbë më shumë dhe proteston edhe më fort, duke bërë blofin se nëse proteston mjaftueshëm me zë të lartë, atëherë akuzuesit e tij/saj tyre thjesht do të heqin dorë. E njëjta gjë ishte edhe me Pjetrin. Kur e pyetën të tjerët, Pjetri e mohoi përsëri, dhe në atë çast, gjeli këndoi. Jezusi ktheu kokën dhe vështroi Pjetrin përmes distancës së madhe të oborrit dhe Pjetri e kuptoi atë që kishte bërë. Ai doli duke qarë (v. 59-62).

Kush ishte në gjyq? Jezusi ishte në gjyq përpara kryepriftit, dhe Pjetri po përballej me një lloj gjyqi në oborr. Megjithatë, në të vërtetë jemi ne që po e lexojmë këtë histori që jemi në sprovë. Si do të reagojmë ne? A do ta dënojmë Jezusin siç bëri kryeprifti, do ta mohojmë atë siç bëri Pjetri apo do ta përqafojmë atë si një dishepull? — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, i kërkoni Jezusit t’ju ndihmojë të mbaheni gjithmonë fort tek ai.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

Tags: No tags