Lexoni nga Psalmi 51
Lutja e faljes
Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembshurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë. (v. 1)
Po shihja një film kriminalistik në televizor. Krimineli po përpiqej që të zhdukte armën e krimit, që ishte një pistoletë. Ai shkoi në lumin Hadson dhe e hodhi nga një parmak. Arma u zhyt pa lënë gjurmë, duke e bërë të pamundur gjetjen e saj. Në mënyrë të mahnitshme, këtë bën edhe Perëndia me mëkatet tona. Ai i hedh “të gjitha mëkatet tona në fund të detit” dhe ato nuk do të dalin më kurrë në sipërfaqe. Janë zhdukur përgjithmonë.
Çfarë çlirimi ishte ky për Davidin. Në këtë psalm shohim atë duke rrëfyer mëkatet e tij të tmerrshme të vrasjes dhe kurorëshkeljes. Davidi e dinte që Perëndia ishte i mëshirshëm dhe falës. Siç e thotë dhe Psalmi 103: “Perëndia nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona” (v. 10). Për shkak të kësaj, Davidi e dinte që ai mund të shkonte te Perëndia në lutje.
Kështu është edhe për ne. Kur Perëndia na fal, Ai nuk na i përmend më mëkatet tona. Ndryshe nga ai kriminel, që po përpiqej të shmangte ndëshkimin për atë krim të tmerrshëm që kishte kryer, ne ia dorëzojmë mëkatet tona Krishtit, që merr mbi Vete ndëshkimin që meritojmë ne. Te letra e Hebrenjve Pali na thotë: “. . .vetëm një herë, në fund të shekujve Krishti u shfaq për të prishur mëkatin me anë të flijimit të vetvetes” (Heb. 9:26). Kur ne e pranojmë Krishtin si Shpëtimtarin tonë, Ai e fshin plotësisht mëkatin tonë. Lavdi Perëndisë për faljen e Tij! – John Koedyker
Ndërsa luteni, rrëfeni mëkatin tuaj dhe pranoni faljen e Perëndisë.