web-woh-25-june

25 Qershor

Lexoni nga Gjoni 10:1-18
Dera
Në të vërtetë, në të vërtetë, po ju them: Ai që nuk hyn nga dera në vathën e deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar. (v. 1)

Dëgjuesit e Jezusit duhen ta kenë ditur se delet kanë nevojë për një bari. Këto kafshë të çmuara të fermës nuk ishin të cenueshme vetëm ndaj kafshëve të egra, por gjithashtu edhe ndaj hajdutëve. Delet janë kafshë të zgjuara që rrinë në kope, të cilat mbrojnë njëra-tjetrën. Ato e njohin njëra-tjetrën dhe gjithashtu mund të mbajnë mend edhe njerëz.

Sigurisht që Jezusi kishte të drejtë: delet e njohin bariun e tyre dhe i përgjigjen zërit të një bariu të mirë, pra, dikujt që i ruan, që i mban të sigurta dhe kujdeset për to; dikush që do t’i kërkojë nëse humbasin. Në këtë aspekt, ato na ngjasojnë pak neve: si nevojtarë për një Bari që do të na drejtojë dhe do të na prijë. Dhe ashtu si delet, kur dëgjojmë zërin e Bariut të Mirë, edhe ne reagojmë.

Në leximin e sotëm të Biblës, Jezusi e përshkruan shtëpinë tonë të fundit si një vathë delesh, pra, një vend ku delet janë të sigurta dhe të ushqyera, një vend ku bariu është bashkë me to dhe i ruan ato. Por këtu qëndron problemi: ekziston vetëm një derë, një mënyrë për të hyrë, dhe vetëm një mënyrë. Bariu ynë thotë: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjo. 14:6).
Jezusi nuk dëshiron asgjë më shumë sesa që ju të gjeni Udhën. Jezusi nuk dëshiron asgjë më shumë se sa t’ju gjejë, t’ju ushqejë, t’ju mbrojë, t’ju thërrasë në shtëpi dhe të jetë Bariu juaj. — Lou Bury

Ndërsa luteni, falënderoni Jezusin që është Bariu juaj i Mirë.

fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

Tags: No tags