Lexoni nga Romakëve 8:18-25
Krijimi i ri
Vetë krijimi do të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë. (v. 21)
Ndikimet që ka mëkati në botë shkojnë shumë më thellë sesa thjesht shtrembërimi i aftësisë sonë për të zgjedhur siç duhet kur përballemi me vendimet se si të jetojmë. Ato shtrihen më shumë sesa thjesht ndërprerja e marrëdhënies së Perëndisë me njerëzimin. I gjithë krijimi ndikohet nga mëkati. Padyshim Adami dhe Eva përjetuan një ndarje mes tyre të cilën nuk e njihnin përpara se të binin; gjithashtu, ata përjetuan edhe një ndarje nga Perëndia që i krijoi. Por edhe kjo nuk është e gjithë historia e plotë. Mosbindja njerëzore shkaktoi gjithashtu një mallkim mbi krijimin. “Toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd”, deklaroi Perëndia (Zan. 3:17).
Që prej rënies, “mbarë krijesa psherëtin bashkë dhe ndodhet bashkë në dhimbjet e lindjes” (Rom. 8:22). Megjithatë, kjo psherëtimë nuk është e kotë, sepse Perëndia ka për qëllim të sjellë në jetë një krijim të ri. Kjo është arsyeja që kur Gjoni pa përtej kohës në përjetësi, ai pa “qiej të rinj dhe një tokë të re”, dhe dëgjoi Jezusin që shpallte “Ja, unë bëj gjithçka të re” (Zbu. 21:1, 5). Krijimi, që dikur u quajt “i mirë” nga Perëndia në fillim, do ta përjetojë shpengimin e plotë në fund. I gjithë krijimi do të përjetojë “lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë” (Rom. 8:21). Qëllimet shpenguese të Perëndisë për botën na përfshijnë neve, por ama janë shumë më të mëdha, më të plota dhe më të mira. — Jon Brown
Ndërsa luteni, lutuni për restaurimin e të gjithë krijimit përmes Jezu Krishtit.