web-woh-26-mars

26 Mars

Lexoni nga Mateu 27:32-37

Simon kirenasi

E detyruan [një njeri] ta mbartte kryqin e Jezusit. (v. 32)

Nuk besoj se Simoni e kishte menduar që dita do t’i shkonte kështu. Duke qenë se vinte nga rajoni i largët i Kirenas, me shumë gjasa Simoni ishte një jude besnik që kishte ardhur në Jerusalem për pashkën judease. Ai nuk kishte ardhur të shikonte Jezusin; aq larg sa jetonte ai ndoshta nuk kishte dëgjuar kurrë për Jezusin. E megjithatë, përmes hirit të Perëndisë, ai u bë pjesë e kësaj historie. Simonin e detyruan të mbartte kryqin e Jezusit, i cili ishte i lodhur nga gjyqi, rrahjet, talljet dhe nga pesha e asaj që e priste, ndërkohë që po shkonte drejt vdekjes. Zakonisht të dënuarit e mbartnin vetë kryqin e tyre, por kur Jezusi nuk vazhdonte dot më, atëherë ushtarët detyruan një kalimtar që ta mbartte atë. Simoni e mbarti deri në Golgota, ku ushtarët e kryqëzuan Jezusin menjëherë (v. 33-37).

Padyshim që duke mbartur kryqin dhe duke qenë dëshmitar i kryqëzimit të Jezusit ishte një përvojë jetëndryshuese për Simonin atë ditë. Nga e dimë ne? Sepse shohim emrin e tij të përmendur. Kjo do të thotë se me shumë gjasa ai njihej nga komuniteti i krishterë. Marku 15:21 e identifikon atë si “babai i Aleksandrit dhe Rufit”. Arsyeja e vetme që këto emra dhe detaje përfshihen është për shkak se besimtarët në kishën e hershme e njihnin Simonin dhe dy bijtë e tij. Ata mund ta pyesnin drejtpërdrejtë në lidhje me atë që kishte ndodhur atë ditë me Jezusin.

Kryqi i Jezusit mund të ndryshojë një jetë. Ai ndryshoi Simonin, i cili nuk mund ta kishte pritur që do të “ngatërrohej” në veprën shpenguese të Perëndisë, mirëpo Perëndia kishte plane të tjera. Kryqi i Jezusit mund ta ndryshojë edhe jetën tuaj gjithashtu. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju ndryshojë përmes kryqit, njësoj si Simonin.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

Tags: No tags