woh-27-web

27 Shkurt

Lexoni nga Romakëve 8:18-25

Të shpëtuar në shpresë

Sepse me shpresë ne shpëtuam. (v. 24)

Shpresa është një nga fjalët e mëdha të besimit të krishterë, por ka tendencën që të përdoret më tepër seç duhet dhe të keqpërdoret, duke e humbur kështu një pjesë të fuqisë së saj. Ne priremi ta përdorim fjalën “shpresë” sikur të kishte kuptimin e diçkaje të kënaqshme që ne imagjinojmë të na ndodhë. “Shpresoj që ta fitojë ekipi im ndeshjen”, “Shpresoj ta marr atë për ditëlindje”. Mirëpo për të krishterët shpresa mbart një farë sigurie që premtimet e Perëndisë do të bëhen realitet, përfshirë këtu edhe shpengimin e trupit tonë. Dhe kjo është arsyeja që autori i letrës drejtuar Hebrenjve flet për besimin në lidhje me shpresën, “Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen” (Heb. 11:1). Kurse Pali e ngre stekën e shpresës kur shkruan, “Sepse me shpresë ne shpëtuam”.

Shpresa është pritshmëria e sigurt se edhe pse rrethanat e jetës mund të tregojnë ndryshe, qëllimet e mira që Perëndia ka për botën dhe për ne do të përmbushen. Raportimet e lajmeve sugjerojnë se botën tonë e ka kapluar vuajtja, që thyerja sundon ditët tona dhe që zhgënjimi është përfundimi i pashmangshëm i ëndrrave tona. Mirëpo shpresa shpall sigurinë tek Perëndia që do t’i arrijë qëllimet e tij. Edhe pse mund të mos e shohim tani, dhe kjo është ajo që e bën atë shpresë, ne kemi besimin se një ditë do ta shohim dhe do ta përjetojmë fitoren e fundit të Perëndisë.

Disiplina frymërore që kultivohet nga shpresa është durimi. Durimi është i vështirë, madje është kundërkulturor në një botë që kërkon kënaqësi të menjëhershme. Por shpresa na jep forcën për të qëndruar me durim deri në fund. — Jon Brown

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju mbushë me shpresë dhe t’ju japë durim ndërkohë që prisni.

Tags: No tags