Lexoni nga Mateu 6:9-15
Bëni lutjen e Zotit
Ju, pra, lutuni kështu: “Ati ynë që je në qiej”. (v. 9)
Një nga lutjet më të njohura në botë është ajo që e quajmë “Lutja e Zotit”. Është Lutja e Zotit, sepse vjen nga Jezusi, Zoti ynë. Por gjithashtu mund ta quajmë edhe Lutja e Dishepullit, sepse Jezusi po u fliste dishepujve të Tij, kur tha: “Ju, pra, lutuni kështu…”
Në ungjillin sipas Lukës në lidhje me këtë lutje, Jezusi ishte shkëputur për t’u lutur vetëm. Duke e parë Mësuesin e tij të lutej, një nga dishepujt i tha Atij: “Zot, na mëso të lutemi, ashtu siç i mësoi Gjoni dishepujt e vet” (Lk. 11:1). Përgjigjja e Jezusit nuk ishte një libër kursi mbi lutjen, apo një seri leksionesh, por një lutje e thjeshtë 60-sekondëshe. Kjo është lutja më e rëndësishme, e shkurtër dhe e thjeshtë, prandaj është e lehtë që ta mësosh përmendësh. Mund të ketë qenë një nga lutjet e para që keni mësuar.
Është interesante të mendosh për faktin se dishepujt i kërkuan Jezusit t’u mësonte se si të luteshin. Ata mund t’i kishin kërkuar atij një mori gjërash të tjera, si për shembull, si të shëronin një të sëmurë, apo si të bëheshin rabinë që flisnin me autoritet. Por jo, ata donin të dinin se si të luteshin.
Pa diskutim që lutja ishte e rëndësishme për Jezusin. Dishepujt e kishin parë me sytë e tyre këtë. Ata e kuptuan që Jezusi merrte forcë nga Perëndia përmes lutjes. Dhe e donin këtë për veten e tyre.
Nëse do t’i kërkoni Jezusit që t’ju mësojë një gjë, a do të ishte kjo si të luteshin? Një dishepull i vërtetë këtë do t’i kërkonte. – John Koedyker
Ndërsa luteni, përdorni Lutjen e Zotit si udhëzim.
#lutja #28gusht #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android