Lexoni nga Romakëve 8:31-39
Perëndia është me ne
Çfarë të themi, pra, për këto? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? (v. 31)
Bibla përdor parafjalë të ndryshme për të cilësuar marrëdhënien që ka Perëndia me popullin e tij. Engjëlli tha se Jezusi do të quhet “Emanuel, që e përkthyer do të thotë ‘Perëndia me ne’” (Mt. 1:23). Gjoni e përshkruan mishërimin e Perëndisë në personin e Jezu Krishtit kështu: “Dhe Fjala u bë mish dhe ndenji ndër ne” (Gjo. 1:14). Kurse këtu tek Romakëve, Pali na siguron se “Perëndia është me ne” (v. 31). Perëndia që u ndesh me profetët e Baalit përmes Elias dhe i mundi ata është në anën tonë. Perëndia që rrëzoi muret e Jerikos, mposhti mëkatin përmes kryqit dhe vrau vdekjen duke ringjallur Jezusin prej së vdekurish është në anën tonë. “Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?”.
Pyetja retorike e Palit nuk ka për qëllim të sugjerojë se askush nuk është kundër nesh, përkundrazi, që askush dhe asgjë që u kundërvihet atyre që janë të Krishtit nuk mund t’i mposhtë ata. Për shkak se Perëndia është në anën tonë, ne “jemi më shumë se fitimtarë” (Rom. 8:37). Për shkak se Perëndia është në anën tonë, “[asgjë] nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Rom. 8:39).
Perëndia që është me ne është gjithashtu edhe në anën tonë. Çfarë të themi, atëherë, për këtë? — Jon Brown
Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë që është në anën tuaj t’ju japë guxim për t’u përballur me çfarëdo që po qëndron kundër jush.