Lexoni nga Danieli 7:1, 9-18
I Lashti i Ditëve
U vendosën fronet dhe i Lashti i Ditëve u ul. (v. 9)
Në gjysmë të tij, libri i Danielit e ndryshon tonin në mënyrë dramatike. Ai kalon nga një përshkrim i drejtpërdrejtë i aventurave të Danielit në mërgim, në një koleksion vegimesh kaotike. Danieli nuk ka dy histori të ndryshme. Është e njëjta histori e treguar nga dy këndvështrime të ndryshme: qielli dhe toka.
Danieli jetoi në kryqëzimin profetik të sferës materiale të tokës dhe sferës shpirtërore të qiellit. Pasazhet apokaliptike të Biblës japin tablo të shkurtra të asaj botës tjetër. Apokalips do të thotë “zbulesë” dhe Perëndia zbulon forcat shpirtërore që veprojnë në prapaskena të realitetit tonë. Danieli ishte i alarmuar nga kafshët e shfaqura nga vegimi i tij.
Në jetën njerëzore nuk ka asgjë asnjanëse nga ana shpirtërore. Kjo botë është një fushëbetejë në të cilën të gjitha gjërat ose kundërshtojnë, ose aprovojnë autoritetin e Perëndisë. Pasazhet apokaliptike të Biblës mund të na alarmojnë. Ne nuk duam të përballemi me shëmtinë shpirtërore që përvidhet pas godinave vezulluese të industrisë kinematografike apo sistemeve ekonomike. Por ne duhet të kemi para syve imazhin që ishte në thelb të vegimit të Danielit. Mbi gjithçka qëndron i Lashti i Ditëve. Ai i jep “dikujt që i ngjante një Biri njeriu” (v. 13) lavdi të përjetshme dhe sundim mbi tokë: mbretëria e tij do zëvendësojë të gjitha mbretëritë tokësore dhe do të çrrënjosë gjithë ligësitë tokësore (v. 14). Sa e jashtëzakonshme që Danieli arriti të shikonte një vegim të Shpëtimtarit që ne e njohim me emër. Sa ngushëllim ta dimë që Shpëtimtari ynë ka mposhtur pushtetin e mëkatit, vdekjes dhe ferrit. Mbretëria e Tij e përjetshme do të dalë fitimtare. – Ben Van Arragon
Ndërsa luteni, falënderojeni Perëndinë për autoritetin e Tij mbi gjithë ato pushtete!
#28shtator #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android