Lexoni nga 2 e Kronikave 26:16-23; Filipianëve 4:12
Ungjilli për të fuqishmit
Por, mbasi u bë i fuqishëm, zemra e tij u bë krenare aq sa u korruptua. (2 e Kronikave 26:16)
Shumë histori konvertimi ndjekin një model të caktuar: “Isha i dobët dhe i ulur në gjunjë, pastaj e pranova Jezusin në zemrën time.” Lavdi Perëndisë që diçka e tillë ndodh! Por ç‘thotë ungjilli për të pasurit, njerëzit me dhunti, njerëzit me pushtet?
Në pasazhin e sotëm, emri i mbretit është “Uziah” (dhe jo Azariah si te 2 e Mbretërve 15, ndoshta për të shmangur ngatërrimin me kryepriftin Azariah), që fjalë për fjalë do të thotë: “Zoti është fuqia ime”. Nën drejtimin e mbretit Uziah, autori i Kronikave na tregon restaurimin e Elathit, një qytet-port në Detin e Kuq, mbledhjen e një ushtrie të madhe dhe përdorimin e teknologjisë së lashtë për mbrojtje ushtarake nga ana e Uziahut. Fuqia në vetvete nuk është gjë e keqe, por problemi ishte çfarë bëri mbreti Uziah me fuqinë e tij: “zemra e tij u bë krenare” (2 e Kronikave 26:16). Uziahu mori rolin e priftërinjve dhe uzurpoi autoritetin e tyre të dhënë nga Perëndia (v.18). Si rrjedhojë, ai u sëmur fizikisht nga lebra që më pas solli edhe vdekjen e tij (v. 21). Ai vdiq i përjashtuar, i lënë në baltë nga fuqia e tij.
Apostulli Pal na jep dëshmi që mund të identifikohemi me Jezusin kur jemi të dobët; por edhe më sfiduese është të jetosh në Krishtin kur jemi të fuqishëm (Filipianëve 4:12). Për ne sot që kemi dhunti, që kemi fuqi dhe jemi të pasur, çfarë do të ndodhte nëse do ta kuptonim ç‘jetë më të mrekullueshme do të kishim, nëse burimet dhe fuqia jonë marrin një qëllim më të lartë dhe lidhen me Jezus Krishtin? – Kent Fry
Ndërsa luteni, kërkojini Jezusit t’ju ndihmojë jo vetëm në kohë dobësie, por edhe në kohë fuqie të madhe!