web-woh-29-gusht

29 Gusht

Lexoni nga Filipianëve 1:3-11

Të lutemi për dashuri me bollëk

Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim. (v. 9)

Në vitin 1965, këngëtarja e popit Xheki DeShenon (Jackie DeShannon) këndoi këngën: “Bota tani ka nevojë për dashuri”. (What the World Needs Now Is Love.) Në atë kohë isha një djalë i ri, por e mbaj mend mirë këtë këngë. Jo vetëm që shprehte emocionet e autorit të tekstit, por si për habi, është një lutje. Pasi thotë se dashuria është diçka nga e cila ka shumë pak, kënga i drejtohet Perëndisë: “Zot, nuk na duhet gjë tjetër… Oh, dëgjo, Zot, nëse do që ta dish.”

Apostulli Pal i bën një kërkesë Perëndisë në lidhje me dashurinë në letrën e tij drejtuar filipianëve: “Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim” (v. 9). Por lutja e tij për dashuri ishte më shumë për Kishën, se sa për botën.

Pse është kështu? A nuk ka nevojë bota për dashuri? Për dashuri të pastër? Sigurisht që po! Por për Palin, që Ungjilli të përparojë në botë, duhej që të tregohej me shembull nga Kisha. Për fat të keq, kjo nuk ndodh gjithmonë. Krijimi i një ambienti plot dashuri në një kishë është një detyrë e stërmadhe, përtej mundësive njerëzore. Prandaj, Pali e bën këtë çështje të lutjes. Dhe për këtë i bën jehonë udhëzimeve që Jezusi u dha dishepujve të Tij: “…ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjo. 13:34-35).

Dashuria qëndron në qendër të Ungjillit dhe duhet të jetë gjithnjë e më me bollëk mes popullit të Perëndisë. – John Koedyker

Ndërsa luteni, kërkoni për dashuri me bollëk në ju dhe në kishën tuaj.

#lutja #29gusht #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android

Tags: No tags