Lexoni nga Romakëve 8:31-39
Asgjë nuk do të na ndajë
[Asgjë] nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë. (v. 39)
Gjëja e parë që bëri njerëzimi pasi nuk iu bind Perëndisë në kopshtin e Edenit ishte të fshihej. Fillimisht Adami dhe Eva u fshehën nga njëri-tjetri, “Kështu ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për t’u mbuluar” (Zan. 3:7). Pastaj u fshehën nga Perëndia: “Dhe njeriu dhe gruaja e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi” (Zan. 3:8). Gjëja e parë që bëri Perëndia pas mosbindjes së tyre ishte të pyeste, “Ku je?” (Zan. 3:9). Dhe ky është pikërisht treguesi i ungjillit, që Perëndia është me një mision për të shpenguar dhe restauruar krijesat e veta njerëzore në marrëdhënie të drejta me njëri-tjetrin dhe me veten e tij.
Pyetja që Perëndia bëri në kopsht, “Ku je?” (Zan. 3:9) mori përgjigje në Jezu Krishtin. Pali e artikulon këtë përgjigje kur shkruan: “[Asgjë] nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë”. Pali nuk po na ofron thjesht pakëz siguri për ata që janë të dekurajuar. Ai po adreson këtu ankthin dhe shqetësimin më të thellë të racës së rënë njerëzore: frikën nga ndarja.
Perëndia nuk kurseu as Birin e vet, dhe ai Bir vdiq për ne, u ringjall për ne, ndërmjetëson për ne, dhe qëndron me ne me anë të Frymës së tij, në mënyrë që “tani ne i përkasim Perëndisë dhe po jetojmë në të. Dhe asgjë nuk do të jetë ndonjëherë në gjendje të na ndajë përsëri”. — Jon Brown
Ndërsa luteni, falënderoni Perëndinë që kujdeset mjaftueshëm për të pyetur “Ku je?” dhe na do mjaftueshëm për t’iu përgjigjur vetë pyetjes së tij me Jezu Krishtin.