Lexoni nga Zanafilla 2:1-4
Perëndia që çlodhet
Ndërkaq ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer dhe ditën e shtatë u çlodh nga gjithë vepra që kishte kryer.” (v. 2)
Fjala “Sabat” vjen nga folja hebraike “shabbat”, që do të thotë “të pushosh ose të ndërpresësh”. Gjatë Sabatit, ne marrim 24 orë kohë, jo thjesht për të ndërprerë punën tonë, por edhe për nevojën tonë për të arritur diçka dhe për të qenë të frytshëm. Ne ndalojmë përpjekjet dhe orvatjet tona për të qenë në kontroll. Në vend të kësaj, Perëndia na fton në një vend çlodhje, adhurimi, ripërtëritjeje dhe kënaqësie të paqtë!
Në fillim, pasi Perëndia krijoi botën, Ai pushoi në ditën e shtatë. Kjo mund t’ju duket e çuditshme. Perëndia nuk lodhet dhe konsumohet, atëherë pse pushoi Ai? Pjesërisht për të dhënë një shembull për ne si krijesat e Tij. Megjithatë, këtu na jepet diçka më e rëndësishme se sa thjesht ideja që Perëndia donte të na jepte një shembull për ta ndjekur. Siç e thekson dhe studiuesi i Biblës, Xhon Uolton (John Walton), kur Zanafilla na thotë se Perëndia pushoi në ditën e shtatë, kjo nënkupton se Perëndia u ul në fronin e Tij si Mbreti sovran i gjithë krijimit. Në botën e lashtë, kur një person me autoritet “pushonte”, kjo nënkuptonte se ai po ushtronte rolin e tij të ligjshëm të mbretërimit dhe qeverisjes me fuqi dhe lavdi në mbretërinë e tij.
Ky realitet, që Perëndia po pushon në fronin e Tij dhe mbretëron mbi gjithë krijimin dhe historinë, i bën zemrat tona të lira për të pushuar vërtet në Të. Ne mund të kemi vetëbesimin se Perëndia ynë mbretëron, pavarësisht se sa kaotike mund të duket bota dhe pavarësisht pasigurive me të cilat përballemi. Dhe mbretërimi i Tij zgjat përjetë! – Brian Keepers
Ndërsa luteni, falënderojeni Perëndinë që Ai është Mbreti sovran, që sundon në botë me të vërtetë dhe hir.
#kohapërçlodhje #2gusht #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android