Lexoni nga Marku 14:1-11
I përgatitur për varrosje
Ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje. (v. 6)
Në një pikë gjatë vaktit, hyri një grua, e cila kishte me vete një shishe me parfum; me shumë gjasa gjëja më e çmuar që zotëronte, që kapte vlerën e rrogës së një viti. Ajo e nxori, e theu atë dhe e derdhi mbi kokën e Jezusit (v. 3). Ata që ishin mbledhur me Jezusin, i panë veprimet e saj dhe thanë: “Përse të humbasë ky vaj erëkëndshëm?” (v. 4).
Atë që bota e quan humbje, Jezusi e quan të bukur. Gruaja e dalloi se Jezusi ishte ai që kishte më shumë rëndësi. Nëse do të kishte vetëm një shishe për të dhënë, vetëm një gjë të çmuar për të derdhur, vetëm një jetë për të jetuar, ajo do t’ia jepte ato Jezusit. Kishte shumë mënyra të mira, të përshtatshme apo të duhura për ta përdorur parfumin e saj, mirëpo ajo pa Jezusin dhe e dinte se vetëm një gjë ishte më e mira: vetë Jezusi. Ajo e theu shishen, e derdhi atë dhe Jezusi e konsideroi si diçka të bukur.
Gjithashtu Jezusi e quajti të bukur veprën e saj sepse ajo e përgatiti Jezusin për varrosjen e tij. “Ajo bëri atë që mundi; vajosi para kohe trupin tim për varrim” (v. 8). Livandoja është një parfum erëkëndshëm shumë i fuqishëm. Kënga e Këngëve e përmend livandën për të përshkruar dashurinë mes nuses dhe dhëndrit (1:12). Ky parfum me një aromë të fortë dehëse do të qëndronte në flokët dhe lëkurën e Jezusit për disa ditë me radhë. Kështu që, ndërsa Jezusi ishte drejtuar drejt varrosjes së tij, mjaftonte të merrte frymë thellë dhe do t’i vinte vazhdimisht në mendje se për kë po e bënte këtë gjë. Gjithçka që Jezusi duroi gjatë atyre ditëve në vijim, i bëri për shkak të dashurisë që kishte për nusen e tij, kishën. — Stephen Shaffer
Ndërsa luteni, falënderoni Jezusin që ju ka dashur mjaftueshëm për të duruar gjithçka për ju.