Lexoni nga Isaia 6:1-7
Perëndi i shenjtë
“I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive.” (v. 3)
Jam i privilegjuar që lutem me një mori njerëzish nga mbarë bota. Kam vënë re se shpesh njerëzit i fillojnë lutjet çdo herë në mënyrë të ngjashme. Një miku im, Dr. Bill “Ruggles” Church, gati çdo lutje e fillon me fjalët “Perëndi i shenjtë…” Kjo mund të jetë për shkak të akronimit “A.C.T.S” që mësoi dekada më parë. Kjo e ndërton lutjen sipas rendit: adhurim, rrëfim, falënderim dhe kërkesë. Duke iu drejtuar Atij me “Perëndi i shenjtë”, e nxit mikun tim t’i nisë lutjet e tij me nderim.
Pikërisht kështu i nisin lutjet e tyre edhe koret e engjëjve dhe qenieve qiellore. Te vegimi i Isaias, ata thërrasin: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është ZOTI i ushtrive.” (v.3) Te Zbulesa 4:8, krijesat e gjalla qiellore nuk pushojnë kurrë duke thënë: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti Perëndi, i Plotfuqishmi.” Kur ne i nisim lutjet tona kështu, ne pranojmë se vetëm Perëndia është i shenjtë. Kjo na ndihmon që të meditojmë mbi lavdinë që pa Isaia atë ditë në tempull dhe që ne një ditë do ta shohim përjetë të jetëve.
Duke parë atë lavdi, Isaia filloi të thërriste: “I mjeri unë! Unë jam i humbur!” (v.5) Adhurimi të drejton te rrëfimi. Ne jemi të padenjë të qëndrojmë në prani të një shenjtërie të tillë. Një engjëll sjell një thëngjill zjarri që të heqë mëkatin e Isaias. (v.7) Kur ne e pranojmë mëkatin tonë, edhe ne marrim falje në të njëjtën mënyrë. “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.” (1 Gjoni 1:9) Vegimi i shenjtërisë së Perëndisë na drejtoftë drejt hirit të Perëndisë në Jezusin. – Jon Opgenorth
Ndërsa luteni, niseni sot me “Perëndi i shenjtë,…”
#3nentor #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android