Lexoni nga Gjoni 5:1-21
Atë që po bën Ati im
Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ai, i bën po ashtu edhe Biri”. (v. 19)
Ne jetojmë nën sundimin e një Perëndie kozmik, i cili e ushtron pushtetin e tij përmes proceseve të mëdha e të mahnitshme, siç është lëvizja e planetëve nëpër orbitat e tyre, lëvizja e dritës së diellit nëpër atmosferën tonë dhe shtrirja e jetës në çdo krijesë (Jobi 38-39). Mirëpo, në Jezus Krishtin, Perëndia zgjodhi të ndryshonte rezidencën (banimin), zgjodhi të bëhej një qenie njerëzore, pra, një njeri, në një vend të caktuar në një kohë të caktuar. “Dhe Fjala u bë mish dhe ndenji ndër ne dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit nga Ati, plot hir e të vërtetë.” (Gjo. 1:14).
Në leximin tonë për sot, shohim pak se çfarë do të thotë që Perëndia i plotfuqishëm të bëhej mish. Jezusi takon një burrë që kishte qenë invalid për 38 vjet, i cili priste çdo ditë pranë një pishine me shpresën për të marrë një kurë me mrekulli (v. 3, 5). Pastaj mbërrin vetë Perëndia te pishina. Jezusi foli me këtë burrë, duke e pyetur: “A dëshiron të shërohesh?” (v. 6). Pasi dëgjoi me mirësjellje justifikimet e tij bishtnuese, Jezusi veproi në mënyrë të menjëhershme dhe personale: “Çohu, merr vigun tënd dhe ec!” (v. 8).
Ne e quajmë këtë një “mrekulli”, por ungjilli sipas Gjonit na tregon se është thjesht Perëndia që sillet si Perëndi. Ai mund t’ju prekë, një person, në një vend, në një kohë të caktuar, sepse “gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu edhe Biri” (v. 19). — Fred Van Dyke
Ndërsa luteni, i tregoni Jezusit nevojat tuaja, dhe mos u çudisni kur Ai të përgjigjet.
#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android