Lexoni nga Gjoni 20:1-18
Të thirrur me emër, të birësuar, të dërguar
Jezusi i tha: “Mari!”. (v. 16)
Në Ungjillin sipas Gjonit, Maria sheh por nuk mund të shohë. Ajo ka ngecur në errësirë derisa Jezusi ia hap sytë për të parë historinë e vërtetë. Kur Maria dëgjon zërin e Jezusit të ringjallur që e thërret, ajo thirret me emër, është e birësuar dhe e dërguar. Sot, ndërkohë që kremtojmë Pashkën, ne festojmë që Jezusi po thërret secilin prej nesh bashkë me Marinë.
Jezusi e thirri Marinë me emër. “Ajo u suall dhe i tha “Rabboni!”, që do të thotë Mësues” (v. 16). Kur Jezusi ju thërret, ai ju thërret personalisht. Ai e di emrin tuaj. Ai ju thërret me emër.
Kur Jezusi thirri Marinë, ajo u adoptua si fëmijë e Perëndisë dhe motër e Krishtit. Jezusi e quajti Atin e tij, Atin tonë, dhe Perëndinë e tij, Perëndinë tonë. Ai i quajti dishepujt vëllezër (v. 17). Kur Jezusi na thërret me emër, edhe ne bëhemi pjesë e familjes gjithashtu. E njohim Perëndinë si Atin tonë të dashur e të hirshëm dhe Krishtin si vëllanë tonë.
Kur Jezusi e thirri Marinë, ajo u dërgua për ta shpallur atë. “Maria Magdalena erdhi t’ua njoftojë dishepujve se kishte parë Zotin dhe se i kishte thënë asaj këto gjëra” (v. 18). Historia e ringjalljes nuk u bë për t’u mbajtur në heshtje. E thirrur me emër dhe e birësuar, Maria u dërgua dhe lajmëroi lajmin e mirë: “Unë kam parë Zotin! Jezu Krishti u ngjall”.
Rrugëtimi i Jezusit nuk mori fund në kryq. Nëse jeni një ndjekës i Jezusit, as rrugëtimi juaj nuk merr fund në kryq. Si do t’i përgjigjeni thirrjes së Jezusit? — Stephen Shaffer
Ndërsa luteni, falënderoni Jezusin që ju ka thirrur me emër, ju ka birësuar në familjen e tij dhe ju ka dërguar në botë me lajmin e mirë.
#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke